Sport

​Nga fëmijëria, lufta në Kosovë e deri te premtimi për Mallorcën, rrëfehet Vedat Muriqi

‘Il Pirata’, i cili e përjetoi luftën ballkanike si fëmijë ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle “Marca”.

Published

on

Nuk ka kaluar as një vit qëkur Vedat Muriqi zbarkoi në ishull për të nënshkruar për Mallorcën. Ishte merkato dimërore e sezonit 2021-22 dhe skuadrës spanjolle i duhej një sulmues për të luftuar për të qëndruar në elitën e futbollit spanjoll.

Ardhja e kosovarit i befasoi tifozët e kësaj skuadre, ai nuk po luante me Lazion dhe numrat e tij nuk ishin tërheqës. 33 ndeshje dhe 14 gola ishte rezultati i tij.

Muriqi tashmë është idhull në Mallorca. ‘Il Pirata’, i cili e përjetoi luftën ballkanike si fëmijë ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle “Marca”, në të cilën ka folur edhe për luftën në Kosovë.

Muriqi e nis intervistën duke folur për të ardhmen e tij. Ai ka siguruar klubin aktual se nuk e ka ndërmnend të largohet, e aq më pak në afatin kalimtar të janarit.

“Nuk kam menduar kurrë të largohem. As në janar, 100% jo. Por është diçka që nuk është në dorën time sepse ndonjëherë vjen një skuadër që mund të pajtohet me Mallorcan, më thonë ‘po të shesim’ dhe nuk mund të them asgjë. Kam një kontratë shumëvjeçare me Mallorcan dhe nuk dua të largohem kurrë. Jam i lumtur këtu, edhe familja ime, po luaj dhe po kaloj mirë, mendoj dhe prandaj nuk kam menduar kurrë të largohem”, tha Muriqi.

Tutje sulmuesi kosovar shton se nuk dëshiron të rrezikojë duke kaluar tek ndonjë skuadër tjetër ku mund te ketë një përvojë të hidhur ashtu siç i kishte ndodhur te Lazio.

“Personalisht më pëlqen shumë ky mot. Jemi në janar dhe ka diell. Familja ime është rehat, fëmijët shkojnë shumë mirë në shkollë. Ndonjëherë kur ke familje dhe fëmijë duhet të mendosh më shumë për ta sesa për veten, dhe këtë po bëj tani. Edhe për mua, sepse jam mirë që pas Fenerbahçes, kur shkova në Lacio, kam pasur një përvojë të keqe dhe nuk dua të dështoj më”, shtoi ai.

Ai më pas kujton luftën në Kosovë duke thënë se nuk do të dëshironte që askush të mos e përjetonte një gjë të tillë.

“Unë gjithmonë them që asnjë qenie njerëzore nuk duhet të shohë gjërat që kam parë unë gjatë atyre viteve. Duhet të arratisesh nga shtëpia se erdhën disa ushtarë, të thonë se do të vendosin bomba dhe ti duhej të ikje. Shkuam në Shqipëri dhe ishte një kohë shumë e vështirë. Nëse shikoj pjesën pozitive, ajo më ka bërë që t’i vlerësojë gjërat e vogla”, shton sulmuesi i Kombëtares së Kosovës.

Muriqi flet edhe për fëmijërinë e tij duke thënë se nisi të punonte që kur ishte 9 vjeç.

“Fillova të punoja në një restorant në pronësi të dajave të mi kur isha nëntë vjeç. Aty bëja gjithçka: kamarier, ndihmë në kuzhinë etj. E gjithë kjo derisa mbërrita në Shqipëri në moshën 16-vjeçare. Gjatë asaj kohe, vetëm unë mund të punoja për të mbajtur nënën dhe motrën time, pasi babai im vdiq në luftë. Ai kishte edhe shkollë dhe futboll; dhe kjo është arsyeja pse vendosa të lë shkollën, sepse nuk mund ta lija futbollin, është jeta ime. E di që nuk e kam dalë mirë duke e lënë shkollën dhe tani mund të them se kam qenë shumë me fat”, thotë ai.

Në fund, Muriqi theksoi se u mor me futboll pasi nëna e tij këmbënguli që ta bënte këtë.

Sport

Spanja ndalet pas një serie të gjatë fitoresh, spektakël në Ligën e Kombeve

Published

on

By

Spanja ka pësuar humbje 3:2 ndaj Anglisë, duke i dhënë fund serisë së gjatë të rezultateve pozitive, në një nga përballjet më interesante të mbrëmjes në Ligën e Kombeve të UEFA-s.

Kampionët evropianë nuk arritën ta vazhdonin ecurinë e tyre mbresëlënëse, pasi Anglia arriti të triumfonte në një ndeshje me pesë gola, duke shkaktuar një nga befasitë e mbrëmjes.

Në ndeshjet e tjera, Belgjika shënoi fitore bindëse 4:1 ndaj Italisë, ndërsa Franca triumfoi 2:1 kundër Turqisë.

Kroacia mposhti Çekinë me rezultat 2:1, ndërsa Finlanda realizoi një fitore spektakolare 7:2 ndaj San Marinos.

Ndërkohë, Qiproja fitoi 4:1 ndaj Malit të Zi, kurse Letonia dhe Armenia u ndanë në barazim pa gola, 0:0.

Mbrëmja u karakterizua nga rezultate interesante dhe shumë gola, por vëmendjen kryesore e mori humbja e Spanjës, që u ndal pas një serie të gjatë fitoresh.

D.L

Continue Reading

Sport

Akil Gjakova fiton medaljen e bronztë në Zagreb, afrohet drejt normës olimpike

Published

on

By

Plot pesë fitore ka regjistruar xhudisti kosovar Akil Gjakova të shtunën në Grand Prix të Zagrebit, në Kroaci, ku u stolis me medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Pesë fitore në një garë të nivelit të lartë zakonisht mjaftojnë për të siguruar medaljen e artë, por këtë herë Gjakova u ndal në vendin e tretë. Megjithatë, kjo medalje ka rëndësi të veçantë për xhudistin më të mirë të Kosovës, i cili pas një periudhe pritjeje po rikthehet te rezultatet e rëndësishme ndërkombëtare.

Gjakova kishte fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit vitin e kaluar, ndërsa këtë vit u rendit i pesti në Kampionatin Evropian dhe në Grand Slamin e Abu Dabit, dy javë më parë. Ai kishte fituar edhe medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare, ndërsa në disa gara të tjera ishte eliminuar në fazat e hershme.

Me medaljen në Zagreb, 30-vjeçari ka fituar 350 pikë në ranglistën botërore, duke përmirësuar pozicionin e tij dhe duke iu afruar edhe më shumë synimit madhor: pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Aktualisht, Gjakova ndodhet brenda zonës që siguron normën olimpike. Megjithatë, konkurrenca për një vend në kategorinë deri në 73 kilogramë në përfaqësuesen e Kosovës është e fortë, pasi në këtë kategori garon edhe Dardan Cena. Sipas rregullave olimpike, një shtet mund të përfaqësohet vetëm nga një xhudist në secilën kategori, ndaj gara dhe rezultatet e ardhshme do të përcaktojnë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në SHBA.

Gjakova ka marrë pjesë në dy edicionet e fundit të Lojërave Olimpike, ku, pavarësisht paraqitjeve të mira, nuk arriti të fitojë medalje. Tashmë synon paraqitjen e tretë olimpike, me shpresën që kësaj radhe të arrijë edhe te podiumi.

Rëndësinë e këtij rezultati e ka vlerësuar edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

“Në kategorinë deri në 73 kilogramë konkurrenca gjithnjë është shumë e fortë. Pesë fitoret e Akilit janë shumë të vlefshme. Medalja e bronztë po ashtu. Është medalje me vlerë edhe për Olimpiadë”, ka deklaruar Kuka.

D.L

Continue Reading

Sport

Shqipëria rikthehet në Ligën B, fushatën e mbyll me fitore ndaj Bjellorusisë

Published

on

By

Shqipëria e ka përmbyllur me sukses edicionin e pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, duke siguruar rikthimin në Ligën B për edicionin 2028/2029.

Kuqezinjtë triumfuan të dielën mbrëma me rezultat 2:0 ndaj Bjellorusisë, në ndeshjen e zhvilluar në Budapest të Hungarisë, ku kundërshtari ishte nikoqir i kësaj përballjeje të xhiros së fundit në Grupin C1.

Fitoren e Shqipërisë e vulosën Rey Manaj dhe Elseid Hysaj. Manaj zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të, ndërsa Hysaj dyfishoi epërsinë në minutën e 57-të, pas asistimit të sulmuesit shqiptar.

Pavarësisht mungesës së Ernest Muçit, një prej lojtarëve më në formë të skuadrës, Shqipëria zhvilloi një paraqitje bindëse dhe krijoi raste të shumta për të shënuar edhe gola të tjerë. Ndeshja u zhvillua në stadium të zbrazët.

Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran e përfundoi fazën e grupeve në vendin e parë me 15 pikë, duke regjistruar pesë fitore në gjashtë ndeshje. Humbjen e vetme e pësoi ndaj Finlandës në Helsinki, ndërsa ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos regjistroi nga dy fitore.

Ky sukses i mundëson Shqipërisë rikthimin në Ligën B, pasi në dy edicionet e fundit kishte garuar në këtë nivel. Gjithashtu, përfundimi në vendin e parë i siguron asaj vendosjen në vazon e tretë për shortin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028.

Pas Shqipërisë, Bjellorusia përfundoi në vendin e dytë me 10 pikë dhe do të luajë në plejof për avancim në Ligën B. Me po aq pikë, Finlanda u rendit e treta, ndërsa San Marino e mbylli grupin në pozitën e fundit pa asnjë pikë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Përzgjedhësi i Izraelit, Ben Shimon: Kosova ka ekip të mirë, jemi në nivel të përafërt

Published

on

By

Përzgjedhësi i Kombëtares së Izraelit, Ran Ben Shimon, ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Kosovës në konferencën për media para përballjes së nesërme ndërmjet dy kombëtareve, duke deklaruar se të dyja ekipet kanë nivel të përafërt.

Tekniku izraelit e cilësoi Kosovën si një kundërshtar cilësor, ndërsa shtoi se bilanci i takimeve të kaluara nuk do të luajë rol përcaktues në këtë sfidë.

“Mendoj që Kosova dhe Izraeli pak a shumë e kanë nivelin e njëjtë. Mund të them që të dyja janë ekipe relativisht të vogla. Sa i përket rezultateve të së kaluarës, nuk bazohemi te historia. Kosova me të vërtetë ka një ekip të mirë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Ben Shimon.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit zhvillohet nesër, ku të dyja përfaqësueset synojnë rezultat pozitiv. Deri më tani, nga tri përballjet e ndërsjella, Kosova ka arritur të shënojë një fitore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara