Forcat siriane janë duke u përgatitur për t’u kthyer në qytetin e pakicës fetare druze, Suveida, për t’iu dhënë fund luftimeve me fiset beduine, tha të premten një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Sirisë, duke e vënë në rrezik një armëpushim të brishtë në jug të vendit.
Luftimet e përgjakshme disaditore që shpërthyen kur luftëtarët beduinë dhe druzë u përplasën në provincën Suveida u ndalën përkohësisht pas shpalljes së armëpushimit të mërkurën.
Luftimet kishin shtyrë Qeverinë siriane t’i zhvendoste trupat e saj atje, duke përshkallëzuar më tej dhunën.
Në këto përleshje u përfshi edhe Izraeli, i cili tha se nuk do ta lejojë Qeverinë siriane, e drejtuar nga islamistët, të vendosë trupa në jug të Sirisë dhe goditi forcat siriane në Suveida, si dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë dhe pranë Pallatit Presidencial në Damask.
Trupat siriane u tërhoqën nga Suveida pasi u shpall armëpushimi, por përplasjet shpërthyen sërish të enjten në mbrëmje mes luftëtarëve beduinë fisnorë dhe druzëve, të cilët janë pjesë e një pakice fetare që ka ndjekës edhe në Liban dhe Izrael.
Ushtria izraelite kreu sulme të reja ajrore në provincën Suveida gjatë natës.
Duke i përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë të maskuar, Izraeli është zotuar se do ta mbrojë pakicën druze në Siri nga sulmet, pasi është nxitur edhe nga vetë druzët në Izrael.
Mosbesimi i thellë i Izraelit ndaj udhëheqjes së re islamiste të Sirisë duket se bie ndesh me Shtetet e Bashkuara, të cilat thanë se nuk e mbështesin sulmin e fundit izraelit në Siri.
SHBA-ja ndërhyri për të ndihmuar në arritjen e armëpushimit të mëparshëm mes forcave qeveritare dhe luftëtarëve druzi, dhe Shtëpia e Bardhë tha të enjten se dukej se armëpushimi po zbatohej.
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili ka punuar për të krijuar marrëdhënie më të ngrohta me SHBA-në, e akuzoi Izraelin se po përpiqet ta përçajë Sirinë dhe premtoi se do ta mbrojë pakicën druze./REL