Princi Harry thuhet se e ka konsideruar seriozisht ndryshimin e mbiemrit të tij në Spencer, si një homazh për nënën e tij, Diana, dhe ndoshta si një shenjë e një ndarjeje përfundimtare me familjen mbretërore, raportojnë mediat britanike.
Një zbulim ky që i shton një kapitull të ri dhe të papritur sagës komplekse midis Dukës së Sussex dhe Pallatit Buckingham. Sipas gazetës britanike Daily Mail, thuhet se Princi Harry i kërkoi këshilla xhaxhait të tij, Charles Spencer, për të adoptuar mbiemrin e nënës së tij, Diana, shkruan A2 CNN.
“Harry foli drejtpërdrejt me xhaxhain e tij, Charles Spencer, gjatë një vizite të rrallë në Mbretërinë e Bashkuar, duke i kërkuar këshilla se si ta përvetësonte ligjërisht mbiemrin e nënës së tij”, i tha një mik i ngushtë i princit, gazetës britanike Daily Mail.
Duket se përgjigjja e xhaxhait nuk la vend për entuziazëm: “Ata patën një bisedë shumë miqësore dhe Charles Spencer e këshilloi të mos ndërmerrte një hap të tillë”, tha burimi, duke nënvizuar se ndërlikimet ligjore do të kishin qenë shumë të shumta, raporton A2 CNN.
Princi Harry do të kishte dashur ta zëvendësonte mbiemrin Mountbatten-Windsor, atë që u ishte caktuar fëmijëve Archie e Lilibet në certifikatat e tyre të lindjes, me një Spencer më “identifikues”. Një zgjedhje plot kuptim, jo vetëm personal, por edhe simbolik, i cili megjithatë nuk u materializua.
Mbiemri Mountbatten-Windsor, i zgjedhur më 1960 për pasardhësit e drejtpërdrejtë të Mbretëreshës Elizabeth II dhe Princit Philip, mbetet një simbol i trashëgimisë mbretërore edhe sot. Për Princin Harry, ky emër nuk është i mjaftueshëm për të treguar historinë se kush është ai, apo nga vjen.
Marrëdhënia e Harry-t me të atin, Mbretin Charles III, dhe vëllanë William mbetet e largët. Pika e kthesës, ishte lamtumira me familjen mbretërore më 2020, e ndjekur nga botimi i autobiografisë Spare më 2023. Që atëherë, pavarësisht disa përpjekjeve për qetësim, marrëdhëniet familjare kanë mbetur të ngrira.