Lajmet
Punëtorët e Lotarisë protestuan para Qeverisë së Kosovës
Published
5 years agoon
By
Betim GashiPunëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos marrjes së pagave për afro një vit. Këta punëtorë thonë se janë lënë në harresë nga Qeveria e Kosovës dhe se janë në gjendje të vështirë financiare.
Ata janë pritur në takim nga ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, e nga i cili kanë marrë premtim se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për të arritur një zgjidhje për ata. Punëtorët i kanë dhënë afat qeverisë deri në fund të kësaj jave që të bëjë zgjidhje për pagat, e më pastaj nuk e përjashtojnë mundësinë që sërish të protestojnë.
Shpresa Gosalci, përfaqësuese e Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, tha se punëtorët gjenden në gjendje të keqe ekonomike dhe se qeverisë me ligj i takon që t’i kryejë obligimet që i ka ndaj punëtorëve të saj. Ajo thotë se punëtorët kanë mbetur pa punë qysh kur ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit, ani pse, sipas saj, bastoret kanë vazhduar punën edhe ilegalisht.
“Arsyeja pse punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë duke protestuar para Qeverisë është kërkesa e tyre për përmbushjen e pagave, të cilat që gati u bë 1 vit që nuk i kanë marrë, sidomos në këtë kohë të rëndë pandemie gjendja e tyre ekonomike është rënduar tej mase, shumica e punëtorëve të Lotarisë janë femra, janë gra, kemi nëna vetushqyese të cilat mbajnë familjen. Qeveria e Kosovës është pronare, njëkohësisht aksionare e Lotarisë së Kosovës, si dhe me ligj i takon që t’i kryejë obligimet që i ka ndaj punëtorëve të saj”, tha ajo.
Ajo tha se në vazhdimësi i janë drejtuar institucioneve për të realizuar të drejtën e tyre për paga, por që tha se e gjitha që kanë marrë janë premtimet se do të gjendet një zgjidhje.
Pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, ajo tha se do t’i japin afat deri në fund të kësaj jave që të realizohet kërkesa e tyre.
“U takuam me ministrin e Financave dhe si rezultat i këtij takimi doli se Ministria e Financave, ministri do të shqyrtojë të gjitha mundësitë që të shoh në arritjen e një zgjidhje për punëtorët e Lotarisë së Kosovës. Se çka do të jetë përfundimi mbetet ta shohim. Afati kohor do të jetë deri në fund të kësaj jave, pastaj do të shohim. Ne do të mbajmë një takim të radhës me punëtorët e Lotarisë së Kosovës, të shohim edhe cila do të jetë kërkesa apo vendimi i tyre se si të vazhdojmë më tutje”, u shpreh ajo.
Punëtorët shprehen të zhgënjyer që aksionari, në këtë rast Qeveria e Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ata të mund të marrin pagat e tyre.
Bashkim Sherifi, punëtor i Lotarisë së Kosovës në Ferizaj, tha se janë në gjendje të rëndë financiare pasi që kanë obligime edhe ndaj bankave. Ai thotë se si punëtorë të Lotarisë janë lënë pas dore nga qeveria e vendit dhe se nuk po merren parasysh kërkesat e tyre.
“Po mbijetojmë dhe është më e keqja që fajtor më së paku jemi ne për këta çka kemi mbetur pa punë, fajtor dihet, fajtor është qeveria që e kanë bërë në mënyrë arbitrare e kanë mbyllur një biznes që ka funksionuar me vite të tëra. Vështirë është boll, kemi pasur obligime dhe kemi obligime prapë ndaj bankave. Tërësisht na ka lënë pas dore, nuk janë interesuar për ne se me numër jemi pak punëtorë 60 punëtorë jemi edhe për atë. Premtime kanë dhënë, gjithmonë i kanë dhënë premtime sindikatës që do të shihemi do të bëjmë diçka për juve, mirëpo kanë mbetur vetëm premtime. Thjeshtë kemi pritur deri në këtë ditë, tash varet nga sindikata, varet nga menaxhmenti a do të vazhdojnë me protesta apo jo, ne jemi për protesta me i vazhdua rregullisht”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2019 ka miratuar ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, e që nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj.
Lajmet
Infantino dhe Trump me vendim të ri në prag të Botërorit 2026
Published
33 minutes agoon
November 18, 2025By
UBT News
Shtetet e Bashkuara do t’u ofrojnë termine me përparësi për vizë tifozëve që kanë bileta për Kupën e Botës 2026, vendim ky që erdhi pas takimit midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
FIFA njoftoi krijimin e sistemit të ri FIFA PASS, i cili synon të thjeshtojë procesin e aplikimit për viza dhe të rrisë pjesëmarrjen ndërkombëtare në turneun që zhvillohet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Turneu do të mbahet në 16 qytete dhe do të marrë pjesë 48 ekipe.
Infantino tha se SHBA-të janë të gatshme të mirëpresin tifozët nga e gjithë bota dhe se interesi për bileta është i madh, me mbi një milion të shitura deri tani.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri të ditur se tifozët me bileta mund të marrin një intervistë për vizë brenda 6–8 javësh nga aplikimi. Ai u bëri thirrje tifozëve që të aplikojnë sa më shpejt.
Aktualisht, shumë vende kanë pritje të gjata për termine vizash. Në Kolumbi pritja arrin deri në 11 muaj, në Mexico City rreth 9 muaj e gjysmë, ndërsa në Toronto deri në 14 muaj për banorët jo-qytetarë.
Nuk dihet ende nëse lehtësimet vlejnë edhe për shtetasit e vendeve të ndaluara të udhëtojnë në SHBA sipas urdhrit ekzekutiv të qershorit, që përjashton vetëm atletët dhe stafet, por jo tifozët.
Shumë qytetarë nga Evropa, Japonia, Australia dhe vende të tjera që janë pjesë e programit të heqjes së vizave mund të hyjnë në SHBA deri në 90 ditë pa vizë.
Në Kupat e Botës në Rusi dhe Katar, një biletë shërbente si dokument hyrjeje për tifozët, ndërsa për turneun e vitit 2026 tifozët do të duhet të respektojnë rregullat e zakonshme të vizave të SHBA-së./S.K/KP/
Lajmet
Hajdari: Doja të isha model për futbollistët e rinj në Kosovë
Published
34 minutes agoon
November 18, 2025By
UBT News
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës Albian Hajdari ka folur sërish për vendimin e tij për t’iu bashkuar Kosovës, ku në një intervistë ai theksoi se zgjedhja nuk ka qenë e lehtë dhe është marrë pas konsultimeve me familjen dhe miqtë.
22-vjeçari, i cili këtë verë kaloi te TSG Hoffenheim dhe u vendos shpejt si titullar i rregullt, përshkroi fillimin e tij në Bundesligë si jashtëzakonisht emocionuese dhe frymëzuese.
Ai shtoi se e vlerëson shumë mundësinë për të luajtur kundër talenteve më të mira evropiane, ndërsa pranoi se nga Zvicra i mungojnë disa gjëra:
“Më mungon dielli në Ticino dhe paqja dhe qetësia e shëtitjeve pranë liqenit. Por padyshim jo autostradat në Zvicër.”, tha ai.
Zgjedhja për të luajtur me Kosovën ka shkaktuar reagime të shumta në Zvicër, por Hajdari thotë se e kupton interesimin, dhe pos tjerash ai shpjegoi se vendimi ka qenë i menduar gjatë.
Ai mohoi gjithashtu se garancia për një vend titullari ka ndikuar në vendimin e tij:
“Absolutisht asnjë ndikim, nuk ishte një temë në procesin e vendimmarrjes.”, përfundoi Hajdari./S.K/KP/
Lajmet
Kosova dhe Japonia forcojnë bashkëpunimin ekonomik në Forumin e Biznesit
Published
38 minutes agoon
November 18, 2025By
UBT News
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me KIESA-n, organizoi sot forumin “Kosova–Japan Business Forum”, me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Ministrja në detyrë Hajdari, theksoi se Japonia është një partner i rëndësishëm për Kosovën në fushën e ekonomisë dhe edukimit.
Ajo vuri në dukje rritjen e shpejtë ekonomike të vendit, përmirësimin në indeksin e korrupsionit, klimën e favorshme të biznesit dhe potencialin në rritje në inovacion dhe teknologji.
Sipas saj, pesë kompani japoneze tashmë veprojnë në Kosovë, ndërsa tregtia dypalëshe po rritet vazhdimisht.
“Ky forum synon forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet vendeve tona dhe zhvillimin ekonomik. Japonia është një mik i rëndësishëm për Kosovën për ekonominë dhe edukimin. Tani në këtë forum me dy shtete synojmë të thellojmë këtë miqësi edhe në fushën e ekonomisë. Kosova është një ekonomi dinamike me një fuqi punëtore të re dhe konkurruese dhe me një klimë të favorshme për biznes. Vendi ynë ka shënuar rritje të shpejtë ekonomike me një mesatare 6,2 për qind, një nga më të lartat në rajon. Kemi përmirësuar dukshëm rezultatin në indeksin e korrupsionit. Kosova ofron edhe kushte fiskale, pozita jonë strategjike në Ballkan rrit potencialin logjistik. Kosova po shfaqet si qendra e inovacionit dhe teknologjisë. Bashkëpunimi ekonomik me Japoninë ka potencial më të madh për shfaqjen e potencialit për të dy vendet. Eksportet dhe importet tona po rriten në mënyrë të qëndrueshme, janë 5 kompani japoneze të regjistruara në Kosovë. Jam e bindur se prezantimet e sotme do të sjellin rezultate konkrete për bizneset e dy vendeve”, ka theksuar Hajdari.
Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama, tha se Kosova dhe Japonia ndajnë vlera dhe respekt të ndërsjellë, duke theksuar se ky takim individual mes bizneseve të dy vendeve është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ekonomike.
Ai shprehu mirënjohje për KIESA-n dhe JETRO-n për organizimin e forumit.
“Ka kaq shumë aspekte që duhet t’i eksplorojmë në marrëdhëniet dypalëshe të biznesit, sepse Kosova dhe Japonia ndajnë vlera, ndajnë respekt të ndërsjellë dhe ndajnë përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm. Por njëkohësisht, dua të theksoj se kjo është hera e parë që takohemi individualisht, së bashku me partnerët e biznesit nga Japonia dhe partnerët nga Kosova. Dhe besoj fuqimisht se kjo duhet të vazhdojë të zhvillojë më tej marrëdhëniet midis dy sektorëve të udhëheqësve të biznesit. Duke shfrytëzuar këtë mundësi, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për KIESA-n dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse në Kosovë, si dhe për JETRO-n, për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm”, theksoi ai./S.K/EO/
Lajmet
Mot i lig në Shqipëri, përmbyten shtëpi e toka
Published
40 minutes agoon
November 18, 2025By
UBT News
Moti i lig në Borizanë të Krujës, ka shkaktuar përmbytje të shumta në lagjen “Hima” pranë shkollës.
Banorët thanë se janë përmbytur shtëpi, toka, ullinj, duke sjellë kështu dëme të mëdha.
Sipas banorëve, përmbytja vjen si pasojë e inerteve të hedhura pa kriter dhe se kanë bllokuar grykën e përroit, i cili ka dalë nga shtrati si pasojë e shiut./S.K/EO/
Studimi: Shumëgjuhësia ngadalëson plakjen dhe forcon trurin
Infantino dhe Trump me vendim të ri në prag të Botërorit 2026
Hajdari: Doja të isha model për futbollistët e rinj në Kosovë
Ndërron jetë dyshja legjendare Alice dhe Ellen Kessler
Kosova dhe Japonia forcojnë bashkëpunimin ekonomik në Forumin e Biznesit
Mot i lig në Shqipëri, përmbyten shtëpi e toka
Arsyet për të ngrënë vezë çdo mëngjes
Porsche SE përballet me rënie të fitimeve
Kafeina kundër migrenës, sa funksionon dhe çfarë duhet të dini?
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Bahri Gashi, pjesë e rrjetit prestigjioz ndërkombëtar të recensimit shkencor në Taylor & Francis
-
Aktualitet4 weeks agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Rajoni2 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Vendi2 months agoVotoni për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi në Triple E Awards: Dy nominime të reja ndërkombëtare për institucionin dhe Kosovën
