Lajmet

​Punëtorët e Lotarisë sërish në protestë

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga protestat.

Published

on

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës sërish kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar miratimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe për mosmarrjen e pagave për më shumë se dy vite.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës që për më shumë se 30 muaj kanë mbetur pa punë kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Shkumbin Goçi, përfaqësues i punëtorëve tha se kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër, derisa tha se Lotaria e Serbisë po lejohet lirshëm të organizojë lojëra në pjesën veriore të Kosovës.

“Edhe sot në mënyrë simbolike kemi dalë për të protestuar para objektit të Qeverisë për t’i kërkuar të drejtat tona sa i përket miratimit të ligjit dhe përmbushjes së obligimeve që ka për paga ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës. Ne kemi pasur një pauzë tri javë prej protestës së kaluar, për shkak se jemi takuar me disa persona që na u kanë ofruar vet, na kanë ofruar mbështetje, do të bisedojmë me qeverinë edhe kemi mbajtur shpresa që do të reflektojnë sa i përket çështjes tonë, por kot. Ne sot kemi dalë prapë që të protestojmë për të drejtat tona, do të vazhdojmë edhe në ditët e tjera”, tha ai.

Ai tha se janë takuar me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa Armend Muja, por që tha se nga i njëjti më nuk kanë marrë njoftim nëse kërkesat e tyre do të adresohen.

Ndërsa potencoi se nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk kanë marrë asnjë lloj konfirmimi se janë duke punuar në Ligjin për Lotarinë e Kosovës.

“Kurrfarë konfirmimi hiç, kemi dërguar shkresa përmes email-it, kemi dërguar shkresa në mënyrë fizike në zyrat e tyre, jemi munduar përmes telefonit me kontaktu me ta, por krejt është e kot, do të thotë kurrfarë përgjigje nuk kemi prej tyre as mirë as keq… Neve na mohohet e drejta si Lotari e Kosovës për të organizuar lojëra të fatit, kurse lojtari na dërgon edhe me foto me dëshmi që Lotaria e Serbisë organizon në territorin tonë, do të thotë në krejt zonat ku ka popullatë serbe organizohet Lotaria. Qysh është e mundur kështu, 100 familje me i lënë pa bukë, pa punë, kurse Lotaria e Serbisë vjen na organizon lojën në territorin tonë”, tha ai.

Miran Ademi, punëtor i Lotarisë së Kosovës për 36 vite, tha se është e pakuptimtë që qeveria po hesht ndaj kërkesave të tyre.

“Ne kërkojmë nga qeveria të na kthejë në vendet e punës, kërkojmë edhe rrogat tona që na ka mbetur borxh me na i dhënë. Lotaria e Kosovës është e Kosovës, aksionar në Lotari të Kosovës është qeveria…Nuk ka punëtorë që nuk është në kredi, kreditë duhet me i pagu diqysh”, thotë ai.

Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2019 ka miratuar Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, e që nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

Vendi

OEK lëshon certifikatën e parë “Made in Kosova”, përfituese kompania FLUIDI Group

Published

on

Oda Ekonomike e Kosovës ka lëshuar certifikatën e parë të origjinës “Made in Kosova”, sipas standardeve ndërkombëtare, pas pranimit në Rrjetin Ndërkombëtar të Dhomave të Tregtisë (ICC) për lëshimin e Certifikatave të Origjinës.

Certifikata e parë i është lëshuar kompanisë FLUIDI Group, ndërsa dokumenti u është dorëzuar përfaqësuesve të kompanisë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti.

Sipas OEK-ut, ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm për bizneset kosovare, pasi certifikatat “Made in Kosova” të lëshuara sipas standardeve ndërkombëtare rrisin besueshmërinë e dokumentacionit tregtar dhe lehtësojnë procedurat e eksportit në tregjet ndërkombëtare.

Certifikata pritet t’u mundësojë kompanive kosovare një proces më të standardizuar dhe më të besueshëm për dëshmimin e origjinës së produkteve, duke kontribuar në forcimin e pozitës së tyre në tregtinë ndërkombëtare dhe në zgjerimin e eksporteve.

OEK ka vlerësuar se përfshirja në rrjetin ndërkombëtar të ICC-së dhe lëshimi i certifikatave sipas këtyre standardeve përbën avancim të rëndësishëm në shërbimet për bizneset dhe mbështetjen e tyre për qasje më të lehtë në tregjet globale.

Oda Ekonomike e Kosovës ka uruar FLUIDI Group për marrjen e certifikatës së parë “Made in Kosova”, duke i dëshiruar sukses në zgjerimin e aktiviteteve dhe prezencës së saj në tregjet ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Vendi

KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

Published

on

Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Deklarata e saj vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit./REL/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Murati: Buxheti për komunat në vitin 2027 do të arrijë në 907 milionë euro

Published

on

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se buxheti i ndarë për komunat e Kosovës pritet të rritet në 907 milionë euro në vitin 2027.

Murati ka njoftuar se Ministria e Financave javën e kaluar ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, përmes së cilës përcaktohen kufijtë buxhetorë për secilën komunë.

Sipas tij, rritja e buxhetit komunal është mundësuar nga rritja e të hyrave buxhetore.

“Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave”, ka shkruar Murati.

Ai ka krahasuar nivelin e buxhetit komunal me atë të vitit 2021, duke theksuar se atëherë komunat kishin në dispozicion 546 milionë euro.

“Nga 546 milionë euro sa e kishim gjetur në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat do të shkojë në 907 milionë euro në vitin 2027”, ka deklaruar Murati.

Rritja e paralajmëruar për vitin e ardhshëm përfaqëson një shtesë prej rreth 361 milionë eurosh krahasuar me nivelin e vitit 2021. /A.K/

Continue Reading

lajme

UBT akreditohet nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS)

Published

on

By

UBT forcon edhe më tej pozitën ndërkombëtare në sport dhe shëndetësi. Instituti i Mjekësisë Sportive (ISM) në UBT është pranuar zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si Collaborating Centre of Sports Medicine, duke e bërë pjesë të rrjetit global të institucioneve të specializuara në këtë fushë.

Kjo njohje i hap UBT-së mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, kërkim shkencor, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim profesional, duke sjellë më afër Kosovës ekspertizën dhe praktikat bashkëkohore të mjekësisë sportive.

Përfshirja në rrjetin e FIMS është pjesë e vizionit të UBT-së për të ndërtuar një ekosistem ku sporti, shëndetësia, edukimi dhe shkenca janë të integruara. Në këtë ekosistem, një rol të rëndësishëm ka edhe Fakulteti i Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes, duke lidhur përgatitjen akademike me performancën sportive, rehabilitimin dhe mjekësinë sportive.

Për të rinjtë nga Kosova dhe rajoni, kjo do të thotë më shumë mundësi për të mësuar, bashkëpunuar dhe zhvilluar karrierën në një fushë që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në botë.

Kjo arritje i bashkohet edhe aktiviteteve të tjera të UBT-së në këtë fushë, përfshirë Konferencën Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive, e cila këtë vit zhvillohet për herë të dytë, në muajin tetor, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Të kërkuara