Lajmet

​Qeveria bën përgjegjëse ASK-në për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë

Procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë me dy muaj vonesë.

Published

on

Qeveria ka shtyrë datën e regjistrimit të popullsisë së Kosovës për dy muaj. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar u tha se ky proces do të fillojë në nëntor të këtij viti, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe vonesave të shkaktuara. Po ashtu, janë ndarë 60 mijë euro në kuadër të masës 1.3 për punësimin e grave dhe 100 mijë euro për investimin në infrastrukturë dhe ambient.

Kryeministri Albin Kurti ka hedhur akuza për procesin e vitit 2011 të regjistrimit të popullsisë, ku deklaroi se është bërë me një memorandum të thjesht mirëkuptimi.

“Duke respektuar kushtetutën dhe Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare, ne nuk mund të trajtonim një bashkëpunim të tillë, ndryshe përveç se si marrëveshje ndërkombëtare. Për dallim nga qeveritë e kaluara të cilat në vitin 2011 pikërisht në qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilat ia transferuan miliona euro për qëllime të prokurimit, e bën me një memorandum të thjeshtë mirëkuptimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me qeverinë tonë nuk bëhet”, deklaroi ai.

Më tej, shefi i ekzekutivit shtoi se prokurimi i është lënë në menaxhim Autoritetit Qendror të Prokurimit, për çka ka pasur rezistencë brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Megjithatë, ai deklaroi se ky proces do të fillojë me vonesë.

“Procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj me vonë. Për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit. Për këtë propozoj para jush që të plotësojmë-ndryshojmë vendimin për datën e fillimit të regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i popullsisë do të bëhet, duke filluar nga data 1 nëntor 2023”, tha Kurti para ministrave.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave dhe 100 mijë euro të tjera për investimin në infrastrukturë. Këto mjete janë në kuadër të zbatimit të masës 1.3 dhe masës 5 të pakos së ringjalljes ekonomike.

“Bëhet fjalë për masën 1.3 që është mbështetja e punësimit të grave që është masë në vazhdim, ku do të ndahen 60 mijë euro si dhe masa 5-investimi në infrastrukturë dhe ambient ku parashihen të ndahen 100 mijë euro, pra tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në programin ‘renovimi i objekteve ekzistuese të departamentit të pensioneve’ me kod 13484”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

Kabineti qeveritar ka vendosur edhe për përfundimin e mandatit të parakohshëm të drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se shkarkimi i tij bazohet në raportimet për shkelje profesionale.

“Mosaprovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga ana e Kuvendit të Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të zotëri Ejupit nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje të eskpertëve austriakë dhe një varg shkeljesh të cilat janë të paraqitura në memorandumin shpjegues që është përcjellë në qeveri, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e mandatit të parakohshme të zotëri Bujar Ejupit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil”, deklaroi ai.

Ndërkaq kabineti qeveritar ka shtyrë për shqyrtim shpronësimin e pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, po ashtu i janë propozuar Kuvendit të Kosovës, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi Loku si kandidatë për dy pozita të anëtarëve të Komisionit të Aurotitetit të Konkurrencës.

Ministrat kanë votuar pro edh koncept-dokumentit për Kodin e Procedurës Civile dhe për Gjykatën Administrative dhe të Punës

Lajmet

PDK kritikon Kurtin për pjesëmarrjen në ceremoninë e kadetëve të Shërbimit Korrektues

Published

on

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për pjesëmarrjen në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ajo akuzoi Kurtin se po përdor institucionet e sigurisë për të krijuar, sipas saj, një imazh të normalitetit në kohën kur vendi po përballet me krizë politike dhe institucionale.

Kabashi-Ramaj tha se uniformat dhe institucionet e sigurisë nuk duhet të përdoren për qëllime politike, duke theksuar se ato janë institucione të Republikës së Kosovës dhe jo të një partie apo individi.

Ajo i bëri thirrje Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në Kuvend dhe të mundësojnë konstituimin e tij.

Deputetja e PDK-së kritikoi gjithashtu mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë, duke kërkuar më shumë mbështetje për policët dhe pjesëtarët e Shërbimit Korrektues.

Kabashi-Ramaj tha se respekti ndaj pjesëtarëve të uniformuar nuk duhet të matet me ceremoni e fotografi, por me kushtet dhe trajtimin që shteti ua ofron atyre./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zjarri në Kroaci lë 40 të lënduar, shtatë persona në respirator

Published

on

Zjarri i madh që përfshiu Omishin dhe zonat përreth në Kroaci ka lënë 40 persona të lënduar, ndërsa 14 prej tyre janë hospitalizuar në Spitalin e Splitit.

Shtatë pacientë ndodhen në respirator, përfshirë gjashtë të rritur dhe një 17-vjeçar. Mjekët kanë bërë të ditur se i riu është në gjendje të rëndë, por aktualisht nuk është në rrezik për jetën.

Të lënduarit kanë pësuar kryesisht djegie, por janë raportuar edhe dëmtime nga thithja e tymit dhe trauma gjatë evakuimit. Te pacientët me djegie të rënda, sipërfaqja e trupit e prekur varion nga 15 deri në 60 për qind.

Autoritetet shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të disa pacientëve në spitale në Zagreb, por mjekët kanë theksuar se kjo do të bëhet vetëm nëse gjendja e tyre është stabile.

Në mesin e të lënduarve janë kryesisht shtetas kroatë, por edhe dy shtetas të huaj, një gjerman dhe një polak.

Ndërkohë, shërbimet mjekësore në Split janë përforcuar gjatë natës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ekspozuar ndaj tymit të mos krijojnë panik dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të simptomave serioze./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një muaj paraburgim për Fehim Salin, i dyshuar për spiunazh

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji shtetasit të Kosovës, Fehim Sali, pas arrestimit të tij në pikën kufitare në Merdar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, sipas së cilës i pandehuri i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) me qëllim përfitimin material.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, Sali i ka ofruar BIA-s të dhëna mbi situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka mbledhur informacione për persona që i përkasin sektit vehabi, duke i propozuar disa prej tyre si objektiva për rekrutim nga shërbimi serb.

Gjatë procesit hetimor, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij:

“Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për të parandaluar rrezikun e arratisjes — marrë parasysh se i dyshuari posedon edhe shtetësi serbe — si dhe për të shmangur dëmtimin apo zhdukjen e provave.

Në kuadër të hetimeve, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në vendbanimin e të dyshuarit në Komunën e Dragashit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 39,500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

I dyshuari, i cili është i angazhuar në sistemin arsimor paralelm serb në Kosovë, më parë ka shërbyer si përfaqësues i komunitetit goran në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës së Kosovës për dy mandate (2020–2024). Nga ky post ai u shkarkua më 3 maj 2024, pas një raporti të konfidencial nga institucionet e sigurisë.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit dënohet me së paku pesë vjet burgim. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova i ofron ndihmë ushtarake Shqipërisë dhe Malit të Zi për përballimin e zjarreve

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u dalë në ndihmë Shqipërisë dhe Malit të Zi me kapacitetet ushtarake, në përballjen me zjarret masive që kanë përfshirë disa zona të këtyre dy vendeve fqinje.

Ministri Maqedonci njoftoi se u ka përcjellë homologëve të tij përkatës ofertën zyrtare për mbështetje përmes kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Në këto ditë sfiduese, kur Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen me zjarre në zona të ndryshme të vendeve të tyre, u kam përcjellë homologëve të mi, ministrave të Mbrojtjes, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për të ofruar mbështetje me kapacitetet që kemi në dispozicion”, deklaroi Maqedonci.

Ministri theksoi se institucionet e Kosovës mbeten në pritje të vlerësimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi nëse kjo ndihmë do të jetë e nevojshme në terren.

“Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme. Në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi marrin një rëndësi të veçantë. Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje”, përfundoi ai.

Continue Reading

Të kërkuara