Kosovare Asllani do të vazhdojë të jetë pjesë e London City Lionesses edhe për dy sezone të tjera. Klubi anglez ka konfirmuar këtë të martë se ka rinovuar kontratën me futbollisten me përvojë deri në verën e vitit 2027.
36-vjeçarja, e cila iu bashkua skuadrës në vitin 2024, ka qenë një nga figurat kyçe në suksesin e klubit, duke ndihmuar London City Lionesses të sigurojë ngjitjen në elitën e futbollit anglez dhe më pas të zhvillojë një sezon konkurrues në nivelin më të lartë.
Aktualisht, Asllani është në fazën e rikuperimit pas një lëndimi serioz, ndërsa rikthimi i saj në fushë pritet gjatë edicionit të ardhshëm.
London City e mbylli sezonin e kaluar në vendin e gjashtë të kampionatit anglez, por ambiciet e klubit janë rritur ndjeshëm. Së fundmi, skuadra ka siguruar transferimin e fitueses së shumëfishtë të “Topit të Artë”, Alexia Putellas, duke synuar luftën për titull në sezonin e ri.
Asllani ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në futbollin evropian, duke veshur fanellat e klubeve të njohura si Milan, Real Madrid, Manchester City dhe Paris Saint-Germain. Me kombëtaren e Suedisë, ajo ka regjistruar 209 paraqitje, ndërsa mban shiritin e kapitenes si te përfaqësuesja suedeze, ashtu edhe te London City Lionesses.
D.L