Lajmet

​Vitia e Zemaj përplasen për menaxhimin e pandemisë

Publikuar

Për më shumë se tri orë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka raportuar sot para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Ai gjatë këtij raportimi njoftoi se nga 27 shtatori certifikata e vaksinës ose testi negativ për COVID-19 do të jetë kusht edhe për hyrje në gastronomi. Ndërsa, lidhur me hapjen e shkollave u shpreh se kanë marrë rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që të vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Edhe kjo mbledhje e Komisionit për Shëndetësi u shoqërua me akuza e debat të ashpër në mes të ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili është anëtar i Komisionit dhe ministrit aktual, Arben Vitia.

Lëvdata të shumta për menaxhim të pandemisë ka adresuar anëtari i Komisionit nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli. Ai e pyeti për mundësinë e lehtësimit të masave antiCOVID.

Ministri Vitia tha se për hapjen e shkollave IKSHP ka rekomanduar që të vazhdojnë të jenë të mbyllura, por janë në bisedime me MASHT-in dhe po bëjnë përgatitjen e duhura. Ndërsa, sa i përket gastronomisë, ai tha se nga 27 shtatori në lokale mund të hyhet vetëm me certifikatë të vaksinimit ose teste PCR dhe serologjik.

“Ne kemi filluar qysh nga e premtja e kaluar diskutimet me ministritë e linjës sidomos me atë të Arsimit zonjën Nagavci për hapat që do t’i ndërmarrim. Rekomandimet nga IKSHP-ja kanë qenë që shkollat duhet të ndërpriten dhe kjo të vazhdohet, mirëpo jemi duke diskutuar që në çdo mënyrë të bëjmë maksimumin që kjo të respektohen këto rekomandime, por edhe të merren edhe masa të tjera që nuk do ta dëmtonin procesin arsimor. Sa i përket gastronomisë, një nga sektorët më të goditur në ekonomi për shkak të kësaj situate, është evidente që operimet dhe humbjet e tyre janë më të mëdha. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe jemi duke punuar tani që edhe në gastronomi të aplikohet nga 27 shtatori masa kufizuese e personave që hyjnë brenda këtyre lokaleve vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR ose test serologjik”, tha ai.

Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga LDK, Armend Zemaj ka akuzuar ministrin Vitia se më shumë është marrë me punë periferike sesa me menaxhimin e pandemisë. Madje ai adresoi kritika edhe mos ardhjen e udhëheqësve të IKSHP-së dhe SHSKUK-së për të raportuar para këtij Komisioni.

“Në situata normale dhe me një qeveri të përgjegjshme, ju sot nuk do të ishit këtu duke raportuar. Ju më shumë jeni marrë me punë periferike sesa me menaxhim të pandemisë, andaj nuk kemi çka të shtojmë më shumë kur për një muaj kemi humbur më shumë se 700 qytetarë dhe shkaktari kryesor është keqmenaxhimi apo më mirë mos menaxhimi i kësaj situate”, tha ai.

Ministri Vitia ka garantuar Zemaj se angazhimi kryesor i tij ka qenë dhe është menaxhimi i pandemisë COVID-19, por e pranoi se është marrë edhe çështje të tjera të rëndësishme.

Vitia tutje iu është kundërpërgjigjur Zemajt duke ia kujtuar një rekomandim të IKShP-së më 3 nëntor të vitit të kaluar kur Zemaj ishte ministër i Shëndetësisë, ku IKShP kishte kërkuar mbyllje totale për shkak të situatës së krijuar. Kjo nxiti debat edhe nga ish-ministri Zemaj duke thënë se thjesht ka qenë një rekomandim.

“Ne duhet të veprojmë menjëherë duke vepruar në shtëpi ky është rekomandimi nga IKShP-së që të shpëtojmë nga kolapsi dhe të shpëtojmë jetë dhe rekomandojmë të zbatohet mbyllja konform situatës së krijuar… Zemaj: Çka të zbatojmë…Vitia: Është rekomanduar nga IKShP-së për lockdown konform situatës të krijuar, e cila ka qenë në terren… Zemaj: Nuk është rekomanduar mbyllje një apo dy javore, lexojeni deri në fund… Ministër, prapë nuk e ke një kërkim falje për 700 njerëz që e kanë humbur jetën për 45 ditë… Vitia: Kjo është një keqpërdorim i statutit të ka deputetit është një shfrytëzim i petkut të deputetit që një nga disa këtu e kam pritur, por jo edhe nga ministri Zemaj. Zotëri Zemaj edhe tha edhe më herë një gjë që ishte jashtëzakonisht shqetësuese dhe duhet ta përmendi megjithëse thash ta kaloj. Zotëri Zemaj është duke aluduar në njërën nga fjalët paraprake se ka keq raportim në numrin e rasteve të vdekjeve por edhe rastet e paraqitura nga infeksionet”, theksoi ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga AAK, Shemsedin Dreshaj tha se tashmë kur jemi në fushatë zgjedhore, por në anën tjetër edhe pritet hapja e shkollave, rrezikojmë një valë tjetër të infektimeve për çka kërkoi që të institucionet shëndetësore të jenë të përgatitura.

“Ju mund të prisni shpërthim për këtë shpërthim duhet të jemi të përgatitur tash e jo të reagojmë pasi të paraqiten. Prandaj uroj që këto rekomandime t’iu hyjnë në shërbim”, u shpreh ai.

Ministri Vitia gjatë raportimit të tij tha se aktualisht në dispozicion janë edhe 400 mijë të vaksinës Pfizer, ndërsa deri në fund të vitit do të arrijnë edhe 500 mijë të tjera. Ai u shpreh se me këtë trend të vaksinimit deri në fund të vitit Kosova mund të arrij deri në 70 % të imunizimit të popullatës nga mosha 16-vjeç.

“Aktualisht në stok janë mbi 400 mijë doza dhe për tre muaj janë administruar mbi 1.1 milion doza, afër 750 mijë qytetarë janë vaksinuar së paku me një dozë ndërsa me dy doza 450 mijë. Deri në fund të vitit do të arrijnë edhe mbi 500 mijë doza nga kompania Pfizer si pjesë e kontratës që kemi dhe me këtë sasi me trendin aktual pritet të vaksinohen mbi 70% e popullatës, respektivisht mbi 16-vjeç”, tha ai.

Krahas kritikave të pozitës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u ballafaqua edhe kritika nga deputetët e pozitës. Deputeti Burim Karameta nga Lista Guxo, parti pjesë e ekzekutivit tha se me shtesat prej 60 eurosh për profesionistët shëndetësorë, ata janë të indinjuar prandaj ai thotë se Vitia është dashur të jetë më këmbëngulës më shumë në këtë drejtim.

“Të sanohej indinjata e thellë të cilin e keni krijuar te mantel-bardhët me mbështetjen prej 60 eurosh. Mendoj që ministër është dashur që të jeni më këmbëngulës se kjo mbështetje jo vetëm për mantel-bardhët, por edhe institucioneve tjera, të cilët janë drejtpërdrejt të kyçur në kontributin për menaxhim të pandemisë, mendoj se do kishte me qenë më e lartë… Ne kemi bërë thirrje të gjithë në profilet tona për një vaksinim sa më të madh të qytetarëve, por nuk kemi ditur se si të kthejmë përgjigje deri tani deri në një paraqitjen tuaj mediatike se si t’u kthejmë përgjigje atyre që duan të vaksinohen, por nuk mund të bëjnë termin”, u shpreh ai.

Ministri Vitia ndërkaq tha se deputeti Karameta po paragjykon në insistimet e tij për shtesat, ndërsa shtoi se kot kërkojmë shtesa kur nuk ka “lekë”.

“Zotëri Karameta, ju nuk keni qenë në takime me ministren e Financave dhe nuk e keni pasqyrimin se sa kam kërkuar unë nga Ministria e Financave për shtesat për mjek. Zotëri Karameta, duke qenë se edhe ju keni një përvojë institucionale dhe keni qenë njëri nga drejtorët, ju e keni pasur një problem, qesen nuk keni pasur ju besoj, por Drejtoria e Financave njësoj edhe në qeveri qesen e ka Ministria e Financave. Zotëri Karameta, insistimet e mia është keq të paragjykohen. Insistimet kanë qenë me kërkesat për shtesat për profesionistët shëndetësorë dhe kot kërkojmë shtesa kur nuk ka lekë, nuk ka mjete”, tha Vitia.

Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi u përmbyll me debat në mes kryetares Fatmire Kollçakut dhe anëtarit të këtij komisioni, Armend Zemaj i cili më pas edhe e lëshoi mbledhjen.

Lajmet

​HEXA, makina fluturuese e gjeneratës së re në demonstrim në Tokio

Publikuar

nga

HEXA, makina fluturuese e gjeneratës është parë gjatë fluturimit të saj të parë demonstrues si pjesë e ngjarjes SusHi Tech Tokyo 2024, të organizuar nga Qeveria Metropolitane e Tokios, të premten më 17 maj 2024, në Tokio, Japoni.

HEXA, prodhim i kompanisë amerikane LIFT me bazë në Japoni dhe i zhvilluar nga Marubeni Aerospace, i pilotuar nga Jace ‘Digit’ McCown, shefi Pilot për LIFT Aircraft, më parë fluturoi me helikopterin UH1N për Forcat Ajrore të SHBA-së.

LIFT Aircraft me bazë në Austin, Texas filloi projektin në tetor 2017 në Budapest, u zbulua në 11 dhjetor 2018 për publikun përmes mediave sociale dhe artikujve të lajmeve dhe bëri paraqitjen e tij të parë publike në South By Southwest 2019 në Austin.

LIFT HEXA (fillimisht “Hexa”) është një ngritje dhe ulje vertikale tërësisht elektrike (eVTOL) me një pasagjerë me një krah shumëkopter ultralight, që synon kryesisht turizmin dhe udhëtimet në distanca të shkurtra. Avioni HEXA është projektuar nga Robert Kovacs, i cili është i bazuar në Hungari.

LIFT u themelua nga Matt Chasen, një sipërmarrës serial, investitor dhe entuziast i sporteve aventureske.

HEXA është një aeroplan modular amfib me multikopter eVTOL me një pasagjer, i aftë për t’u ulur si në tokë ashtu edhe në ujë.

Avioni ka 18 helikë të kontrolluar në mënyrë të pavarur dhe 18 motorë elektrikë të montuar në një montim të shtyllës motorike që i ngjan një rrjete prej gjashtë sektorësh me drejtim nga brenda me dymbëdhjetë helikë të jashtëm dhe gjashtë të brendshëm me energji elektrike.

Kjo lejon që avioni të kontrollohet duke ndryshuar shpejtësinë individuale të motorit për çdo helikë dhe i lejon pilotit të ketë shikueshmëri të shkëlqyer. Avioni mundësohet nga paketa të shumta baterish.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​BE mban trendin e rënies së emetimeve të gazrave serrë

Publikuar

nga

Trendi në rënie në emetimet e gazrave serrë të BE-së vazhdoi gjatë gjithë vitit 2023 me një rënie prej pak më shumë se 5%, sipas të dhënave të Eurostat të publikuara këtë javë.

Shtetet anëtare të BE-së lëshuan më shumë se 3.4 miliardë ton ekuivalent të dyoksidit të karbonit të gazeve serrë në vitin 2023. Kjo është 5.1% më pak se në vitin 2022, kur u lëshuan rreth 3.6 miliardë ton ekuivalent të dyoksidit të karbonit.

Bullgaria emetoi 47.5 milion ton ekuivalent të dyoksidit të karbonit ose rreth 1.4% të emetimeve të gazit serrë të BE, sipas llogaritjeve të BTA bazuar në të dhënat e Eurostat.

Vendi uli emetimet e gazeve serrë me pothuajse një të pestën (-19.6%) në 2023, duke regjistruar rënien e dytë më të madhe pas Estonisë (-27%).

Në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, Bullgaria u rendit e dyta në mesin e vendeve anëtare të BE-së me uljen më të madhe të emetimeve të gazrave serrë. Pas Estonisë (-23%), ky vend regjistroi një rënie prej afro 17% nga viti në vit.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Edhe Spanja do ta njohë shtetin palestinez bashkë me vendet tjera

Publikuar

nga

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez njoftoi të premten se vendi i tij do ta njohë shtetin palestinez bashkë me vendet tjera.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

IBM ka në plan të krijojë 800 vende të reja pune

Publikuar

nga

IBM-ja njoftoi se planifikon të punësojë deri në 800 persona në Irlandë për të ndërtuar një sistem softueri të avancuar sipas teknologjisë së Inteligjencës Artificiale.

Kjo shënon numrin më të madh të vendeve të punës në sektorin shumëkombësh të vendit. IBM është tashmë një nga punëdhënësit më të mëdhenj shumëkombësh në Irlandë me 3 mijë persona staf.

Përmes posteve të reja do t’u kërkohet punonjësve të krijojnë softuer të avancuar bazuar në inteligjencë artificiale gjeneruese në fushat sikurse siguria, automatizimi, etj./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara