Lajmet

​Ndëshkohen 151 minatorë të Trepçës që mbajtën grevë

U bëhet thirrje minatorëve që të mos bojkotojnë, por t’i qasen punës me seriozitet dhe angazhim maksimal.

Published

on

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të gjigantit të dikurshëm Ballkanik dhe më gjerë Trepça, Enis Abdurrahmani, gjatë një interviste për Kosova Press ka bërë të ditur se borxhet e trashëguara nga menaxhmentet e kaluara, të cilat kapin vlerën mbi 20 milionë euro, Trepça Sh.A. ka arritur që në masë të madhe t’i zvogëlojë falë angazhimit dhe subvencioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, duke ristrukturuar disa prej njësive biznesore të ndërmarrjes, Trepça tashmë është në rrugë të mbarë dhe po kthehet fuqishëm në ndërmarrje profitabile.

Ai përmendi progresin e madh dhe në shumë sfera të ndërmarrjes gjatë dy viteve të fundit, ndërsa potencoi mbështetjen e jashtëzakonshme nga ana e qeverisë, sidomos në investime kapitale, revitalizimin e minierave etj, vetëm që Trepça të kthehet fuqishëm në një ndërmarrje profitabile, me qëllim primar maksimizimin e profitit dhe rritjen e vlerës së aksioneve.

“Borxhet e trashëguara janë mbi 20 milionë. Ne kemi arritur në kategori të caktuara t’i reduktojmë dhe zvogëlojmë këto borxhe, këto detyrime të ndërmarrjes. Kemi arritur të zvogëlojmë detyrimet nga kategoria e borxheve që i kemi ndaj ATK-së, mbi 4.2 milionë, i kemi zvogëluar borxhet ndaj operatorëve ekonomikë kontraktuesve mbi 2.5 milionë, kemi arritur t’i reduktojmë borxhet dhe obligimet ndaj KESKO-s dhe KEK-ut. E them edhe njëherë, falë subvencioneve që i ka dhënë Qeveria e Republikës së Kosovës, në këto dy kategori ku na ka ndihmuar, siç po na ndihmon edhe në kategorinë e pagave…Ndërmarrja Trepça Sh.A… fuqishëm po kthehet në ndërmarrje profitabile dhe tashmë veç ka arritur të ristrukturojë disa nga njësitë biznesore të saj përmes rregulloreve për sistematizim dhe nivelizim, dhe jemi në rrugë të mirë dhe të mbarë. Na presin shumë punë përpara dhe angazhime”, ka shkruar ai.

Si rezultat i kësaj, shtoi Abdurrahmani, ndërmarrja ka arritur të nënshkruajë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, si dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen.

“Ndërmarrja Trepça Sh.A. gjatë këtyre dy viteve ka pasur progres të madh, ka bërë kthesa të mëdha nga një ndërmarrje pothuajse e falimentuar me mbi 20 milionë borxhe, kemi arritur si menaxhment, por edhe si bord, falë angazhimit të ministres së Ekonomisë të rikthejmë ndërmarrjen në trasenë e rentabilitetit… Krahas të gjitha këtyre punëve të mira që kemi bërë, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar si asnjëherë më parë që në ndërmarrjen Trepça Sh. A, të vazhdojnë investimet kapitale, të revitalizohen minierat tona, Trepça Sh.A. të kthehet fuqishëm në ndërmarrje profitabile, me qëllim primar maksimizimin e profitit dhe rritjen e vlerës së aksioneve në ndërmarrje. Si rezultat i kësaj kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen, meqë ndërmarrja ka trashëguar borxhe dhe obligime nga menaxhmentet e kaluara”, tha ai.

Ai tha se Trepça Sh.A. ka pranuar mbi 210 praktikantë në afat kohor prej gjashtë muajsh për t’i përgatitur ata për punë, 50 prej të cilëve do të punësohen nga data 1 shtator i këtij viti.

“Ndërmarrja ka nevojë që çdo minutë të saj të kohës ta shfrytëzojë për produktivitet, krejt ajo që na duhet është puna, angazhimi, disiplina në punë, dhe unë mendoj se jemi në rrugë të mirë të arritjes së objektivave tona si ndërmarrje dhe industri minerare që jemi…. Gjatë këtyre dy viteve, falë politikave të mira të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kemi arritur të zhvillojmë një rekrutim të ri për praktikantë, mbi 210 praktikantë kemi arritur t’i përgatisim për punë, me një mundësi që iu kemi dhënë për gjashtë muaj në ndërmarrjen Trepça, dhe në muajt e kaluar kemi zhvilluar rekrutimet e para, ku mbi 50 praktikantë kanë arritur të punësohen në ndërmarrjen Trepça Sh.A, dhe ata do të fillojnë punën që nga 1 shtatori i këtij viti. Tani ky është një nga faktorët kyç që ndërmarrja Trepça Sh.A. të rrisë produktivitetin e saj”, tha ai.

Abdurrahmani sqaroi se për të gjitha këto suksese dhe të arritura të ndërmarrjes me të cilën udhëheqë, dëshmon më së miri opinioni i auditorit të pavarur, ku siç tha ai, Trepça për herë të parë prej pasluftës, merr opinion të kualifikuar.

“Në këto dy vite në ndërmarrjen Trepça Sh.A. janë bërë progrese të mëdha. Për këtë flasin dhe dëshmojnë edhe opinionet e auditorit të pavarur. Për dy vite radhazi, Trepça për herë të parë merr opinion të kualifikuar. Rrjedhimisht, për dy dekada kemi pasur mohim të opinionit të ndërmarrjes Trepça Sh.A. Një nga progreset më të mëdha është ngritja e përgjegjësisë të raportimit financiar në këtë ndërmarrje, ngritja e disiplinës në punë… Po ashtu përveç kësaj, për herë të parë Trepça Sh.A. ka pasur një bilans pozitiv, për herë të parë do të thotë ka pasur një fitim neto në historinë e saj të pasluftës. Kjo na jep kurajo dhe na premton se vitet në vazhdim mund të bëhen punë edhe më të mëdha, falë angazhimeve dhe investimeve që do të bëhen në Trepça Sh.A”, tha ai.

Ai u shpreh se përkundër progresit të arritur deri tani, ndërmarrjen e presin punë dhe angazhime të mëdha në të ardhmen. Abdurrahmani foli edhe për problemet, vështirësitë dhe sfidat me të cilat po përballet ndërmarrja, me ç’rast tha se edhe pse janë bërë përpjekje për të zvogëluar shpenzimet operative dhe rritjen e të hyrave, Trepça ka pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm.

“Përkundër përpjekjeve dhe angazhimeve tona që të zvogëlojmë shpenzimet operative mbi 25 përqind gjatë vitit 2022 dhe rritjes së të hyrave mbi 17 milionë nga prodhimi i koncentratit, plumbit dhe zingut, kemi pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm që janë të pamenaxhueshme nga ana jonë, siç është rënia e çmimit të metaleve në bursë, kushti i paritetit mes dollarit dhe euros, edhe shumë probleme tjera si rezultat i krizës së energjisë… Dhe, krejt këta faktorë kanë prekur në formë direkte të hyrat e ndërmarrjes. Kjo është shoqëruar edhe me rënie të produktivitetit si shkak i vjetërsisë dhe zhvlerësimit të makinave produktive në miniera dhe flotacione”, tha ai.

Kryeshefi i Trepçës ka përmendur shifrat prej 40 mijë deri në 50 mijë euro humbje ditore në raste kur sabotohet puna, andaj apeloi te minatorët që të mos bojkotojnë, por t’i qasen punës me seriozitet dhe angazhim maksimal për të mirën e përgjithshme.

“Një vlerë që mund të jetë e përafërt (e humbjeve ditore në rast të mos punës) varet nga shumë faktorë, mund të jetë nga 40 mijë deri në 50 mijë euro në ditë,… Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të meditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 përqind , mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tre ditë pune mund të shpie edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bënë këtë vepër… Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës”, ka thënë Abdurrahmani. 

Vendi

OVL-UÇK reagon pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit: Të hetohen rrjetet e mundshme të spiunazhit

Published

on

By

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar publikisht lidhur me aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për spiunazh në favor të Serbisë. OVL-UÇK ka kërkuar që ky rast të mos trajtohet thjesht si një përgjegjësi individuale, por si një çështje e rëndësishme e sigurisë kombëtare.

Përmes një komunikate për medie, organizata theksoi se duke respektuar prezumimin e pafajësisë, institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhet të gjurmojnë çdo kontakt, lidhje financiare apo komunikim të mundshëm për të parë nëse ekzistojnë rrjete më të gjera të bashkëpunimit me shërbimin BIA të Serbisë.

“Akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme. Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Gjithashtu, nga OVL-UÇK kanë kërkuar që organet kompetente të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente serbe kanë grumbulluar apo përcjellë materiale që lidhen me luftën e UÇK-së me qëllim të manipulimit apo shfrytëzimit të tyre në procese politike e gjyqësore.“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999. Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet. Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt,” përmbyll reagimin kjo organizatë. /E.A/

Continue Reading

lajme

100 nxënës nga e gjithë Kosova përfitues të bursës për shkollim në UBT International Smart Schools

Published

on

By

Njëqind nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës janë përzgjedhur përfitues të bursave të shkollimit në UBT International Smart Schools, pas pjesëmarrjes së suksesshme në edicionin e sivjetmë të Testit Provues të Arritshmërisë.

Përmes bursave të fituara, nxënësit do të kenë mundësinë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre arsimor në një mjedis modern dhe inovativ, duke zhvilluar njohuri dhe aftësi të nevojshme për të ardhmen akademike dhe profesionale.

Themeluesi dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, tha se ndarja e këtyre bursave dëshmon përkushtimin e UBT International Smart Schools për të mbështetur të rinjtë dhe për t’u krijuar atyre mundësi të reja për zhvillim akademik e profesional.

“Kjo është një dëshmi e qartë e mbështetjes që UBT po i jep të rinjve të Kosovës dhe rajonit. Fakti që në mesin e përfituesve kemi nxënës nga e gjithë Kosova, e bën këtë nismë edhe më të veçantë. Fokusi ynë është që të mbështesim talentet e reja dhe t’i përgatisim ata me njohuri dhe aftësi profesionale për fushat që do të përcaktojnë të ardhmen”, tha Rektori Hajrizi.

Bursat përfaqësojnë një investim në talentin, potencialin dhe të ardhmen e të rinjve. Përfituesit kanë zgjedhur ndërmjet drejtimeve moderne dhe të orientuara drejt kërkesave të së ardhmes, duke u përgatitur për një treg pune ku teknologjia, inovacioni, shkencat, shëndetësia dhe aftësitë digjitale po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi.

Bëhu pjesë e UBT International Smart Schools, duke aplikuar në këtë link: APLIKIMI ONLINE

Continue Reading

Vendi

IQMT aksion kundër udhërrëfyesve turistikë pa licencë: Gjobat shkojnë deri në 9 mijë euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar aksione inspektuese në regjionin e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me synim parandalimin dhe evidentimin e ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë nga udhërrëfyesit turistikë të palicencuar.

Gjatë inspektimeve, IQMT ka evidentuar se disa kompani nga vendet e rajonit po angazhojnë udhërrëfyes jo-vendas pa licencat e nevojshme, çka përbën shkelje direkte të ligjeve në fuqi.

“Përveç aspektit ligjor, angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën e prezantimit të historisë, trashëgimisë kulturore dhe vlerave reale të lokacioneve turistike që vizitohen në Republikën e Kosovës,” bëhet e ditur në njoftimin e Inspektoratit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) paralajmëroi se ushtrimi i kësaj veprimtarie në mënyrë të kundërligjshme përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro. IQMT u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve turistikë që të angazhojnë vetëm kuadro të licencuara.

Kujtojmë se më 10 korrik 2026, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka pajisur me kartela identifikuese 12 udhërrëfyesit e parë të licencuar në Kosovë, të cilët janë: Naile Cekaj, Fisnik Thaçi, Orhan Ramadani, Fitim Bunjaku, Fatijona Bajra, Adriana Pllana, Akil Cejku, Muhamed Cejku, Muhamer Hasani, Ilir Sopjani, Enes Toska dhe Mirjeta Shatri./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria del me detaje për vrasjen e gruas në Prizren

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, më 26 gusht 2026.

Sipas njoftimit zyrtar nga organet e ndjekjes, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës. Bazuar në të dhënat e para të hetimit, i dyshuari me inicialet B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet e Policisë së Kosovës, krim-teknika si dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Hetimet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë me intensitet të lartë për të zbardhur të plota rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.

80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet për vrasje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Prizren, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Për rastin dyshohet bashkëshorti i saj, rreth 81-vjeç.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për KosovaPress se rreth orës 01:30 Policia ka pranuar informatën për një grua të gjetur pa shenja jete në një shtëpi banimi.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas Policisë, lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor. Ndërkohë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se, sipas evidencave të saj, çifti nuk kishte pasur raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje. Në momentin e incidentit, ata dyshohet se kanë qenë vetëm në shtëpi.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë. /Kosova Press/

Continue Reading

Të kërkuara