Lajmet

​Osmani: BE po e toleron refuzimin e Serbisë

Sipas saj, aneksi i marrëveshjes ka shumë paqartësi.

Published

on

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se aneksi i marrëveshjes ka shumë paqartësi dhe se para delegacionit të Kosovës janë paraqitur versione të tmerrshme. Ajo ka theksuar se i gjithë presioni ndërkombëtar duhet të jetë mbi Serbinë, meqë po rrezikon dakordimin në Ohër. Madje, siç tha ajo, Bashkimi Evropian e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë dhe që po rrezikohet edhe procesi i dialogut.

Kështu ka deklaruar ajo pas vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) bashkë ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ku po ashtu tha se Borrell nuk mund të pajtohet në emër të Vuçiqit.

Ajo para gazetarëve tha se Kosova nuk mund të marrë obligime të njëanshme, meqë është marrëveshje dypalëshe dhe ndërkombëtare. Po ashtu, Osmani theksoi se kanë pasur disa takime me kryeministrin Kurti para dhe pas udhëtimit nga Brukseli dhe pas dakordimit në Ohër.

“Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, njëlloj siç ndodhi edhe në shkurt e përsëriti edhe në mars. Pra tregoi që premtimet që i ka dhënë në kuadër të dialogut, nuk kanë asnjë vlerë për të as politike e as juridike dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar që ai nuk do të zbatojë obligimet të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe nga aneksi. Tani pavarësisht që u dakordua në Ohër tani në mars, më lejoni të ritheksoj që teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet. Rrjedhimisht, akoma neni 4 i asaj marrëveshje, i cili e obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Republikës se Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, pa dallim, pa përjashtim, mbetet në fuqi”, ka thënë ajo.

Sa i përket nenit 7 dhe 10 të marrëveshjes tha se në praktikë kanë një dallim, meqë e para ka të bëjë me të drejtat e serbëve, ndërkaq tjetra me të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani në Bruksel.

“Tek neni 7 ajo që quhet ‘vetëmenaxhim’ nga komuniteti ndërkombëtar është interpretuar si zbatim i obligimeve që Kosova ka marrë në vitin 2013. Kjo për mua si presidente e Republikës së Kosovës nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kam thënë nga viti 2015 e tutje. Bashkimi i komunave apo i qytetarëve në asociacione është e drejtë që tashmë Kosova e njeh me kushtetutën e saj, e ka njohur me pakon e Atissaarit, e njeh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe njihet edhe përmes instrumenteve të Këshillit të Evropës të cilat drejtpërsëdrejti janë të aplikueshme në Kosovë. Nuk ka diçka të re, përveç atyre që tashmë janë në legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë. Por, ajo mund të realizohet vetëm në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, ka thënë presidentja e vendit.

Pas vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë, kryetarja e shtetit tha se Serbia po rrezikon dakordimin në Ohër e Bruksel.

“Neni 2 e neni 1 të cilat përcaktojnë parimet të së drejtës ndërkombëtare, të cilat përfshihen edhe vet në Kartën e Kombeve të Bashkuara që detyrojnë Serbinë ta njeh dhe ta respektojë integritetin territorial të Kosovës, që të dyja palët të trajtohen të barabarta, që të respektohen edhe simbolet kombëtare të njëra tjetrës, simbolet shtetërore, të respektohen parimet e tjera që janë të përfshira edhe në nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ato mbesin në fuqi. Por në momentin kur Serbia del dhe tregon që nuk do të zbatojë asnjërën nga këto, duke kërkuar edhe vulosjen nga Kuvendi i Serbisë që të mos zbatojë, ata për të cilën është dakordësuar vet në Ohër por edhe në Bruksel, e rrezikon në esencë këtë dakordim, apo këtë marrëveshje në kuadër të Traktatit të Vjenës”, ka shtuar ajo.

Më tej, presidentja Osmani u shpreh se presioni duhet të jetë mbi Serbinë që të respektojë obligimet që ka ndërmarrë. Sipas saj, traktati i Vjenës kërkon dakordimin e thënë nga të dyja palët, për çka tha se Borrel nuk mund të pajtohet në emër të Vuçiqit.

“Nuk mundet Borrelli të pajtohet në emër të Vuçiqit, kur Vuçiqi del qartë dhe thotë se nuk po pajtohet me së paku gjysmën e neneve të kësaj marrëveshje. Pra, kriteri bazë i Konventës së Vjenës, i cili është pajtimi, po mungon në këtë rast nga ana e Serbisë. I gjithë presioni, i gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht tek Vuçiqi, që ato për të cilat ai është dakordësuar, që në esencë përbëjnë njohje de-facto të Republikës së Kosovës, sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë, integritetin territorial, këto janë elementet kryesore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk ende nuk e ka nënshkruar. Por, përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto për të cilat në fakt ka dhënë dakordësim në takim të mbyllur, por publikisht thotë që nuk do t’i zbatojë, atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka. Shpresoj shumë që do të ketë penalizim të qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo shtoi se aneksi i marrëveshjes shumë gjëra ka lënë të pa qartësuara dhe nga Kurti është informuar për “versionet e tmerrshme”.

“Jemi informuar në detaje, jo vetëm për dokumentet, versionet e ndryshme që kanë qenë para kryeministrit dhe delegacionit të Kosovës, të cilat duhet ta them këtu që janë versione të tmerrshme, të cilat Republika e Kosovës është shumë mirë që nuk i ka pranuar, pavarësisht presioneve jashtëzakonisht të padrejta të cilat e kanë trajtuar Kosovën në mënyrë shumë të pabarabartë në raport me palën tjetër kur vërtetë janë propozuar gjëra të tilla. Të cilat nganjëherë për mua si presidente është vështirë të besoj që dikush nga komuniteti ndërkombëtar vërtetë e merr një iniciativë të tillë që të propozojë gjëra të tilla që e vendos vetëm njërën palë në pozitë kaq të pabarabartë. Por është arritur që në fakt të vije deri tek në një aneks, që për fat të keq shumë gjëra ka lënë të paqartësuara. Sepse aneksi është dashur që të paraqes në detaje se si do të zbatohen edhe pikat e tjera, cilat do të jenë penalizimet pastaj për moszbatim. Por, BE e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë, që mendoj se si qasje po e rrezikon procesin e dialogut”, përfundoi Osmani.

Kosova e Serbia të shtunën në Ohër janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obligueshëm për të dyja palët. Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e kësaj marrëveshje, por që Serbia nuk e ka nënshkruar.

Vendi

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë larg një marrëveshjeje eventuale

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreu i LDK-së bëri të ditur se pa ndryshuar pozicionet politike të partive nuk pret ndonjë përparim.

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku.

Ai theksoi se qëllimi i LDK-së ka qenë gjithmonë gjetja e një zgjidhjeje, ndërsa shprehu keqardhje se procesi po shkon drejt një rruge pa zgjidhje afatgjatë.

“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate”, u shpreh ai.

Lideri i LDK-së bëri me dije se partia e tij ka kërkuar që ta propozojë emrin për postin e presidentit.

“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku: Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e Kuvendit

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë pa vonesa, raporton Ekonomia Online.

Para takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se fokusi mbetet te përmbushja e obligimeve kushtetuese. “Do të vazhdojmë me punët tona që duhet të bëjmë që të konstituohet Kuvendi. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit. Po më lejoni të shkoj në takim, e pas takimit do të deklarohem”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët se çfarë nënkupton kërkesa e LDK-së, Abdixhiku u përgjigj shkurt se ajo lidhet “…për konstituimin e Kuvendit”.

Në pyetjen nëse pret një marrëveshje gjatë ditës apo thirrjen e seancës konstitutive, kreu i LDK-së theksoi se seanca duhet të mbahet pa vonesë. “Duhet të ketë seancë konstitutive. Duhet të ketë seancë konstitutive. Nuk ka nevojë të vonohet me konstituimin e Kuvendit. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK-ja as ka kërkuar, as kërkon që të bëhet ose të ketë vonesa të tilla”, deklaroi ai.

Abdixhiku shtoi se përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit bie edhe mbi partinë e parë, duke lënë të kuptohet se çdo vonesë eventuale nuk duhet të përdoret për qëllime negociuese. “Por tani, kjo është përgjegjësi edhe e partisë së parë, e cila qëllon që ka më të vjetrin në seancë aty, të ulur në karrigen e kryesuesit të Kuvendit. Por në qoftë se është bërë për taktikë negociuese, le ta themi shumë qartë: LDK-ja nuk nënshtrohet e Republika nuk dorëzohet. Prandaj, as nuk nënshtrohemi, as nuk dorëzohemi”, u shpreh ai.

Lideri i LDK-së bëri me dije se pas takimit do të dalë sërish para mediave. “Tani po shkoj në takim, e pas takimit do të përpiqemi sa më mirë të përfaqësojmë interesat e Kosovës, popullit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas takimit deklarohemi edhe para medieve në Kuvendin e Kosovës”, përmbylli Abdixhiku. /Ekonmia online/

 

Continue Reading

Vendi

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK mbetet në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar ftesën për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Përmes një letre zyrtare, Hamza e ka njoftuar Kurtin se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se kjo parti do të qëndrojë në opozitë. Ai ka theksuar se, për shkak të dallimeve të mëdha programore dhe konceptuale, PDK-ja do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj politike brenda Kuvendit si parti opozitare.

Gjithashtu, kreu i PDK-së i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që po sot të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit, në përputhje me afatet dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve të reja. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada në kontakt me autoritetet Gjermane pas aksidentit ku humbën jetën tre kosovarë

Published

on

By

Tre persona nga e njëjta familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën në një aksident rrugor pranë Nittendorfit, në rajonin e Regensburgut në Bavari, teksa po ktheheshin nga Kosova për në Gjermani.

Viktimat e këtij aksidenti janë T. Aliu (61 vjeç), djali i tij G. Aliu (34 vjeç) dhe L. Aliu (16 vjeç).

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili njoftoi se diplomacia kosovare është në komunikim me organet gjermane.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së tre bashkatdhetarëve tanë në një aksident pranë Nittendorfit, në rajonin e Regensburgut në Bavari. Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani është në kontakt me autoritetet gjermane lidhur me rastin. Në këto momente të dhimbshme, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave”, ka deklaruar Ajeti.

Continue Reading

Të kërkuara