Shkencëtarët janë një hap më afër krijimit të dhëmbëve zëvendësues në laborator një zbulim që zëvendëson riparimet e pakëndshme dentare të mbushjeve, kanaleve të rrënjëve dhe implanteve artificiale.
Një dhëmb i bërë në laborator mund të ndryshojë shumë nga ajo që dimë aktualisht për stomatologjinë.
Sipas studiuesve nga King’s College në Londër, është zhvilluar material i veçantë që u lejon qelizave të komunikojnë me njëra-tjetrën në të njëjtën mënyrë si në trupin e njeriut, që u lejon të zhvillohen në qeliza dhëmbësh.
Studimi u botua në revistën ACS Macro Letters, ky proces lejon që dhëmbët të rriten nga qelizat e vetë pacientit në laborator.
Dhëmbët e dëmtuar ose të infektuar zëvendësohen me dhëmbë të vërtetë, natyralë në vend të mbushjeve dhe procedurave të ngjashme dentare.
Te njerëzit, zhvillohen dy palë dhëmbë: rreth 20 dhëmbë qumështi në fëmijërinë e hershme e 32 dhëmbë të përhershëm gjatë shkollës fillore. Ndryshe nga njerëzit, kafshët si peshkaqenët dhe krokodilët mund t’i zëvendësojnë dhëmbët e humbur, se ruajnë qeliza staminale që mundësojnë rritjen e vazhdueshme.
Tek njerëzit, këto qeliza zhduken pas daljes së dhëmbëve të përhershëm, shkruan Live Science, sot kur ndodh dëmtimi i dhëmbëve, riparimet përfshijnë mbushjet ose instalimin e implanteve, por këto metoda kanë një jetëgjatësi të kufizuar dhe nuk mund të stimulojnë rigjenerimin.
“Mbushjet nuk janë zgjidhja më e mirë për riparimin e dhëmbëve”, theksoi bashkautori i studimit Xuechen Zhang dhe shtoi se “me kalimin e kohës, ato dobësojnë strukturën e dhëmbit, kanë një jetëgjatësi të kufizuar dhe mund të çojnë në prishje ose ndjeshmëri shtesë”.
Vendosja e implantit kërkon procedura kirurgjikale invazive gjatë disa takimeve dhe mbart rrezikun e infeksioneve dhe dëmtimit të indeve përreth.
“Të dyja metodat janë artificiale e nuk e rikthejnë plotësisht funksionin natyror të dhëmbëve, gjë që mund të shkaktojë ndërlikime afatgjata”, shton Zhang.
Për vite me radhë, një ekip shkencëtarësh është përpjekur të imitojë zhvillimin natyror të dhëmbëve në kushte laboratorike.
Gjatë zhvillimit të hershëm embrional, qelizat staminale nga inde të ndryshme komunikojnë me njëra-tjetrën duke përdorur molekula sinjalizuese, duke shkaktuar formimin e dhëmbëve. Këto qeliza më vonë diferencohen në lloje të ndryshme qelizash që krijojnë materiale të tilla si smalti dhe dentina.
Një përparim kyç ishte krijimi i një materiali hidrogeli, një i butë, i ngjashëm me xhel, që thith sasi të mëdha uji që imiton mjedisin natyror të qelizave në trup. Falë kësaj, qelizat ishin në gjendje të dërgonin gradualisht sinjalet e nevojshme për të filluar procesin e formimit të dhëmbëve.
“Përpjekjet e mëparshme dështuan se sinjalet u dhanë menjëherë. Materiali i ri mundëson lëshimin gradual të sinjaleve, ngjashëm me organizmin”, shpjegoi Zhang.
Dhëmbët e rritur në laborator janë më të qëndrueshëm, më të fortë e shumë më pak të ndjeshëm ndaj refuzimit nga trupi, gjë që është një problem i zakonshëm me implantet e sotme. “Dhëmbët e rritur në laborator do të integroheshin natyrshëm me nofullën si dhëmbë të vërtetë”, tha Zhang.
Studiuesit janë larg implantimit të dhëmbëve të tillë tek njerëzit. Ata po eksperimentojnë me metoda të ndryshme për të implantuar me sukses dhëmbë të rinj — ose duke transplantuar qeliza të reja në gojën e pacientit, ose duke i rritur plotësisht dhëmbët në laborator para implantimit.
“Për të dyja opsionet, procesi i zhvillimit të hershëm të dhëmbëve duhet të fillojë në laborator”, theksoi Zhang.
Pavarësisht sfidave, ky zbulim hap rrugën për ndryshime revolucionare në stomatologji.
“Ndërsa fusha përparon, integrimi i teknikave të tilla inovative ka potencialin të transformojë plotësisht kujdesin dentar, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efikase për riparimin dhe rigjenerimin e dhëmbëve”, përfundoi bashkautorja e studimit Ana Angelova Volponi nga King’s College. /Telegrafi/