Lajmet

​Mungon kryetari i Ferizajt, shtyhet shqyrtimi për projektin e Bashkimit të qytetit të Ferizajt

Deputetët nga mazhoranca e kundërshtuan vazhdimin e kësaj mbledhje pa kryetarin Aliu.

Published

on

Ndonëse ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ishte prezent për raportim në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, ishte mungesa kryetarit të komunës së Ferizajt, Agim Aliu që bëri të shtyhet për një datë tjetër shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës “Menaxhimi i projektit Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

Deputetët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga mazhoranca e kundërshtuan vazhdimin e kësaj mbledhje pa praninë e kryetarit Aliu, derisa deputetë e PDK-së u shprehen se kjo mbledhje mund të vazhdoj meqenëse në mbledhje po merrte pjesë edhe nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami tha se dje është njoftuar se kryetari i Ferizajt, Agim Aliu nuk do të jetë prezent sot në Komision.

“Dje jam kontaktuar nga stafi i Komisionit edhe më është kërkuar të jap përgjigje se kryetari nuk po mund të vijë dhe çka të bëjmë me agjendën dhe duke e ditur pak e shumë qëndrimin e shumicës në Komision”, tha ajo.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti kërkoi që kjo mbledhje të mos mbahet pa prezencën e kryetarit Aliu, Hoti tha se fakti që kryetari i Ferizajt nuk është prezent sot mund të duket si ikje nga përgjegjësia pasi raporti i auditimit për projektin në fjalë ka gjetur shumë parregullsi.

“Kryetarit të komunës nuk i ka konvenuar një datë që e kemi propozuar, pastaj i kemi dhënë kohë dy javë dhe e kemi caktuar për sot. Më pas dje jemi informuar se nuk mund të vijë dhe ka ardhur nënkryetari në vend të tij. Dhe nuk mendoj se duke e ditur rëndësinë për gjetjet e shumta të Auditorit në këtë raport nuk mendoj se që është e duhur ta shqyrtojmë vetëm me prezencën e nënkryetarit dhe ministrit dhe në fakt që të dy nuk keni qenë përgjegjës në kohën kur ka filluar dhe implementuar ky projekt…04’10 Mendoj se personi më përgjegjës është kryetari dhe fakti që nuk është sot këtu mund të duket si ikje nga përgjegjësia duke e ditur se ka shumë parregullsi në këtë raport”, tha ajo.

Nënkryetari i komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu u shpreh se për shkak të një udhëtimi zyrtar kryetari Aliu nuk ka mundur të jetë prezent në këtë mbledhje.

“Mund t’u duket e paarsyeshme, por ai ka pasur një udhëtim zyrtar në kuadër të Asociacionit të Komunave dhe kërkon falje në këtë drejtim. Mund të duket jo korrekte që kam ardhur dhe nuk kam ardhur me dëshirë, por edhe ligji ma mundëson”, tha Aliu.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa propozoi që diskutimi të vazhdojë edhe pa prezencën e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu.

“Duke pasur parasysh kompetencat që keni pasur edhe mandatin e kaluar si drejtor i Urbanizmit mendoj se njerëzit më adekuat që edhe kryetari të ishte prezent nuk do të kishim për të na dhënë përgjigje… ndoshta ta bëjmë një përjashtim si komision dhe ta bëjmë dëgjimin dhe shqyrtimin të raportit dhe ta mbyllim si temë”, tha ai.

Por, përsëri erdhi kërkesa nga deputeti i LVV-së, Halil Thaçi që kjo mbledhje të mos vazhdojë pa qenë i pranishëm kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“Me keqardhje edhe për të gjithë juve që jeni ardhur sot këtu mirëpo ne i dimë përgjegjësitë e kryetarit dhe nënkryetarit të Komunës dhe drejtorit të Urbanizmit dhe kompetent për çdo investim kapital është kryetari, unë mendoj se nuk duhet të vazhdojë kjo mbledhje sepse po e presim kryetari qysh e kemi pritur se gati një muaj”, tha ai.

Ishte më pas nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu i cili tha se raporti auditorit për projektin e Bashkimit të Qytetit ka shkrime të pavërteta.

“Jemi të gatshëm të përgjigjemi për çfarëdo hapi, procedure, apo gabimi, mos gabimi, shkrimi i qëllimshëm apo paqëllimshëm në raportin e Auditorit… Nuk besova që kemi ardhur me fol politikë nuk dua ta politizoj, por gatishmëria jonë për të treguar se në gjetjet e auditorit ka shkrime të pavërteta, ka rekomandime të paligjshme… ne mund të shihemi në prokurori sepse gjetjet që i kanë sigurisht që prokurori ka me i marr”, tha ai.

Në fund, Komisioni u dakordua që mbledhja të mos vazhdojë, meqë kjo është praktikë e komisionit. Kjo pikë do të shqyrtohet në një mbledhje tjetër.

Tutje, Komisioni shqyrtoi dhe mbështeti disa rekomandime të Komisionit për disa raporte të auditimit të cilat janë shqyrtuar në mbledhjet e kaluara.

Lajmet

United Hospital me Pakon Mikrobiologjike për Fëmijë: Niseni vitin shkollor me më shumë kujdes dhe siguri për shëndetin Avatar photo RajoniPress

Published

on

Prishtinë – Fillimi i vitit të ri shkollor sjell emocione, energji dhe ritëm të ri për fëmijët, por njëkohësisht shton edhe ekspozimin ndaj virozave dhe infeksioneve, për shkak të qëndrimit në ambiente të përbashkëta dhe kontaktit të vazhdueshëm me bashkëmoshatarët.

Për t’u ardhur në ndihmë prindërve dhe për të kontribuar në një fillim sa më të shëndetshëm të vitit shkollor, United Hospital ka prezantuar një ofertë të veçantë: Pakon Mikrobiologjike për Fëmijë, e dedikuar për kontrolle bazë dhe vlerësimin e disa infeksioneve të zakonshme te fëmijët.

Pakoja përfshin tri analiza:

Strisho të fytit
Strisho të hundës
Analizë të fecesit për parazitë – një herë
E gjithë pakoja ofrohet me çmim promocional prej vetëm 11 euro, duke u mundësuar prindërve një mënyrë praktike dhe të përballueshme për t’i kushtuar vëmendje shëndetit të fëmijëve në prag të sezonit shkollor.

Në një periudhë kur virozat dhe infeksionet mund të përhapen më lehtë në mjediset kolektive, kujdesi i hershëm dhe konsultimi me profesionistët shëndetësorë mbeten pjesë e rëndësishme e përgjegjësisë prindërore.

Me këtë ofertë, United Hospital synon të jetë pranë familjeve në një nga periudhat më të rëndësishme të vitit për fëmijët, duke e vendosur shëndetin dhe mirëqenien e tyre në qendër të vëmendjes.

📞 Rezervoni terminin në: 046 60 70 70
📍 United Hospital, M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

United Hospital – sepse një vit shkollor i mbarë nis me kujdesin për shëndetin./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Rutte: KFOR-i është aty, pavarësisht ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.

Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, tha se se ka zhvilluar takim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku është prezantuar një plan dhe angazhimet e Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, tha Policia.

Sipas këtij institucioni, varësisht nga aktivitet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, “andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të qetë.

Shpallja e aktgjykimit në Hagë do të bëhet vetëm katër ditë pasi në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe paanshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se katër ish-eprorët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza ndaj tyre përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet nga detyra zyrtari policor në Aeroportin e Prishtinës: Paratë e gjetura i hodhi në kutinë e bamirësisë

Published

on

By

Më 14 shtator, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar informacionin për një rast të ndodhur në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Rasti lidhet me humbjen e një shume prej 105 eurosh, e raportuar nga një punonjës i aeroportit më 9 shtator.

Gjatë këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit konstatuan se paratë i kishte gjetur një udhëtare (shtetase e Kosovës me banim në Gjermani), e cila ia kishte dorëzuar menjëherë zyrtarit policor në detyrë.

Pas veprimeve hetimore të IPK-së, zyrtari policor pranoi marrjen e parave, por pranoi se nuk i kishte trajtuar ato sipas procedurave ligjore e institucionale. Në vend të dorëzimit zyrtar, paratë ishin vendosur nga zyrtari në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse brenda hapësirave të aeroportit.

Për të garancuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimin për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BQK përfshihet në mekanizmin EUREP të BQE-së për likuiditet në euro

Published

on

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka konfirmuar përfshirjen e saj në mekanizmin e Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore, EUREP, të themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Sipas BQK-së, kjo përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kornizës për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro.

Aktualisht, BQK-ja ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në EUREP, sipas bankës qendrore, paraqet kalimin drejt një kornize më të qëndrueshme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros.

Në kuadër të EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro. Kapaciteti maksimal i një linje individuale mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka cilësuar përfshirjen në EUREP si një avancim të rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Kosovës.

“Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar”, ka deklaruar Ismaili.

Sipas tij, ky mekanizëm përbën një shtresë shtesë mbrojtjeje krahas pozitës së fortë të kapitalit dhe likuiditetit të sektorit bankar në Kosovë, si dhe rezervave dhe mekanizmave ekzistues të stabilitetit.

Ismaili ka theksuar se përfshirja në EUREP është edhe një sinjal për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare se sistemi financiar i Kosovës është stabil, likuid dhe i mirëkapitalizuar.

BQK-ja ka vlerësuar gjithashtu se ky zhvillim pasqyron forcimin e bashkëpunimit institucional me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara