Aktualitet

​Mehaj takohet me Escobarin, flasin për të arriturat dhe vizionin e FSK-së

Mehaj njoftoi Escobarin për vizionin dhe qëllimet e tij strategjike dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Published

on

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe u takua me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherazi të dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Mehaj njoftoi Escobarin për vizionin dhe qëllimet e tij strategjike dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, për çka mori edhe mbështetjen e tij. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar për medie nga kjo ministri.

Në këtë takim thuhet se Mehaj e Escobar u pajtuan se të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vizioni për të ardhmen janë në funksion të plotë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe më gjerë.

“Po ashtu, në këtë takim është ri-konfirmuar që partneriteti në mes të Kosovës dhe SHBA-së është çdoherë e më i fortë sepse bazohet në vlerat e përbashkëta të dy vendeve dhe u theksua nevoja për gjetjen e formave tjera për ta thelluar akoma më shumë bashkëpunimin në mes të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Meahj e Escobar kanë diskutuar edhe për sfidat aktuale dhe ato të ardhshme në mjedisin e sigurisë dhe format efektive të menaxhimit të tyre.

“Ministri Mehaj dhe z. Escobar diskutuan edhe sfidat aktuale dhe ato të ardhshme potenciale të mjedisit të sigurisë, si dhe format më efektive të menaxhimit të tyre me konstatimin e përbashkët se shumë e rëndësishme është siguria bashkëpunuese nga të gjithë. Në fund të këtij takimi, z. Escobar e falënderoi ministrin Mehaj dhe e përgëzoi Kosovën për mbështetjen e ofruar misionit të NATO-së në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani si dhe e theksoi që FSK-ja ka shënuar arritje domethënëse me bashkë-zbarkim me ushtrinë e SHBA-së. Gjatë ekspozitës “AUSA 2021”, ministri Mehaj ka takuar udhëheqësit e disa kompanive amerikane shumë të fuqishme të industrisë së mbrojtjes. Nga ta u njoftua me sistemet më të avancuara dhe tejet kompatibile me doktrinën tonë ushtarake si dhe shumë efektive për përmbushjen e suksesshme të detyrave tona operacionale dhe taktike”, vazhdon komunikata.

Tutje thuhet se “Ekspozita ushtarake vjetore “AUSA 2021” sikur nga nikoqiri, njëherazi Presidenti i Shoqatës së Ushtrisë Amerikane, gjeneral Robert Broën, gjithashtu edhe nga Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneral James C. McConvile, u vlerësua shumë e suksesshme. Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë për Presidentin e AUSA, gjeneral Broën për ftesën, mikpritjen dhe këtë mundësi të veçantë. Më tej, në vazhdën e takimeve të shumta në SHBA, ministri Mehaj takoi Presidentin e Shoqatës së Biznesit SHBA- Evropë Qendrore (The American-Central European Business Association – ACEBA), z. Eric Steëart dhe delegacionin e tij. Nga z. Steëart ai u njoftua më hollësisht me angazhimet dhe qëllimet strategjike të Shoqatës dhe diskutimin e ndërlidhjes së tyre me objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes rreth programeve, politikave dhe strategjive të sigurisë dhe mbrojtjes”.

Shoqata e Biznesit SHBA-Evropë Qendrore (ACEBA) është themeluar më 2015 dhe është organizatë jofitimprurëse me fokus për dialog midis drejtuesve të korporatave amerikane dhe udhëheqësve politikë nga Evropa Qendrore.

Lajmet

Vdes në QKUK gruaja e plagosur muajin e kaluar në Klinë, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një grua ka ndërruar jetë të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e plagëve të marra gjatë një incidenti të ndodhur muajin e kaluar në Klinë, rast ky i cilësuar nga organet e rendit si “Vrasje e rëndë”.

Ngjarja fillestare kishte ndodhur më 6 shtator rreth orës 18:30. Pavarësisht trajtimit intenziv mjekësor që nga ajo ditë, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë më 5 tetor.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Skënderaj i kërkuari për krime lufte ndaj popullatës civile

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës maj-qershor të vitit 1998 në rajonin e Skënderajt.

Arrestimi i të dyshuarit  erdhi pas një pune të jashtëzakonshme hetimore nga njësitë përkatëse policore.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje për procedo të mëtejshme ligjore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një grua në Podujevë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një gruaje, trupi i së cilës është gjetur pa shenja jete pasditën e së dielës në Podujevë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 18:30. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë përkatëse policore për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të vdekjes. Rasti po trajtohet nga organet e rendit si “Hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

6 tetor 1993

Në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë vdes çdo e pesta foshnje

Në një shënim të gazetës së sotme “Bujku”, jipen shifra shqetësuese lidhur me shkallën e vdekshmërisë së foshnjave, tre vjet pas pushtimit të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Prishtinë.

Në këtë shënim thuhet: “Prej janarit të këtij viti, deri një javë para fundit të shtatorit, në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë u lindën 4.959 foshnja. Ndërsa, vetëm gjatë nëntë muajve të sivjetëm vdiqën 879 foshnja, apo vdes çdo e pesta foshnje. Është kjo shifra më e lartë e foshnjave të vdekura në pesë vitet e fundit, edhe më e lartë se në vitin 1989, ku prej rreth 12.000 foshnjeve të lindura gjatë tërë vitit, vdiqën 857 sosh, ose çdo e 13-ta foshnje”.

 

6 tetor 1994

Pesë veprimtarë u dërguan në burg

Në vuajtjen e dënimit prej 30 ditësh burg dje u dërguan pesë veprimtarë shqiptarë të Ferizajt: Xhabir Morina, nënkryetar i Kryesisë së Degës së LDK-së, Sylejman Bytyçi, kryetar i FISH-it, Hyrë Emini, kryetare e Kryesisë së FR, Elmi Reçica, anëtar i Kryesisë së Degës së KMDLNJ-së.

Këta veprimtarë gjykata serbe për kundërvajtje i dënoi për shkak të organizimit të manifestimit “Flaka e Janarit”, të mbajtur më 30 janar të këtij viti me pretekst se ky tubim, që u mbajt në një shtëpi private, është organizuar pa lajmërimin e programit tek organet gjegjëse të pushtetit serb.

Siç dihet, me të përfunduar të këtij manifestimi kulturor-paqësor pat intervenuar policia e cila në qendrën e këtushme të sigurimit arrestoi dhe keqtrajtoi rreth dyzet pjesëmarrës, ndërsa tash pesë nga ta i dërgoi edh enë burg, njofton “Bujku” i sotëm.

 

6 tetor 1995

 “Zëri i Amerikës”: Kolonët serbë në Kosovë tensionuan edhe më tepër gjendjen

Në një vështrim rreth problemeve të sistemimit të refugjatëve serbë nga Kroacia në Kosovë, korrespondenti i “Zërit të Amerikës” nga Beogradi njoftonte, mes tjerash se zyrtarët e OKB-së vlerësojnë se përmirësimi i gjendjes në Vojvodinë ndryshon në mënyrë të dukshme me shkallëzimin e tensionit në Kosovë.

Në raport thuhet:

“Deri tash reth 10 mijë refugjatë serbë nga Kraina janë dërguar në Kosovë. Sipas autoriteteve serbe kjo shifër mund të rritet së tepërmi, ndërkohë që Beogradi po vazhdon programin e tij për vendosjen e tyre të përhershme. Zyrtarët e Kombeve të Bashkura, diplomatët perëndimorë dhe analistët politikë serbë thonë se nuk ka dyshim se ardhja e refugjatëve serbë në Kosovë e ka tensionuar gjendjen në këtë rajon, i cili edhe më parë ka qenë mjaft i acaruar.

Ata thanë se qeveria e Jugosllavisë së vetëshpalllur nuk ka bërë asgjë për ta qetësuar gjendjen aty. Beogradi ia hoqi Kosovës statusin e autonomisë para 6 vjetësh. Atje vërehet një numër mjaft i madh policësh dhe trupash ushtarake që mbahen për të kontrolluar popullsinë shqiptare, udhëheqësit e të cilës kundërshtojnë rreptësisht sundimin e Beogradit. Sipas udhëheqësve vendorë, 11 shqiptarë janë vrarë vetëm gjatë këtij viti nga forcat policore dhe ushtria jugosllave.

Muajin e kaluar u dënuan shumë shqiptarë me afate të gjata burgimi, nën akuzë se i përkisnin lëvizjes separatiste. Udhëheqja e shqiptarëve të Kosovës po kundërshton vendosjen e refugjatëve serb në Kosovë duke i vlerësuar ata si kolonë, të cilët qeveria e Beogradit i dërgon në Kosovë me qëllim që ta ndryshojë strukturën e përbërjes etnike të këtij vendi. Për autoritetev jugosllave pohimet e këtilla janë të pabaza. Sipas tyre edhe të gjithë refugjatët serbë nga Kraina sikur të vendoseshin në Kosovë, atje shqiptaret përsëri do të kishin shumicën dërmuese, thuhet në vazhdim të këtij vështrimi.

Zyrtari i Kombeve të Bashkuara, kundërshtoi përpjekjet e Beogradit për t’i sistemuar refugjatët si një gjë të papërshtatshme. Në të njejtën kohë, ata u kanë kërkuar autoriteteve të Beogradit që të kenë parasysh gjendjen etnike të shqiptarëve të Kosovës. Lidhur me këtë Ika Todoroviq, komesar i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë: “Një pjesë e shqiptarëve janë radikalizuar, por edhe një pjesë e refugjatëve dhe e serbëve vendës mund të jenë të ekstremizuar. Kuptohet se çfarë gjendjeje shpërthyese mund të krijohet po qe se këto dy grupe sulmojnë njeri tjetrin. Mendoj se kjo është gjendje shqetësuese”, tha Todoroviq.

Serbia thekson se në Kosovë refugjatëve serbë mund t’u sigurojë më shumë tokë e punë sesa në pjesët tjera të vendit. Megjithatë, si duket, askush prej këtyre refugjatëve nuk është i kënaqur me ofertat e qeverisë jugosllave. Sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkura shumë prej refugjatëve kanë kundërshtuar që të shkojnë në Kosovë, bile shumë prej tyre u hodhën nga trenat kur mësuan se po i dërgonin në Kosovë. Shumë prej tyre edhe janë të tronditur nga ikja prej Krainës, thotë një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, gjë që ata nuk pranojnë më që të shkojnë në një rajon tjetër mjaft të tensionuar siç është Kosova. Andaj, me arsye, ata edhe kundërshtojnë një gjë të tillë dhe janë të shqetësuar për fatin e vet”, thuhet në fund të këtij vështrimi.

 

6 tetor 1997

Dhunë e shtuar në Kosovë

Listës së studentëve dhe qytetarëve shqiptarë të keqtrajtuar, të cilët morën pjesë në protestat paqësore të studentëve më 1 tetor në Prishtinë, po i shtohen emra të rinj.

Nga Malisheva njoftohet se janë keqtrajtuar edhe studentët e Fakultetit të Bujqësisë, Mehdi Krasniqi nga Drenoci, Osman Hoxha nga Shkoza dhe Mitat Salihu nga Radivojci i Vitisë.

Po këtë ditë në Prishtinë është keqtrajtuar edhe studenti i Fakultetit të Veterinarisë, Arsim Paçarizi nga Dragobili, si dhe Mujë e Gëzim Sahitaj, studentë të Fakultetit Juridik dhe Bali Rudaj, student i Fakultetit Filozofik nga Panorci.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, njofton se më 1 tetor, policia serbe ka keqtrajtuar edhe Shyqri Mustafën e Xhelil Haxhiun nga Smrekonica e Vushtrrisë dhe Bejtush Hazirin. Po këtë ditë policia serbe ka ketqrajtur fizikisht edhe Latif Jasharin dhe Nexhmedin Mustafën, anëtarë të Kryesisë së Partisë Republikane Shqiptare me seli në Mitrovicë.

KI i Degës së LDK-së në Vushtrri bën të ditur se më 1 tetor, policia serbe ka keqtrajtuar edhe Naim Shabanin, student i SHLP-së në Prishtinë. Ai nga pesë policë serbë është keqtrajtuar rreth 45 minuta në stacionin e policisë në Prishtinë ku edhe i janë plaçkitur të gjitha paratë që i kishte me vete.

 

Gjakovë: Për herë të pestë u mor në pyetje plaku 72- vjeçar

Sot, për herë të pestë në stacionin e policisë serbe në Gjakovë u mor në të ashtuquajturën bisedë informative Mon Avdia (72), anëtar i Kryesisë së Nëndegës V të LDK-së në Gjakovë, njofton KI i kësaj Dege.

Ai u mor në pyetje me pretekst të dorëzimit të armëve dhe për shkak të shëtitjes së tij në korzon e Gjakovës.

Mon Avdia u urdhërua që sërish të paraqitet nesër në polici.

Ndërkaq, më 3 tetor, vetëm pse janë banorë të Jabllanicës, në afërsi të postkomandës së policisë serbe në Çallapek, policia serbe i keqtrajtoi fizikisht Shaqir, Bardhec, Avni e Ramadan Hajdarin.

 

6 tetor 1998

U gjetën edhe pesë shqiptarë të vrarë në fshatin Plloçicë të Malishevës

Në malet e fshatit Plloçicë të Malishevës u gjetën trupat e masakruar të Ahmet Xhemë Malokut, Hazir Osman Malokut dhe Kajtaz Sylë Malokut, ndërsa në një stoç kashte u gjet trupi i Rizah Malokut. Në malet e Plloçicës është gjetur edhe gjysma e trupit të një të vrari, identiteti i të cilit nuk dihet.

Të pesë shqiptarët janë vrarë gjatë ofensivës së fundit e forcave serbe në fshatrat e Çiçavicës. Thuhet se ka edhe shumë të vrarë në malet e Plloçicës që gjendet afër Obrisë.

 

Ferizaj: Ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë banorëve shqiptarë të Jezercit

Tash tetë ditë, që kur forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë sulmuar fshatin Jezerc, në tri ditët e fundit nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë civilëve shqiptarë të këtij fshati, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Njoftohet se rreth 300 banorë të Jezercit, të cilët pas gjashtë ditë udhëtimi kanë arritur që të depërtojnë nga unaza e hekurt e forcave ushtarake e policicore serbe, kanë dëshmuar se në këtë fshat forcat serbe kanë masakruar një plak dhe shqetëson numri i banorëve të këtushëm që kanë mbetur pa ushqime e barna, pastaj i të sëmurëve e shtatzënave.

Kryesia e Degës së LDK-së në Ferizaj edhe një herë apelon te organizatat e huaja humanitare ndërkombëtare, që të bëjnë ç’është e mundur që të shpëtojnë popullatën e këtushme, pasi gjatë tri ditëve të fundit, kjo Kryesi nuk ka asnjë informatë për fatin e civilëve që kanë mbetur të rrethuar nga forcat serbe.

 

Bill Klinton: NATO-ja është e gatshme të veprojë

Presidenti amerikan Bill Klinton shfrytëzoi sot takimin e përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) për t’ia tërhequr vërejtjen udhëheqësit serb Millosheviq rreth gjendjes në Kosovë dhe kërkesave ndërkombëtare që ai duhet të përmbushë.

Në fillim të një fjalimi për gjendjen ekonomike në botë, pjesëmarrësve të takimit FMN-BB Klintoni u tha se kishte biseduar sot më herët për Kosovën me kryeministrin e Britanisë, Toni Bler.

Më poshtë po e japim të plotë pjesën e fjalës së Klintonit që lidhej me Kosovën, transmetuar drejtpërdrejt nga rrjeti global televiziv CNN në orët e pasditës sot (e martë):

“Të gjithë pajtohemi se Kosova ështe fuçi baruti në Ballkan. Nëse dhuna vazhdon, do të mund të zgjerohej dhe të kërcënojë paqen dhe stabilitetin, në Bosnjë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në shtetet e tjera në rajon.

Ajo që tashti është krizë humanitare mund të shndërrohet në katastrofë. Rreth 250.000 njerëz janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e veta. Prej tyre, përafërsisht 50.000 njerëz janë në në të vërtetë pa kulm mbi krye. Tani që dimri po afrohet, ata janë të rrezikuar të vdesin nga acari dhe uria.

Presidenti Millosheviq është përgjegjësi kryesor për këtë krizë. OKB-ja i ka bërë të qartë hapat që ai duhet t’i ndërmarrë për ta ndërprerë këtë krizë: të shpallë menjëherë armëpushimin, të tërheqë forcat serbe, t’u mundësojë organizatave humanitare depërtim të plotë dhe të menjëhershëm në Kosovë, të fillojë negociatat e mirëfillta me shqiptarët e Kosovës për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të përhershme për kërkesën e tyre të drejtë për autonomi.

Derisa ne jemi mbledhur këtu, emisari im special Dik Hollbruk po takohet me Millosheviqin për t’i përsëritur çfarë duhet të bëjë ai dhe t’ia bëjë të qartë se NATO është e gatshtme të veprojë në qoftë se Presidenti Milosheviq nuk i respekton rezolutat a OKB-së. Puna është shumë serioze. Është koha që dhuna të ndalet menjëherë në Kosovë. Shpresoj se ju të gjithë do të bëni çmos për këtë qëllim,” tha Bill Klinton, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të takimit të përbashkët të FMN-së dhe BB-së në fillim të fjalimit të vet.

 

Foto: Bill Klinton

Continue Reading

Të kërkuara