Lajmet

​Policia ultimatum Qeverisë: Të dalin shtesat në pagën e majit ose protesta të përditshme

Kërkohet nga ekzekutivi realizimi i shtesave të rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa përjashtim.

Published

on

Sindikatës së Policisë së Kosovës i ka humbur durimi. Ajo po e paralajmëron Qeverinë e Kosovës për protesta të përditshme deri në realizimin e kërkesave të tyre për ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë.

Sindikata e Policisë po kërkon vazhdimisht nga ekzekutivi realizimin e shtesave të rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa përjashtim.

Kërkesat e tyre duket të kenë hasur në vesh të shurdhër, pasi që nga muaji shkurt zyrtarët policorë nuk i morën shtesat për rrezikshmëri që u takojnë me Ligjin e pagave që aktualisht është në Kushtetuese.

Përkitazi me këtë, sindikata sërish me ultimatum, paralajmëron protesta nëse edhe në muajin muaj qeveria nuk e realizon premtimin për ekzekutimin e pagesës së rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri deklaron se është mundësia e fundit që qeveria të reagojë në lidhje me shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar. Nëse nuk realizohen edhe këtë muaj këto shtesa, Zeqiri thekson se protestat nuk do të jenë njëditore, por të përditshme, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Nga mosplotësimi i kushteve për Policinë e Kosovës, Zeqiri thotë se numër i madh i pjesëtarëve kanë filluar të japin dorëheqje, me ç’rast thotë se ky fenomen duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës.

“Në rast se edhe këtë muaj nuk do të ndodhë ekzekutimi i shtesave për rrezikshmëri dhe shtesave të tjera për pjesën e stafit civil, atëherë si sindikatë do të veprojmë sipas kërkesave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, çfarëdo që kërkojnë ata e që ne do ta vlerësojmë se është rrugë ligjore do të veprojmë, qoftë edhe protestë nëse kërkojnë do të bëjmë… Nëse vërtetë nuk marrim përgjigje prej tyre dhe nëse vërtetë vazhdohet kështu me këto kushte në Policinë e Kosovës, mund të themi se është lutja fundit (për Qeverinë që të veprojë)… Dhe në rast se detyrohemi të organizojmë protestë, nuk do të jetë njëditore, por do të vazhdojë deri në realizimin e të gjitha kërkesave që i kemi adresuar si sindikatë. Andaj, kërkoj nga qeveria që të mos na detyrojë që të veprojmë me veprime sindikale, qoftë edhe me protestë, përndryshe veprimet sindikale nuk do të ndalen… Nëse detyrohemi të organizojmë protestë, protesta do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave”, thotë Zeqiri.

Ai shprehet se nuk është dëshirë e sindikatës dhe e policisë që të ndërmarrë veprime sindikale, porse janë te detyruar nëse edhe këtë herë qeveria nuk vepron. Zeqiri thotë se dukuri shqetësuese është dorëheqja vullnetare e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga kushtet jo të mira për të ushtruar detyrën.

“Është shqetësuese dukuria tjetër që nga shprehjet e pakënaqësive rreth këtyre kushteve që po na mungojnë në Policinë e Kosovës. Në mënyrë individuale pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë filluar të japin dorëheqje vullnetare nga policia, e që për neve kjo është shumë e dhimbshme, sepse po humbim pjesëtar profesionist që kanë kryer punë vite të tëra në Policinë e Kosovës dhe gjithë atë profesionalizëm e kanë arritur me shpenzime të buxhetit të shtetit të Kosovës, e sot të detyrohen për shkak të kushteve të japin dorëheqje. Ne si institucion i sigurisë do të dëmtohemi shumë. Andaj, ky duhet të jetë një alarm për Qeverinë e Kosovës që ta ruajnë institucionin e sigurisë së Kosovës. Kjo bëhet që t’i plotësojmë kushtet dhe të përmirësojmë mirëqenien në Policinë e Kosovës, ndryshe neve po shkatërrohemi gradualisht”, thotë Zeqiri.

Zeqiri konsideron se mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë për tre muaj, ka krijuar një mosbesim të madh tek pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Jo vetëm ne si sindikatë, por zhgënjimi është shumë i madh te të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur me fillimin e implementimit me Ligjin e ri te pagave, që nga muaji shkurt, shtesa e rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës nuk është ekzekutuar. Në secilin muaj, edhe në këtë kanë premtuar me disa komunikata mediatike, ministria se kjo do të bëhet në muajt në vijim, pa e përcaktuar se në cilin muaj do të bëhet ekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë. Dhe kjo zvarritje, apo kalimi i tre muajve pa ekzekutimin e shtesës së rrezikshmërisë ka krijuar një mosbesim të madh tek pjesëtarët e Policisë së Kosovës, se do të bëhet apo jo”, thekson Zeqiri.

Mes tjerash, Zeqiri rendit edhe kërkesat tjera të tyre drejtuar qeverisë, e njëra ndër to është sigurimi shëndetësor. Ai thekson se deri më tani janë 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

“Që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri më tani kemi 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrës zyrtare, kemi qindra të tjerë të lënduar e që kanë mbetur me aftësi të përhershme të kufizuar me invaliditet. Po ashtu kemi me qindra të tjerë që kanë fituar sëmundje, këto janë mjaftueshëm statistika për të vlerësuar se duhet paguar ose jo shtesat e rrezikshmërisë. Dhe kjo mospagesa e shtesave të rrezikshmërisë krahasuar me pagat, që paga bazë ka pas një rritje me ligjin e ri, do të thotë kemi jo një rritje të pagës të një numër i madh, kemi të disa zbritje te pagës. Ne vazhdimisht jemi deklaruar dhe kemi bërë kërkesa drejtuar qeverisë edhe për sigurimin shëndetësor të cilin nuk e kemi, nuk kemi ligj të pensionimit, nuk na paguhet shujta, mungesë e infrastrukturës dhe e mjeteve logjistike, duke filluar nga uniforma e të tjerat dhe të gjitha këto janë grumbulluar dhe tanimë policia ka arritur në atë nivelin e demotivimit për punë, sepse po ndihet e diskriminuar dhe e nënçmuar me këtë që po ndodhë”, thotë mes tjerash Zeqiri.

Kreu i kësaj sindikate, Zeqiri thotë po ashtu se ka kohë që nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për kërkesat e Policisë së Kosovës. I njëjti ka shprehur gatishmëri të takohet me zyrtarë të Qeverisë apo me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, që të diskutojnë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në fund të muajit mars, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë dalë me një komunikatë të përbashkët.

Dy ministritë kanë thënë se të gjithë zyrtarët publikë diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e Ligjit për paga në sektorin publik. 

Lajmet

OBSH kërkon më shumë angazhim në luftën kundër fruthit

Published

on

By

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për përpjekje më të mëdha në luftën kundër fruthit, i cili është përhapur në 58 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara ku kanë vdekur dy fëmijë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë, theksoi se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe efektive.

Dua t’iu rikujtoj njerëzve se fruthi është një nga viruset më ngjitëse”, tha Kate O’Brien, drejtoreshë e departamentit të vaksinave në OBSH.

Gjatë konferencës për media, ajo shmangu kritikat ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., i cili njihet si skeptik i vaksinave.

Kennedy është akuzuar se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar shpërthimin vdekjeprurës të fruthit, që ka epiqendrën në Teksas, ku janë regjistruar qindra raste. Ai vetëm së voni ka pranuar efektivitetin e vaksinës kundër fruthit.

SHBA-ja është duke punuar për ta vënë nën kontroll dhe për ta ndalur këtë shpërthim”, tha O’Brien.

Megjithatë, ajo shtoi se “për secilin shtet, për aq kohë që një shpërthim vazhdon, nuk mund të bëhet mjaftueshëm. Mund të themi se po bëhet mjaftueshëm vetëm kur shpërthimi të ketë përfunduar”, theksoi O’Brien.

Ajo tha se sëmundja po përhapet për shkak të rënies së nivelit të vaksinimit, kjo pjesërisht si pasojë e pengesave të shkaktuara nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.

Vaksina kundër fruthit është një vaksinë jashtëzakonisht e sigurt dhe jashtëzakonisht efektive”, tha O’Brien./REL/

Continue Reading

Lajmet

ZRRE-ja pritet të vendos sot për rritjen e çmimit të energjisë

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit të Energjisë filloi mbledhjen, në të cilën pritet të merret vendimi për shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind.

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të javën e kaluar.

Qeveria në detyrë i ka bërë thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.

Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë gjatë ditës brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

Nëse bordi i ZRRE-së merr vendim për rritjen e çmimit të rrymës, atëherë tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Continue Reading

Lajmet

Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” rikthehet në operim

Published

on

By

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B”, është rikthyer me sukses në operim.

Sipas njoftimit, sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar me dt: 10.04.2025, rreth orës 23:39 dhe aktualisht njësia po operon në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda parametrave teknikë normal.

Ky rikthim në operim është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm të punëtorëve dhe menaxhmentit të Termocentralit “Kosova B”, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defektit dhe vënien në funksion të njësisë. Fillimisht, rikthimi ishte planifikuar të ndodhte në orët e hershme të mëngjesit, mirëpo pas kryerjes së provës hidraulike u evidentua nevoja për eliminimin e disa rrjedhjeve shtesë në kaldajë, çka kërkoi një fazë shtesë të ndërhyrjeve teknike. KEK falënderon sinqerisht të gjithë stafin teknik dhe menaxherial për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit, duke siguruar rikthimin në operim të njësisë B2 brenda afatit të paraparë, në përputhje me nominimet për datën 11 prill 2025. Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të siguruar një prodhim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Osmani udhëton për në Turqi, merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.

Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.

Gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, njoftoi Zyra e presidentes.

Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Continue Reading

Të kërkuara