Lajmet

​Ndahen edhe mbi 2.2 milionë euro për RTK-në

Boletini tha se këtë vit ka pasur kursime të mjeteve buxhetore.

Published

on

Përkundër disa kritikave nga deputetët e pozitës për mos realizimin e planit të të hyrave nga marketingu, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-mars 2022.

Me kërkesë të Bordit të këtij mediumi publik, komisioni në fjalë ka miratuar edhe Programin e Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2022 në shumën 2 milionë e 240 mijë euro.

Për raportin e shpenzimeve, drejtues të mediumit publik kanë thënë se gjatë kësaj periudhe kanë shpenzuar 93 për qind të buxhetit total prej 2 milionë e 240 mijë eurosh.

Për paga dhe shtesa kanë shpenzimet ishin 2 milionë e 177 mijë e 907 euro që përbën 92 për qind të pagesave të përgjithshme.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit theksoi se për dallim prej viteve të kaluara, në këtë periudhë ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe një performancë më të mirë të RTK-së. Ai ka thënë se kanë ulur shpenzimet për periudhën janar-mars të këtij viti dhe ka kërkuar që gjatë rishikimit të Buxhetit të Kosovës të ndahen mjete shtesë për RTK-në.

“Në këtë fazë konsiderojmë që kemi rreth 79 mijë euro kursime në muaj. Gjithashtu kemi bërë ulje të shpenzimeve në masë të madhe ku nuk kemi asnjë shpenzim për reprezentacion, për dallim prej herëve të kaluara. Po ashtu, kemi bërë edhe tkurrje të shpenzimeve tjera të vogla si përdorimi i veturave zyrtare brenda një perimetri prej 1 km. Disa menaxherë që kanë qenë me paga shumë të larta janë risistemuar dhe është bërë një ulje e pagës. Gjatë këtij tremujori jemi përballur me disa vështirësi, kryesore ka qenë trokitja në derë nga përmbaruesit privat. Ne kemi rreth 1.6 milionë euro borxhe dhe disa prej përmbaruesve tashmë kanë ardhur t’i kërkojnë paratë, si dhe kërcënimet”, theksoi Boletini.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Armend Muja vlerësoi se pas një dekade për herë të parë transmetuesi publik nuk ka operuar me humbje në tremujorin e parë 2022.

“Po thuajse që nga 2012 ka pasur minus, a mund të konstatojmë se në tremujorin e parë 2022, është hera e parë pas një dekade që RTK-ja nuk operon me humbje…”, theksoi ai.

Duke iu përgjigjur deputetes Duda Balje mbi kontratat me shërbime të veçanta, Boletini theksoi se ka ende punëtorë në RTK me kontratë mbi vepër, sipas tij janë dy kontrata të tilla.

“Sa i përket kontratave për shërbime, ka ende. Por kontrata për shërbime që konsiderohen të rregullt nuk ka dhe nuk do të ketë. Aktualisht i kemi dy kontrata të tilla, janë dy prej prezantuesve të lajmeve Mustafë Muçaj dhe Fadile Kryeziu. Pikërisht për këto pozicione vlejnë kontratat për shërbime, sepse ata vijnë një herë ose dy herë në javë japin lajmet dhe kanë një orë punë”, tha Boletini.

Sa i përket borxheve të RTK-së, kryetari i Komisionit, Armend Muja përmendi disa prej borxheve për dreka dhe darka, i cili pati një pyetje interesante: “S’e di, a ka mundësi me ngrenë bukë borxh, a? Kjo është tepër keq”.

“Një borxh që zakonisht më vjen në raport është ndaj një restoranti, 871 euro. Logjikisht nuk hyhet borxh të hahet peshk, kjo veç në RTK… Liburnia 2500 euro, prapë borxh, s’e di a ka mundësi me ngrënë bukë borxh a, një institucion publik? Kjo po duket mjaft keq”, tha Muja.

Për këtë, Muja mori një përgjigje nga kryetari Boletini, dhe theksoi se kjo është një abuzim që ka ndodhur me buxhetin e RTK-së ndër vite.

“Këto shpenzimet, besoj që s’do të ndodhin më, dhe çështjet e reprezentacionit dhe drekave e darkave nëpër restorantet e peshqve dhe të tjera, s’do të ndodhin më. Kjo është një prej formave të abuzimit me buxhetin e RTK-së që ka ndodhur ndër vite. Kështu që kjo nuk do të ndodhë më”, tha Boletini.

Ndërkaq, në këtë raportim zyrtari financiar në RTK, Halil Brahimaj tha se vetëm 26 për qind e planit të të hyrave nga marketingu është realizuar.

“Për këtë tremujor kanë 276 mijë euro dhe i kemi realizuar vetëm 26 përqind”, tha Bajrami.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica, e quajti “huq” një planifikim të tillë.

“Ju prej 270 mijë euro i keni realizuar 70 mijë. Unë konsideroj se kjo është një huqje jashtëzakonisht e madhe e të hyrave, kështu që do të duhej të synohej deri 80-90 për qind, sepse nuk është që nuk keni mjete dhe nuk keni njerëz. Ideja është që ta realizoni planifikimin që e bëni përmes buxhetit, sepse ato janë të hyra që ju pastaj synoni shpenzime të caktuara”, tha Korenica.

Përveç kësaj deputeti Korenica ngriti edhe çështjen e një lëshimi në mediumin publik më 1 prill. Ai ka pyetur drejtuesit e televizionit publik se a është e vërtetë dhe a kanë marrë masa për lajmin e rremë të transmetuar në RTK më 1 prill për emërimin e Edi Ramës në krye të NATO-s.

“Lajmi i rremë më 1 prill, Edi Rama në krye të NATO-s, çka keni ndërmarrë për me i parandaluar rastet e tilla?”, tha Korenica.

Për këtë, Boletini pranoi se ka ndodhur një lëshim i tillë dhe tha se ka kërkuar të merren masa, ashtu siç janë marrë masa ndaj një postimi që ka qenë javë më parë i publikuar në ueb-sajtin e RTK-së, dhe për këtë arsye është suspenduar kryeredaktori i ueb-sajtit.

“Kur ka ndodhur rasti (i publikimit për presidenten Vjosa Osmani), unë i kam drejtuar një e-mail ushtruesit të detyrës së drejtorit dhe i kam kërkuar që të merren masa konform rregulloreve në fuqi dhe që rastet e tilla të sanksionohen me një standard të njëjtë. Pra, edhe në rastin e tillë (në televizion) është vepruar në mënyrë të njëjtë. Kështu që ky është një standard i ri i vendosur në RTK, është keq dhe skandaloze çka ka ndodhur, por masat janë marrë dhe do të merren në vazhdimësi për çfarëdo lloj shkeljesh që do të ndodhin në RTK”, u shpreh Boletini.

Për këtë lëshim, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, u tha se ka pasur një dorëheqje nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit.

Ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, është shtyrë për javën e ardhshme.

Aktualitet

Sot shënohet Dita e Kushtetutës

Published

on

17 vjet më parë, Kosova u bë me aktin më të lartë juridik, dokumentin bazë të shtetësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke i dhënë fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura ndërsa dy muaj më pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet pushojnë sot (E mërkurë). /UBT News/

Continue Reading

Bota

Mattarella pret mbretin Charles në Pallatin Quirinale

Published

on

Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla u takuan sot me presidentin italian, Sergio Mattarella, në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Itali. Ky është udhëtimi i parë i mbretit pas largimit nga spitali, ku ai u trajtua për kancer, sipas informacioneve të agjencisë AP.

Mbreti Charles dhe Camilla u shoqëruan nga një grup rojesh presidenciale dhe u përshëndetën nga presidenti Mattarella në oborrin e Pallatit Quirinale, ku do të zhvillohet një banket shtetëror nesër në mbrëmje. Ky banket do të shënojë jo vetëm vizitën e mbretërorëve britanikë, por edhe 20-vjetorin e martesës së çiftit mbretëror.

Mbreti Charles do të takohet nesër me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, përpara se të mbajë një fjalim në një seancë të përbashkët të Parlamentit italian – një ngjarje historike, pasi është hera e parë që një monark britanik merr pjesë në një fjalim të tillë.

Gjatë vizitës së tij, mbreti Charles do të theksojë lidhjet e ngushta mes Britanisë së Madhe dhe Italisë, dy aleatëve të NATO-s, në një periudhë kur këto dy shtete po përpiqen të forcojnë mbështetjen për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

Pjesë e vizitës treditore të mbretit dhe mbretëreshës do të jetë një udhëtim në Ravena, në rajonin verior Emilia Romagna, të enjten, për të përkujtuar 80-vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore./UBTNews/

 

Continue Reading

Bota

Koreja e Jugut do të mbajë zgjedhjet presidenciale më 3 qershor

Published

on

Koreja e Jugut do të mbajë zgjedhjet presidenciale më 3 qershor, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e hoqi Yoon Suk Yeol nga presidenca. Yoon u fajësua nga parlamenti në dhjetor për shpalljen e një deklarate të kontestuar lidhur me ligjin ushtarak. Pas një shqyrtimi të kërkesës për shkarkimin e tij, gjykata la në fuqi këtë vendim më 4 prill, duke detyruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 60 ditëve.

Presidenti në detyrë, Han Duck-soo, njoftoi datën e zgjedhjeve dhe theksoi se vendi duhet të “shërohet shpejt nga plagët” dhe të ecë përpara. Shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon kishte krijuar pasiguri politike të thellë në vend, duke nxjerrë në pah ndarjet e thella shoqërore në Kore.

Yoon e shpalli ligjin ushtarak për të trajtuar kërcënimet e “forcave anti-shtetërore” dhe Koreës së Veriut, por shpejt u kuptua se kjo lëvizje ishte më shumë një pasojë e problemeve të tij të brendshme politike sesa një reagim ndaj kërcënimeve të jashtme.

Disa politikanë kanë shprehur interesin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale, përfshirë ministrin e punës Kim Moon-soo, i cili dha dorëheqjen këtë javë për të nisur fushatën e tij. Ahn Cheol-soo, një ligjvënës nga Partia e Pushtetit Popullor, gjithashtu ka hedhur kandidaturën për president.

Përveç krizës politike, Koreja e Jugut po përballet edhe me sfida të reja ekonomike, për shkak të tarifave të larta që janë shpallur nga Presidenti amerikan, Donald Trump. Shuma prej 25% për eksportet nga Koreja e Jugut në SHBA ka shtuar presionin mbi ekonominë e vendit, dhe autoritetet po kërkojnë negociata me administratën e Trump për të zbutur pasojat.

Continue Reading

Bota

‘Vidhnin’ turistët, Italia gjobit agjencitë e biletave të Koloseut Romak me 20 milionë euro

Published

on

Autoriteti i konkurrencës i Italisë ka vendosur gjoba në vlerë 20 milionë euro për një grup operatorësh turistikë që përdornin praktika të papërshtatshme për të grumbulluar bileta për Koloseun Romak, duke e bërë të vështirë për turistët të blinin bileta standarde me çmim të rregullt për këtë atraksion turistik të njohur.

Hetimi, i nisur në korrik të vitit 2023 pas ankesave të shumta, ka zbuluar se biletat për Koloseun ishin shpesh të papërballueshme për vizitorët individualë për shkak të strategjive të grumbullimit të biletave nga disa agjenci, duke i bërë ato të papërshtatshme dhe të pamundura për t’u blerë në çmimin standard.

Autoriteti i konkurrencës (ACGM) ka raportuar se ky grumbullim i biletave ka çuar në “mosdisponueshmëri të konsiderueshme dhe të zgjatur” të biletave me çmime zyrtare, duke detyruar turistët të blinin bileta me çmime të rritura, shpesh të shoqëruara me shërbime shtesë si guidat turistike dhe mundësinë për të shmangur radhët.

Shoqëria e Kulturës së Kooperativës, që menaxhoi shitjet e biletave për Koloseun nga viti 1997 deri në 2024, ka marrë pjesën më të madhe të gjobës, me një shumë prej 7 milionë euro, për dështimin në parandalimin e grumbullimit të biletave dhe rezervimin e një pjese të madhe për paketat turistike me udhëzues.

Gjithashtu, gjashtë operatorë turistikë nga Italia, Gjermania, Holanda dhe Irlanda janë gjobitur për përdorimin e sistemeve automatike të blerjes së biletave (bots), që shpesh kanë blerë bileta në sasi të mëdha, duke i bërë ato të papërballueshme për turistët individualë.

Çmimi i biletës për të hyrë në Koloseun për të rritur është 18 € për vizitë, përfshirë mundësinë për të qëndruar deri në 20 minuta në katin kryesor të këtij monumenti të famshëm. Koloseu ishte atraksioni më i vizituar i Italisë në vitin 2023, me mbi 12.3 milionë vizitorë.

Drejtoria e Koloseumit ka refuzuar të komentojë mbi gjobat, duke u fokusuar vetëm në faktin se kjo është një nga pikat kryesore turistike për vendin, dhe ka konfirmuar angazhimin për të siguruar një përvojë më të mirë për vizitorët e ardhshëm./UBTNews/

Continue Reading

Të kërkuara