Lajmet

​Mbi 1 mijë e 300 raste të reja me kancer në vitin 2020

Published

on

Në vitin 2020 në Kosovë janë regjistruar 1 mijë e 336 raste të reja të kancerit, dhe krahasuar me vitin 2019 janë identifikuar 15 për qind më pak raste. Kështu u bë e ditur gjatë një aktiviteti të organizuar sot nga Klinika e Onkologjisë dhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Kancerit.

Doktoresha pranë Klinikës së Onkologjisë, Vildane Goga tha se pandemia dhe aparatura e vjetër ishin disa nga vështirësitë me të cilat janë ballafaquar vitin e kaluar. Ajo tha se në repartin e radioterapisë janë ofruar mbi 18 mijë e 400 shërbime dhe në kimioterapi 200 mijë e 12 shërbime.

Rastet më të shpeshta sipas saj në Klinikën e Onkologjisë janë ato të gjirit. Onkologia Goga tha se në vitin 2020 ka për 2 për qind një rënie të lehtë për ofrimin e shërbimeve të kimioterapisë, ndërsa 30 për qind më pak shërbime janë ofruar në radioterapi.

“Një mesatare e vizitave ditore në Klinikën e Onkologjisë është deri në 230 pacientë brenda ditës në të dyja repartet, kimioterapi dhe radioterapi. Rastet e reja të shënuara në vitin 2020 ishin 1 mijë e 336. Këto janë raste të nxjerra nga Klinika e Onkologjisë duke mos përfshirë rastet të cilat i ka në dispozicion IKSHPK, ku hyjnë rastet që trajtohen jashtë vendit dhe ato në klinika private. Patologjia e parë është ajo e gjirit. Kemi 332 raste të shënuara me kancer të gjirit apo 25 për qind të rasteve në totale, trakti urogjenital me 24 për qind të rasteve, trakti gastroid-urogjenital bashkë me gjinekologjitë apo organet reproduktive të femrave, mandej patologjia e traktit gastro-interstinal me 23 për qind të rasteve apo 313 numër të pacientëve”, tha Goga.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga në Ditën Botërore të Kancerit tha se kjo ditë ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun dhe pasojat e kësaj sëmundjeje. Ajo tha se zbulimi i hershëm i kancerit shpëton jetë.

“Jo vetëm ne, por e gjithë bota këtë ditë e shënon si një ditë ndërkombëtare të luftës kundër kancerit dhe ne duhet ta shfrytëzojmë për ngritjen e vetëdijes qytetare për rrezikun dhe pasojat e kësaj sëmundjeje fatkeqe, për më tepër për të rritur vetëdijen për shkaktarët dhe trajtimin dhe simptomat e saj. Duke e ditur që ka lloje të shumta dhe të ndryshme të kancerit, ne e dimë se nëse kjo sëmundje zbulohet herët, ajo mund të luftohet dhe të mposhtet. Zbulimi i hershëm mund të bëhet me kontrolle të vazhdueshme dhe në baza sistematike. Ne e dimë se Kosova ende nuk i ka kushtet e mira, ende nuk e ka infrastrukturën e duhur dhe atë që na nevojitet në mënyrë që ju si staf mjekësor të mund të ushtroni detyrën ashtu si nevojitet dhe duhet”, tha Jahjaga.

Kritika karshi politikave shëndetësore ishte drejtoreshë e organizatës jo qeveritare “Jeta Vita”, Nafie Latifi e cila tha se në Klinikën e Onkologjisë janë të kufizuara kushtet për pacientët, madje shpesh mungojnë edhe barnat, teksa ajo e ka quajtur si shumë të ulët buxhetin që qeveria ndan për shëndetësi.

“Kushtet janë shumë të kufizuara, ku mungojnë shpesh barnat ku duhet të pritet për një shtrat, për një vend për shkak se mbi 200 pacientë trajtohen brenda ditës e mundësitë janë të kufizuara, sepse instituti është ndërtuar para shumë vitesh dhe nuk është paraparë ky numër i pacientëve. Çdo ditë vërej këtu përmirësime, por nuk mjafton. Fajtor për këtë nuk është as stafi as mjekët, por është politika shëndetësore. Për 20 vjet në Kosovë, politikat shëndetësore dhe buxheti që i kushtohet onkologjisë pacientëve është i tmerrshëm. Së pari, përzgjedhja e ministrave bëhet sipas llogarive partiake, e dyta buxheti duhet të rritet çdo vit, por ai çdo vit bie më tepër. Kur nevojitet më shumë aparatura e më shumë staf që merren me pacientët, këtu ndodh e kundërta. Do të thotë, janë më të gatshëm të japin (para) për asfalt sesa për shëndetin e njerëzve, arsimimin dhe edukimin e njerëzve”, tha Latifi.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi tha se pandemia me COVID-19 ka vështirësuar menaxhimin e pacientëve me kancer.

“Derisa shifrat flasin se rreth 1 milion njerëz në vit vdesin nga kjo sëmundje, duke qenë kështu sëmundja e dytë më vdekjeprurëse, por një e treta e kancerit mund të parandalohet përmes detektimit të hershëm, shmangies së faktorëve të rrezikut dhe përmes shkaktarëve eventualë, atëherë gjithmonë kemi një arsye më shumë për të vepruar. Situata me pandeminë ka vështirësuar menaxhimin e të sëmurëve me kancer në vendin tonë“, tha Bislimi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), miliona njerëz çdo vit vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Lajmet

Kurti paralajmëron takim me Hamzën gjatë ditës së sotme

Published

on

By

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se sot pritet të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Kurti sqaroi se në këtë takim do të rihapen diskutimet për hapat e mëtejshëm lidhur me projektligjin për Specialen, si dhe çështja e zgjedhjes së Presidentit.

Sipas kryeministrit, për të zbatuar një strategji të mirëfilltë shtetërore e kombëtare në lidhje me proceset në Hagë, vendit i nevojiten institucione funksionale, duke nënvizuar se “adresa e fitores është Apeli”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara