Lajmet

​ShBA njofton paketën e re të armëve prej 600 milionë dollarësh për Ukrainën

Që nga fillimi i luftës, Uashingtoni ka ofruar për qeverinë e Kievit një ndihmë prej rreth 15.1 miliardë dollar.

Published

on

Administrata e Biden njoftoi një paketë të re armësh prej 600 milionë dollarësh për të ndihmuar ushtrinë ukrainase në luftën kundër Rusisë, ndërsa ShBA-ja po ofron më shumë armë për të nxitur kundërsulmimin e Kievit në lindje të vendit, sipas gazetës së përditshme britanike, “The Guardian”.

Paketa do të përfshijë të njëjtat lloje municionesh dhe pajisjesh që kanë ndihmuar forcat ukrainase të mposhtin forcat ruse në lindje dhe jug të vendit.

“Me guxim dhe vendosmëri, populli i Ukrainës po mbron atdheun e tij dhe po lufton për të ardhmen e tij”, tha në një deklaratë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.

“Pajisjet që ne po ofrojmë janë të kalibruara me kujdes për të bërë dallimin më të madh në fushën e betejës dhe për të forcuar Ukrainën në tryezën e negociatave kur të jetë koha e duhur”, shtoi ai.

Vendimi për të ofruar ndihmën e re, pas një ndihme prej gati 2.9 miliardë dollarësh dhe mbështetjeje financimi të shpallur javën e kaluar dhe mbi 3 miliardë dollarë të shpallur në fund të gushtit, tregon synimin e ShBA-së për të siguruar që Ukraina të mund të përballojë kundërsulmin e saj i nisur në fillim të këtij muaji. Në harkun kohor të pak ditëve, trupat ukrainase kanë rimarrë pothuajse të gjithë rajonin e Kharkivit.

Joe Biden autorizoi ndihmën e fundit duke përdorur Autoritetin e tij Presidencial të tërheqjes, i cili i lejon presidentit të autorizojë transferimin e armëve të tepërta nga stoqet amerikane. Shtëpia e Bardhë tha se ishte hera e 21-të që departamenti i mbrojtjes i SHBA-së tërheq armët dhe pajisjet e tjera nga raftet për t’i dorëzuar ato në Ukrainë.

Që nga fillimi i luftës, Uashingtoni ka ofruar për qeverinë e Kievit një ndihmë prej rreth 15.1 miliardë dollar. Kjo përfshinte 2.2 miliardë dollarë financime afatgjatë ushtarak për Ukrainën dhe një paketë armësh prej 675 milionë dollarësh të shpallur nga sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin.

Paketa më e re e ndihmës pritet të financojë trajnimin ushtarak, si dhe municione, duke përfshirë më shumë municione të Sistemeve të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS) për obusët./atsh/

Lajmet

Gjashtë nënoficerë të FSK-së përfundojnë me sukses trajnimet profesionale në Shqipëri

Published

on

Gjashtë nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses trajnimet profesionale në Qendrën e Përgatitjes Profesionale të Nënoficerëve në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia e diplomimit përfshiu përfundimin e Kursit të Kryekapterit, Kursit të Avancuar dhe Kursit Bazë të Nënoficerit, ku morën pjesë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe FSK-së.

Sipas FSK-së, pjesëmarrja dhe suksesi i nënoficerëve kosovarë dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm në ngritjen profesionale, zhvillimin e lidershipit dhe avancimin e kapaciteteve të trupës së nënoficerëve.

Zhvillimi i një trupe profesionale dhe të përgatitur të nënoficerëve mbetet një nga prioritetet e FSK-së, me synimin e rritjes së gatishmërisë operacionale të njësive.

FSK-ja thekson se investimi në zhvillimin profesional të nënoficerëve është investim në lidership, profesionalizëm dhe gatishmëri operacionale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bajrami: Për 60 ditë mund të ketë reduktime të energjisë në çdo kohë dhe vend

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin e Kuvendit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, duke thënë se ai nuk garanton furnizim më të mirë me rrymë.

Sipas saj, për 60 ditët e ardhshme ndërprerjet e energjisë mund të bëhen në çdo kohë dhe vend, ndërsa vendimi, siç pretendon ajo, mbron KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet e shkaktuara nga reduktimet.

Bajrami ka theksuar se vendimi parasheh edhe detyrimin e Ibër-Lepencit për të prodhuar energji për Shërbimin Universal, por ka vënë në pikëpyetje ndikimin e kësaj mase, duke përmendur kapacitetin e instaluar prej rreth 30 megavatësh.

Ajo ka pretenduar se vendimi krijon mundësi për arsyetimin e reduktimeve, blerjen e energjisë elektrike duke anashkaluar procedurat e prokurimit publik, si dhe kontraktimin e kompanive për investime dhe remontet në KEK pa procedurat e zakonshme.

Deputetja e LDK-së ka rikujtuar se masat emergjente për furnizimin me energji ishin shpallur për herë të parë më 21 dhjetor 2021, ndërsa, sipas saj, gati pesë vjet më vonë, sektori vazhdon të funksionojë nën masa të tilla.

Ndër problemet që ajo ka renditur janë mungesa e kontratave afatgjata për blerjen e energjisë, dështimi i remonteve, kostot e larta të kontratave, moszbatimi i Strategjisë së Energjisë dhe mungesa e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Bajrami ka vlerësuar se zgjidhja afatgjatë e krizës qëndron në ndërtimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë. Ajo ka paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren hapa në këtë drejtim, kriza mund të thellohet dhe qytetarët e buxheti i Kosovës mund të përballen me vështirësi për mbulimin e kostos së energjisë.

Deklaratat e saj janë publikuar në rrjetin social Facebook./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 4 mijë e 400 eurosh

Published

on

By

Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi të konsiderueshme të mallrave të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar të realizuar të enjten në Prishtinë. Përmes mekanizmave të menaxhimit të riskut, zyrtarët doganorë kishin përzgjedhur për kontroll një kamion që transportonte mallra të deklaruara nga një operator ekonomik, ku më pas hasën në artikuj të fshehur që u nënshtrohen kërkesave për leje importi dhe autorizimeve për tregtimin e mallrave të akcizës.

Gjatë inspektimit të dërgesës, në kamion janë gjetur 11 mijë e 520 paketime me prezervativë, secila me nga tri copë, si dhe 400 copë cigare elektronike. Sipas vlerësimeve të Doganës, vlera e përgjithshme e këtyre mallrave të zbuluara, pa llogaritur detyrimet doganore dhe tatimore, kap shumën e rreth 4 mijë e 400 eurove.

Nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me zbatimin e mekanizmave të kontrollit për të identifikuar dhe parandaluar rastet e mosdeklarimit të mallrave, me synim mbrojtjen e interesave financiare të shtetit, sigurimin e konkurrencës së drejtë në treg dhe respektimin e kërkesave ligjore për qarkullimin e mallrave në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Alix Earle kërkon deri në 500 mijë dollarë për një postim reklamues

Published

on

Influencuesja amerikane Alix Earle kërkon nga 250 mijë deri në 500 mijë dollarë për një postim të vetëm në kuadër të bashkëpunimeve me marka të ndryshme, raporton revista “The Hollywood Reporter”.

Sipas revistës, për 25-vjeçaren, e cila ka ndërtuar një audiencë të madhe në TikTok, një nga kriteret kryesore për pranimin e bashkëpunimeve është nëse i pëlqen vërtet produkti që i ofrohet për promovim.

Babai i saj, Thomas Earle, ka treguar se kur vajza e tij e pëlqen mjaftueshëm një produkt, ndonjëherë është e gatshme ta promovojë edhe pa pagesë.

“Duket e çmendur të shpenzosh kaq shumë para, por unë vërtet besoj te jetëgjatësia dhe te ruajtja e besimit që kam ndërtuar me audiencën time”, është shprehur Earle.

Përveç bashkëpunimeve reklamuese, influencuesja ka nisur të investojë edhe në kompani të ndryshme. Ajo ishte ndër investitorët e hershëm në kompaninë e pijeve me bazë prebiotike Poppi, të cilën PepsiCo e bleu vitin e kaluar për 1.95 miliardë dollarë.

Earle zotëron gjithashtu aksione në markën e produkteve të mirëqenies Cymbiotika, ndërsa është investitore dhe ambasadore e markës së koktejeve të gatshme SipMARGS.

Në mars, ajo prezantoi edhe markën e saj të produkteve për kujdesin e lëkurës, Reale Actives, duke zgjeruar aktivitetin në industrinë e bukurisë.

Gjatë intervistës, Earle foli edhe për kritikat që kishte marrë pas deklaratës se nuk kishte lexuar asnjë libër gjatë jetës së saj.

“Le ta bëjmë të qartë: E kam lexuar patjetër librin, por jo, nuk lexoj në mënyrë aktive. Për momentin nuk jam duke lexuar asgjë”, u shpreh ajo.

Alix Earle u bë e famshme gjatë pandemisë së COVID-19, përmes videove në TikTok, ku fitoi miliona ndjekës me përmbajtje rreth përditshmërisë, bukurisë dhe stilit të jetesës.

Vitin e kaluar, ajo arriti në vendin e dytë në sezonin e 34-t të spektaklit “Dancing with the Stars”. Ndërkohë, në shtator, në Netflix debutoi reality show i familjes së saj, “Earle Meets World”, i cili, sipas raportimeve, është rinovuar për një sezon të dytë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara