Lajmet

​Sindikatat nuk tërhiqen: Greva nëse Ligji i pagave nuk miratohet deri në mars

Sindikatat po kërkojnë që përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e grupit punues për hartimin e tij.

Published

on

Ligji i pagave është arsyeja pse ky vit mund të merr epitetin si vit i grevave dhe i protestave. Sindikatat në Kosovë nuk po tërhiqen nga kërkesa e tyre që ky ligj të miratohet, dhe nëse kjo kërkesë e tyre nuk realizohet deri në muajin mars, siç ka premtuar qeveria, paralajmërojnë greva e protesta. Përveç miratimit të ligjit që do të rregullojë pagat në nivel vendi, sindikatat po kërkojnë që përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e grupit punues për hartimin e të njëjtit.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli thotë se kërkesa e sindikatave për miratim të Ligjit të Pagave është tejet e drejtë. Ai thotë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre që ky ligj të merr dritën e gjelbër gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në të kundërtën potencon se do të ndërmarrin veprime sindikale.

“Ne po besojmë që kërkesat e sindikatave, po këtu po them edhe BSPK, ne besojmë që do të realizohen, mirëpo ne jemi në kontakt non-stop me anëtarësinë tonë dhe në çdo moment ne jemi të gatshëm që të veprojmë edhe si sindikalistë. Kërkesat tona janë të drejta, Ligji i pagave të shkojë në Kuvend, të jemi pjesë e diskutimeve të Ligjit të pagave, kështu që të votohet dhe të ecë përpara. […] Ne nuk kemi shumë dëshirë të shkojmë tek grevat dhe protestat, mirëpo nëse nuk kemi rrugëdalje tjetër atëherë edhe ato janë opsion i arritjes së qëllimeve tona”, thotë Hykolli.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës gjatë vitit të kaluar kishte paralajmëruar mbajtjen e një proteste më 4 dhjetor, por që më pas e anulua pas premtimit nga ana e Qeverisë se ligji do të shkojë në Kuvend në muajin mars.

Nëse ky premtim nuk realizohet, kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj, thotë se do të ndërmarrin veprime sindikale për të kërkuar miratimin e Ligjit të pagave.

Përfaqësuesi i mësimdhënësve potencon se nëse do të hyjnë në greva atëherë orët e humbura nuk do të zëvendësohen.

“E tëra varet se cili do të jetë marsi, e sidomos çka do të na sjellë fundi i marsit, nuk varet nga ne, varet nga Qeveria Kurti. Nëse ata punojnë dhe i mbajnë fjalët dhe premtimet ne do t’i përgëzojmë publikisht, por nëse ata e konsiderojnë se këtë afat mund ta zvarrisin, ta prolongojnë, ta zgjasin, le ta dinë se SBASHK-u pastaj do t’i kthehet anëtarësisë, do ta pyes anëtarësinë dhe Këshilli Drejtues që është organi më i lartë do të sjellë vendim meritor dhe nëse nuk ndodhin gjërat siç duhet unë kam frikë se fundi i marsit do të na sjellë në situatën që e kishim dikur pikërisht për këtë ligj kur u detyruam të hyjmë në grevë, e cila pastaj zgjati tri javë”, thotë Jasharaj.

Në anën tjetër, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, shprehet skeptik që ligji do të miratohet në mars të këtij viti, për çka thotë se grevat janë të pashmangshme.

“Ky është lajm i keq për popullin së pari, se ne kemi pezulluar grevën pikërisht për hatër të popullit, për shkak të gripit sezonal që kemi shumë raste dhe pas festave do të ulemi edhe një herë Këshilli Drejtues, në koordinim edhe me sindikatat e tjera, e dini që këta kanë premtuar që diku kah marsi do të shkojë ky Ligj i pagave. Unë personalisht jam shumë skeptik, mirëpo nëse nuk shkon atëherë ju i dini deklaratat e të gjitha sindikatave, këtu hyn edhe shëndetësia, arsimi, shërbyesit civilë, atëherë ka frikë se do të kemi fillimin e një reagimi sindikal pak më të fortë në Kosovë”, thotë Syla.

Përveç miratimit të ligjit, sindikatat po kërkojnë që të jenë pjesë e grupit punues për hartimin e tij edhe përfaqësuesit e sindikatave.

Kryetari i Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, thotë se pjesëmarrja e sindikatave në grupin punues është shumë e rëndësishme pasi që janë punëtorët ata që preken nga ky ligj.

“Ligji i pagave është shumë i rëndësishëm dhe ne mendojmë që ky ligj duhet të shkojë sa më shpejtë, por normalisht që duhet të jenë pjesë edhe sindikatat pjesë e draftimit të ligjit për arsye se më së shumti e prek këtë kategori të punëtorëve. Ligji i pagave është shumë i rëndësishëm sepse e stabilizon edhe shtetin, e stabilizon edhe anën ekomomike të shtetit, për këtë arsye ne po kërkojmë që Ligji i pagave të draftohet, të miratohet, mirëpo duhet të ketë shumë kujdes”, thotë ai.

Qeveria fillimisht kishte premtuar se Ligji i pagave do të miratohej në Kuvend deri në fund të muajit nëntor, gjë e cila nuk u realizua.

Ligji i pagave ishte miratuar nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, por i njëjti është rrëzuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Lajmet

Trendafilova: Dhomat e Specializuara punojnë pa ndikime politike

Published

on

By

Kryetarja e Dhomate të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka reaguar përmes një video-mesazhi publik ndaj kritikave dhe dezinformatave lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e këtij institucioni gjyqësor. Reagimi i saj vjen pas vendimeve të fundit gjyqësore, reagimeve publike dhe ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës.

Trendafilova nënvizoi se Gjykata e Hagës ushtron mandatin e saj në mënyrë plotësisht të pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje apo presion politik, duke garantuar procedura të drejta, të paanshme si dhe mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat.

Sipas kryetares së Dhomave të Specializuara, kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, mirëpo sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjyqtarëve se si ta interpretojnë apo zbatojnë ligjin. Ajo shtoi se të gjithë gjyqtarët janë profesionistë me integritet të lartë nga shtetet e BE-së dhe vendet kontribuuese, të cilët zbatojnë konventat ndërkombëtare dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve për të drejtat e të akuzuarve, Trendafilova rikujtoi se mbrojtja juridike dhe mbikëqyrja e vendimeve garantohen përmes shkallëve të ankesave në Apel, Gjykatën Supreme, si dhe në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese — mjete këto që, sipas saj, janë shfrytëzuar me sukses nga të pandehurit në disa aktgjykime. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aeroporti i Cyrihut shpallet më i miri në Evropë për të 23-ën herë radhazi

Published

on

Aeroporti i Cyrihut në Zvicër është vlerësuar sërish me çmimin “Europe’s Leading Airport” për vitin 2026, në kuadër të çmimeve ndërkombëtare World Travel Awards.

Ky është viti i 23-të radhazi që aeroporti merr këtë vlerësim, duke ruajtur pozicionin në të njëjtën kategori për më shumë se dy dekada.

Sipas njoftimit të aeroportit, çmimi është ndarë pas nominimit nga komiteti i World Travel Awards dhe votimit online në nivel global, ku kanë marrë pjesë profesionistë të industrisë së udhëtimeve dhe publiku i gjerë, transmeton Telegrafi.

Në procesin e vlerësimit merren parasysh kënaqësia e udhëtarëve, përmbushja e standardeve të cilësisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve.

Aeroporti i Cyrihut është një nga pikat kryesore të lidhjes së Zvicrës me botën, duke lehtësuar udhëtimet ndërkombëtare dhe duke kontribuar në lidhjen e ekonomisë zvicerane me tregjet globale/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama vendos karrige me mbishkrimin “Dialog” para Kryeministrisë, në ditën e tetë të protestave

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vendosur karrige para Kryeministrisë, kur Shqipëria ka hyrë në ditën e tetë të protestave të të rinjëve.

Karriget janë me mbishkrimin “Dialog”, për të përcjell mesazhin për gatishmëri për komunikim, ka thënë Rama.

“Tani kush do dialog pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, unë jam në dizpozicion me Qeverinë. Të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe nuk distancohet nga dhuna”, ka thënë ai në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Rama e përsëriti edhe dje thirrjen për dialog, por theksoi se nuk pranon të ulet në tryezë me personat që ushtrojnë dhunë. Kreu i qeverisë ka theksuar se është i hapur për të dëgjuar kërkesat e protestuesve paqësorë, ndërsa ndaj atyre që përfshihen në akte dhune ka paralajmëruar masa ndëshkuese./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Trumpi urdhëron hetime ndaj Grenellit

Published

on

By

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj një prej ish-aleatëve të tij më të afërt, Richard Grenell.

Siç ka shkruar mediumi “Axios”, në Shtëpinë e Bardhë ka shpërthyer një skemë e “pagesave për ndikim” te Trumpi. Në qendër të raportimit është një instruksion i pretenduar nga Grenelli për biznesmenin turk, Turhan Mildon, në maj të vitit të shkuar.

Grenell atë kohë shef i qendrës kulturore “Kennedy Center”, i pati thënë Mildonit të transferojë rreth 17 milionë dollarë te kompania “Texas Armament & Technology” – nga të cilat rreth 6 milionë dollarë do të shkonin për qendrën e arteve.

“Sapo që paratë të vijnë te kompania këtu, do të aranzhoj donacionin te ‘Kennedy Center’, dhe ju do t’iu bashkoheni ngjarjeve VIP dhe të jeni të afërt me administratën, madje edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në mesazhin e Grenellit, sipas raportimit.

Grenelli ka mohuar pretendimet duke i quajtur të rreme.

E gruaja e Mildonit, avokatja Alina Habba, ka thënë se “Kennedy Center” s’e ka marrë kurrë donacionin.

Ajo raportohet se më herët gjatë muajit ka takuar Trumpin për Grenellin sipas “Axios” dhe “The New York Times”. Presidenti më pas ka urdhëruar Shtëpinë e Bardhë që menjëherë të nisë hetimet.

Richard Grenell ka shërbyer si emisar special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, në periudhën 2019-2021.

Continue Reading

Të kërkuara