Lajmet

​QKMF-të në Prishtinë tre muajt e fundit nuk janë furnizuar nga MSh-ja me listën esenciale

Published

on

Prishtina vazhdon të jetë komuna me numrin me të lartë të pacientëve të infektuar me koronavirus, por përkundër kësaj Qendrat Mjekësore Familjare në këtë komunë tash e tre muaj nuk janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë me barna e pajisje të listës esenciale.

Kështu ka njoftuar drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi i cili tha se këto mungesa në furnizim janë duke u munduar t’i mbulojnë me kontratat vetanake të komunës. Por siç tha ai edhe ato kontrata tashmë pothuajse janë shpenzuar.

“Tre muajt e fundit kemi pasur disa probleme në furnizimin nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat jemi munduar që t’i mbulojmë nga kontratat vetanake. Mirëpo të cilat nuk i kemi në pakufi dhe të pashtershme edhe ato e kanë një limit dhe të njëjtat edhe ato i kemi shpenzuar duke u munduar që t’i ruajmë kapacitetet tona qoftë edhe në ato më të thjeshtat edhe në sistemet e infuzionit dhe shiringat nuk jemi furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe në mungesë të tyre po furnizohemi nga kontratat tona. I kemi koncentruar kryesisht tek rastet me COVID dhe në Urgjencë për rastet urgjente ka raste që ndoshta në qendrat më të vogla ose ku aty ku nuk ka raste urgjent të mungojë ndonjë ditë. Besoj që në ditët në vazhdim presim një përmirësim më të mirë edhe nga niveli qendror”, theksoi Gashi.

Gashi për KosovaPress ka deklaruar se tashmë në kryeqytet numri i rasteve aktive është dyfishuar dhe kjo si pasojë e fushatës së partive politike dhe pakujdesisë së qytetarëve. Ai tha se krahas rasteve pozitive në komunën e Prishtinës janë rritur edhe kërkesat për shërbime mjekësore të cilat ofrohen në Mjekësinë Familjare në Kalabri.

“Tani i kemi rreth 2 mijë e 700 raste aktive në kryeqytet kur para një muaji kishim 1 mijë e100 është më shumë se dyfishuar numri i tyre, duke iu falënderuar parafushatës dhe fushatës si një prej faktorëve kryesorë, por normalisht edhe një lirie të madhe ose një pakujdesie në përgjithësi nëpër të gjithë sektorët për mos t’ia hedh fajin vetëm fushatës, por e vendosi theksin në atë. Tani kemi një numër shumë më të madh të rasteve. Numrat nuk më shqetësojnë, më shqetësojnë kërkesat e qytetarëve për ndihmë të cilat javën e fundit janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe këtë e masim me parametrin e qytetarëve të cilët kërkojnë shërbime në qendrën numër 7 në Emshir për terapi paranterale, infuzione dhe trajtim paranteral“, theksoi Gashi.

Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet shprehet kundër shtimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, por shton se duhet të rritet mbikëqyrja dhe zbatimi i atyre aktuale. Ai thekson se janë duke i analizuar rastet spitalore dhe nëse do të ketë nevojë do të shtojnë kapacitet në Qendrën Mjekësore Familjare në Kalabri ku tash e sa muaj ofrohen shërbime mjekësore vetëm për pacientët me koronavirus.

“Mendoj që masat janë të mjaftueshme, por nuk jam ithtar i kufizimeve dhe karantinimeve ekstra, mirëpo zbatimin e rekomandimeve të cilat janë mendoj që është e mjaftueshme një rritje e mbikëqyrjes, mirëpo e kam potencuar disa parafushata, fushat dhe pakujdesia. Ndoshta do të rrisim kapacitetet brenda asaj qendre, do e rrisim numrin e dhomave dhe punëtorëve shëndetësor e në tejkalim të këtyre hapësirave edhe mundësive atëherë të shohim eventualisht që edhe ndonjë aneks i ndonjë qendre sepse e kemi të pamundur që të lirojmë një qendër komplet sepse mbesin 20 mijë banorë pa shërbime të tjera dhe ata duhet të shpërndahen nëpër qendra tjera dhe ajo pastaj shkakton kaos dhe do jetë problem për qytetarët tjerë”, u shpreh ai.

Brenda 24 orëve të fundit në Kosovë me koronavirus pozitivë kanë rezultuar 574 raste, kurse betejën me COVID-19 e kanë humbur 13 pacientë.

Numri i rasteve aktive është 11 mijë e 58 persona, ndërsa numri total i rasteve pozitive është 77 mijë e 827. 

Lajmet

UBT përkujton viktimat e 11 Shtatorit

Published

on

By

Sot, UBT përkujton me respekt viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një tragjedi që tronditi jo vetëm popullin amerikan, por mbarë botën.

Në këtë ditë përkujtimi, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka shprehur solidaritetin e UBT-së me familjet e viktimave dhe popullin amerikan, duke theksuar rëndësinë e kujtesës, paqes dhe miqësisë së qëndrueshme ndërmjet popujve.

“11 shtatori mbetet një kujtesë e dhimbshme e pasojave që sjell urrejtja dhe dhuna, por njëkohësisht edhe një thirrje e përhershme për paqe, solidaritet dhe bashkëpunim ndërmjet njerëzve dhe kombeve. Sot i nderojmë të gjitha viktimat e kësaj tragjedie dhe bashkëndjejmë me familjet e tyre dhe me popullin amerikan.

Për Kosovën dhe popullin shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend të veçantë në historinë tonë. Miqësia dhe mbështetja amerikane kanë qenë dhe mbeten një simbol i fuqishëm i partneritetit, lirisë dhe shpresës.

Në këtë ditë, kujtojmë viktimat, nderojmë sakrificën e tyre dhe riafirmojmë besimin tonë në një botë ku paqja, liria, toleranca dhe bashkëpunimi ndërtojnë të ardhmen”.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi

Rektor i UBT-së

Continue Reading

Lajmet

Ramës i tregohen prangat kur merr fjalën për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të “Tulltores”

Published

on

Asamblistët e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës e kanë penguar fjalimin e kryetarit Përparim Rama, lidhur me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të “Tulltores”, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet të premten. 

Ata me njërën dorë kanë goditur tavolinat dhe me tjetër i kanë treguar Ramës prangat. 

Rama ka qenë duke folur për pikën e parë të rendit të ditës që është “Propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës, lokacioni “Tulltorja”. 

Rama ka thënë se toka nuk falët po jepet në shfrytëzim dhe sipas tij për këtë shfrytëzim kryeqyteti përfiton 1 milion euro në vit. 

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku përkujton 25-vjetorin e 11 Shtatorit: Kosova e njeh çmimin e lirisë

Published

on

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se sulmet e 11 Shtatorit 2001, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona, tronditën mbarë botën dhe mbetën në kujtesën kolektive si një prej akteve më të rënda të terrorizmit.

“Ky sulm nuk ishte vetëm një goditje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por një sfidë brutale ndaj vetë vlerave themelore mbi të cilat ngrihet shoqëria demokratike, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe popullin amerikan, duke theksuar se dhimbja e tyre është pjesë e kujtesës së përbashkët.

Abdixhiku tha se Kosova e njeh nga afër “çmimin e lirisë” dhe rëndësinë e miqësisë me Shtetet e Bashkuara.

“Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm marrëdhënie mes dy vendeve; është një lidhje e ndërtuar mbi besim, vlera dhe një histori të përbashkët solidariteti”, u shpreh ai.

Në fund, Abdixhiku riafirmoi përkushtimin e tij ndaj aleancës me SHBA-në dhe vlerave demokratike, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “I përjetshëm qoftë kujtimi për viktimat e 11 Shtatorit”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PDK nderon viktimat e 11 Shtatorit, Hamza: Jemi krah miqve tanë amerikanë

Published

on

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, së bashku me deputetët e PDK-së, ka bërë homazhe te memoriali “Kosova Kujton”, në Prishtinë, me rastin e 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hamza tha se më 11 shtator 2001, mijëra jetë të pafajshme u humbën në një prej tragjedive më të rënda të kohës moderne.

“Sot jemi me miqtë tanë amerikanë, duke kujtuar viktimat, duke nderuar guximin e ekipeve të emergjencës dhe duke shprehur solidaritetin tonë me të gjithë ata që u prekën nga kjo tragjedi”, tha Hamza.

Ai theksoi se Kosova e njeh rëndësinë e miqësisë dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara.

“25 vjet më pas, jemi krah miqve tanë amerikanë në kujtim të viktimave dhe në nderim të sakrificës së tyre. Nuk harrojmë kurrë”, u shpreh Hamza./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara