Lajmet

​Tahiri e Bislimi përplasen për liberalizimin dhe politizimin e administratës publike

Tahiri tha po ashtu se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nuk ka në prioritet integrimin evropian.

Publikuar

Në debatin parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021, deputeti nga AAK-ja, Besnik Tahiri ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti se agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në ‘qorrsokak’.

Në vazhdimin e seancës plenare, deputeti Tahiri tha po ashtu se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nuk ka në prioritet integrimin evropian, e që nxiti reagimin e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimit.

“Mirë që është prezent zëvendëskryeministri dhe dy ministra për të cilët i kam disa çështje ku do t’iu kërkoj edhe disa sqarime në raport me punën e qeverisë. Ajo që dua të them dhe konstatoj që agjenda e integrimit evropian e kësaj qeverie është në qorrsokak. Kemi një qeveri e cila nuk e ka në prioritet integrimin evropian dhe nuk e ka në prioritet ecjen përpara këtë fushë në raport edhe me atë çka është theksuar në raportin për vendin, por edhe me veprimet që kanë ndodhur”, u shpreh Tahiri.

Ndaj tij ka reaguar zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili tha se në çdo takim në Bruksel ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave, derisa përmendi edhe procesin e dialogut me Serbinë, ku veçoi si të arritur marrëveshjen për targat.

“Sa i përket dialogut, u tha këtu nga disa parafolës që ka pasur zero progres, mirëpo sigurisht që nuk i referohet as raportit për vendin, i cili e veçon marrëveshjen për targat si një marrëveshje të rëndësishme në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel. Sa i përket integrimit deputeti Tahiri po ashtu tha se ka pasur zero progres dhe si argumentim tha që nuk ka ndodhur asnjë takim për liberalizim. Mendoj që këtu ka qenë problemi, që në vazhdimësi integrimi është barazuar me liberalizim. Integrimi nuk është liberalizim i nderuar deputet, është gjithçka tjetër… Sa i përket liberalizmit ama bash në secilin takim që kemi në vendet e BE-së, tema e liberalizimit është temë qendrore dhe gjatë çdo vizite që edhe unë bëj në Bruksel, bëj takime anësore me ambasadorin e Francës ku diskutohet për procesin e liberalizmit, por vetëm është problemi që ju nuk jeni në ato takime dhe nuk i dini, por takimet ndodhin”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Bisilimi nuk e la me kaq, ai akuzoi deputetin Tahiri se në qeverisjen Haradinaj ka pasur politizim të administratës publike, derisa u zotua se tash pritet të ndodhë depolitizimi.

“Pajtohem me këtë, por problemi është që në fillim ka qenë një Besnik Tahiri dhe tash ka ardhur një Besnik Bislimi. Do të thotë një herë ka ndodhur politizimi, tash pritet të ndodhë de politizimi”, tha ai.

Kundër replikë pati deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili potencoi se nuk ka punësuar asnjë të afërm të tij sa ka qenë zëvendëskryeministër. Tahiri tha se tash po shihet se kush ku po punësohet.

“Shiko zëvendëskryeministër, në qoftë se mundesh me gjetë vetëm një njeri, një familjar që unë e kam punësuar si zëvendëskryeministër, unë jap çfarë do përgjegjësie politike morale. Nuk di a mundeni me thënë ju këtë, se a ka hyrë ndonjë familjarë i juaj[…]Sytë janë me pa, veshtë janë për me dëgju, e dimë kush po punësohet. Pra, vetëm për koeficient e pata”, tha ai.

Deputetja Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane tha se duhet shumë punë e angazhim nga ana e institucioneve.

“Sa i përket të gjeturave të raportit për vendin për vitin 2021 gjatë kësaj periudhe nga ana e Komisionit janë përdorur shkallët e më poshtme të progresit që në këtë raport për Kosovën janë: Nuk kemi kthim prapa në asnjë fushë, s’ka progres ku është potencuar 27 herë, progres i limituar 35 herë, pak progres 55 herë, progres i mirë dy herë dhe progres shumë i mirë zero herë. Bazuar nga këto të gjetura del se nga ana e institucioneve tona duhet shumë punë e angazhim me qëllim të përmbushjes së të gjeturave të cilat nuk janë të pakta”, tha ajo.

Ndërsa, deputetja nga PDK-ja Eliza Hoxha ka përmendur të gjeturat e raportit që flet për akuzat e presidentes Vjosa Osmani ndaj ish-kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka.

“Në faqen tetë raporti flet për akuzat e presidentes Osmani ndaj ish-kryetares së KQZ-së, (Valdete) Daka. Pra, edhe akuzat politike e personale sot raportohen në raport si qëndrime institucionale. Kjo s’ka ndodhur më parë me sa kujtoj dhe për shkak të këtyre akuzave ndonëse kurrë nuk është dëshmuar se çfarë shkelje bëri Daka. Ajo u shkarkua nga presidentja jashtëligjshëm madje edhe jashtë normave kushtetuese. Ndërsa, në faqen 10 të këtij raporti flitet për mësymjen e qeverisë për me i liru menaxhmentet e ndërmarrjeve publike dhe për t’i zëvendësuar ato me menaxhmentet e reja, ku i bëhet thirrje qeverisë që t’i respektojë procedurat ligjore”, u shpreh ajo.

Deputetët e kuvendit pas pauzës pritet të diskutojnë prapë për raportin për vendin. 

Lajmet

​Shpërthen vullkani në Indonezi, nxjerrë llavë deri në 600 metra

Publikuar

nga

Vullkani Marapi në Sumatrën Perëndimore në Indonezi shpërtheu të premten, duke nxjerrë llavë deri në 600 metra mbi majë.

“Kishte një shpërthim të malit Marapi të premten, 7 qershor 2024, në orën 10:57 (0357 GMT), me një lartësi të vëzhguar të kolonës së hirit prej rreth 600 metra mbi majë. Shpërthimi u regjistrua në një sizmograf me një maksimum amplitudë 3 mm dhe kohëzgjatje 72 sekonda”, njoftoi Agjencia e Gjeologjisë së vendit.

Nuk ka raportime për viktima apo dëme në infrastrukturë. Megjithatë qeverive vendore u kërkohet të koordinohen me agjencitë e fatkeqësive.

Mali Merapi është 2,891 metra i lartë në ishullin e Sumatrës, ku autoritetet kanë ndaluar prej kohësh banorët dhe turistët të ecin brenda një rrezeje prej tri kilometrash nga krateri i tij.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte

Publikuar

nga

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë kundër ndaj një të pandehuri për veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile. Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri i nacionalitetit serb, dyshohet për vrasjen e tre shqiptarëve në Prizren në shtator të vitit 1998.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit M. P. i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës dhe po ashtu i Serbisë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.

I pandehuri i sanksionohet me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“I pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, ka marr pjesë në vrasjen e viktimave Reshat Daçaj, Binak Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiut”, thuhet në aktakuzë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme, ndërkaq i pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Kurti: Martesat e hershme te komunitetet rom, ashkali e egjiptian – fenomen i dëmshëm

Publikuar

nga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për martesat e hershme të vajzave nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Në një konferencë të sotme, ai tha se ky fenomen është i dëmshëm për vajzat e reja që martohen dhe humbasin mundësinë e tyre në arsim.

“Kemi parë se sa e dëmshme është si fenomen për vajzat e reja që martohen dhe e humbasin mundësinë e tyre në arsim, për fëmijët e tyre eventual dhe kësisoj për familjet e tëra. Është fenomen përgjithësisht i fshehur mirëpo shifrat e UNICEF-it me agjencinë e statistikave prej vitit 2020 na tregojnë që në grupmoshën 20-24 vjeçe, 31 për qind e grave dhe vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18-vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza çdo vit që kanë të drejtat dhe mundësit e tyre për të ardhmen e tyre, janë të dëmtuara rëndë”, deklaroi ai.

Kurti tha se ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re si fëmijë.

“Ky nuk është problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës. Ka komuna që vajzat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkolla të mesme e fakultete dhe marrin pjesë në aktivitete, por ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re si fëmijë. Edhe në këto lagje ka aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e kësaj dukurie. Kështu është edhe ideja e krijimit të grupit punues ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme që kemi krijuar me vendim të qeverisë para gjashtë muajsh. Përgëzoj anëtarët e grupit për punën që e kanë bërë deri më tani në hartimin e një plani të qartë dhe ambicioz të veprimit dhe përkushtimit në zbatimin e planit deri më sot”, u shpreh Kurti.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Tetë vende do të ndihmojnë forcat ukrainase të mbrohen kundër sulmeve kimike të Rusisë

Publikuar

nga

Vendet pjesëmarrëse të Iniciativës së Shkëmbimit të Informacionit kimik, biologjik, radiologjik dhe bërthamor (CBRN) të Ukrainës (ISI) janë zotuar të ofrojnë trajnime dhe pajisje për të mbrojtur personelin e Forcave të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Kështu thuhet në një deklaratë të vendeve pjesëmarrëse të CBRN ISI të Ukrainës, sipas Ukrinform.

Autorët e dokumentit vunë në dukje se fjalët dhe veprimet e Rusisë gjatë luftës në shkallë të plotë kundër Ukrainës, veçanërisht konfiskimi nga Rusia i termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, krijuan një kërcënim serioz për sigurinë e materialeve dhe objekteve bërthamore dhe të tjera radioaktive në Ukrainë. Vendet pjesëmarrëse shprehën gjithashtu shqetësime të thella nga raportet se frekuenca e sulmeve kimike të Rusisë kundër forcave ukrainase po rritet, siç po rritet edhe shumëllojshmëria e municioneve kimike që forcat ruse po përdorin në fushën e betejës.

“Vendet pjesëmarrëse në ISI dënojnë në termat më të ashpër të mundshëm përdorimin e agjentëve kimikë nga Rusia në Ukrainë dhe janë të përkushtuara për të ofruar trajnimin dhe pajisjet e nevojshme për të mbrojtur personelin ukrainas dhe për të kërkuar llogari nga Rusia”, thuhet në deklaratë.

Vendet e mëposhtme pjesëmarrëse të CBRN ISI të Ukrainës kanë miratuar këtë deklaratë: Kanadaja, Finlanda, Italia, Norvegjia, Suedia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I themeluar në vitin 2016 si rezultat i pushtimit të Krimesë nga Federata Ruse dhe si një degë e Partneritetit Global të udhëhequr nga G7 kundër përhapjes së armëve dhe materialeve të shkatërrimit në masë, ISI mbledh vendet me mendim të njëjtë të komunitetit ndërkombëtar të donatorëve për të përmbushur nevojat më urgjente të sigurisë radiologjike dhe bërthamore të Ukrainës.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara