Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të Prokurorisë Speciale, Halim Behramaj në rastin “Banjska”, i cili është polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë.
Dëshmitari i Prokurorisë Speciale ka treguar se rreth orës 02:00 përmes radiolidhjes janë njoftuar se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë.
Në pyetjet e prokurorit special, Naim Abazi, Behramaj tha se në 21 vite përvojë pune në Polici të Kosovës, sulm të tillë nuk ka hasur.
Behramaj: “Shpërthim e të shtëna kuptuam se përballë kishim një grup të organizuar.Menjëherë kemi kuptuar që nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal, pasi pozita prej ku qëllonin dhe armët na bënin të kuptojmë që është një grup i organizuar. E kam vërejtur që rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në rrugë. Ne ishin diku rreth 30 metra larg dhe e kishin të pamundur të afroheshim”, tha ai.
“Në bazë të armëve të përdorura të cilat nga zhurma ke mujt me kuptu qe janë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu ka pasur gjuajtje e armë edhe më të rënda. Pozita ku kanë qenë të vendosura, errësira qe ka qenë në fshat na ka bërë të kuptojmë qe është një grup i organizuar. Që qëllim ka pasur që të bëjë dëm sa më të madh”, shtoi më tej ai.
Në pyetjen e prokurorit, Naim Abazi, se “a e ndjen vetën të dëmtuar në këtë rast”, dëshmitari Behramaj tha se ndjehet i dëmtuar me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Deri më tani janë dhënë disa dëshmi në këtë rast nga zyrtarë policorë për këtë sulm terrorist dhe është paraparë edhe dëgjimi i dëshmitarit, Rade Nedelkoviq. Në anën tjetër nën masa të larta të sigurisë janë sjell në gjykatore të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.