Lajmet

​Pozitë e opozitë bëhen bashkë për Projektin hekurudhor Durrës-Prishtinë

Lidhur me mbulimin e kostos, Aliu ka thënë se Shqipëria do të ndajë 1 milion euro ndërsa Kosova 980 mijë euro.

Published

on

Kuvendi i Kosovës e ka shqyrtuar dhe miratuar në parim Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se kjo marrëveshje bashkëfinancimi ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove ndërmjet dy vendeve.

Është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe social të dyja vendet, është shumë i rëndësishëm realizmi i kësaj linje hekurudhore e cila pothuajse në të gjitha qeveritë e mëhershme ka qenë diskutim në cilëndo mbledhje e takim në mes të dyja qeverive. Aktualisht jemi në një fazë që mund të realizojmë edhe projektin dhe të hapim përpara mundësinë e krijimit të kësaj lidhje e cila pastaj do të mund të shoqërohej me shumë projekte të tjera që do të mundësonin qarkullimin e mallrave nga Porti i Durrësit në gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor e që Prishtina do të ishte qendra kryesore shpërndarëse e këtyre mallrave”, ka thënë Aliu.

Lidhur me mbulimin e kostos, Aliu ka thënë se Shqipëria do të ndajë 1 milion euro ndërsa Kosova 980 mijë euro.

Kosto totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë rreth 1 milion e 980 mijë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë do të ndajë shumën prej 1 milion euro që i bie rreth 51% të kostos totale ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të ndajë shumën prej 980 mijë euro apo 49% të kostos totale. Kjo kosto është planifikuar në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe infrastrukturës me autorizim të Qeverisë dhe do të bartën në ministrinë e Shqipërisë për tu përdorur si bashkëfinancim në realizmin e këtij projekti”, tha ai.

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se pajtohen me marrëveshjen por ka kërkuar më shumë sqarime.

Tek bashkëfinancimi i projekt idesë, normalisht duke pasur parasysh gjatësinë, vështirësinë, relievin, terrenin ku ka me u ndërtu, pjesëmarrja e Kosovës do të duhej të ishte shumë më e vogël sepse kosto e studimit të fizibilitetit për Kosovën është shumë më e vogël. Ky është problemi i parë që shohim, pastaj kjo do të duhej të shihet si ka me reflektu në kostot e realizmit të këtij projekti. Problemi i dytë është tek transferimi i buxhetit nga buxheti i Kosovës në realizimin e projektit nga pala shqiptare, qysh përfaqësohet Kosova aty”, ka thënë Gashi.

Mbështetje për marrëveshjen ka dhënë edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Projekt infrastrukturor madhor i cili nuk është i pari fatmirësisht, projekte të tilla infrastrukturore pati nisur Qeveria Thaçi kur bëri korridorin nacional të cilit tashmë po i gëzohemi të gjithë, korridorin rrugor ‘Rrugën e kombit’, e fatkeqësisht atëherë e patëm denigruar, sharë, fyer e linçuar shpeshherë padrejtësisht deri në teori të konspiracionit… Do të ju mbështesim por mos harroni që nuk është projekt i parë siç thanë parafolësit, por është projekt i dytë infrastrukturor pas Rrugës së kombit dhe sa do të jetë i arsyeshëm i nevojshëm sigurisht që ne po e presim studimin të cilit po ja japim dritën jeshile sot”, ka thënë deputeti Ferat Shala.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se e japin mbështetjen për çështjet që janë në interes nacional.

Kërkoj nga kryeministri Kurti i cili në çështjet që lidhen me një konsensus pak më të madh, në këtë rast ky është në interes të kombit shqiptar, po në çështjet që i ka agjenda qeveritare vazhdon të ketë avazin e vet, mendjen e vet dhe të mos reflektojë në asnjë kërkesë të opozitës. Ky projekt nuk është projekt që ne si subjekt politik do të kushtëzojmë apo kërkojmë diçka, mirëpo një reflektim i thellë i mendësisë dhe qasjes së kësaj qeverie, qasjes shumë arrogante duhet të reflektojë seriozisht sepse dëmet mund të jenë edhe më të mëdha, mund të vinë tema më të mëdha të cilat ne duhet t’u mbajmë përgjegjës”, ka thënë Tahiri.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë ka marrë 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Vendi

Prof. Dr. Denis Celcima pjesë e tryezës përmbyllëse të projektit kërkimor STI(G)MA

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Prof. Dr. Denis Celcima, ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët që shënoi përmbylljen e ciklit kërkimor të projektit “STI(G)MA”, një iniciativë shkencore që vendosi në qendër fuqinë e fjalës dhe ndikimin e saj në ndërtimin e kuptimeve shoqërore.

Tryeza u organizua si moment reflektimi dhe diskutimi mbi rezultatet e projektit, i cili nisi nga një pyetje thelbësore: Çfarë bëjnë fjalët me ne — dhe çfarë bëjmë ne me fjalët? Në fokus të studimit ishte diskursi mediatik dhe mënyra se si stigmatizimi shpesh nuk shfaqet me zë të lartë, por depërton në mënyrë të heshtur përmes strukturave gjuhësore dhe modeleve të komunikimit. Koordinatore e këtij projekti ishte, profesoresha Eriola Bonja – Qafzezi. Prof. Dr. Denis Celcima, në cilësinë e ekspertes së fushës së psikologjisë, kontribuoi në diskutim duke theksuar rëndësinë e analizës së gjuhës si faktor kyç në formësimin e perceptimeve, qëndrimeve dhe sjelljeve sociale.

Ajo vuri në pah se fjalët nuk janë thjesht njësi komunikimi, por bartëse të kuptimeve, etiketimeve dhe përgjegjësive shoqërore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike dhe në marrëdhëniet ndërpersonale. Projekti STI(G)MA nuk u kufizua vetëm në një analizë teorike të diskursit, por u konceptua si një ftesë për të lexuar dhe dëgjuar me më shumë kujdes, për të kuptuar se stigmatizimi shpesh vepron në mënyrë subtile, duke lënë gjurmë të thella në individ dhe komunitet.

Nga “sti(g)ma” te “stima”, siç u theksua gjatë tryezës, fjalët bëjnë dallimin — nga etiketimi drejt vlerësimit, nga gjykimi drejt kuptimit. Në këtë aktivitet morën pjesë studiues, pedagogë, studentë dhe bashkëpunëtorë të projektit, të cilët përmes diskutimeve dhe pyetjeve të tyre kontribuan në një dialog të hapur ndërdisiplinar. U shpreh mirënjohje e veçantë për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Universitetin “Fan S. Noli” për mbështetjen dhe besimin në këtë iniciativë kërkimore. Tryeza përmbylli zyrtarisht projektin, por jo edhe pyetjet që ai hapi.

Siç u theksua në përfundim, kërkimi shkencor është një proces i vazhdueshëm, ku përfundimet shpesh shërbejnë si pikënisje për rrugë të reja studimi. Dialogu mbi gjuhën, stigmatizimin dhe përgjegjësinë shoqërore mbetet i hapur, ndërsa rruga e kërkimit vazhdon aty ku kurioziteti shkencor nuk ndalet.

Continue Reading

Vendi

Hajrizi: Para 20 vjetësh kishim 5 studentë të IT-së, sot kemi me mijëra

Published

on

By

Edmond Hajrizi, Rektor i UBT-së, në EURO n’T7 ka thënë se ndër vite ka ndryshuar në tërësi kërkesa për drejtimet që të rinjtë duan të studiojnë; kjo tregon se edhe kërkesat për punë kanë ndryshuar.

Hajrizi, i cili me UBT shënon sivjet 25-vjetorin, tregon se kur kanë hapur degën për studime të teknologjisë informative kishin vetëm 5 studentë në këtë drejtim, derisa sot kanë me mijëra dhe kjo tregon se edhe nevojat e tregut kanë ndryshuar.

“Sot ka ndryshuar mindset-i i të rinjve. Fakti që ne si UBT kemi shkollën më të madhe të shkencave kompjuterike e nuk e kemi fakultetin juridik, i cili është më i vogli, tregon se të rinjtë duan të orientohen nga profesionet e së ardhmes siç janë IT, mjekësia dhe industria kreative, në funksione që faktikisht janë interesante. Njerëzimi sot ka nevojë për shumë profesione e profesionistë, sepse numri i të rinjve po bie, derisa ekonomia po rritet dhe nevojë për juristë të mirë e për ekonomistë të mirë do të ketë gjithmonë. Fakti që çdo vit regjistrohen me mijëra të rinj në fakultete si këto tregon se tregu ka nevojë për profesionistë si juristë ashtu edhe ekonomistë”, ka thënë Hajrizi.

Në anën tjetër, rektori i UBT-së ka kërkuar nga institucionet vendore që të largojnë të gjitha barrierat dhe t’u japin mundësi të rinjve për të studiuar duke mos kufizuar numrin e studentëve për drejtimet më të kërkuara, siç po ndodh në drejtimin e shkencave kompjuterike, ku kërkesa është e madhe derisa numri i studentëve është i kufizuar.

“Ne duhet ta ruajmë cilësinë e studimeve, por po ashtu duhet t’u japim mbështetje edhe më të madhe të rinjve që të kemi sa më shumë kuadro. Unë nuk mendoj se sot ne kemi ndonjë problem sa i përket përmbajtjes, infrastrukturës apo temave që trajtohen në botë; ne jemi në rrugën e njëjtë me të gjithë. Veç lodhesh duke menduar të shkosh diku jashtë për cilësi, sepse këtu i kemi të gjitha, sikur në Amerikë apo diku në Evropë”, ka shtuar Hajrizi.

Kreu i UBT-së po ashtu ka kërkuar nga niveli qendror e lokal i qeverisjes që të ndryshojnë mënyrën e qeverisjes për t’i dhënë më shumë hapësirë zhvillimit të vendit.

Continue Reading

Live

Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend

Published

on

By

Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.

Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.

Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.

(more…)

Continue Reading

Lajmet

“Ishte gjenocid” – Prof. Dr. Salih Krasniqi rrëfen tmerrin e spitaleve gjatë luftës dhe shpëtimin e qindra të plagosurve

Published

on

By

Kirurgu i përgjithshëm Prof. Dr. Salih Krasniqi ka rrëfyer në UBT podcast periudhën e luftës në Kosovë, ku përveç punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai shërbeu edhe në spitalet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke trajtuar qindra ushtarë dhe civilë të plagosur. Ai e cilëson atë periudhë si një ndër më të vështirat e jetës së tij, duke e quajtur hapur “gjenocid” atë që ndodhte në spitalet e kohës.

Sipas Krasniqit, vetëm rreth 10 për qind e stafit shqiptar kishte mbetur në punë në spitalet publike, ndërsa ai dhe kolegët e tij punonin paralelisht: gjatë javës në QKUK, ndërsa fundjavave në spitalet ushtarake në terren. Lufta, tha ai, mori përmasa të mëdha pas rënies së familjes Jashari, kur filloi të shtohej ndjeshëm numri i të plagosurve.

Ai ka dokumentuar 1,239 pacientë të trajtuar gjatë asaj periudhe, prej të cilëve 120 kanë vdekur në spital, sidomos pas fillimit të bombardimeve, kur – sipas tij – u rritën keqtrajtimet ndaj pacientëve shqiptarë në QKUK.

Krasniqi ka shërbyer në disa zona lufte, përfshirë Malishevën, Gradicën dhe Llapin. Në korrik të vitit 1998, ai mori pushimin vjetor për t’u angazhuar në Malishevë, ku numri i të plagosurve ishte shumë i madh. Në vitin 2001, ai u angazhua edhe në zonën e Likovës, ku për 43 ditë trajtoi rreth 375 të plagosur.

Rreziku më i madh, sipas tij, ishte rruga drejt spitaleve. “Na dilnin prita. Kishin mundësi të na likuidonin apo të na rrihnin,” rrëfen ai, duke përmendur raste kur mjekë shqiptarë janë keqtrajtuar fizikisht.

Ai ndau edhe dëshmi tronditëse për torturat ndaj pacientëve shqiptarë në spital: rrahje, lidhje për radiatorë, djegie me cigare dhe etiketime si “terrorist” në dokumente mjekësore. Në disa raste, ai arriti të shpëtojë pacientë duke i nxjerrë fshehurazi nga spitali dhe duke i dërguar në vende më të sigurta.

Prof. Dr. Salih Krasniqi e përshkruan atë që ndodhte në sistemin shëndetësor gjatë luftës si një përpjekje të organizuar për shkatërrimin e shëndetësisë shqiptare dhe frikësimin e popullatës civile. Ai thekson se largimi i stafit mjekësor shqiptar nga repartet kyçe, si gjinekologjia, kishte për qëllim pengimin e trajtimit dhe detyrimin e popullsisë për t’u larguar nga vendi.

Rrëfimi i tij mbetet një dëshmi e drejtpërdrejtë e sakrificës së mjekëve shqiptarë gjatë luftës dhe një dokumentim i rëndësishëm i asaj periudhe të errët të historisë së Kosovës.

Ju ftojmë të ndiqni episodin e parë të këtij podcasti: Podcasti

Continue Reading

Të kërkuara