Lajmet

Specialja merr sot vendim për Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot merret vendimi mbi pranimin e fajësisë nga Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë.

Shala, Januzi dhe Bahtijari e pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.

Në marrëveshjen e tyre me Prokurorinë, Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, Januzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari u pajtua se, në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.

Që të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhej fjalë, e as në cilin rast parashihej të dëshmonte ai.

Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Shala në dhjetor 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë prej atëherë, do t’iu llogaritet në vuajtjen e dënimit.

Çfarë thotë aktakuza për Shalën, Januzin e Bahtijarin?

Aktakuza e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik të vitit 2023, thotë se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, kontaktuan një dëshmitar.

Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.

Tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.

Vepra në grup, sipas Prokurorisë, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL/

Lajmet

Qeveria miraton vendime preliminare për shpronësime në disa projekte infrastrukturore

Published

on

By

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore Industria e Mobileve “Përparimi”, si dhe të pronave private, për nevoja të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Kyçjes së Vitisë në Autoudhën ‘Arbër Xhaferi’, Prishtinë – Hani i Elezit”.

Po ashtu, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Rrugës Tranzit në Klinë, nga N9 deri në R-104”, Klinë – Gurakoc.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Qeveria ka marrë gjithashtu vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale M25 Prishtinë – Podujevë”.

Continue Reading

Lajmet

Nëse kualifikohet në botëror, Kosova fiton rreth 10.5 milionë dollarë

Published

on

FIFA e ka aprovuar rritjen prej 50% të fondit të shpërblimeve për Kupën e Botës, dhe sipas kësaj rritje, fituesi do t’i merrte plot 50 milionë dollarë, derisa nënkampioni 33 milionë dollarë.

Kurse, ata që dështojnë të kualifikohen tutje nga faza grupore, do t’i marrin 9 milionë dollarë.

Derisa, kostoja shtesë për përgatitje shkon deri në 1.5 milion dollarë. Pra, nga kjo përllogaritje, del se një kombëtare që arrijnë të kualifikohet i ka të garantuara 10.5 milionë dollarë.

Në këtë rast, nëse edhe Kosova e arrijnë këtë sukses historik pas ndeshjeve të playoff-it do t’i marrë të paktën kaq para.

Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të shtëpisë më të madhe të futbollit, 727 milionë dollarë, do të shpërndahen mes federatave anëtare si rezultat i Botërorit 2026.

Nga kjo shumë, 655 milionë dollarë do të ndahen si shpërblime direkte për kombëtaret pjesëmarrëse.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u shpreh se Botërori 2026 do të jetë revolucionar për kontributin financiar ndaj futbollit global.

FIFA pret të arkëtojë 13 miliardë dollarë gjatë ciklit 2022–2026, pothuajse dyfish më shumë se cikli paraprak, rritje që lidhet kryesisht me zgjerimin e Kupës së Botës dhe Botërorit të Klubeve.

Kampionati i ardhshëm botëror zhvillohen në tri shtete, ShBA, Kanada dhe Meksikë, nga 11 qershori i 2026-tës e deri më 19 korrik./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Gjilani ndalon përdorimin e fishekzjarreve

Published

on

By

Në prag të festave të fundvitit, Komuna e Gjilanit ka marr vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Sipas njoftimi të komunës, përdorimi i mjeteve piroteknike ndalohet në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë e sheshe.

Ndalesa sipas kësaj urdhërese vlen për periudhën 20 dhjetor 2025 deri më 03 janar 2026, përjashtuar nga kjo ndalesë periudhën kohore nga ora 23:30 të datës 31.12.2025 deri në orën 00:30 të datës 01.01.2026.

Personat të cilët veprojnë në kundërshtim me këtë urdhëresë do të gjobiten në shumë prej 100 euro”, thuhet në urdhëresën e kryetarit Alban Hyseni.

Continue Reading

Lajmet

Paris Saint-Germain fiton trofeun e gjashtë sezonal pas një drame penalltish ndaj Flamengos

Published

on

Paris Saint-Germain është shpallur fitues i Kupës Ndërkontinentale, duke mposhtur Flamengon në finale pas një serie dramatike penalltish, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk dhanë fitues.

PSG e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke krijuar disa raste që në minutat e para. Një gol i Fabian Ruiz në minutën e 9-të u anulua pas rishikimit me VAR, pasi topi kishte dalë jashtë fushës gjatë aksionit.

Goli i parë i ligjshëm erdhi në minutën e 38-të, kur Khvicha Kvaratskhelia përfitoi nga një pasim perfekt dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë PSG-së 1-0. Pjesa e parë u karakterizua nga ndërhyrje të forta dhe kartonë të verdhë për të dyja skuadrat.

Në pjesën e dytë, Flamengo reagoi dhe shtoi presionin. Momenti kyç erdhi në minutën e 60-të, kur pas një faulli në zonë, gjyqtari Ismail Elfath u thirr nga VAR dhe akordoi një penallti për brazilianët.

Në serinë e penalltive, më të saktë dolën lojtarët e PSG, duke fituar 2-1 dhe duke ngritur trofeun e Kupës Ndërkontinentale për klubin francez.

Ky triumf vjen pas një ndeshjeje të balancuar dhe dramatike, që dëshmoi fuqinë dhe qetësinë e lojtarëve të PSG-së në momentet vendimtare. /S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara