Botë

Senati e kalon planin e Trumpit për shkurtimin e ndihmave amerikane në botë në vlerë 9 miliardë dollarë

Published

on

Me 51 vota pro dhe 48 kundër senatorët e kaluan kërkesën e Trumpit për të shkurtime në vlerë prej 9 miliardë dollarësh nga shpenzimet tashmë të miratuara nga Kongresi.

Shumica e shkurtimeve janë për programe që ndihmojnë vendet e huaja për t’i luftuar sëmundjet, luftërat dhe fatkeqësitë natyrore, por plani gjithashtu ndalon plotësisht 1.1 miliardë dollarët që Korporata për Transmetimet Publike do t’i merrte gjatë dy vjetëve të ardhshme.

Trump dhe shumë nga republikanët e tjerë argumentojnë se shpenzimet për transmetimet publike janë të panevojshme dhe e kritikojnë mbulimin e lajmeve të tyre si të njëanshëm.

Paketa të veçanta për anulime të fondeve nuk kanë kaluar prej dekadash, pasi ligjvënësit kanë hezituar ta dorëzojnë kontrollin kushtetues mbi shpenzimet. Por, republikanët e Trumpit, të cilët kanë shumicë të ngushtë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë treguar pak dëshirë për t’i kundërshtuar politikat e tij që nga fillimi i mandatit të dytë në janar.

Nëntë miliardë dollarët në fjalë përfaqësojnë një shumë goxha të vogël në krahasim me buxhetin federal prej 6.8 trilionë dollarësh, dhe janë vetëm një pjesë e vogël e fondeve të miratuara nga Kongresi që administrata Trump ka mbajtur pezull teksa synon shkurtime të mëdha, shumë prej të cilave të urdhëruara nga Departamenti për Efikasitetin Qeveritar (DOGE) i drejtuar nga miliarderi Elon Musk.

Sipas ligjvënësve demokratë, deri në mesin e qershorit, Trump kishte bllokuar 425 miliardë dollarë financime të miratuara më parë nga Kongresi.

Megjithatë, Trump dhe mbështetësit e tij kanë premtuar më shumë kërkesa për “anulim fondesh”, në përpjekje për ta tkurrur qeverinë federale.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin për anulimin e fondeve muajin e kaluar me 214 vota pro dhe 212 kundër, pa ndryshuar kërkesën e Trumpit. Katër republikanë iu bashkuan 208 demokratëve për të votuar kundër.

Por, pasi disa senatorë republikanë shprehën shqetësim për shkurtimet në programet globale shëndetësore, drejtori i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin, Russell Vought, tha të martën se PEPFAR, një program global për luftën kundër HIV/AIDS-it i nisur në vitin 2003 nga Presidenti George W. Bush, do të përjashtohej nga shkurtimet.

Ky ndryshim e uli shumën e shkurtimeve nga 9.4 miliardë në 9 miliardë dollarë, gjë që kërkon një votim tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve para se masa të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e Trumpit.

Anulimet e fondeve duhet të miratohen deri të premten. Përndryshe, kërkesa do të skadojë dhe Shtëpia e Bardhë do të detyrohet të ndjekë planet e shpenzimeve të miratuara nga Kongresi.

Dy nga 53 senatorët republikanë – Lisa Murkowski nga Alaska dhe Susan Collins nga Maine – iu bashkuan demokratëve në votimin kundër legjislacionit.

Nuk ke pse të shkatërrosh të gjithë Korporatën për Transmetimet Publike”, tha Murkowski në një fjalim në Senat.

Ajo shtoi se administrata Trump nuk kishte dhënë garanci që lufta kundër sëmundjeve si malaria dhe poliomieliti në mbarë botën do të vazhdojë. Mbi të gjitha, Murkowski tha se Kongresi duhet të ruajë rolin e tij në vendosjen e mënyrës se si shpenzohen fondet federale./REL

 

Lajmet

REL: Ku na la viti 2025, sipas statistikave?

Published

on

Edhe pse gjatë vitit 2025 politikanët promovuan statistika që e nxirrnin Kosovën si vend që kryesonte matjet globale për përmirësim të mirëqenies dhe si një nga vendet më të sigurta në Evropë, të dhëna të tjera nxjerrin në pah një realitet krejt tjetër.

Për shembull, sipas statistikave të mbledhura nga platforma Coverge2EU, e cila ndjek gjendjen në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian, Kosova vazhdon të mbetet prapa shumicës së vendeve të rajonit në shumë fusha.

Përveç ekonomisë, Kosova renditet e fundit ndër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian, edhe në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë. Dhe jo vetëm kaq.

Por, është një kategori ku Kosova lë prapa jo vetëm shtetet e rajonit, por edhe mesataren e Bashkimit Evropian: qasja në internet.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 99 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në internet.

Përdoruesit më të shpeshtë të internetit janë të rinjtë e grup-moshës 16 deri në 24 vjeç.

Të dhënat e publikuara nga zyra e organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë këtë vit, tregojnë se pikërisht fushat e shkencave kompjuterike dhe matematikore, shihen si me më së shumti perspektivë nga të rinjtë e Kosovës.

Megjithatë, kjo nuk e ndalon shumicën e të rinjve që ende të synojë një jetesë jashtë Kosovës.

E, çka tjetër mendojnë të rinjtë?

Grafikat e mëposhtme ju sjellin një pëmbledhje:

Në Kosovë, mbi gjysma (52.8%) e popullsisë 15 vjeç e sipër flasin vetëm gjuhën shqipe. Në anën tjetër, më pak se 4% flasin tri gjuhë të huaja ose më shumë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025 të publikojë të dhëna nga regjistrimi i popullsisë, i realizuar rreth një vit më parë.

Ky regjistrim – ku nuk morën pjesë shumë serbë të Kosovës – ka zbuluar shumëçka tjetër përtej të dhënave të thjeshta demografike.

Për shembull, ai ka treguar se rreth 75% e banorëve të Kosovës janë të lidhur me sistemin publik të furnizimit me ujë.

Por, çdo i katërti banor ende detyrohet të gjejë vetë zgjidhje për t’u furnizuar me ujë.

Pak mbi 85 për qind e banorëve të Kosovës janë të lidhur me sistemin publik të kanalizimit për shkarkimin e ujërave të zeza.

Por, një numër i konsiderueshëm ende detyrohen të gjejnë forma të tjera, si lidhja në sisteme private apo hapja e gropave septike.

Vetëm rreth 39% e banorëve të Kosovës ngrohen përmes sistemit të ngrohjes publike, i cili funksionon vetëm në Prishtinë dhe në Gjakovë.

Pjesa më e madhe e qytetarëve përdor sisteme të instaluara individualisht, si ngrohje qendrore private, stufa dhe oxhakë.

Lëndët kryesore për ngrohje mbeten druri, peleti dhe pajisjet që funksionojnë me energji elektrike, ndërsa energjia diellore përdoret nga vetëm 326 shtëpi në të gjithë vendin.

Continue Reading

Botë

Sulmi terrorist në Stamboll, 357 të arrestuar

Published

on

By

357 persona janë vënë në pranga në një operacion kundër Shtetit Islamik, një ditë pasi tre oficerë policie dhe gjashtë terroristë u vranë në një shkëmbim zjarri në Turqinë veriperëndimore.

Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha se operacionet u zhvilluan në 21 provinca, duke theksuar se Turqia nuk do të tregojë tolerancë ndaj terrorizmit.

41 prej të arrestuarve kishin lidhje me militantët e përfshirë në sulmin e së hënës dhe po planifikonin sulme të ngjashme në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri. Më parë, Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit njoftoi se policia bastisi 114 vende në Stamboll dhe dy provinca të tjera, duke sekuestruar materiale dhe dokumente të ndryshme.

Zyra e Kryeprokurorit të Ankarasë tha se Byroja e Hetimit të Krimeve Terroriste identifikoi të dyshuarit përmes analizimit të materialeve digjitale të sekuestruara gjatë hetimeve të mëparshme në lidhje me ISIS-in. Nga shkëmbimi i zjarrit mes militantëve të ISIS dhe policisë në Turqi mbetën të plagosur edhe 8 policë.

Continue Reading

Botë

Trump thotë se është bërë përparim në bisedimet për Ukrainën, por mbeten

Published

on

By

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky thanë se ishte bërë përparim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë bisedimeve në Florida, por udhëheqësi amerikan shtoi se mbetën “një ose dy çështje shumë të vështira”.

Ndërsa të dy presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës i përshkruan bisedimet si “të shkëlqyera”, Trump përsëriti se një pikë kyçe ngërçi ishte çështja e territorit. Rusia më parë ka kërkuar që Ukraina të dorëzojë më shumë tokë.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Mar-a-Lago, Zelensky tha se ata kishin arritur një marrëveshje për “90%” të një plani paqeje prej 20 pikash, ndërsa Trump tha se një garanci sigurie për Ukrainën ishte “afër 95%” e përfunduar.

Zelensky më vonë tha se ekipet amerikane dhe ukrainase do të takohen javën e ardhshme për bisedime të mëtejshme mbi çështjet që synojnë t’i japin fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Continue Reading

Lajmet

Shpërthim në Moskë, tre të vdekur, mes tyre dy policë

Published

on

Tre persona, përfshirë dy oficerë policie janë vrarë në një shpërthim në Moskë, thanë autoritetet ruse.

Dy oficerë të policisë rrugore panë një individ të dyshimtë pranë një makine policie në rrugën Yeletskaya të qytetit dhe kur iu afruan të dyshuarit për ta ndaluar, një pajisje shpërtheu, tha Komiteti Hetues i Rusisë.

Dy oficerët e policisë vdiqën nga plagët e marra, së bashku me një person tjetër që po qëndronte aty pranë.

Shpërthimi ndodhi pranë vendit ku një gjeneral i lartë rus u vra në një shpërthim me makinë-bombë në kryeqytet të hënën.

Gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov vdiq pasi një pajisje shpërthyese e cila ishte vendosur nën një makinë krisi.

Zëdhënësja e Komitetit Hetues Svetlana Petrenko tha në një deklaratë në Telegram se një çështje penale po hetohej në Moskë lidhur me një përpjekje për vrasjen e oficerëve të policisë rrugore.

Mediat ruse identifikuan oficerët si Ilya Klimanov, 24 vjeç dhe Maxim Gorbunov, 25 vjeç./S.K/EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara