Lajmet
Lidhjet e Beogradit me Kinën janë zgjeruar në shumë sektorë
Mjegullnaja e projektit kinez në Kragujevc.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiPyetjet lidhur me një kontratë kineze për ndërtimin e një sistemi kanalizimi në një qytet të Serbisë, që thuhet se ka vlerë shumëmilionëshe, kanë ngritur shqetësimet në mesin e aktivistëve, të cilët thonë se ky është një mikrokozmos se si Beogradi sillet me entitetet kineze.
Projekti në qytetin serb të Kragujevcit u dha pa tender ose pa prokurim publik, duke ngritur pyetje për transparencën dhe korrupsionin në lidhje me mënyrën se si kompanitë kineze dhe Qeveria serbe veprojnë në vend.
Ndërtimi i një rrjeti të ri të kanalizimit prej 360 kilometrash në Kragujevc, në Serbinë Qendrore, nisi në nëntorin e vitit të kaluar, dhe u kontraktuar direkt nga Ministria e Infrastrukturës dhe më pas projekti iu dha Korporatës kineze të Rrugës dhe Urës (CRBC), një kompani ndërkombëtare ndërtimi me seli në Pekin. Projektin kjo kompani e fitoi pa marrë pjesë në një proces tenderimi.
Projekti është pjesë e një sipërmarrjeje më të gjerë serbo-kineze, që quhet “Serbia e Pastër”, që Qeveria serbe e inicioi në vitin 2021 në 65 qytete dhe komuna dhe kjo nismë kap vlerën e 3.6 miliardë dollarëve.
Qëllimi i kësaj nisme është modernizimi, riparimi, dhe në disa raste, ndërtimi i sistemeve të menaxhimit të ujit në mbarë vendin, me qëllim që të ketë ujë të pijshëm më të mirë, të luftohet ndotja dhe të zgjerohet qasja në rrjete më moderne të ujërave të zeza, që sipas statistikave të Qeverisë, mbi një e treta e familjeve serbe nuk kanë qasje.
Por, përderisa zyrtarët lokalë në Kragujevc pohojnë se qyteti i tyre ka nevojë për një sistem të ri të kanalizimit, me qëllim që të përballet me problemet e kamotshme me ujërat e zeza dhe ato të ndotjes, asamblistët opozitarë po ngrenë shqetësime për transparencën dhe mungesën e informacionit lidhur me ofertën dhe si e ka fituar këtë projekt kompania CRBC.
“Nuk kam marr asnjë përgjigje përveç se kompania kineze është kontraktorja kryesore”, i tha Radios Evropa e Lirë, Verolub Stevanoviq, asamblist në Kuvendin komunal të Kragujevcit, i cili më herët ka qenë edhe kryetar i këtij qyteti.
“Patjetër që problemet e qytetit me ujërat e zeza duhet të zgjidhen, por së pari [ne duhet të dimë] se cila është kostoja e vërtetë e kësaj dhe cilat janë kushtet e kësaj kredie”.
Përveç shqetësimeve për korrupsion, marrëveshja e drejtpërdrejt ndërmjet CRBC-së dhe Qeverisë serbe – por edhe mungesa e procesit të tenderimit, në mënyrë që edhe kompanitë e tjera të paraqisnin ofertat e tyre – përkon me një model më të gjerë, që aktivistët dhe grupet mbikëqyrëse thonë se është mënyra se si funksionojnë zyrtarët serbë me bizneset kineze.
“Në thelb është një reflektim i dobësisë së përfaqësuesve të shtetit tonë, të cilët në mënyrë jokritike pranojnë marrëveshje të tilla”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nemanja Nenadiq, drejtor në Serbi i organizatës Transparency International.
“Njëra anë e ekuacionit është ajo se çfarë kërkon një partner i huaj për të arritur një marrëveshje, dhe ana tjetër është nëse pala serbe është e gatshme t’i pranojë [ato kërkesa]”.
Pekini dhe Beogradi
Pekini ka raporte të ngushta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe në dy dekadat e fundit, në mënyrë të vazhdueshme ka thelluar raportet me Serbinë dhe përgjatë Ballkanit.
Që atëherë, lidhjet e Beogradit me Kinën janë zgjeruar në shumë sektorë, përfshirë sektorin e tregtisë, mbrojtjes, teknologjisë dhe edukimit, teksa miliona dollarë nga Kina janë futur në Serbi nën siglën e nismës Brezi dhe Rruga – nisma globale infrastrukturore e Kinës –por edhe nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe.
Po ashtu, Serbia gjithnjë e më shumë ndjek politikën e jashtme që shikon nga lindja, siç janë shteti i Kinës dhe Rusisë. Beogradi gjithashtu shikon nga perëndimi drejt Bashkimit Evropian, i cili nuk është vetëm një partner i madh dhe investitor i nivelit të lartë përmes Bankës Evropiane për Investime, por gjithashtu luan një rol jetik në përcaktimin e standardeve të biznesit dhe të punëtorëve që përfshihen në projekte.
Përveç kredive dhe investimeve përmes Bankës Evropiane për Investime, BE-ja po ashtu ofron grante për Serbinë dhe për shtetet e tjera të Ballkanit për projekte infrastrukturore dhe të modernizimit, duke bërë që ofertat e bllokut evropian të jenë ndër më të favorshmet që aktualisht ekzistojnë.
Megjithatë, investimet kineze në Serbi janë zgjeruar shumë shpejt dhe kanë nxitur kundërthënie, pasi kompanitë e mbështetura nga Pekini kanë përfituar përjashtime nga taksat, janë lejuar që të anashkalojnë ligjet e punës dhe kanë pasur edhe përjashtime të tjera. Në mënyrë të ngjashme, dëmet mjedisore të shkaktuara nga një minierë bakri me pronësi kineze, në afërsi të qytetit serb të Borit, kanë nxitur shqetësime dhe protesta për ndotjen e mjedisit.
Një studim nga Qendra për Studimin e Demokracisë, organizatë me seli në Bullgari, që u publikua në shtator të vitit 2021, tha se rritja e ndikimit ekonomik të Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore gjatë dekadës së fundit, ka përkuar me rënien e standardeve ligjore dhe qeverisëse në mbarë rajonin, teksa Serbia, në këtë studim, është veçuar si shembull kryesor për këtë gjë.
Pyetjet në Kragujevc
Shqetësimet po ngrihen rreth procesit të prokurimit për ndërtimin e sistemit të kanalizimit dhe impiantit të ujërave të zeza në Kragujevc.
Përderisa dihet që kompania kineze CRBC do ta udhëheqë projektin, pak detaje të tjera dihen ose janë deklaruar publikisht, veçanërisht se cilat kompani të tjera lokale apo ndërkombëtare do të përfshihen si nënkontraktorë në këtë marrëveshje fitimprurëse.
Sipas ministrit të Jashtëm serb, Tomisllav Momiroviq, kompanitë serbe do të përfaqësojnë “jo më pak se 49 për qind” të totalit të nënkontraktorëve në nismën “Serbia e Pastër”.
Por, për shkak se nuk ka pasur një proces të tenderimit, ky informacion është vështirë i verifikueshëm.
Sipas komenteve që Zyra e kryetarit të Kragujevcit i ka dërguar Radios Evropa e Lirë përmes emailit, qytetet “që bëjnë pjesë në projektin ‘Serbia e Pastër’ nuk kanë detyrime financiare, përveç sigurimit të tokës se ku do të ndërtohen impiantet dhe projektet e tjera”.
Çështja e kostos gjithashtu ende është e paqartë, edhe pse një projektligj që pritet të dërgohet në Parlamentin serb, konfirmon një nga marrëveshjet e kredisë për projektin, duke përmendur një kredi prej 232 milionë dollarësh që do të jepet nga Korporata kineze e Eksportit dhe Sigurimit të Kredive. Kjo korporatë është një sipërmarrje e madhe shtetërore kineze, që është nën menaxhimin e Ministrisë së Financave të Kinës.
Zyra e kryetarit të Kragujevcit po ashtu i tha Radios Evropa e Lirë se 217 milionë dollarë janë dhënë nga Serbia për të ndërtuar tri impiante për trajtimin e ujërave të zeza, përveç projektit për ndërtimin e sistemit të kanalizimit.
CRBC nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se si do të zgjedhë nënkontraktorët dhe çfarë do të bëjë për t’u siguruar që standardet dhe rregullat evropiane do të respektohen gjatë zbatimit të këtij projekti.
Ndërkaq, në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur procesin e prokurimit, Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë tha se ka marrëveshje të kamotshme me CRBC-në dhe kriteret për zgjedhjen e partnerëve për projekte të caktuara bazohen në disponueshmërinë e fondeve dhe efikasitetin e kontraktorëve.
Kjo ministri shtoi se standardet e BE-së në lidhje me trajtimin e ujërave të zeza, si dhe ligjet lokale mbi planifikim dhe ndërtim, por edhe mbrojtja e mjedisit, janë respektuar në procesin e dizjanimit të këtij projekti.
Një model i njohur
Nisma “Serbia e Pastër” nuk është shembulli i parë i bashkëpunimit kinezo-serb në infrastrukturën dhe trajtimin e ujërave. Sipas Nenadiq nga Transpareny International, kjo do të thotë se përkon me një model tipik të anashkalimit të rregullave dhe rregulloreve ekzistuese.
Për projekte të ngjashme si ai në Kragujevc, Ministria serbe për Ndërtim, Transportit dhe Infrastrukturë ka nënshkruar dy marrëveshje me Korporatën e Inxhinierisë së Makinerisë së Kinës (CMEC) në janar të vitit 2020. Projektet kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza, dhe këto projekte iu dhanë kësaj korporate kineze pa tender ose proces të prokurimit publik.
A mund t’i kundërvihet Kinës “Porta Globale” e BE-së?
Gjatë nënshkrimit të kontratës, si pala serbe, po ashtu edhe ajo kineze, theksuan se standardet e BE-së do të respektohen dhe shumë rregullore të bllokut janë modeluar dhe inkorporuar në legjislacionin ekzistues serb, siç është Ligji për prokurim publik, i cili kërkon që patjetër duhet të ketë ofertues dhe të ketë proces tenderimi për të gjitha projektet.
Por, Nenadiq thekson se këto nene të ligjit tani nuk po respektohen, gjë që mund të jetë një sinjal se projektet e ardhshme do të anashkalojnë edhe rregulla të tjera, pavarësisht deklarimeve publike se ato do të respektohen.
“Është e mundur që ata të pretendojnë se disa prej standardeve të BE-së do të respektohen”, tha Nenadiq. “Megjithatë, ajo që është mjaft e qartë është se rregullat janë pothuajse identike me ato të BE-së, dhe të njëjtat nuk po respektohen”. RFE
You may like
Lajmet
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Published
47 minutes agoon
December 30, 2025By
UBTnews
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.
Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.
Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.
Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.
Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.
Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.
“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.
Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.
Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës./REL
Lajmet
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Published
49 minutes agoon
December 30, 2025By
UBTnews
Dy persona janë gjetur të vdekur në një vilë në Pejë.
Rasti e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:00 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore. Këto janë detajet që për momentin i kemi nga terreni”, deklaroi Gashi.
Lajmet
Gati 50 për qind të numëruara, ky është rezultati i votave për deputetë
Published
1 hour agoon
December 30, 2025By
UBTnews
Është duke vazhduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga votimet e 28 dhjetorit.
Deri më tani janë numëruar 46,27 për qind e këtyre votave.
Në përditësimin e fundit nuk ka ndryshim të madh në këto votat, ku top 5-shet e partive kanë mbetur të njëjta.
Në Vetëvendosje po prinë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili.
Ndërkaq, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës po prinë Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.
Lajmet
BE “pret” nga Kosova formim të shpejtë të institucioneve
Published
1 hour agoon
December 30, 2025By
UBTnews
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë dhënë qëndrim pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Ato përcjellin thirrjen e Bashkimit Evropian për një formim të shpejtë të institucioneve, ndërsa vlerësojnë se procesi zgjedhor reflektoi demokracinë në vend.
“Pas bllokadës politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, presim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të shtojë përpjekjet për reformat e domosdoshme lidhur me BE-në. Bashkimi Evropian vlerëson pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje. Procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike”.
Ndërsa për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian cilëson se mbetet një proces që duhet çuar drejt normalizimit.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i facilituar nga BE-ja, vazhdon të jetë mënyra e vetme që të dyja vendet të bëjnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa apo kushte të mëtejshme. BE-ja është gati të organizojë një takim në nivel të lartë sapo kushtet e lejojnë”.
Bashkimi Evropian, sipas deklaratës, ka dërguar një Mision Ekspert Zgjedhor (EEM) i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore.
“Ne i bëjmë thirrje Kuvendit, sapo të formohet, të ratifikojë marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kohëzuar i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt për të përfituar të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes, për të mirën e popullsisë së saj”, shkruan deklarata”.
BE rikujton se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar ndërsa vazhdon synimi për lirimin e mëtutjeshëm të fondeve.
“Për të kujtuar, BE-ja po ecën përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. 216 milionë EUR ndihmë financiare janë liruar tashmë pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal pas zgjedhjeve lokale të fundit. Ne gjithashtu synojmë të lirojmë 205 milionë EUR shtesë në fillim të vitit të ardhshëm”.
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Gati 50 për qind të numëruara, ky është rezultati i votave për deputetë
BE “pret” nga Kosova formim të shpejtë të institucioneve
Profesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
Sulmi terrorist në Stamboll, 357 të arrestuar
Mes kritikash, Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona
Kush janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit?
ZRRE-ja e ul çmimin për ngrohje në Prishtinë dhe Gjakovë
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Lajmet3 months agoPunimi shkencor i profesoreshës së UBT-së, Miranda Sejdiu Abazi dhe bashkëautorëve botohet në Georgian Medical News
-
Rajoni1 month agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
