Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998. 

21 tetor 1993

Nga fshati Stançiq u shpërngulën dhjetë familje

Disa fshatra të Karadakut, komuna e Gjilanit, në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së këtij shteti, janë vënë në një trajtim të posaçëm ushtarak e policor. Njëri nga më të goditurit, gjthsesi, është Stançiqi, prej ku, në katër-pesë muajt e fundit, u shpërngulën dhjetë familje shqiptare në rrethinën e Kumanovës e të Shkupit, për shkak të lidhjeve farefisnore e gjeografike me këto treva. Për shkak të presionit policor e ushtarak në këtë brez kufitar, ka rrezik për shpërngulje edhe më të mëdha nga fshatrat përreth kësaj zone.

Sipas të dhënave të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut në Gjilan, për këto arsye, prej qershorit e deri para dy ditësh, nga Stançiqi u shpërngulën familjet e Kadri Bajramit (me 8 anëtarë), Destan Bajramit me 11 anëtarë, Shefki Dautit me 6 anëtarë, Isuf Veliut me 10, Salih Ajetit, gjithashtu me 10 anëtarë, pastaj familjet e Sejdi Osmanit, Baftiar e Naip Osmanit, Fehmi Murselit dhe familja e Rabit Latifit. Pra, një lagje e tërë shqiptarësh braktisi fshatin e lindjes dhe u vendos në Haraqinë, Qerkez, Kumanovë e gjetiu nëpër Maqedoni, pos dy familjeve të fundit, të cilat u vendosën në Zhegër, përkatësisht në Gjilan, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

21 tetor 1994

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit u bastisën 228 familje

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi gjithësej 228 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe gjatë kësaj kohe ndërhyri 44 herë në institucione shkollore, në pyetje i mori 46 persona, plaçkiti 55 tregtarë dhe qytetarë shqiptarë, i konfiskoi 22 pasaporta, maltretoi në forma të ndryshme 39 persona, nën pretekst të dorëzimit të armëve dhe në forma të tjera i arrestoi dhe i mbajti deri në 3 ditë në burg 140 persona, u bë hapja e procedurave gjyqësore kundër 33 personave, u rrahën 218, u dënuan me burg 12 persona, ndërsa u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe 13 të rinj shqiptarë. 

21 tetor 1995

New York Times: A është në rend eksplodimi në Kosovë?

Gazeta autoriative amerikane “The New York Times” botoi në numrin e sotëm (21 tetor 1995) një vështrim për Kosovën të autorit Julie Mertus (Xhuli Mertës) me titull “A është në rend eksplodimi në Kosovë?”. Në artikull thuhet:

“Iniciativa paqësore amerikane në ish-Jugosllavi po sjell një lehtësim të nevojshëm në Bosnjë-Hercegovinë, por ajo gjithsesi nuk do të arrijë të vendosë paqe afatgjatë në Ballkan po qe se në negociata nuk përfshihen të gjithë liderët e grupeve më të mëdha etnike në rajon. Duke i dhënë përparësi pragmatizmit para drejtësisë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit Hollbruk e ka lënë pasdore përbërësin kryesor në zgjidhjen e problemit të Ballkanit: shqiptarët etnikë në Kosovë.

Ndonëse shqiptarët përbëjnë më tepër se 85 për qind të popullsisë së Kosovës, e cila ishte rajon autonom në ish-Jugosllavi, ata qe një kohë të gjatë po kontrollohen nga minoriteti etnik serb.

Presidenti serb Sllobodan Millosheviq hypi në pushtet pas një fjalimi në Kosovë më 1989 me të cilin ai denonconte, siç thoshte ai, brutalitetin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës. Fjalët e tij çuan në një dhunë të tmerrshme policore kundër shqiptarëve; arrestime masive, gjykime të montuara në bazë të deklaratave të nxjerra me dhunë. Shumë shqiptarë u përzunë nga puna pasi që refuzonin të nënshkruanin deklarata të lojalitetit ndaj Jugosllavisë së re.

Kështu, shqiptarët kanë organizuar shoqërinë e tyre paralele dhe shkollat, spitalet, qeveritë lokale etj. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së thotë: “Pjesa dërrmuese e popullsisë jeton me frikë konstante”.

Millosheviqi ka kundërshtuar të bisedojë rreth Kosovës në takimet ndërkombëtare, duke e quajtur këtë çështje të brendshme. Ai ka penguar OKB-në që të njohë Ibrahim Rugovën, i zgjedhur kryetar i Kosovës në zgjedhjet e vitit 1992, të cilat nuk njihen nga autoritetet serbe. Nëse përkrahja për presidentin Millosheviq në Serbi bie pas marrëveshjes paqësore në Bosnjë dhe disfatave ushtarake në Kroaci, ai mund të përpiqet të forcojë pushtetin e vet duke provokuar një konflikt në Kosovë. Luftimet në Kosovë padyshim do të përhapeshin në Shqipëri dhe do të mund të përfshinin edhe Maqedoninë (me 23 për qind popullsi shqiptare), Greqinë dhe Bullgarinë. Në rrafshin diplomatik, kjo do të vinte Amerikën kundër Rusisë, e cila mbështet regjimin serb në Kosovë.

Për të evituar këtë skenar, Kosova duhet të jetë e pranishme në tryezën ndërkombëtare të negociatave. Kjo mund të arrihet vetëm po qe se Shtetet e Bashkuara e injorojnë qëndrimin e OKB-së, sipas të cilit Qeveria e zgjedhur e shqiptarëve të Kosovës nuk meriton karrikë në tryezën e negociatave.

Një rol negociues (i SHBA-ve) nuk është i pamundur. Shtetet e Bashkuara, të brengosura për Kosovën, kanë dërguar atje miliona dollarë në vit për shërbime shëndetësore.

Për më tepër, tashmë është bërë presedan që të bisedohet me liderë të cilët nuk udhëheqin shtete të njohura ndërkombëtarisht. Zoti Holbruk po rropatet me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, liderë të serbëve të Bosnjës, të cilët akuzohen për krime të luftës. Prandaj, zoti Rugova nuk mund të përjashtohet nga negociatat vetëm pse ka fituar në zgjedhjet “e paligjshme”.

Çka mund të shpresojnë shqiptarët e Kosovës? Shtetet e Bashkuara do të duhej së paku të përkrahnin kërkesat e tyre për mbikëqyrje ndërkombëtarë të shkeljeve drastike të të drejtave të njeriut. Zoti Rugova, sipas të gjitha gjasave, po ashtu do të kërkojë një palë të tretë, helmetkaltërit e OKB-së ose trupat e NATO-s, për të ndihmuar normalizimin e një procesi në rajon, i cili do të zbuste praninë policore serbe dhe do të mundësonte rihapjen e shkollave lokale, spitaleve, shërbimeve qeveritare e të tjera. Duhet të jemi të sigurtë se një vend rreth tavoline për shqiptarët do ta iritonte Millosheviqin, por të përpiqesh të arrish paqe në Ballkan pa e pasë shqyrtuar çështjen e Kosovës është sikur të përpiqesh ta fikësh zjarrin duke e lënë thëngjillin të ndezur”, përfundon shkrimi i autorit Xhuli Mertës, që po shkruan një libër për Kosovën.

 

21 tetor 1997

Policët e stacionuar në Morinë keqtrajtojnë kalimtarët

Që nga 17 tetori, Skenderaj e sidomos rruga në drejtim të Gllogocit po vërshohet nga patrulla të policisë, të përcjella me autoblinda e armatim të ndryshëm. Viktimë e policëve janë të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë drejtim pas orës 20.

KI i Degës së LDK-së në Skenderaj njofton se tash pesë netë me radhë policët stacionohen në afërsi të deposë së materialit ndërtimor të Nuredin e Kajtaz Deliut nga Rrezala, e cila ndodhet në fshatin Morinë. Në këtë vend policia nga orë 20 deri në orën 24 maltreton kalimtarët. Nga policët ka pësuar rëndë edhe vetë Kajtazi. Policët madje djegin dërrasa dhe material tjetër të kësaj depoje, duke dëmtuar kështu pronarët e deposë edhe materialisht.

Në këtë vend, më 17 tetor u keqtrajtuan Petrit Murtezaj, student nga Klina e Poshtme, Vezir Ymeri nga Kopriva e Mitrovicës dhe Bajram Haziraj nga Llausha. Ata po udhëtonin me veturë dhe u keqtrajtuan pa ndonjë pretekst. Në Morinë u keqtrajtuan rëndë edhe Musa, Musdtafë e Mehdi Koca nga Polaci dhe Tafil e Daut Gjinofci nga Makermali.

Po në Morinë, siç njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc, më 17 tetor, pas orës 22, u keqtrajtua fizikisht edhe Adem M. Kiqina (40) nga Baica e kësaj komune, punëtor në Ferronikel. Sipas deklaratës së tij, këtu është keqtrajtuar edhe një punëtor tjetër.

 

21 tetor 1998

Vdiq edhe një anëtare e familjes Deliu nga Obria e Epërme

Mbrëmë, në shok dhomën e spitalit të Prishtinës vdiq Bedrie Deliu (25) nga Obria e Epërme e Skënderajt, nënë e katër fëmijëve.

Burime nga spitali bëjnë të ditur se ajo ishte sjellë në spital me lëndime të rënda në kokë, si pasojë e torturës fizike.

Bedria është anëtare e familjes Deliu, 25 pjesëtarë të së cilës u vranë e u masakruan gjatë një aksioni të forcave serbe në fund të muajit të kaluar.

Foto: New York Times

 

Continue Reading

Vendi

United Hospital ngrit vetëdijen për kancerin e lukthit: Diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë

Published

on

Prishtinë – Kanceri i lukthit mbetet një ndër sëmundjet serioze të sistemit tretës, ndërsa një nga sfidat kryesore në luftimin e tij është identifikimi i hershëm, pasi në fazat fillestare mund të zhvillohet pa simptoma të qarta ose me shenja që shpesh ngatërrohen me probleme të zakonshme të tretjes.

Në kuadër të aktiviteteve për ndërgjegjësimin mbi kancerin e lukthit, United Hospital, si një nga institucionet më të mëdha private spitalore në Kosovë, ka rikujtuar rëndësinë e vëmendjes ndaj simptomave të mundshme dhe kryerjes së kontrolleve mjekësore në kohën e duhur.

Dhimbjet e vazhdueshme të barkut, fryrjet, humbja e oreksit, ndjenja e ngopjes pas konsumimit të sasive të vogla të ushqimit dhe humbja e pashpjegueshme e peshës janë disa nga shenjat që kërkojnë vlerësim profesional mjekësor.

Sipas mesazhit sensibilizues të spitalit, këto simptoma nuk duhet të neglizhohen, veçanërisht kur janë të vazhdueshme ose përkeqësohen me kalimin e kohës. Edhe pse jo domosdoshmërisht tregojnë praninë e një sëmundjeje malinje, ato mund të jenë sinjal i problemeve që kërkojnë ekzaminim të mëtejshëm.

Gastroskopia, një ndër ekzaminimet kryesore diagnostikuese

Në kuadër të shërbimeve të saj shëndetësore, United Hospital ofron shërbime të avancuara gastroenterologjike dhe diagnostikuese, përfshirë gastroskopinë, një ekzaminim që mundëson vlerësimin e drejtpërdrejtë të ezofagut, lukthit dhe pjesës së parë të zorrës së hollë.

Gastroskopia ka rëndësi të veçantë në diagnostikimin e ndryshimeve të mukozës së lukthit dhe, kur është e nevojshme, mundëson marrjen e mostrave të indeve për ekzaminim histopatologjik.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe infeksionit me bakterin Helicobacter pylori, i cili është një nga faktorët e njohur të rrezikut për zhvillimin e kancerit të lukthit.

Mesazh për kujdes dhe diagnostikim në kohë

Përmes këtij aktiviteti ndërgjegjësues, United Hospital synon të përcjellë mesazhin se kujdesi ndaj shëndetit të sistemit tretës duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kujdesit të përgjithshëm shëndetësor.

Identifikimi i simptomave, konsultimi me specialistët dhe diagnostikimi në kohë janë hapa të rëndësishëm për menaxhimin e sëmundjeve të lukthit.

United Hospital – Kujdesi për shëndetin fillon duke dëgjuar sinjalet e trupit tuaj.

Për informata dhe termine:

Telefon: 046 60 70 70

Lokacioni: M2 Prishtinë–Ferizaj, kilometri i 7-të, Prishtinë./rajonipress/

 

Continue Reading

Lajmet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë si folës në Samitin Botëror të Klimës COP31 në Antalya

Published

on

By

UBT, një nga institucionet kryesore të arsimit të lartë në Kosovë, u përfaqësua në nivel ndërkombëtar në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), të organizuar në Antalya të Turqisë. Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë si folës në një panel ndërkombëtar të nivelit të lartë, ku u diskutua roli i universiteteve në përballjen me sfidat globale të ndryshimeve klimatike.

Më 18 nëntor 2026, në kuadër të COP31, në Zonën Blu (Blue Zone) në Antalya, u organizua paneli ndërkombëtar me temën: “From Universities to a Global Climate Alliance: Shared Vision and Action for Green Transition” (Nga universitetet drejt një aleance globale për klimën: Vizioni dhe veprimi i përbashkët për transformimin e gjelbër).

Paneli u zhvillua nën moderimin e Rektorit të Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart dhe Kryetarit të Këshillit Ndëruniversitar të Turqisë, Prof. Dr. Ramazan Cüneyt Erenoğlu, me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) dhe rektorëve të universiteteve nga vende të ndryshme.

Vizioni i UBT-së për kampuset inteligjente dhe qytetet rezistente ndaj ndryshimeve klimatike u prezantua në COP31

Në kuadër të panelit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, realizoi prezantimin me temën: “From Smart Campuses to Climate-Resilient Cities: The 5S Approach to University Living Labs” (Nga kampuset inteligjente drejt qyteteve rezistente ndaj ndryshimeve klimatike: Qasja 5S për laboratorët e gjallë universitarë).

Prezantimi trajtoi vizionin e UBT-së për zhvillimin e kampuseve inteligjente dhe transformimin e tyre në modele të qëndrueshme, të cilat mund të kontribuojnë në krijimin e qyteteve më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

Në kuadër të konceptit: “UBT Smart City: Integrating Education, Research, Emerging Technologies and Climate Action” (UBT Smart City: Integrimi i arsimit, kërkimit shkencor, teknologjive të reja dhe veprimit klimatik), u theksua rëndësia e ndërthurjes së arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit teknologjik dhe veprimeve konkrete klimatike në një model të integruar të zhvillimit të qëndrueshëm.

Qasja UBT Smart City mbështetet në konceptin se kampuset universitare nuk duhet të shërbejnë vetëm si qendra të arsimit dhe kërkimit shkencor, por edhe si laboratorë të gjallë (Living Labs), ku teknologjitë e qëndrueshme mund të zhvillohen, testohen dhe të shndërrohen në zgjidhje praktike për shoqërinë.

Bashkëpunimi me TİKA-n dhe Universitetin Çanakkale Onsekiz Mart në fushën e transformimit të gjelbër

Përfaqësimi i UBT-së në COP31 ka një rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e vazhdimësisë së bashkëpunimeve akademike ndërkombëtare të universitetit.

Në vitin 2024, UBT dhe Universiteti Çanakkale Onsekiz Mart nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi akademik, e cila krijoi bazën për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushën e arsimit, shkencës dhe qëndrueshmërisë.

Në vazhdim të këtij bashkëpunimi, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), në UBT u realizua Projekti i Transformimit të Gjelbër.

Projekti u zhvillua në bashkëpunim me Koordinimin e Transformimit të Gjelbër të Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, me pjesëmarrjen e rreth 30 studentëve të UBT-së.

Në kuadër të projektit, synimi kryesor ishte zhvillimi i njohurive dhe aftësive të të rinjve në fushën e transformimit të gjelbër, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgjegjësisë mjedisore.

Ky bashkëpunim përfaqëson një shembull konkret të mënyrës se si njohuritë shkencore dhe partneritetet ndërkombëtare mund të shndërrohen në aktivitete edukative dhe programe për ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

UBT vazhdon të zhvillojë aktivitete në fushën e qëndrueshmërisë, jo vetëm përmes konceptit të kampuseve inteligjente, por edhe përmes kërkimeve shkencore dhe zhvillimit të teknologjive inovative mjedisore.

Pjesëmarrja e universitetit në renditjen ndërkombëtare UI GreenMetric World University Rankings pasqyron angazhimin institucional për vlerësimin dhe përmirësimin e performancës në fushën e qëndrueshmërisë mjedisore dhe menaxhimit të kampuseve universitare.

 

Gjithashtu, UBT ka zhvilluar projekte kërkimore në fushën e teknologjive mjedisore, përfshirë projektin që synon prodhimin e karbonit aktiv nga mbetjet bujqësore dhe përdorimin e tij për largimin e ndotësve nga ujërat e ndotura.

Kjo iniciativë shkencore përfaqëson një shembull të rëndësishëm të orientimit të universitetit drejt ekonomisë qarkore, shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe zhvillimit të teknologjive miqësore me mjedisin.

Një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar

Gjatë panelit ndërkombëtar në kuadër të COP31 u diskutuan përgjegjësitë që universitetet mund të marrin në përballjen me ndryshimet klimatike, transferimin e teknologjive të gjelbra, diplomacinë shkencore dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si folës në këtë panel ndërkombëtar përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin e vizionit të universitetit në fushën e qëndrueshmërisë, teknologjive inovative dhe bashkëpunimit shkencor në një platformë globale.

Përmes këtij përfaqësimi, UBT dëshmon përkushtimin e tij për të kontribuar në diskutimet ndërkombëtare mbi sfidat klimatike dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

UBT mbetet i përkushtuar ndaj integrimit të arsimit, shkencës, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, me synimin për të kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

 

Continue Reading

lajme

UBT bëhet Qendër e Autorizuar e Testimit Pearson VUE, duke ofruar qasje në certifikime ndërkombëtare nga Microsoft, AWS, Google, Cisco, PMI dhe kompani të tjera globale

Published

on

By

UBT ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në zgjerimin e shërbimeve profesionale dhe ndërkombëtarizimin e arsimit, duke u bërë zyrtarisht Qendër e Autorizuar e Testimit Pearson VUE (Pearson VUE Authorized Test Center).

Përmes këtij autorizimi, UBT bëhet pjesë e rrjetit ndërkombëtar të qendrave të testimit Pearson VUE, një nga ofruesit kryesorë globalë të shërbimeve të testimit dhe certifikimit profesional.

Ky zhvillim u mundëson studentëve, profesionistëve, institucioneve dhe kompanive në Kosovë qasje në provime për certifikime profesionale ndërkombëtare, duke reduktuar nevojën për të udhëtuar jashtë vendit për certifikime të caktuara.

Mbi 90 organizata dhe programe ndërkombëtare të certifikimit

UBT ka marrë autorizimin për administrimin e provimeve për më shumë se 90 organizata dhe programe ndërkombëtare, përfshirë disa nga emrat më të njohur në industrinë globale të teknologjisë, menaxhimit dhe zhvillimit profesional.

Ndër organizatat dhe programet për të cilat UBT është autorizuar të ofrojë shërbime testimi përfshihen:

  • Microsoft – certifikime në teknologjitë dhe platformat Microsoft.
  • Amazon Web Services (AWS) – certifikime në teknologjitë cloud.
  • Google Cloud – certifikime në infrastrukturën dhe shërbimet cloud.
  • Cisco – certifikime në rrjete kompjuterike dhe teknologji informacioni.
  • Project Management Institute (PMI) – certifikime ndërkombëtare në menaxhimin e projekteve.
  • CompTIA – certifikime profesionale në teknologji informative dhe siguri kibernetike.
  • Oracle dhe IBM – certifikime në teknologji dhe sisteme ndërmarrjesh.
  • Fortinet, EC-Council dhe GIAC – certifikime në siguri kibernetike.
  • Salesforce, ServiceNow dhe Snowflake – certifikime në platforma dhe teknologji të avancuara.
  • Autodesk – certifikime në projektim dhe teknologji inxhinierike.
  • Linux Professional Institute (LPI) – certifikime në sistemet Linux.

Autorizimi përfshin gjithashtu organizata dhe programe të tjera nga fushat e financave, menaxhimit të rrezikut, shëndetësisë, privatësisë së të dhënave dhe administrimit profesional.

Mundësi të reja për studentët dhe profesionistët në Kosovë

Hapja e kësaj qendre përfaqëson një hap të rëndësishëm në krijimin e mundësive për zhvillim profesional dhe avancim në karrierë.

Certifikimet profesionale ndërkombëtare janë gjithnjë e më të rëndësishme në tregun global të punës, veçanërisht në sektorët e teknologjisë informative, sigurisë kibernetike, menaxhimit të projekteve, inxhinierisë dhe biznesit.

Përmes Qendrës së Autorizuar të Testimit Pearson VUE, UBT synon të mbështesë zhvillimin e kompetencave profesionale dhe të kontribuojë në rritjen e konkurrueshmërisë së fuqisë punëtore në Kosovë dhe më gjerë.

UBT vazhdon zgjerimin e shërbimeve profesionale dhe certifikuese

Ky autorizim është pjesë e strategjisë së UBT-së për të ndërlidhur arsimin akademik me kërkesat e industrisë dhe standardet ndërkombëtare të kompetencave profesionale.

Duke integruar programet akademike, trajnimet profesionale dhe certifikimet ndërkombëtare, UBT vazhdon të fuqizojë rolin e tij si institucion i arsimit të lartë dhe qendër për zhvillim profesional, inovacion dhe teknologji.

Përmes bashkëpunimit me Pearson VUE, UBT zgjeron mundësitë që studentët dhe profesionistët në Kosovë të dëshmojnë njohuritë dhe kompetencat e tyre përmes certifikimeve të njohura ndërkombëtarisht.

Informata dhe regjistrimi

Kandidatët e interesuar për provime certifikuese mund të informohen për programet, kushtet dhe procedurat e regjistrimit përmes platformës zyrtare të Pearson VUE:

https://home.pearsonvue.com/Test-takers.aspx

Disponueshmëria e provimeve varet nga programi përkatës i certifikimit dhe terminet e ofruara nga qendra.

Continue Reading

Lajmet

Marta Kos kërkon falje për incidentin me këngën nacionaliste serbe

Published

on

Incidenti me interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe në një aktivitet të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel është diskutuar edhe në Senatin e Belgjikës, ku komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka shprehur sërish keqardhje për atë që ndodhi.

Ajo është pyetur për këtë çështje nga senatori belg Michel De Maegd, ish-gazetar që në të kaluarën ka raportuar edhe nga Kosova.

Gjatë debatit, De Maegd ka kujtuar përvojën e tij si gazetar në Kosovë, ku tha se kishte parë nga afër pasojat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përfshirë pastrimin etnik, kampet e refugjatëve dhe krimet ndaj civilëve, si dhe hyrjen e forcave çlirimtare në Prishtinë dhe arritjen e shtetësisë së Kosovës.

Ai e ka cilësuar si të dëmshëm interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së, duke theksuar se ajo përmban pretendime territoriale serbe ndaj Kosovës.

Senatori ka kërkuar sqarime se si ishte lejuar një përzgjedhje e tillë pa miratimin e shërbimeve evropiane, duke pasur parasysh historinë e Kosovës. Ai gjithashtu ka kërkuar që institucionet evropiane të ndërmarrin hapa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla dhe të dërgojnë një sinjal mbështetjeje për Kosovën, e cila nuk ishte e përfaqësuar në forum.

Në përgjigjen e saj, Kos ka përsëritur keqardhjen për incidentin, duke shpjeguar se Komisioni Evropian i kishte dhënë grupit muzikor udhëzime për programin, por nuk kishte miratuar individualisht secilën këngë.

“Kur është fjala për pjesën muzikore, siç e thashë, ne i dhamë grupit muzikor udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë në mënyrë individuale. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo, sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta ketë atë mbështetje”, ka deklaruar ajo.

Komisionerja ka bërë të ditur se për këtë çështje ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilit i ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi.

“Unë isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen, duke thënë se kjo nuk është dashur të kishte ndodhur. Pra, Komisioni Evropian dhe unë personalisht jemi qartë të zotuar se do ta mbështesim Kosovën tutje”, ka thënë Kos.

Pavarësisht sqarimeve dhe kërkimfaljeve nga muzikanti slloven që interpretoi këngën, incidenti vazhdon të diskutohet mes diplomatëve dhe përfaqësuesve politikë evropianë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara