Kulturë

7 mënyra si t’i edukoni fëmijët tuaj të mos jenë të përkëdhelur

Vazhdoni të praktikoni aftësitë sociale.

Published

on

Heqja dorë sepse ka mbetur prapa ose zemërimi dhe të bërtiturat kur nuk fiton dot, janë shenja që fëmija juaj mund të jetë i përkëdhelur dhe nuk është mësuar ende si të sillet në situata kur i duhet të pranojë humbjen.

Të qenit i përkëdhelur me shumë mundësi nuk do t’i bëj favore fëmijës suaj gjatë jetës së tij si adult. Në fund të fundit, askush nuk do të luaj me një fëmijë që bën hile sepse nuk pranon dot humbjen apo që heq dorë në mes të një loje.

Mos të harrojmë, këto shpesh janë karakteristika të zakonshme për një fëmijë që ende nuk e ka formuar personalitetin e tij. Por si prindër, është e rëndësishme të ndërhymë dhe t’i japim atyre një shembull që do t’i vlejë gjatë gjithë jetës së tij.

Ekspertët amerikanë të Truity ofrojnë disa mënyra se si t’i ndihmoni fëmijët tuaj të jenë ‘humbës fisnikë’, të dinë të jenë në humor edhe nëse humbin, si dhe të jenë të aftë të gëzohen për suksesin e të tjerëve dhe ta tregojnë atë haptazi.

1 – Lavdërojini përpjekjet e fëmijës suaj

Nëse ju i lavdëroni fëmijët tuaj kur ata bëjnë më shumë gola se të tjerët ose kur marrin notën më të mirë në një test matematike, kjo do t’jua ushqejë atyre natyrën luftarake. Por, ajo mund edhe t’i bëjë ata të mendojnë se të fituarit është më e rëndësishme se të qenit njeri.

Ndaj, lavdërojini ata për përpjekjet e tyre pavarësisht rezultatit final.

Në vend që të thoni, ‘Jeni më të shpejtët në skuadër’, thoni ‘Më pëlqen mënyra se si ti luaje me fëmijët e tjerë sot.” Vijini në dukje rëndësinë e të luajturit në grup, dhe theksoni rëndësinë e trajtimit të të tjerëve me respekt.

2 – Krijoni modele

Nëse ju vetë i bërtisni arbitrit në lojën e futbollit të fëmijës suaj, atëherë ai do t’i regjistrojë sjelljet dhe zakonet tuaja dhe t’i kthejë ato shumë shpejt në pjesë të personalitetit të tij.

Krijimi i modeleve që dinë të sillen natyrshëm dhe të jenë në humor të mirë, ndërkohë që e lavdërojnë fituesin, edhe nëse ata janë në skuadrën për të cilën ju nuk po bënit tifo, i mëson fëmijës suaj më shumë seç e mendoni.

Tregojani fëmijëve tuaj me shembuj real se si t’i trajtojnë të tjerët, me mirësi.

3 – Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë emocionet

Kur fëmijët mund t’i identifikojnë dhe kuptojnë emocionet e tyre, si për shembull mërzinë, zemërimin, zhgënjimin apo acarimin, kjo e ul probabilitetin që ata të veprojnë nën ndikimin e tyre. Mësojini fëmijës suaj rreth emocioneve dhe kuptimit që secili prej tyre ka. Dhe ndihmojini ata të ndërtojnë strategji të shëndetshme se si t’i përballojnë situatat e vështira dhe t’i kapërcejnë ato.

Pranojini dhe miratojini ndjenjat e tyre. Mos u sillni sikur ato nuk ekzistojnë. Flisni me ta dhe tregojini se si është normale të ndjehesh keq apo të provosh turp dhe zhgënjim, sidomos kur humb. Por, bëjani të qartë që ata e kanë në dorë të zgjedhin se si të sillen kur përballen me këto emocione të parehatshme.

4 – Mësojini si të menaxhojnë stresin

Humbësit shpesh bëjnë ndonjë gjest të pakëndshëm ose nisin të shajnë të tjerët në një shpërthim emocional. Ndihmojini ata të kuptojnë që këto lloj sjelljesh nuk janë të pranueshme.

Mësojini që të ndjerit i zemëruar është normale por ta manifestojmë këtë sjellje duke i vrarë të tjerët si pasojë e zemërimit tonë nuk është aspak e tillë. Investoni kohë në edukimin e fëmijës suaj, sidomos në mësimin e përballimit të situatave të vështira dhe stresuese.

5 – Mos e lini fëmijën tuaj të fitojë

Ndonjëherë, mund të tundoheni ta luani lojën qëllimisht që fëmija juaj mos të humbë, në mënyrë që mos të merrni reagimin e tij negativ. Dhe kjo mund të jetë diçka pa zarar nëse bëhet rrallë. Por në përgjithësi, nëse i lejoni fëmijët tuaj të humbin dhe të kuptojnë që humbja është pjesë e jetës në çdo moshë, do t’i ndihmojë ata në të ardhmen.

6 – Injorojini shpërthimet emocionale

Nëse fëmija juaj nis të qajë, të bërtasë, të shkelmojë etj, kur nuk merr atë që do, injorojeni. Ndonjëherë kjo mund ta përkeqësojë situatën, por pas pak fëmija juaj do të kuptojë që këto sjellje nuk kanë efekt dhe do të ndalojë.

Mos e ngushëlloni ose t’i flisni kur ata sillen në këtë mënyrë. Prisni që ata të qetësohen, më pas flitini, këshillojini dhe jepini sërish emocione pozitive.

7 – Vazhdoni të praktikoni aftësitë sociale

Sporti është një mënyrë mjaft e mirë për t’i mësuar fëmijës suaj të sillet në situata sociale dhe të luajë apo punojë në grup. Nëse luani lojëra ose sporte me fëmijën tuaj do t’i jepni atij mundësinë të praktikojë aftësitë e tij sociale. Lavdërojeni atë kur ai sillet me mirësi dhe respekt dhe theksojeni faktin që ju e vlerësoni më tepër kur ai trajton të tjerët mirë se sa kur fiton një lojë.

Me kohë dhe praktikë, fëmija juaj do të mësoj të jetë një lojtar i mirë dhe të ndërtojë një personalitet pozitiv. Dhe sa më herët ta mësojë këtë, aq më mirë.

Continue Reading

Kulturë

Pierce Brosnan: Callum Turner i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë James Bondi i ardhshëm

Published

on

By

Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.

Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.

“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.

Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.

Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Shkrimtarë dhe gazetarë shqiptaro-amerikanë vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në Washington

Published

on

Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.

Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.

Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.

Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.

Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.

Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Published

on

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara