Lajmet

Humolli në Hagë: Kam bërë përpjekje që deputetët të anulojnë Gjykatën Speciale, por nuk kam gjetur mbështetje të mjaftueshme

Humolli ka thënë se e respekton institucionin e Speciales meqë e njëjta është krijuar nga Kuvendi i Kosovës.

Published

on

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Humolli ka thënë para Dhomave të Specializuara në Hagë se është skeptik nëse kjo gjykatë do të jep vendime të drejta. Humolli, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është përpjekur ta shfuqizojë Gjykatën Speciale dhe se do të votonte për këtë nëse do të krijohej mundësia. Derisa po dëgjohet si dëshmitar në gjykimin ndaj Salih Muustafës, ai ka thënë se beson që ish-bashkëluftëtari i tij është i pafajshëm.

Megjithatë, Humolli ka thënë se e respekton institucionin e Speciales meqë e njëjta është krijuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ai është pyetur se si mund të respektojë një gjykatë për të cilën beson që është e padrejtë.

“Kam bërë përpjekje që deputetët me anulu këtë gjykatë por ende nuk kam mundur me gjet mbështetje të mjaftueshme të deputetëve dhe këtë gjykatë institucionet tona duhet me e kthy në Prishtinë, jo me qenë këtu. Unë kam qenë i dënuar në shtetin jugosllav dhe Jugosllavia i ka pasur të gjitha republikat të mbushura me të burgosur shqiptar, çka ka nevojë sot me u mbush me të burgosur edhe burgjet e Evropës, me i bartë prej Kosovës me ardh këtu, kur KFOR-i ka qenë dhe është në Kosovë, UNMIK-u ka qenë dhe është në Kosovë, EULEX-i ka qenë në Kosovë, dhe sot me thënë që nuk ka mundësi me u zhvillu gjykimet në Prishtinë është ofendim ndaj Bashkimit Evropian, dhe këtu ia ka arritur qëllimit Serbia duke ndërtuar këtë gjykatë ka thënë që EULEX-i nuk ka mundur me bë rend e ligj në Kosovë, UNMIK-u nuk ka mundur me bë rend e ligj në Kosovë”, ka thënë Humolli.

Humolli ka thënë se është skeptik nëse kjo gjykatë mund të jap gjykime të drejta derisa është pyetur se a beson që ky institucion do të nxjerrë vendime të drejta.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se një vlerësim i tillë i fuqizohet nga mënyra se si ai po merret në pyetje.

Humolli: Prej Aeroportit të Prishtinës, mënyrës si është sjellë kjo gjykatë në raport me neve që jemi shqiptarë, tregon që mua mu ka fuqizuar ajo bindje, por pavarësisht prej kësaj, pa e provuar është obligim i joni qytetar…

Gjykatësja: Mos jepni hollësi për mënyrën si keni udhëtuar këtu.

Prokurori: Nga përgjigja juaj e fundit besoj se ju ende besoni që kështu është, që kjo gjykatë nuk mund të jap gjykime të drejta apo jo?

Humolli: Jam skeptik dhe skepticizmin tim po ma fuqizon mënyra se si bëni pyetje ju. Ende nuk janë krijuar kushtet për me shfuqizu, në momentin e parë që do të krijohen mundësitë për me shfuqizu kjo gjykatë nuk do të jetë më prej Kuvendit të Kosovës.

Humolli ka thënë se i respekton vendimet e Kuvendit të Kosovës, ku edhe është krijuar kjo gjykatë por vazhdon të vlerësojë se e njëjta është ndërtuar në mënyrë të padrejtë.

“Ky institucion është bërë me presion politik, kur e ka votuar Kuvendi i Kosovës njëherë nuk ka votuar për këtë gjykatë dhe si rezultat i presionit të bashkësisë ndërkombëtare, është detyruar edhe njëherë brenda ditës duke i korruptuar deputetët me i votu edhe derisa është bërë në këtë qasje nuk ka mundësi me pas kredibilitet politik, e tash për shkak që është brenda Evropës, jam i bindur që populli evropian nëse e zbaton demokracinë edhe për Kosovën si e ka demokracinë në vendet e veta, atëherë jam shumë i bindur që ne do të dalim dhe mendimet e mija kanë qenë të drejta. E për këtë, respekti është ndaj opinionit ndërkombëtar, opinionit evropian, popullit evropian e jo ndaj vendimeve politike, të cilat i marrin me presione ose interesa ditore”, ka thënë ai.

Megjithatë, Humolli ka thënë se do të flas vetëm të vërtetën në këtë gjykatë derisa ka bërë të ditur se pas arrestimit të Salih Mustafës, ai ka vizituar familjen e ish-bashkëluftëtarit të tij dhe ka shprehur gatishmërinë e tij që të dëshmojë në këtë gjykim nëse është e nevojshme.

“Unë mbështes drejtësinë dhe besoj që Salih Mustafa është i pafajshëm dhe e trimëroj që me qëndru drejt, nëse ka bërë gabime me i tregu gabimet, nëse nuk ka bërë gabime me e mbrojtë vetën deri në fund, ndryshe nuk ka mundur me qenë anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës… Për luftën dhe jetën që e ka bërë, atë që kemi ditë, ne e dimë që lufta dhe jeta e tij ka qenë gjithmonë në shërbim të vendit, asnjëherë nuk ka qenë luftë egoiste për interesa personale”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se arrestimi i Salih Mustafës ka qenë befasi për të.

“Salih Mustafa prej luftës dhe pas luftës ka punuar nëpër institucione të Kosovës, ka bashkëpunuar me NATO-n, ka bashkëpunuar me të gjitha mekanizmat ndërkombëtare në sektorin që ka vepruar dhe ka punuar dhe për mua ka qenë befasi arrestimi i Salih Mustafës kur ka shkuar deri në Bruksel me paraqit dijen e tij, përvojën e tij dhe në këtë moment për cilindo qytetar, edhe në media nëse e ke parë, janë befasuar për arrestimin e Salih Mustafës,”, ka shtuar ai.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Llapit ka thënë se arrestime të tilla janë politike dhe nuk synojnë zbardhjen e të vërtetës.

“Arrestime të tilla, për mendimin tim janë arrestime politike nuk janë arrestime me qëllim për me e zbardhë të vërtetën. Këto mendimet e mija politike nuk e di sa i hynë në funksion gjykatës, nëse do të vërtetosh të vërtetën që them ju po e kuptoni që atë të vërtetë që e kam menduar po ta them edhe tash dhe e them kudo, se është e vërtetë ajo që kam thënë për Salih Mustafën, dhe kanë me qenë të vërteta ato që i them. Unë nuk mërzitem si mendojnë të tjerët për pasojat që munden me u shkaktu pas kësaj, unë e them të vërtetën”, ka thënë ai.

Humolli është dëshmitari i 13-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe dëshmia e tij ka filluar të dëgjohet dje në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ndër të tjera, ai ka thënë se asnjë ushtri në botë nuk ka bërë luftë të pastër si Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai është dëshmitari i fundit i Zyrës së Prokuronit të Specializuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës, proces ky i cili ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

Kosova pranon armatimin kundërtank nga Gjermania

Published

on

By

Faqja ndërkombëtare World News ka njoftuar se Kosova ka pranuar armatim kundërtank të tipit Panzerfaust 3 nga Gjermania.

Ky armatim modern i prodhimit gjerman konsiderohet ndër sistemet më të avancuara kundërtank dhe synon rritjen e aftësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e detyrave të saj mbrojtëse.

Sistemi Panzerfaust 3 njihet për efikasitetin e tij kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret nga disa ushtri të vendeve të NATO-s.

Panzerfaust 3 ose “grusht kundër tankeve”, konsiderohet një nga sistemet më të avancuara kundërtank për këmbësorinë moderne dhe përdoret gjerësisht nga ushtri të vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tyre. Panzerfaust 3 përdoret nga të paktën 11 shtete.

Continue Reading

Lajmet

​Sonte finalja e Superkupës së Italisë, Rrahmani pranë një tjetër trofeu të madh

Published

on

Napoli dhe Bologna përballen në stadiumin universitar King Saud në Riad në finalen e Superkupës së Italisë, në një duel mes kampionëve në fuqi të Serie A dhe fituesve të Kupës së Italisë.

Napoli vjen pas një periudhe jo të qëndrueshme, por fitorja 2-0 ndaj Milanit në gjysmëfinale i riktheu besimin ekipit të Antonio Contes, i cili synon ta fitojë këtë trofe për herë të tretë me klubin napolitan. Partenopei kanë fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e fundit zyrtare, edhe pse efikasiteti në sulm mbetet një pikëpyetje.

Në anën tjetër, Bologna siguroi finalen pas triumfit me penallti ndaj Interit dhe synon ta fitojë Superkupën për herë të parë në histori. Trajneri Vincenzo Italiano ka përvojë në ndeshje të mëdha dhe skuadra e tij po tregon stabilitet jashtë fushe, duke mos humbur në nëntë ndeshjet e fundit larg shtëpisë. Vendndodhja neutrale në Arabinë Saudite mund t’u përshtatet Rossoblù, që kërkojnë vazhdimësi në rezultate.

Historia e përballjeve i jep shpresë Bolognës, e cila ka mbetur e pamposhtur në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit ndaj Napolit, përfshirë fitoren 2-0 në nëntor. Megjithatë, në një finale gjithçka nis nga e para dhe detajet pritet ta vendosin fituesin e trofeut.

Ndeshja nis nga ora 20:00./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Reuters: Kosova shkon në zgjedhje ndërsa bllokimi politik kërcënon fondet jetike

Published

on

By

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, pas një ngërçi politik njëvjeçar që çoi në shpërbërjen e Kuvendit dhe krijoi një boshllëk prej rreth 1 miliard eurosh në financat tashmë të brishta të shtetit më të ri të Evropës.

Partia Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli fituese në zgjedhjet e shkurtit, por nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare dhe as të formojë një koalicion qeverisës, pas një fushate të ashpër dhe polarizuese. Dështimi për të ndërtuar institucione funksionale ka rritur frikën se një përsëritje e rezultatit mund ta zhysë vendin në një krizë edhe më të thellë politike dhe financiare.

Zgjedhjet vijnë vetëm katër muaj para afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri dhe në një moment kritik, kur Kosova rrezikon humbjen e fondeve të rëndësishme ndërkombëtare.

Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të viteve të fundit, sepse pasojnë një vit paralize institucionale dhe i paraprijnë zgjedhjes së presidentit”, vlerëson analisti politik Artan Muhaxhiri. Sipas tij, nëse Kurti fiton sërish me rreth 42 për qind të votave, bllokada politike do të vazhdojë, pasi hendeku mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera mbetet i pakapërcyeshëm.

Në Kosovë sondazhet zgjedhore nuk publikohen, ndaj parashikimet për rezultatin mbeten të paqarta. Megjithatë, partitë kryesore opozitare kanë sinjalizuar se nuk janë të gatshme të hyjnë në koalicion me Kurtin, të cilin e akuzojnë për përkeqësim të marrëdhënieve me pakicën serbe në veri, dështim në rritjen e standardit të jetesës dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Kurti, i cili erdhi në pushtet në vitin 2021, fajëson opozitën për krizën politike dhe shprehet optimist se do të sigurojë 500 mijë votat e nevojshme për një shumicë të plotë parlamentare. Në tubime elektorale, ai ka premtuar rritje pagash, investime kapitale prej një miliard eurosh në vit dhe krijimin e një njësie të re prokuroriale për luftimin e krimit të organizuar.

Një vit paralize institucionale

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, me mbështetjen e SHBA-së dhe pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Megjithatë, vendi me rreth 1.6 milion banorë vazhdon të përballet me varfëri, paqëndrueshmëri politike dhe krim të organizuar. Mandati i parë i Kurtit mbetet i vetmi rast kur një qeveri në Republikën e Kosovës ka përfunduar një mandat të plotë.

Kriza aktuale u thellua kur Kuvendit iu deshën gjashtë muaj dhe 73 votime për të zgjedhur kryetarin e parlamentit, një kusht i domosdoshëm për formimin e qeverisë. Pas dështimit të Kurtit dhe më pas të Glauk Konjufcës për të siguruar shumicën, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e dhjetorit.

Për momentin, shteti nuk është funksional. Çdo gjë duhet të ndryshojë, sepse asgjë nuk po ecën”, thotë Shaip Gashi, 79 vjeç, banor i Prishtinës.

Fondet ndërkombëtare në rrezik

Ngërçi politik ka pasur pasoja të rënda për financat publike. Rreth 880 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian për buxhetin e Kosovës janë vonuar, së bashku me 127 milionë euro mbështetje nga Banka Botërore, përfshirë projekte në shëndetësi dhe arsim.

Banka Botërore ka paralajmëruar se 90 milionë euro do të humbasin nëse nuk ratifikohen nga Kuvendi deri më 13 shkurt, ndërsa afatet për pjesën tjetër të fondeve skadojnë në prill dhe maj. Edhe fondet e BE-së mbeten në rrezik nëse institucionet nuk formohen shpejt pas zgjedhjeve.

Njerëzit po presin me padurim që vendi të dalë nga kjo gjendje. Ata mezi po përballojnë shpenzimet për ilaçe dhe energji elektrike”, thotë Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila po bën fushatë me fokus në përmirësimin e cilësisë së jetës përmes shëndetësisë, arsimit dhe rritjes së pagave.

Continue Reading

Lajmet

Malisheva dhe Drita mbesin barazim në ndeshjen e fortë të Liman Gegaj

Published

on

Malisheva dhe Drita kanë ndarë pikët pas një ndeshjeje të luajtur në Liman Gegaj, e cila përfundoi 1-1.

Pjesa e parë ishte e barabartë dhe e tensionuar, me Dritën që u paraqit pa disa lojtarë kyç, përfshirë portierin Faton Maloku, mbrojtësin Egzon Bejtullai, mesfushorët Rron Broja e Vesel Limaj, dhe sulmuesin kryesor Arb Manaj.

Malisheva rrezikoi me goditje nga Laurent Xhylani, ndërsa Drita iu kundërpërgjigj me Jorgo Pëllumbin, por portieri Ilir Avdylit e ndali. Pjesa e parë përfundoi pa gola, 0-0.

Edhe në pjesën e dytë, Malisheva e nisi mirë, me Feratin që gjuajti rrezikshëm, por u ndal nga portieri i Dritës, Laurit Behluli.

Në minutën e 73-të, Xhylani pati një rast të pastër, por edhe këtë herë Behluli ndërhyri për të mbajtur portën të paprekur.

Drita kaloi në avantazh në minutën e 83-të me një gol të bukur të Jorgo Pëllumbit, por vetëm pesë minuta më vonë, Xhemal Ibishi barazoi për Malishevën me kokë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-1.

Me këtë barazim, Malisheva mbetet në vendin e katërt me 27 pikë, ndërsa Drita ndodhet e pesta me një pikë më pak./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara