Bota

Çmimi i energjisë elektrike në Zvicër pritet të rritet me 27% vitin e ardhshëm

Tarifat për familjet private në Zvicër vendosen një herë në vit.

Published

on

Çmimet e energjisë elektrike për familjet në Zvicër pritet të rriten mesatarisht me 27% vitin e ardhshëm, njoftoi të martën autoriteti rregullator lokal për sektorin e energjisë elektrike ElCom.

Megjithatë, në nivel rajonal, çmimet mund të rriten ndjeshëm më shumë, sipas organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas ElCom, çmimi konkret varet nga prokurimi përkatës i energjisë i rreth 630 operatorëve rajonalë të rrjetit dhe nga pjesa e prodhimit të tyre.

Një kilovat orë do t’i kushtojë një familjeje tipike 26,95 centime zvicerane (0,28 dollarë cent) në vitin e ardhshëm, njoftoi ElCom.

Tarifat për familjet në Zvicër vendosen një herë në vit. /UBTNews/

Bota

Izraeli kërcënon me përshkallëzim ushtarak në Siri

Published

on

By

Izraeli ka paralajmëruar se do të rrisë përfshirjen ushtarake në jug të Sirisë, nëse forcat qeveritare siriane nuk tërhiqen nga zonat e banuara nga pakica druze.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të mërkurën se ushtria izraelite “do të vazhdojë të godasë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen dhe do të rrisë nivelin e përgjigjes nëse mesazhi nuk kuptohet”.

Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar të ruajë rajonin jugperëndimor të Sirisë si një zonë të çmilitarizuar dhe të mbrojë pakicën druze në kufi.

Kërcënimi i Izraelit vjen pas shpërthimit të dhunës në qytetin Sueida, ku një armëpushim i arritur të martën mes forcave qeveritare siriane dhe grupeve të armatosura druze u thye të mërkurën.

Ministria siriane e Mbrojtjes akuzoi milicitë lokale për shkeljen e marrëveshjes, duke thënë se ushtria rifilloi operacionet për të “mbrojtur banorët dhe garantuar kthimin e sigurt të atyre që janë larguar”.

Përplasjet nisën mes grupeve të armatosura druze dhe fiseve sunite beduine në provincën Sueida dhe janë shoqëruar me raporte për vrasje pa gjyq, plaçkitje dhe djegie të shtëpive nga forcat e sigurisë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi të paktën 250 të vrarë që nga fillimi i dhunës, përfshirë fëmijë, gra dhe dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë.

Komuniteti druz, një pakicë fetare që buron nga një degë e islamit shiit, përballet me presion në rritje në Siri pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor.

Ndërsa disa pjesëtarë të pakicës druze kërkojnë integrim në sistemin e ri politik, të tjerë vazhdojnë të mbeten skeptikë dhe kërkojnë autonomi për rajonin e tyre.

Izraeli, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit druz, e konsideron këtë komunitet si aleat dhe është zotuar ta mbrojë nga kërcënimet në kufi./REL

Continue Reading

Bota

Kina kritikon politizimin e tregtisë në mes të përplasjes me SHBA-në

Published

on

By

Zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng, paralajmëroi të mërkurën kundër politikave tregtare proteksioniste dhe politizimit të zinxhirëve globalë të furnizimit, në një kritikë të tërthortë ndaj Shteteve të Bashkuara pas kërcënimeve të fundit për tarifa nga Uashingtoni.

Duke folur në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Zinxhirëve të Furnizimit në Pekin, He tha se disa vende po ndërhyjnë në tregje nën pretekstin e reduktimit të rrezikut, duke përdorur mjete si tarifat dhe masa kufizuese për të promovuar të ashtuquajturën rikthim të prodhimit.

Ai shtoi se Kina kundërshton shfrytëzimin artificial të çështjeve tregtare për qëllime politike dhe ideologjike.

He nuk përmendi asnjë vend drejtpërdrejt, por theksoi se në një luftë tarifore nuk ka fitues raporton DPA.

Zinxhirët globalë të furnizimit u vunë sërish nën presion në prill, pasi Kina vendosi kufizime në eksportet e tokave të rralla dhe SHBA shpalli tarifa të reja për importet nga disa vende. Kompanitë gjermane kanë shprehur gjithashtu shqetësime për mungesa të mundshme të materialeve kritike nga Kina.

Tensionet kohët e fundit ishin zbutur, pasi të dy vendet ranë dakord të heqin disa kufizime tregtare. Prodhuesi amerikan i çipave Nvidia tha të hënën se pret të marrë miratimin e SHBA për të rifilluar shitjet e çipave të posaçëm për Kinën, pas shtrëngimit të kufizimeve të eksportit në prill.

Së voni, Shtetet e Bashkuara rritën ndjeshëm tarifat ndaj mallrave kineze, duke përfshirë automjetet elektrike, bateritë litiumi, panelet diellore dhe produktet e çipave.

Tarifa për automjetet elektrike u katërfishua nga 25 përqind në 100 përqind, si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur industrinë vendase nga subvencionet kineze.

Paralelisht, Kina vendosi kufizime në eksportin e disa mineraleve të rralla, të rëndësishme për prodhimin e teknologjisë së avancuar. Këto masa u interpretuan si një kundërpërgjigje ndaj presionit amerikan në sektorin teknologjik.

Lufta tregtare po thellohet, me të dyja palët që përdorin tarifat dhe kufizimet si armë ekonomike.

Tensionet po reflektojnë një garë të ashpër për dominim në teknologji dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit./REL

Continue Reading

Bota

Kreu i organizatës për migracionin i bën thirrje BE-së të shtojë dëbimet e migrantëve

Published

on

By

Kreu i një organi me ndikim i financuar nga Bashkimi Evropian për këshillim mbi migracionin ka bërë thirrje që blloku evropian të forcojë dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar në kuadër të paktit të ri për migracionin dhe ka mbrojtur organizatën e tij ndaj kritikave për shkelje të të drejtave të njeriut.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare për Politikat e Migracionit (ICMPD) mohoi përgjegjësinë për atë që e quajti “raste individuale” të abuzimeve me të drejtat e njeriut nga autoritetet në vendet ku vepron organizata e tij.

Michael Spindelegger, ish-zëvendëskancelar nga Partia Popullore Austriake konservatore, foli në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, ndërsa Brukseli po përballet me presion për të ndaluar apo dëbuar migrantët, për shkak të forcimit të partive të djathta ekstreme që kanë qasje kundër migracionit në mbarë Evropën.

Pakti i migracionit i BE-së, i miratuar vitin e kaluar dhe që do të hyjë në fuqi në qershor 2026, forcon procedurat për azilkërkuesit në kufijtë e bllokut.

Është shumë e rëndësishme që të krijohet një politikë funksionale e kthimit, gjithashtu në frymën e këtij pakti”, tha Spindelegger për AFP-në.

Nëse dikush vjen, nuk merr azil dhe më pas qëndron gjithsesi, dhe nuk ndodh asgjë, kjo është një shenjë shumë e keqe për shtetin ligjor”, shtoi ai.

Ai theksoi se është e rëndësishme që personat e dëbuar të riintegrohen në vendet e tyre të origjinës në mënyrë që të mos largohen sërish.

Aktualisht, më pak se 20 për qind e personave të urdhëruar të largohen nga BE-ja kthehen në vendet e tyre të origjinës, sipas të dhënave të BE-së.

Në lidhje me reformat e migracionit të BE-së, “treni është në lëvizje, kjo është e qartë, por ka ende stacione të ndryshme që duhen marrë në konsideratë”, tha Spindelegger.

ICMPD-ja, me seli në Vjenë, këshillon institucionet e Bashkimit Evropian dhe aktorë të tjerë për politikat e migracionit dhe zbaton projekte në Afrikë, Azi dhe Evropë.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar vazhdimisht për projektet jashtë BE-së që synojnë të reduktojnë numrin e migrantëve që mbërrijnë në Evropë.

ICMPD-ja ka bashkëpunuar me rojet bregdetare të Tunizisë dhe autoritetet libiane, të cilat janë akuzuar për keqtrajtim të migrantëve.

Më vjen shumë keq sa herë që vazhdojnë raste negative individuale (të abuzimeve me të drejtat e njeriut). Ne nuk mund të marrim përgjegjësi për to”, tha Spindelegger.

Ai theksoi se kurset e trajnimit të organizuara nga ICMPD-ja për rojet kufitare në vendet tranzit përfshijnë edhe trajnim mbi të drejtat e njeriut.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësime edhe për planet e Komisionit Evropian, të paraqitura në maj, që synojnë të lehtësojnë dërgimin e azilkërkuesve në vende të treta për përpunimin e kërkesave të tyre.

Kjo propozim shihet si një hap drejt krijimit të qendrave jashtë BE-së që do të funksiononin si pika kthimi për migrantët.

Për të hyrë në fuqi, propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare.

ICMPD-ja ka 21 vende anëtare, kryesisht nga BE-ja, dhe një staf prej më shumë se 500 personash.

E themeluar nga Austria dhe Zvicra në vitin 1993, organizata vepron në më shumë se 90 vende.

Rreth 70 për qind e buxhetit vjen nga Komisioni Evropian./REL

Continue Reading

Aktualitet

Trashëgimia evropiane në zemrën e Kosovës – UBT nderon Karl Gegën me ekspozitën më të madhe ndërkombëtare

Published

on

Në një ceremoni solemne, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u zhvillua hapja e ekspozitës ndërkombëtare kushtuar gjeniut të inxhinierisë hekurudhore, Karl Gega, si dhe ceremonia qendrore e Global UBT Fest 2025.

Kjo ekspozitë ndërdisiplinare, e sjellë për herë të parë në Kosovë, përfaqëson një bashkëpunim unik midis UBT-së dhe partnerëve ndërkombëtarë nga Italia dhe rajoni.

Ngjarja mblodhi një mori personalitetesh të rëndësishme nga fusha e politikës, arsimit, diplomacisë, biznesit dhe arkitekturës. Të pranishëm ishin: Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Deputetë të Kuvendit të Kosovës, Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, Arkitektë nga Italia, profesorë dhe studentë të shumtë.

Në hapje të ceremonisë, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë strategjike të kësaj ekspozite për vendin tonë:

“Me këtë ekspozitë, jo vetëm që e nderojmë figurën e Karl Gegës, një prej inxhinierëve më të shquar të historisë evropiane, por njëkohësisht i japim një mesazh të qartë brezave të rinj: se vizioni, dijet dhe përkushtimi nuk njohin kufij. Qyteti i Mençur i UBT-së është hapësira ku historia takohet me inovacionin, dhe ku trashëgimia kulturore ndërlidhet me teknologjinë dhe të ardhmen”.

Prof. Lucia Nadin vlerësoi UBT-në si një partner të denjë evropian dhe përgëzoi të gjithë për punën e arritur deri më tani.

“Qëllimi i kësaj ngjarjeje është të bëjë të njohur figurën e Karl Gega-s, gjenialitetin e tij, sfidën e tij ndaj të pamundurës, këmbënguljen e tij për të mbrojtur idetë dhe projektet e veta – veçanërisht për të rinjtë: që ata të mësojnë, përmes njohjes së veprës së kësaj personaliteti të madh, se gjithçka mund të arrihet nëse, përveç ëndrrave dhe vizioneve, janë të vetëdijshëm për thellësinë e dijeve që duhet të zotërojnë – dhe që shpesh kërkojnë përpjekje për t’u fituar”, tha Nadin.

Sipërmarrësi shqiptar në Itali, Genc Podgorica, një nga kontribuuesit kyç për realizimin e kësaj ekspozite, u shpreh:

“Ky bashkëpunim është dëshmi se sa shumë mund të arrijmë kur lidhim rrënjët tona kulturore me përvojën dhe dijen ndërkombëtare. Karl Gega ishte vizionar – dhe të rinjtë e Kosovës meritojnë të inspirohen nga të tillë shembuj. UBT është duke krijuar një platformë të jashtëzakonshme që i bën të mundshme këto ura bashkëpunimi”.

Në përmbyllje të ngjarjes, UBT ndau certifikata mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e ekspozitës ndërkombëtare për Karl Gega. Rektori Hajrizi theksoi se këto certifikata nuk janë thjesht dokumente simbolike, por shprehje e një vlerësimi të thellë për punën dhe përkushtimin ndaj dijes dhe kulturës.

Ceremonia shënoi një moment të veçantë me këngët e kënduara nga studentët e Fakultetit Muzika Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhmenti.

Continue Reading

Të kërkuara