Lajmet

19 vjet nga propozimi i Planit të Ahtisaarit

Published

on

Më 2 shkurt 2007 emisari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.

Kjo ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se diplomati finlandez do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa e përmendur fjalën pavarësi.

Ky dokument së pari iu dorëzua Beogradit, e pak orë më vonë Ahtisaari mbërriti edhe në Kosovë.

Sipas Ahtisaarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.

Plani përfshinte masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive dhe anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.

Për më tepër, marrëveshja përshkruante masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synonin të kontribuojnë në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike, demokratike dhe të lulëzuar.

Një element i rëndësishëm i marrëveshjes ishte mandati që i jepej prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente vendore në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Plani i Ahtisaarit gëzoi asokohe mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prek sovranitetin e shtetit serb.

Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësimin e Kosovës”.

Bindja e tyre do të realizohej pjesërisht më se dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat e ndërmjetësuara Ahtisaari, të cilat kishin filluar në korrik 2006 në Vjenë, u përmbyllën po në kryeqytetin austriak më 10 mars, me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.

Më 26 mars, Ahtisaari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Agim Çeku, të cilët atëkohë udhëhiqnin Kosovën e patën cilësuar 26 marsin ditë historike për Kosovën.

“Pavarësia e Kosovës, e cila fillimisht pas planit të Ahtisaarit do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes”, pati deklaruar Sejdiu.

Ndërsa, Çeku- kreu i ekzekutivit kosovar atëkohë pat theksuar: “Letra propozon pavarësi për Kosovën të mbikëqyrur në fazën e parë që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”.

Diametralisht të kundërta ishin reagimet e Beogradit zyrtar dhe ato të serbëve lokalë në Kosovë. Refuzimi i tyre për ta pranuar planin Ahtisaari u përkrah nga aleati serb-Rusia.

Pikëpamjet e ndryshme të palëve ndaj planit Ahtisaari çuan në dërgimin e një misioni faktmbledhës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që kishte për detyrë shqyrtimin e rrethanave për zbatimin e planit Ahtisaari.

Delegacioni nisi vizitën e tij më 27 prill për ta përfunduar me vlerësimet e tij që do t’i paraqiteshin Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky mekanizëm, pavarësisht insistimit të përkrahësve të planit Ahtisaari, nuk arriti të gjejë konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Rusia-kundërshtuesi kryesor i planit, përdori më vonë veto ndaj një propozim-rezolute të anëtarëve evropianë të Këshillit, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara e cila parashihej të zëvendësonte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, t’ia hapte rrugën hyrjes në fuqi të planit Ahtisaari dhe përfundimit brenda 120 ditëve të misionit të OKB-së në Kosovë.

Të pasuksesshme rezultuan edhe bisedimet Prishtinë – Beograd, të zhvilluara deri në dhjetor 2007, nën ndërmjetësimin e “treshes” ndërkombëtare, e përbërë nga amerikani Frank Wisner, gjermani, Wolfgang Ischinger dhe rusi Alexander Botsan-Kharcenko.

Më 17 shkurt 2008, Kosova do ta merrte në duart e veta fatin e saj duke e shpallur në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare veten shtet i pavarur.

Burimi: Kosovapress

Continue Reading

lajme

UBT hap regjistrimet për Global UBT Fest 2026, festivalin më të madh akademik të dijes në Evropë

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht regjistrimet për Global UBT Fest 2026, festivalin ndërkombëtar që konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha akademike dhe shkencore në Evropë.

I planifikuar të mbahet gjatë muajit korrik, festivali do të mbledhë studentë, profesorë, hulumtues dhe profesionistë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, duke krijuar një platformë të gjerë për shkëmbim njohurish, bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim profesional.

Në kuadër të Global UBT Fest 2026 do të organizohen mbi 40 shkolla verore ndërkombëtare, konferenca shkencore, forume, samite, gara profesionale, si dhe aktivitete kulturore e artistike.

Ky festivali synon të krijojë një hapësirë unike për mësim, inovacion dhe rrjetëzim profesional, duke bashkuar ekspertë dhe pjesëmarrës nga fusha të ndryshme akademike dhe profesionale.

Global UBT Fest tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në rajon, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave mes pjesëmarrësve nga e gjithë bota.

Regjistrimet për pjesëmarrje janë të hapura për të gjithë të interesuarit.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Demokrat Nuha përfaqëson UBT-në në “3rd Net4Brain Annual Meeting” në Stamboll

Published

on

By

Profesori Demokrat Nuha nga UBT mori pjesë në “3rd Net4Brain Annual Meeting”, i mbajtur në Stamboll, Turqi, nga 1 deri më 3 qershor 2026, në kuadër të aktiviteteve shkencore ndërkombëtare të rrjetit Net4Brain.

Gjatë këtij takimi shkencor, ai prezantoi punimin me titull: “Design and Biological Evaluation of Chlorophenyl- and Chlorophenoxy-Substituted Azole Derivatives with Enzyme Modulation Activity Against Neurodegeneration-Related Targets”.

Punimi trajton dizajnimin dhe vlerësimin biologjik të derivateve azole të substituuara me grupe klorofenile dhe klorofenoksi, duke analizuar potencialin e tyre për modulimin e enzimave që lidhen me sëmundjet neurodegjenerative.

Pjesëmarrja e Prof. Nuhës në këtë ngjarje ndërkombëtare përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e rezultateve kërkimore të UBT-së, shkëmbimin e njohurive me studiues nga vende të ndryshme dhe zgjerimin e bashkëpunimeve shkencore në fushat e neuroshkencës, kimisë mjekësore dhe zhvillimit të molekulave të reja bioaktive.

Përmes angazhimit aktiv të stafit akademik dhe hulumtues, UBT vazhdon të forcojë praninë e tij në arenën ndërkombëtare, duke kontribuar në avancimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Continue Reading

Vendi

PE miraton raportin për Kosovën, Terras: Shpresoj që vendi të dalë nga bllokada institucionale

Published

on

By

Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për Kosovën, ndërsa raportuesi për Kosovën në këtë institucion, Riho Terras, ka shprehur shpresën që vendi të tejkalojë sa më shpejt bllokadën institucionale dhe të vazhdojë rrugën e reformave dhe integrimit evropian.

Terras vlerësoi progresin e Kosovës në fusha si reformat zgjedhore, qëndrueshmëria ekonomike dhe mbrojtja e të drejtave themelore, por theksoi se mbeten sfida në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe efikasitetin e administratës publike.

Raporti rithekson mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës dhe u bën thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të lehtësohet avancimi i saj në procesin integrues.

Po ashtu, në dokument theksohet rëndësia e vazhdimit të reformave dhe e angazhimit konstruktiv në dialogun me Serbinë, si pjesë e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.

Terras shprehu shpresën që institucionet e Kosovës të tejkalojnë ngërçin politik dhe të fokusohen në prioritetet që lidhen me zhvillimin e vendit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon Costan: Kosova e gatshme për statusin e vendit kandidat në BE

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, dy ditë para mbajtjes së Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Costan për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se BE-ja mbetet donatori dhe partneri kryesor zhvillimor i vendit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti vuri në pah progresin e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe zhvillimin demokratik, si dhe rritjen ekonomike që, sipas tij, është ndër më të shpejtat në rajon.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave që burojnë nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin me institucionet evropiane, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Kurti theksoi se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke rikujtuar se vendi ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe u është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse.

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, në Prishtinë, pas asaj të realizuar në maj të vitit të kaluar.

Continue Reading

Të kërkuara