Veshët njëjtë si sytë janë ndër pjesët më të rëndësishme të trupit. Mjafton që njëri prej tyre të dhembë e ndjesia është e padurueshme dhe stresuese për organizmin.
Gjatë jetës njerëzit mund t’i përjetojnë këto dhimbje e sidomos në mosha të vogla, mund të ndodhin për një sërë arsyesh, duke nisur që nga futja e ujit në vesh, infeksionet apo sëmundjet specifike që mund ti prekin ato.
Gjithsesi është vënë re edhe një tjetër lloj gjendje që krijohet tek veshët. Quhet pulsimi, zhurma apo tringëllima e veshit dhe shkakton pikërisht veprimet e përmendura më parë. Shpesh njerëzit ankohen se veshët zhurmojnë duke mos e kuptuar shkakun e kësaj gjendje.
Pse tringëllojnë veshët?
Nëse ju pulson njëri apo të dy veshët shkaqet janë të njëjtat dhe fshihen thellë në organizmin tuaj, kjo gjendje vazhdon me ditë jave e muaj të tërë dhe kthehet në një stres të vazhdueshëm për këdo që e përjeton.
Intensiteti më i madh i zhurmës ndihet kur shtriheni për të pushuar apo fjetur. Ky puls i vogël brenda kokës nuk ju lë të pushoni të qetë dhe ju streson. Arsyet pse kjo gjendje zhvillohet fillojnë që nga presioni i lartë i gjakut, problemet me venat, anemia apo arterioskleroza.
Sëmundjet që e shkaktojnë
Problemet me enët apo venat e gjaku prekin shumë njerëz duke bërë që qarkullimi të mos jetë i mirë, venat që kalojnë pranë veshit dhe çojnë gjakun në tru, krijojnë zhurmë për shkak se mund të jenë të dëmtuara a me probleme. Presioni i lartë i gjakut ose tensioni i lartë është tjetër arsye. Kur gjaku lëviz me shpejtësi të ndryshme apo të shpejtë, zhurma do të jetë e pranishme në vesh.
Kjo mund të vijë nga sëmundje të ndryshme që shkaktojnë hipertension ose gjatë periudhave të stresit, abuzimit me alkoolin apo kafeinën. Anemia ose tiroidja hiperaktive bëjnë që gjaku të lëvizë shpejt në trup, duke shkaktuar zhurma tek venat që kalojnë pranë veshëve tuaj.
Arterioskleroza njihet si sëmundja që i bllokon arteriet dhe enët e gjakut duke i bërë më pak fleksibël. Gjaku që kalon tek veshi i mesit, lëviz me vështirësi dhe me forcë duke bërë që të ndjeni zhurmë tek dy veshët. Një tjetër arsye mund të jenë edhe tumoret e kokës apo të qafës.
Efektet anësore
Pulsimi apo tringëllimi i veshëve kthehet në një problem për këdo që e përjeton, shkakton një sërë efektesh tjera anësore, duke filluar nga dhimbja e kokës, marramendja, të përzierat, stres, probleme me shikimin apo humbje të dëgjimit.
Si ta ndaloni?
Nëse kjo zhurmë vazhdon për javë e muaj konsultoheni me një specialist, kjo pasi, nën këtë rrahje të veshit fshihen një sërë sëmundjesh tjera. Mundohuni të gjeni shkakun që zhurma të pushojë gradualisht. Kur shtriheni fokusoheni tek një zhurmë tjetër e jashtme. Mjekët sugjerojnë disa makineri të posaçme, që përdoren për të gjeneruar një zhurmë të lehtë në dhomë, në mënyrë të harroni zhurmën e veshit. /UBT News/