Lajmet

​Situata në veri, BE e gatshme të mirëpres Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel

BE: Kosova dhe Serbia kanë përgjegjësi për të gjetur një rrugëdalje për të dalë nga situata aktuale.

Published

on

Bashkimi Evropian është i gatshëm të mirëpres në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sa më shpejt që këta të dy janë të gatshëm të tregojnë sjelljen evropiane në gjetjen e një zgjidhjeje evropiane për situatën në veri.

Kështu deklaroi sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, derisa përmendi situatën “e rëndë” të krijuar në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Sipas tij, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë përgjegjësi për të gjetur një rrugëdalje për të dalë nga situata aktuale.

“Ne mbetemi të përkushtuar që t’i mirëpresim të dy, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, në Bruksel për takimin e nivelit të lartë, pikërisht ashtu siç sugjeroi përfaqësuesi i lartë, sa më shpejt që të jenë të gatshëm të tregojnë sjelljen evropiane në gjetjen e një zgjidhje evropiane për problemet mes tyre. Pra, puna vazhdon pa i bërë të ditura të gjitha detajet procedurale dhe të nivelit të punës, por ne jemi të angazhuar t’i ndihmojmë ata për të gjetur këtë zgjidhje. Mirëpo Bashkimi Evropian nuk mund të jetë më i interesuari për të gjetur zgjidhjen, duhet të jenë ata. Të dyja palët kanë përgjegjësi për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se BE nuk mund ta përballojë situatën aktuale, për të cilën tha se është një nga krizat më të rënda që nga viti 2013. Ndërkohë ai foli edhe për përpjekjet e BE-së për të gjetur një zgjidhje.

“Ne nuk mund ta përballojmë situatën aktuale, një nga krizat më të rënda, që nga viti 2013. Përfaqësuesi i lartë e ka thënë shumë qartë se çfarë presim nga të dyja palët dhe çfarë po bëjmë për t’i ndihmuar të gjejnë një zgjidhje evropiane nga situata. Nuk do të hyj në detaje të të gjitha përpjekjeve që po bëhen në të gjitha nivelet e ndryshme, duke përfshirë edhe nivelin e lartë. Përfaqësuesi i lartë ka folur të premten e kaluar në Paris, si me kryeministrin Kurti ashtu edhe me presidentin Vuçiq. Ka angazhime të vazhdueshme nga përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak. Ai do të takohet sot me kryenegociatorin e Kosovës. Ky është një shembull i hapave të ndërmarrë, por siç është një praktikë e zakonshme në këtë rast, ne nuk komentojmë apo njoftojmë realisht takimet në nivelet e kryenegociatorëve”, tha ai. 

Lajmet

Trump: Evropa përballet me rrezikun e një zhdukjeje civilizuese

Published

on

Administrata e presidentit Donald Trump ka paralajmëruar se Evropa përballet me rrezikun e një “zhdukjeje civilizuese” dhe ka vënë në pikëpyetje nëse disa shtete evropiane mund të mbeten aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara, sipas një dokumenti të ri strategjik që i kushton vëmendje të veçantë kontinentit.

Në dokumentin 33-faqësh të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Trump shpalos vizionin e tij për rendin botëror dhe mënyrën se si SHBA do ta përdorë fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike.

Ai e cilëson këtë strategji si një udhërrëfyes për ta mbajtur Amerikën kombin më të madh dhe më të suksesshëm në historinë e njerëzimit, shkruan BBC.

Politikanët evropianë kanë reaguar menjëherë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se vendi i tij nuk ka nevojë për “këshilla nga jashtë” për mënyrën se si të organizojë shoqërinë e vet të lirë.

Zakonisht, një Strategji e Sigurisë Kombëtare publikohet nga presidentët amerikanë një herë gjatë mandatit dhe shërben si bazë për politikat dhe buxhetet e ardhshme, si dhe si sinjal për prioritetet e SHBA në arenën ndërkombëtare.

Dokumenti i ri vazhdon retorikën e ashpër të Trump, e cila u pa edhe në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, ku ai kritikoi ashpër Evropën Perëndimore për politikat mbi migracionin dhe energjinë e pastër.

Sipas BBC, strategjia bën thirrje për rikthimin e identitetit perëndimor, ndaljen e migrimit masiv, luftimin e ndikimit të huaj dhe përqendrim në prioritetet amerikane, si lufta kundër karteleve të drogës.

Administrata Trump ka krijuar lidhje edhe me partinë e ekstremit të djathtë AfD në Gjermani, e cila është klasifikuar si ekstremiste nga shërbimet e inteligjencës gjermane.

Sa i përket Rusisë dhe luftës në Ukrainë, dokumenti thekson se Evropa tregon mungesë vetëbesimi dhe se përfundimi i konfliktit është një interes thelbësor për SHBA. Administrata Trump ka propozuar një plan paqeje, i cili fillimisht parashihte që Ukraina t’i dorëzonte disa territore Rusisë. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse trupat ukrainase nuk tërhiqen nga rajoni i Donbasit, Rusia do ta marrë atë me forcë.

Strategjia thekson gjithashtu rëndësinë e hemisferës perëndimore dhe nevojën për riorganizimin e pranisë ushtarake amerikane, duke zhvendosur burimet nga zonat më pak prioritare. Prania ushtarake e SHBA-ve tashmë është rritur në Karaibe, ku janë kryer edhe sulme kundër grupeve të dyshuara për trafik droge.

Një tjetër fokus i rëndësishëm është Deti i Kinës Jugore, që përbën një rrugë kyçe tregtare. SHBA deklaron se do të forcojë praninë e saj në Paqësorin Perëndimor dhe u bën thirrje aleatëve si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Tajvani të rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Dokumenti thekson se parandalimi i një konflikti për Tajvanin është një prioritet kryesor, ndërsa Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkim.

Po ashtu, strategjia përmend forcimin e industrisë amerikane dhe zvogëlimin e varësisë nga teknologjitë e huaja, në përputhje me politikat proteksioniste dhe tarifat globale të vendosura nga administrata Trump./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Thellimi i bashkëpunimit strategjik Shqipëri-SHBA, Spiropali takon Hanrahan

Published

on

By

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, u takua me zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Brendan Hanrahan, me të cilin ka diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit strategjik Shqipëri-SHBA.

Spiropali theksoi në Facebook se partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, është i ndërtuar mbi një aleancë historike.

Kënaqësi të ritakohem me zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Evroazisë, Brendan Hanrahan, në margjinat e ministerialit të OSBE, për thellimin e bashkëpunimit tonë strategjik shumëplanësh, përfshirë në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve dhe energjisë”, ka shkruar Spiropali.

Kujtojmë, takimi u mbajt në margjinat e Ministerialit të OSBE në Vjenë/KP

Continue Reading

Lajmet

Gjenerali i lartë amerikan i NATO-s: Evropa do të mbijetojë edhe me më pak ushtarë amerikanë

Published

on

By

Komandanti i lartë i NATO-s nga SHBA-ja, Alexus Grynkewich, ka deklaruar se Evropa “nuk ka nevojë për kaq shumë trupa amerikane” dhe se kontinentit do t’i shkojë “për mrekulli” edhe nëse SHBA-ja redukton praninë e saj ushtarake.

Këto komente vijnë në një moment kur shqetësimet për strategjinë e re të mbrojtjes së presidentit amerikan, Donald Trump, janë në rritje. Strategjia e tij parashikon të tërheqë forcat amerikane nga Evropa dhe t’i zhvendosë ato në Indo-Paqësor. Hapat e parë janë tashmë realizuar: një muaj më parë, SHBA-ja tërhoqi 800 trupa nga Rumania, raporton Politico.

Dyshimet mbi besueshmërinë e Uashingtonit po shtohen, pasi Trump ka shprehur dyshime për Nenin 5 të NATO-s, ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si aleanca duhet të reagojë ndaj një sulmi rus ndaj Polonisë dhe vazhdon të ushtrojë presion ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes.

Një sinjal tjetër shqetësues vjen nga mungesa e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, një rast pothuajse i paprecedentë.

Ndërkohë, inteligjenca evropiane paralajmëron se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s para përfundimit të këtij dekade, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin një herë tjetër ka deklaruar se është “i gatshëm” për luftë me Evropën./EO

Continue Reading

Lajmet

​Policia moldave gjen prova për grupin që dyshohet se u trajnua në Serbi për nxitjen e trazirave në Moldavi

Published

on

Policia moldave tha të premten se ka kryer rreth 50 bastisje në vende të shumta në vend, ku ka gjetur prova se një grup i organizuar i trajnuar më parë në një kamp në Serbi po planifikonte të shkaktonte trazira në Moldavi.

“Grupi i organizuar dyshohet se veproi me qëllimin për të kryer aktivitete të paligjshme në shkallë të gjerë dhe në këmbim të përfitimit financiar”, tha policia moldave në një komunikatë, shkruan REL.

Në komunikatë thuhet se grupi ishte stërvitur më parë në një kamp në Banja Kovilaça, në Serbinë perëndimore, dhe se qëllimi ishte të krijonte tension shoqëror, i ndjekur nga nisja e protestave të dhunshme me qëllim që të ndikonte në rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve moldavë.

Më 26 shtator, policia në Serbi arrestoi dy persona të akuzuar për organizimin e trajnimit taktik-luftarak për qytetarët e Moldavisë dhe Rumanisë, i cili kishte për qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi.

Arrestimet ndodhën pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve të luftimit në Serbi, duke pretenduar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me qëllim destabilizimin e Moldavisë gjatë zgjedhjeve të fundit në vend.

Ndërkohë, Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.

Policia në Serbi njoftoi se trajnimi u zhvillua nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt ushqimi pranë Loznicës në Serbinë perëndimore dhe se në të morën pjesë midis 150 dhe 170 qytetarë të Moldavisë dhe Rumanisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në tetor se nuk mund të pretendonte se inteligjenca ruse ishte pas kampit, por se policia kishte ndaluar persona me kombësi serbe që ishin të disponueshëm.

Policia moldave shtoi të premten se gjatë kontrollit, ndër të tjera, sekuestroi karta bankare, disa prej të cilave ishin lëshuar nga institucione financiare nga Rusia, mbi 20 pasaporta biometrike me vula për kalimin e kufirit me Serbinë, stacione radioje, dylbi, plumba të kalibrave të ndryshëm për armë vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Serbi nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Radios Evropa e Lirë për më shumë informacion në lidhje me këtë rast./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara