Lajmet

​Nesër shfaqet premiera e baletit “Romeo dhe Zhulieta”

Premiera “Romeo e Zhulieta” do të shfaqet në 50-vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Published

on

“Romeo dhe Zhulieta” është premiera e vitit 2022 që do të shfaqet nesër në Teatrin Kombëtar, në 50-vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit të Kosovës, në një konferencë për media ka thënë se janë të kënaqur që pas një pune të madhe dhe të palodhshme do të jenë në gjendje të sjellin shfaqjen para publikut.

“Jemi këtu për premierën e parë të vitit 2022, është shfaqja Romeo dhe Zhulieta… Kjo shfaqje vjen si premiera e parë, kemi filluar me datën 28 shkurt, ka qenë një periudhë shumë e ngjeshur me prova, shumë e lodhshme, ka pas shumë kërkesa nga ana e koreografit, mirëpo të gjitha ja kanë dalë që me sjellë nesër një shfaqje shumë cilësore në skenë… Jam i lumtur që po sjellin në skenën tonë një shfaqje siç është Romeo dhe Zhulieta, në një version shumë më ndryshe, është me muzikë origjinale që është bërë për herë të parë”, tha Musolli.

Po ashtu ai ka thënë se edhe pse po mbushet gati gjysmë shekulli, baleti po përballet me vështirësi të shumta.

“Ne po e dimë që edhe pse i kemi mbushur gati gjysmë shekulli të institucionit të Baletit Kombëtar të Kosovës, për fat të keq ende po përballemi me vështirësitë dhe problemet e njëjta, dhe këto nuk po na lejojnë të zhvillohemi si grup, si balerinë, si artistë, gjithmonë po na limitojnë çdo aspekt. Kurse sa i përket shfaqjes, normalisht është përgjegjësi shumë e madhe, së pari është shfaqje tejet e gjatë, krahasim me shfaqjet e kaluara, zgjat deri në dy orë, sepse është në dy akte… E kam paraparë këtë vit do t’i kemi shtatë pedagogë të huaj që ta rrisim nivelin teknik të balerinëve, sepse e dimë që asnjëherë balerinët e Kosovës, s’kemi pasur pedagogë në funksion si pozicion dhe kjo na ka munguar jashtëzakonisht shumë, sepse është një funksion shumë i rëndësishëm, një person që duhet të jetë prezent në sallë dhe që të udhëheqë ushtrimet… Përkundër 50- vjetorit, ne nuk kemi ende një shkollë si shkollën kombëtare të baletit, nuk e kemi një teatër siç duhet”, tha ai.

Koreografi Konstantin Uralsky ka thënë se është hera e dytë që vjen në këtë teatër, dhe që është shumë interesante progresi. Ai kujtoi kohën kur ka qenë per herë të parë, duke thënë që ishte shumë emocionuese.

“Është hera e dytë që jam në këtë teatër, me këtë shoqëri. Janë 13 vjet diferencë, dhe ishte shumë emocionuese të kthehesha këtu… Unë kam ndjekur kompaninë në Facebook dhe YouTube për të parë se si po ia dalin, sepse kur u largova 13 vjet më parë, mbeta miq me shumë valltarë, dhe është shumë interesante për mua të shoh progresin dhe si ndryshoi kompania, artistikisht, teknikisht. Ishte shumë emocionuese për mua të kthehesha dhe gjatë gjithë kësaj kohe me një mbrëmje plot balet dhe art, një nga produksionet e famshme… emra të njohur në botën e baletit “Romeo dhe Zhulieta”. Shpresoj të jetë një hap me më shumë produksione baleti, plot mbrëmje, tregime, balet. Kështu që kjo ishte ajo pse unë isha shumë i emocionuar dhe ne bëmë një punë të pabesueshme në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Unë isha duke parë provat dje dhe nuk mund ta besoja se sa i plotë dhe i thellë duket tashmë ai prodhim, dhe kemi edhe një ditë tjetër. Kështu që është mirë”, tha Uralsky.

Ndryshe, premiera “Romeo e Zhulieta” do të shfaqet në 50-vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Lajmet

Diskutim i hapur në UBT me Christopher Hyland mbi trendet globale dhe implikimet për Kosovën

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, studentët e Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, së bashku me stafin akademik, patën mundësinë të bashkëbisedojnë me Christopher Hyland, një njohës i proceseve ndërkombëtare dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të ligjëratës “Current Global Developments and Their Implications for Kosovo”, u diskutuan zhvillimet më të fundit globale, sfidat gjeopolitike dhe ndikimi i tyre në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë ligjëratës, Hyland ndau përvojën e tij shumëvjeçare në analizimin e proceseve ndërkombëtare dhe angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai foli për rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve afatgjata, dialogut ndërkombëtar dhe kuptimit të drejtë të proceseve historike e politike që kanë ndikuar në fatin e popujve dhe shteteve.

Duke reflektuar mbi ndikimin e mentorëve dhe përvojave të tij akademike, Hyland theksoi rëndësinë e krijimit të lidhjeve njerëzore dhe profesionale që ndërtohen mbi besimin dhe vlerat e përbashkëta.

“Nëse takon individë me të cilët ndërton miqësi dhe mirëkuptim të sinqertë, ato marrëdhënie mund të zgjasin për vite të tëra dhe të krijojnë ura bashkëpunimi që tejkalojnë kufijtë dhe dallimet”, tha Hyland.

Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te përvoja e tij personale në njohjen e realitetit të Kosovës gjatë viteve të shpërbërjes së Jugosllavisë, duke theksuar se studimi i zhvillimeve në terren e kishte shtyrë të shihte situatën përtej narrativave të zakonshme të kohës.

“Sa më shumë që e studioja situatën, aq më shumë kuptoja se qytetarët e Kosovës po përballeshin me shtypje të rëndë nga qeveria qendrore në Jugosllavi. Historia ishte shumë më ndryshe nga ajo që paraqitej në atë kohë”, u shpreh ai.

Hyland diskutoi me studentët mbi transformimet aktuale politike dhe ekonomike në botë, sfidat e sigurisë ndërkombëtare, rolin e aleancave strategjike dhe rëndësinë e pozicionimit të Kosovës në një mjedis global gjithnjë e më dinamik.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive dhe shkëmbim idesh, duke konfirmuar edhe një herë rolin e UBT-së si një qendër e rëndësishme e debatit akademik, inovacionit dhe analizës së çështjeve me rëndësi globale.

Continue Reading

Lajmet

Karl Stefanovic drejt largimit nga Nine Entertainment pas reagimeve për podcastin

Published

on

Njëri nga prezantuesit më të njohur televizivë në Australi, Karl Stefanovic, raportohet se është pranë largimit nga rrjeti Nine Entertainment, pas reagimeve të forta ndaj podcastit të tij, veçanërisht pas një interviste me aktivistin britanik të ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.

Stefanovic, i njohur prej vitesh si prezantuesi kryesor i programit të mëngjesit Today, kishte nisur në janar një podcast të pavarur ku ka intervistuar figura të ndryshme kontroverse. Megjithatë, episodi i fundit me Robinson është tërhequr nga platformat online vetëm disa orë pas publikimit, pas reagimeve negative të publikut dhe reklamuesve në Australi.

Sipas mediave lokale, Nine Entertainment është në negociata për përfundimin e kontratës së tij, e cila ishte paraparë të skadonte në fund të vitit. Edhe pse kompania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht largimin, ajo është distancuar publikisht nga përmbajtja e podcastit, duke theksuar se bëhet fjalë për një prodhim të pavarur.

Gjatë intervistës 55-minutëshe, Stefanovic deklaroi se e admironte “vendosmërinë” dhe “guximin” e Robinsonit për të mbrojtur bindjet e tij. Në materialin promovues të episodit, ai u pa gjithashtu duke e përqafuar Robinsonin dhe duke përdorur një term ofendues ndaj kryeministrit britanik në largim, Keir Starmer.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta në Australi, ku gazetarë të Nine dhe disa reklamues kanë shprehur shqetësime për ndikimin e podcastit në reputacionin editorial të rrjetit.

Stefanovic ka pasur edhe më herët momente kontroverse gjatë karrierës së tij të gjatë në televizion, përfshirë një paraqitje në transmetim live pas konsumimit të alkoolit dhe një incident ku u detyrua të kërkonte falje për komente të bëra ndaj një kolegeje.

Ai u tërhoq nga emisioni Today në vitin 2018 për shkak të rënies së shikueshmërisë dhe vëmendjes mediatike rreth jetës së tij personale, por u rikthye një vit më vonë.

Pavarësisht polemikave, Stefanovic mbetet një nga figurat më të njohura të televizionit australian.

Burimi: BBC/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis shpërndarja e 100 eurove për studentët

Published

on

By

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se është bërë ekzekutimi i 100 eurove për studentët në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Ai ka njoftuar se sot është finalizuar dhe dorëzuar lista e studentëve të kualifikuar për mbështetjen me 100 euro.

“Pas pranimit të verifikimeve të nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë, komisioni verifikues sot ka finalizuar dhe dorëzuar listën e studentëve që janë kualifikuar për mbështetjen e njëhershme me 100 euro”, ka thenë Murati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria shpall “non-grata” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti

Published

on

By

Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi është marrë nga autoritetet shtetërore në kuadër të masave për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Sipas vendimit të transmetuar nga mediat në Shqipëri, ky hap u ndërmor bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë, të cilat e vlerësojnë veprimtarinë e saj si rrezik potencial. Ndaj Hudutit rëndojnë dyshime për lidhje me regjimin iranian dhe për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Urdhri tashmë i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të kufirit e migracionit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai deklaroi se Huduti ka qenë e përfshirë si “e infiltruar” në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar edhe fotografi në rrjetet sociale, duke ngritur akuza për lidhje të saj me figura dhe struktura të huaja.

Nga ana tjetër, vetë Igballe Berisha-Huduti i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe akuzat e autoriteteve. Përmes një reagimi, ajo ka theksuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka qenë tërësisht qytetare dhe patriotike, pa asnjë motiv tjetër të fshehur. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara