Kaliumi është një nga mineralet thelbësore që çdo qelizë në trupin e përdor për të funksionuar si duhet, dhe organizmi nuk mund ta prodhojë vetë, duhet ta marrim patjetër përmes ushqimit.
Njerëzit kanë konsumuar një dietë të pasur me bimë të freskëta dhe të papërpunuara, duke arritur deri në 10.000 mg kalium në ditë. Sot, në shumë vende përfshirë SHBA-në, më pak se 2% e njerëzve arrijnë të marrin sasinë e rekomanduar ditore prej rreth 4.700 mg.
Arsyeja kryesore është kalimi nga një dietë natyrale, me shumë fruta dhe perime, në një regjim të mbushur me produkte të përpunuara, të gatshme dhe me pak vlera ushqyese.
Por pse është kaliumi kaq i rëndësishëm?
Një analizë e shumë studimeve të besueshme ka treguar lidhje të fortë mes marrjes më të lartë të kaliumit dhe uljes së rrezikut nga dy ndër shkaqet më të zakonshme të vdekjes: sëmundjet kardiovaskulare e goditjet në tru.
Rritja e konsumit të kaliumit me 1.640 mg në ditë lidhet me ulje rreth 21% të rrezikut nga goditjet cerebrale. Edhe pse kjo sasi nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojën ditore të trupit, mund të ketë ndikim domethënës në shëndet, veçanërisht nëse shoqërohet me një dietë më të pasur me ushqime bimore të freskëta. Vetëm imagjinoni efektin nëse kjo sasi dyfishohet apo trefishohet!
Shumë njerëz mendojnë se banania është një burim i jashtëzakonshëm i kaliumit, por nuk është ndër frutat më të pasura me këtë mineral.
Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Bujqësisë, bananet nuk renditen as në mesin e 1.500 ushqimeve të pasura me kalium, një fakt që na habit. Për të përmbushur nevojën ditore me banane, do t’ju duhej të hanit më shumë se 10 copa në ditë, diçka jo e realizueshme.
Cilat janë disa nga burimet më të pasura të kaliumit?
Perimet me gjethe jeshile si spinaqi, patatet (veçanërisht të ziera me lëkurë), fasulet, thjerrëzat, soja, arrorët dhe drithërat integrale janë zgjedhje të shkëlqyera. Avokado, pjepri, domatet, lëngjet e freskëta të perimeve dhe disa produkte të bulmetit janë alternativa të mira.
Dietat me më shumë ushqime të freskëta pak produkte të përpunuara nuk sjellin vetëm kalium, ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të mineraleve tjera të rëndësishme, përfshirë magnezin dhe natriumin, duke ulur rrezikun nga tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet e zemrës.
Përfshirja e përditshme e sa më shumë frutave është një nga mënyrat më të sigurta për të ruajtur shëndetin e zemrës dhe të trurit.