Aktualitet

​Ngrihet flamuri i BE në Tiranë, Rama: Nga sot rruga jonë bëhet më sfiduese

Në këtë ceremoni munguan përfaqësues të opozitës.

Published

on

Mëngjesin e sotëm para Kryeministrisë në Tiranë u zhvillua sot ceremoniali i ngritjes simbolike të flamurit të BE, pas çeljes zyrtare së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e evropiane. Në këtë ceremoni morën pjesë anëtarë të qeverisë, mazhorancës, trupa diplomatike, përfaqësues të feve dhe të ftuar të tjerë.

Me këtë rast, kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij tha se ngritja e flamurit të Bashkimit Evropian shënon ngritjen Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhënie me BE, por edhe me të ardhmen e saj, me institucionet, liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim.

Në këtë ceremoni munguan përfaqësues të opozitës, e në këtë aspekt, Rama deklaroi se do të donte që të ishin të pranishëm. Por, kjo ishte e pamundur, tha ai, për shkak të pozitës në të cilën ndodhet opozita.

“Do kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu dhe opozita, jo thjeshtë sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, natyrshëm, kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Mirëpo, sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër, e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët. Kështu që, hë për hë, do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër nuk bëjmë dot edhe po të duam”, u shpreh Rama.

Kryeministri nuk la pa falënderuar as shtetet partnere dhe amabsadorët që kanë kontribuuar në zhvillimin e Shqipërisë.

Rama u shpreh se tashmë rruga e Shqipërisë bëhet më e vështirë dhe më sfiduese duke theksuar se energjia, vendosmëria dhe durimi hyjnë në një test të ri.

“Ngritja ceremoniale e flamurit të Bashkimit Evropian në ballin e kësaj godine nuk është simbolizimi i fundit i një beteje historike si kjo për Shqipërinë evropiane, por është vetëm përshkallëzimi i kësaj beteje. Nga sot, rruga jonë nuk bëhet më e lehtë, por shumë më sfiduese dhe përballja me plagët dhe hijet e të shkuarës, e cila kërkon ende përpjekje të mëdha për t’u fituar përfundimisht, hyn në një fazë të re, fryma e ndryshimit hyn në një thellësi të re, aftësitë për ndryshim hyjnë në një sprovë të re, energjia, vendosmëria dhe durimi hyjnë në një test të ri”, vijoi Rama.

Kryeministri shqiptar tha se shpejtësia e anëtrësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të varet shumë edhe nga ligji e drejtësia duke bërë apel prokurorëve e gjyqtarëve të mos ua mohojnë fëmijëve Shqipërinë Evropaine.

“Edhe ligji dhe drejtësia hyjnë në një shkallë të re vështirësie si kontributorë të pazëvendësueshëm në ndërtimin e kësaj rruge të atdheut drejt të ardhmes, dua tu them sot edhe përfaqësuesve të drejtësisë së re se shpejtësia e anëtarësimit të vendit të fëmijëve tanë në Bashkimin Evropian do varet shumë edhe nga integriteti dhe nga puna e tyre. Mos ua mohoni për asgjë në botë fëmijëve tuaj Shqipërinë evropiane që meritojnë dhe jini të bindur se për sa kohë, të paktën unë do të jem këtu, shumica qeverisëse e Shqipërisë nuk do të bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj ashtu sikundër ju nuk do të ndiheni kurrë vetëm në luftën tuaj me korrupsionin dhe me krimin e organizuar”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se rrugëtimi drejt anëtarësimi në BE nuk ngjan me asnjë rrugëtim tjetr në hsitorinë e shqiptarëve pasi u shpreh se është rrugëtimi i parë i historisë ku shqiptarët kanë mundësinë e artë të bëjmë shtetin që meritojnë fëmijët.

“Ky rrugëtim nuk ngjan me asgjë që shqiptarët kanë jetuar në shekuj sepse si në asnjë rrugëtim tjetër më parë, ky i yni është një rrugëtim drejt lirisë, jo robërisë, drejt paqes dhe sigurisë për fëmijët tanë, jo drejt luftërave dhe pasigurisë për hesap të të tjerëve, drejt shtetit modern demokratik të shqiptarëve, jo drejt vasalitetit apo nënshtrimit ndaj perandorish dhe regjimesh që shqiptarët nuk mundën asnjëherë t’i zgjedhin por ua imponoi forca e dhunës mbi kokën e tyre. Ky është rrugëtimi i parë i historisë sonë ku ne kemi mundësinë e artë të bëjmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë, falë transferimit masiv të dijes së shtetndërtimit demokratik që është thelbi i procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përfundoi Rama.

Gjatë ditës së martë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbajtën konferencën e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian që shënon edhe nisjen e negociatave për anëtarësim.

lajme

Goditet ura e dytë kryesore në Kiev, Klitschko paralajmëron për situatë “dramatike”

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një urë të dytë kryesore në Kiev, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet mbi infrastrukturën kritike në kryeqytetin ukrainas, raporton BBC.

Sulmi të shtunën në mëngjes dëmtoi shtresën e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve në Urën Veriore (Northern Bridge), deklaroi Klitschko, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.

Goditja vjen pasi një tjetër urë kyçe e qytetit, Ura e Jugut, u shënjestrua disa herë nga dronët rusë të enjten dhe të premten. Klitschko më herët paralajmëroi se sulme të tilla po e “shqyejnë Kievin”.

Urat e Veriut dhe të Jugut lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit dhe nuk ishin goditur kurrë më parë para të enjtes, gjë që sinjalizon një fazë të re në strategjinë e Moskës.

Sulmet mbi Urën e Jugut kanë shkaktuar kaos të madh në transport që nga e enjtja, me pezullimin e qarkullimit të metrosë dhe makinave mbi të. Shumë nga banorët e qytetit — i cili numëron rreth tre milionë banorë — mbështeten te metroja për të udhëtuar përmes qytetit.

Në sulmin e së enjtes, një dron rus goditi kabllot e urës Pivdennyi në Kiev.

Duke shkruar në Telegram të shtunën, Klitschko tha: “Goditje në Urën e Veriut. Shërbimet e urgjencës janë rrugës.”

“Qarkullimi në urë nga bregu i majtë në të djathtin për momentin është i bllokuar,” shtoi ai.

Sulmet e mëparshme në Urën e Jugut shtynë këshillin e mbrojtjes të Kievit të mbante një mbledhje krize të premten, pas së cilës Klitschko paralajmëroi se qyteti ndodhet në një “situatë shumë dramatike”, ndërsa Moska po godet “infrastrukturën kritike, logjistikën, strehimin” dhe objekte të tjera kyçe.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po vepron si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës mbi objektet energjetike ruse, me gjithë faktin se ishte vetë Moska ajo që kishte nisur e para sulme të tilla.

Pas sulmit në Urën e Jugut, udhëtarët përshkruan se si pluhuri nga vala e shpërthimit hyri në vagonin e tyre përmes sistemit të ventilimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Putin ka vendosur që “tashmë nuk ka rregulla” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Në një intervistë për Financial Times, ai tha: “Rusët dështuan të na pushtojnë. Kështu që tani po kryejnë sulme masive dhe vrasje masive.”

Ai shtoi: “Ata duan të shkatërrojnë urat tona… qendrat tona të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat, universitetet — gjithçka. Ata duan që njerëzit të ikin nga qytetet e tyre.” /BBC/

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara