Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar sot me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, në kuadër të konsultimeve të saj me liderët politikë për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Pas takimit, Krasniqi theksoi gatishmërinë e PDK-së për të luajtur një rol konstruktiv në zgjidhjen e situatës, sidomos tani kur, sipas tij, ka më shumë qartësi pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Në këtë takim rikofirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e PDK-së për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike, sidomos tashmë që kemi edhe qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka bërë të qarta rolet e secilit,” u shpreh Krasniqi.
Ai theksoi përgjegjësinë që i takon koalicionit fitues të zgjedhjeve për të gjetur kompromis për zhbllokimin e Kuvendit.
“Në radhë të parë, të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, të cilin e ka detyruar, përveç tjerash, edhe për gjetjen e konsensusit apo kompromisit,” tha ai.
Krasniqi u shpreh se mbetet të shihet nëse takimet e tjera të paralajmëruara nga presidentja do të sjellin një ndryshim të qëndrimit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj.
“Unë shpresoj që edhe këto konsultime të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera që i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë nëse ka apo nuk ka një ndryshim të qëndrimit politik të VV-së dhe Kurtit, të cilët po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit,” deklaroi ai.
Krasniqi theksoi se aktgjykimi e ka bërë të paligjshme ndryshimin e rendit të ditës dhe mënyrës së votimit gjatë procesit të konstituimit.
“Aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit, sepse ka bërë të palejueshëm edhe ndryshimin e rendit të ditës. Rendi i ditës është ai që taksativisht është i shkruar edhe në Rregulloren e Kuvendit,” tha ai.
Kryetari i PDK-së përmbylli deklaratën e tij me një ftesë për t’u kthyer në respektimin e rendit të ditës dhe për të propozuar një kandidat që mund të marrë shumicën e nevojshme për konstituimin e Kuvendit.
“Ftesa jonë vazhdon të jetë e njëjta – që të kthehemi te pika e rendit të ditës që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, të votohet në mënyrë të hapur dhe të sillet një propozim i një kandidati apo kandidateje që mund ta marrë shumicën e nevojshme për ta konstituar Kuvendin,” përfundoi Krasniqi.
Krasniqi, ka paralajmëruar se subjekti që ai drejton është i gatshëm të dërgojë një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, nëse, sipas tij, vazhdojnë shkeljet që janë bërë në seancat e kaluara të Kuvendit të Kosovës.
“Unë besoj që këtë diskutim e kemi pasur herën e kaluar, por i takon presidentes të marrë një vendim të tillë. Unë nuk mund të them se a do ta dërgoj , unë mund t’ju them që PDK-ja tashmë e ka lëndën gati për shkelje kushtetuese që janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme në dy seancat e kaluara, e që mund të ndodhin përsëri nesër nëse nuk ndryshon qasja e Kryesuesit të seancës dhe e VV-së,” tha Krasniqi.