Lajmet

7-vjeçarja bie në koma pas djegieve të rënda, i shpërtheu lodra pasi ndoqi sfidën e TikTok-ut

Published

on

Një vajzë 7-vjeçare nga Missouri, e quajtur Scarlett Selby, ra në koma pasi një lodër squishy shpërtheu ndërsa ajo po përpiqej të realizonte një sfidë virale në TikTok, raporton New York Post.

“Ndodhi aq shpejt,” tha babai i viktimës, Josh Selby, 44 vjeç, për Kennedy News, ndërsa rrëfente incidentin e tmerrshëm. “E dëgjova të bërtiste, dhe ishte një ulërimë që të ngrinte gjakun.”

Vogëlushja, që jeton në Festus, po kopjonte një sfidë që kishte parë në TikTok ku njerëzit vendosnin NeeDoh, një kub squishy kundër stresit të bërë prej gome me një mbushje xhelatinoze alkooli, në frigorifer dhe më pas e fusnin në mikrovalë për disa sekonda që të bëhej më i butë.

“Ajo e kishte ngrirë kubin NeeDoh një natë më parë dhe të nesërmen më tregoi se ishte bërë i fortë si gur dhe po luante me të,” tha Selby. “E futi në mikrovalë. Po e shihja dhe e pashë kur e preku për t’u siguruar që nuk ishte shumë i nxehtë kur e nxori jashtë.”

Ky eksperiment që dukej i padëmshëm u kthye në një katastrofë kur lodra xhelatinoze shpërtheu, duke i spërkatur fytyrën dhe gjoksin Scarlett-it me një substancë të nxehtë dhe ngjitëse. Selby raportoi se dëgjoi vajzën të bërtiste nga dhimbja e vrapoi për ta ndihmuar, duke u përpjekur të hiqte substancën djegëse nga trupi dhe rrobat e saj, por ishte e vështirë për shkak të trashësisë dhe ngjitshmërisë së saj.

“Sa herë që e prekja, dora ime ngjitej pas saj,” tha babai i shqetësuar, që tregoi se i shqeu bluzën vajzës se substanca ishte ngjitur edhe aty.

Babai dhe nëna e saj, Amanda Blankenship, 35 vjeç, e dërguan me urgjencë vajzën e tyre në Spitalin e Fëmijëve në St. Louis, një udhëtim që zgjati 30 minuta. Scarlett kishte aq shumë dhimbje sa vazhdonte të bërtiste edhe pasi kishte mbërritur në spital, sipas Blankenship.

“Ishte e tmerrshme ta shihje sa e frikësuar ishte dhe sa shumë po vuante,” tha e ëma e saj “me zemër të thyer.”

Pas mbërritjes në spital, mjekët vendosën ta fusnin Scarlett-in në koma të induktuar  ku qëndroi për tre ditë nga frika se djegiet në gojën e saj mund të shkaktonin ënjtje të rrugëve të frymëmarrjes.

Buzët e saj u dogjën aq keq sa që u desh të përdorte një tub ushqimi gjatë gjithë kohës që qëndroi një javë në spital.

“Nuk mendoj se mund të flisja me askënd pa qarë gjatë gjithë kohës,” tha Selby.

Mjekët vendosën të mos bënin një transplant lëkure për momentin, por e ëma e saj është e shqetësuar se mund të nevojitet më vonë, pasi “shenjat janë shumë të rënda.”

“Pasi u këshilluam me mjekët, do t’i japim disa vite, ndoshta deri kur të jetë rreth 12 vjeçe, për të parë si rritet trupi i saj dhe nëse shenja do të përhapet” tha e ëma, e cila punon si parukiere. “Ende po i aplikojmë kremra dhe pomada silikoni çdo ditë shenjat janë aq të theksuara sa dalin jashtë lëkurës së saj.”

Por shenjat nuk janë vetëm fizike, sipas Blankenship, e cila thotë se ndonjëherë e sheh vajzën e saj duke qarë ndërsa shikon veten në pasqyrën e banjës.

“Ajo bëhet e ndrojtur, dhe ndonjëherë e shoh duke u përpjekur ta mbulojë shenjën me bluzë kur jemi në publik, ose kthehet nga shkolla dhe më thotë se një fëmijë tjetër e ka pyetur për të,” tha e ëma. “I them se nuk ka pse të ndihet në siklet. Ajo ka kaluar shumë dhe ishte një aksident i tmerrshëm”.

Pavarësisht shenjave të rënda, Blankenship tha se “ajo është ende e bukur dhe ato shenja e bëjnë atë, atë që është.”

Babai i saj po paralajmëron prindërit e tjerë që t’i hedhin lodrat NeeDoh, duke marrë parasysh incidentin e tmerrshëm, të cilin e përshkroi si “gjënë më të vështirë” që ka kaluar ndonjëherë.

“U kam thënë absolutisht të gjithëve që t’i hedhin, nëse i kanë,” paralajmëroi ai. “Substanca brenda tyre është si ngjitës, kështu që në thelb ke një ngjitës të nxehtë që shpërthen mbi ty. Sapo të prek lëkurën, nuk ka asnjë mënyrë për ta hequr.”

Ai shtoi: “Nuk duhet të shitet në këtë formë dhe nuk duhet të reklamohet në këtë mënyrë.” Prodhuesi “Schylling Toys” ende s’ka reaguar, por në faqen e internetit kanë paralajmërim: “Mos e ngrohni, ngrini apo vendosni në mikrovalë, mund të shkaktojë lëndime personale.”

“TikTok” paralajmëron në faqen e tij se platforma nuk “lejon shfaqjen ose promovimin e aktiviteteve dhe sfidave të rrezikshme apo dhunës.”

“Kjo mund të përfshijë sfida, lojëra, truke, përdorim të papërshtatshëm të mjeteve të rrezikshme, konsumimin e substancave të dëmshme për shëndetin ose aktivitete të ngjashme që mund të çojnë në lëndime të rënda fizike,” thuhet në politikën e TikTok-ut.

Kjo si ka ndaluar njerëzit të provojnë sfida të rrezikshme që supozohet se janë përhapur përmes kësaj platforme. Në prill 2024, një djalë 12-vjeçar nga Arizona, pësoi djegie në të gjithë trupin pasi u përpoq të ndizte alkool izopropilik gjatë një sfide në TikTok që shkoi keq.

 

Lajmet

Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Published

on

By

Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.

“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.

Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.

Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL

Continue Reading

Lajmet

Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova

Published

on

By

Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare.

Aty bëhet e ditur se pritjet për të dalë nga Kosova po zgjasin deri në 90 minuta. Kjo situatë është në pikën kufitare në Jarinjë.

Pritje deri në 1 orë ka edhe në Merdarë, ndërsa 40 minuta janë pritjet tek Dheu i Bardhë.

Continue Reading

Lajmet

Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora

Published

on

By

Sot në Kosovë pritet të arrijnë edhe 3,185 pako të fundit me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.

Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se numërimi i tyre pritet të nisë sonte rreth orës 19:00, pas procesit të verifikimit.

“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.

Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.

Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi./EO

Continue Reading

Lajmet

Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara

Published

on

By

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.

Byroja Kosovare e Sigurimeve tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.

Ish-zyrtar të kësaj byroje është raportuar se janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm.

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, tha BKS-ja.

BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha. Ata dyshohen se u kanë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë prej mijëra eurosh. Ky medium mëson se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në para të gatshme.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./REL

Continue Reading

Të kërkuara