Lajmet

1 mijë e 402 grave dhe 71 burrave u aprovohet statusi i personave të dhunuar gjatë luftës

Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e këtij komisioni qeveritar, Leonora Selmani.

Published

on

1 mijë e 881 aplikacione janë pranuar nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, ndërsa edhe 58 të tjerë janë në shqyrtim. Prej tyre janë 1 mijë e 402 gra dhe 71 burra. Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e këtij komisioni qeveritar, Leonora Selmani.

Gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ajo tha se mandati i tyre është zgjatur edhe për tri vjet.

“Deri më sot nga 1 mijë e 939 aplikacione, janë trajtuar 1 mijë e 881 dhe 58 janë në shqyrtim. Në vitin 2023 janë 68 aplikime, pra në vetëm 3 muajt e parë. Të aprovuara deri më tani janë afër 1 mijë e 473 raste. 3 panele intervistuese po bëhen brenda një muaji. Shumë raste vendosen edhe pa qenë prezentë në intervistë në bazë të dokumenteve. Këtu është keqkuptuar sepse është menduar se duhet të ketë shumë dokumente, dhe kjo nuk është e vërtetë ajo çka na duhet neve është vetëm tregimi, vetëm storia. Në qoftë se e kemi refuzuar herën e parë, ajo mund të ketë diçka më shumë kur të vijë herën e dytë. Përveç anëtarëve që e hapin dosjen, askush tjetër nuk e hap. Nuk ka emër dosja, vetëm kod, në mënyrë që t’i ruhet konfidencialiteti”, tha ajo.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi pyeti se sa raste janë të aprovuara në bazë të gjinisë, teksa Selmani tha se janë 1 mijë e 402 gra dhe 71 burra.

Kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, pyeti për konfidencialitetin kur gruaja shkon në bankë për t’i marrë paratë, ndërsa aty përshkruhet edhe arsyeja se nga vjen ajo shumë. Selmani iu përgjigj duke thënë se ajo njihet vetëm si viktimë civile, e që raste të tilla ka shumë.

Vendi

Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan 553 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

Published

on

By

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e 22-të elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime të rëndësishme në fushën e shëndetësisë dhe zhvillimit të inovacionit.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka themeluar Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, një mekanizëm i ri që synon përmirësimin dhe forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 400 mijë eurosh, për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka ndarë edhe 153 mijë euro për mbështetjen e realizimit të tri eventeve në kuadër të “OctoberTech”, një iniciativë që bashkon ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

Sipas vendimeve të marra, këto masa synojnë forcimin e sektorit të shëndetësisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të ekosistemit të teknologjisë dhe inovacionit në vend.

Continue Reading

Vendi

Përurohet Muzeu i Masakrës në Mitrovicë, ruan gjurmët e krimit të vitit 1999

Published

on

Pas gati një dekade përpjekjesh, është përuruar Muzeu i Masakrës në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë, në shtëpinë ku në prill të vitit 1999 forcat serbe vranë nëntë civilë shqiptarë.

Objekti, pronë e Mustafë Sahitit dhe i vendosur në territorin e Mitrovicës së Veriut, është shndërruar në një institucion kujtese me investim të Ministrisë së Kulturës në vlerë prej afro 150 mijë eurosh. Restaurimi është realizuar duke ruajtur gjendjen autentike të shtëpisë, ashtu siç kishte mbetur pas luftës, ndërsa tabelat përkujtimore me emrat e viktimave nuk janë prekur.

Ndërhyrjet kryesore janë bërë në hapësirat përreth objektit, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së tij nga dëmtimet e kohës. Shtëpia tashmë është rrethuar me elemente mbrojtëse prej xhami dhe pajisje të tjera që garantojnë ruajtjen afatgjatë të saj.

Në ceremoninë e përurimit, kryeministri Albin Kurti tha se ky projekt përfaqëson një investim në kujtesën kolektive dhe edukimin e brezave të rinj.

“Ky projekt, në vlerë prej afro 150 mijë eurosh, në këtë vend të kujtesës, është investim në vetëdijen historike të shoqërisë sonë dhe në edukimin e brezave të rinj. Sepse pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi të plotë, ndërsa pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”, deklaroi Kurti.

Përpjekjet për shndërrimin e kësaj shtëpie në muze kishin nisur vite më parë. Në vitin 2019, Komuna e Mitrovicës dhe organizata “Zëri i Prindërve” vendosën gurthemelin simbolik të projektit, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të viktimave dhe qytetarë.

Me këtë rast, ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, kishte theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për krimet e luftës, duke e cilësuar muajin prill si një nga periudhat më të dhimbshme në historinë e Kosovës.

Ndërkaq, ish-këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, kishte deklaruar se muzeu do të merrte formën që e meritojnë dëshmorët dhe martirët e kombit, ndërsa Bajram Çerkini, në atë kohë kryetar i Shoqatës së të Pagjeturve në Mitrovicë, kishte shprehur pakënaqësinë për mungesën e drejtësisë ndaj autorëve të krimit.

Përurimi i Muzeut të Masakrës në Mitrovicë vjen vetëm pak ditë pasi u përurua edhe shtëpia-muze e shkrimtarit Ymer Elshani në Korroticën e Poshtme të Drenasit. Elshani u vra së bashku me familjen e tij dhe 46 civilë të tjerë në Masakrën e Poklekut më 17 prill 1999.

Sipas Ministrisë së Kulturës, këto institucione të kujtesës shërbejnë si pika referimi për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për edukimin e brezave të ardhshëm mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në ceremoninë e përurimit të shtëpisë-muze të Ymer Elshanit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për Teuta Elshanin, të vetmen të mbijetuar të familjes, e cila ka ruajtur me përkushtim kujtimet dhe sendet personale të familjarëve të vrarë.

Continue Reading

Vendi

MINT vazhdon ndëshkimet ndaj KEDS-it, 110 mijë euro gjoba për njehsorë me parregullsi

Published

on

By

Pas gjobave të shqiptuara edhe në javët e kaluara, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se ka vazhduar masat ndaj KEDS-it, duke i shqiptuar së fundmi gjoba në vlerë prej 110 mijë eurosh për shkak të parregullsive të evidentuara në njehsorët elektrikë të konsumatorëve.

Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë muajit maj ka vazhduar verifikimi i njehsorëve të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa pranë Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Të dhënat e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës tregojnë se nga verifikimet e realizuara, 18 njehsorë kanë rezultuar me afat të skaduar të validitetit, dy të tjerë me miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 njehsorë kanë pasur pasaktësi në datë dhe orë.

Bazuar në këto gjetje dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë totale prej 110 mijë eurosh.

Ministria bëri të ditur se raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim që të bëhet kompensimi i konsumatorëve që mund të jenë dëmtuar nga këto parregullsi.

Sipas MINT-it, procesi i verifikimit të njehsorëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura nga qytetarët.

Continue Reading

Lajmet

Diell, vranësira dhe reshje shiu sot në Kosovë

Published

on

By

Sipas njoftimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat mund të sjellin reshje shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh.

Në disa zona nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së breshrit.

Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 22 deri në 26 gradë Celsius.

“Era do të fryjë nga drejtimi verilindor me shpejtësi prej 1 deri në 12 metra në sekondë”, ka bërë të ditur IHMK.

Continue Reading

Të kërkuara