Lajmet

​Kush humbi e kush fitoi në pandemi, parashihet vit i vështirë ekonomik edhe në vitin 2021

Published

on

Përveç shëndetit publik, pandemia Covid-19 në vitin që lamë pas goditi edhe ekonominë e vendit, në masë të madhe disa veprimtari të bizneseve dhe punëtorët e sektorit privat.

Masat kufizuese ndaj bizneseve, ndikuan që të bie qarkullimi vjetor mbi 1.2 miliard euro, dhe u shuan mijëra veprimtari të bizneseve. Kësisoj si pasojë e pandemisë humbën punën mbi 60 mijë punëtorë sipas Agjencisë së Statistikave.

E në anën tjetër mbështetja e shtetit ishte e vonuar, e paktë dhe e ndarë në mënyrë të barabartë. Kjo formë e mbështetjes është kritikuar nga njohës të ekonomisë, të cilët parashikojnë një rënie të rritjes ekonomike deri 8 për qind, si dhe vit të vështirë për ekonominë edhe më 2021.

Hulumtuesi në Institutin GAP, Blend Hyseni thotë për KosovaPress se qeveria e ardhshme duhet të hartojë një strategji ekonomike për të dalë nga kjo krizë ekonomiko-sociale. Hyseni ka treguar për veprimtaritë e bizneseve të cilat pësuan humbje të mëdha financiare në pandemi dhe ato që nuk kanë ndier krizën dhe shënuan rritje të të hyrave.

“Kemi disa biznese që janë përballur me kufizime të orarit ose hapësirës së operimit që kanë pasur rënie në të hyra, por prapë kanë mundur me operua me një pjesë të kësaj kohe gjatë pandemisë, si dhe kemi një pjesë tjetër të bizneseve që kanë vazhduar punën pothuajse në rrjedhja normale. Prandaj, këto masa ose këto kufizime të ndryshme ndaj bizneseve kanë bërë që edhe kjo krizë mos me qenë e njëjtë me të gjitha bizneset. Kjo shihet edhe në deklarimin e qarkullimit në Administratën Tatimore të Kosovës. Industria e artit, arkëtimit dhe rekreacionit që është prekur më së shumti nga masat kufizuese ka rënie të qarkullimit deri në 80 për qind. Pastaj vijnë këto aktivitetet e patundshmërisë, transporti, magazinimi, akomodimi, restorantet të cilat kanë pasur rënie 43-44 për qind. Pastaj janë kategoritë tjera që kanë pasur më pak masa kufizuese ndaj tyre e deri te ato që nuk kanë pasur kufizime fare siç janë barnatoret ose furnizimi me energji elektrike me ujë e këto të cilat kanë pasur rritje të të hyrave gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër ndihmesa e qeverisë po ashtu nuk ka marrë për bazë këto humbje të bizneseve dhe ka qenë e barabartë për të gjithë. Një ndër ndihmesat e fundit që është dhënë nga Qeveria është kjo pjesa e 60 milionë euro që është dhënë në bazë të numrit të punëtorëve dhe jo në bazë të dëmit ekonomik”, thekson ai.

Një gjë pozitive e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, sipas Hysenit që edhe ka marrë mbështetjen nga të gjitha partitë politike, është ajo e rritjes së garancionit për fondin për garanci kreditore, i cili i mundëson për vitin e ardhshëm me shpresë të rriten investimet. Megjithatë, ai po parash një vit të vështirë të përballueshëm më 2021.

“Viti 2021 do të jetë i vështirë i përballueshëm për bizneset, për shkak që është një borxh i akumuluar gjatë gjithë vitit që padyshim se do të reflektohet në vitin e ardhshëm. Sa do të jetë e vështirë do të varet kur fillohet vaksinimi i qytetarëve”, thotë Hyseni.

Profesori universitar, Muhamet Sadiku ka thënë për KosovaPress se pandemia ka bërë goditje të madhe edhe në sferën ekonomike për të gjitha shtetet në botë dhe në veçanti ndikim negativ ka pasur në shtetet e vogla siç është Kosova dhe vendet në zhvillim.

Prandaj ka kërkuar nga qeveria strategji dhe ofertë ekonomike për ta ringjallë ekonominë dhe punësimin, pasi siç thotë vendin e punës e kanë humbur rreth 80 mijë punëtorë. Krahas saj profesori Sadiku ka thënë se nevojitet edhe inkorporimi i fondeve ndërkombëtare.

“Nevojat më të mëdha janë për të gjeneruar ofertën në treg, për të bërë ringjalljen e bizneseve, për të ringjallur punësimin, për të ringjallur këmbimin tregtar, për të përmirësuar jetën sociale të popullatës. Unë kam parasysh se qeveria ka bërë përpjekje me mjetet që i ka, të bëjë një infuzion social në Kosovë. Të bëjë një infuzion për bizneset e veta, por jashtë loje për fat të keq në këtë strategji po e quaj të rimëkëmbjes ka mbetur inkorporimi i fondeve të jashtme të cilat do të jenë të konsiderueshme në ringjalljen ekonomike të shteteve në përgjithësi, por sidomos të shteteve të Ballkanit perëndimor. Prandaj, është e nevojshme që krahas kësaj përpjekje nacionale për të reaguar, për të zbutur pasojat në nivelin e bruto produktit dhe në nivelin e punësimit. Kosova duhet medeomos që edhe pjesën e fondeve ndërkombëtare t’i inkorporojë dhe vërtet të kemi një strategji të qartë, të qëndrueshme, e cila nuk do të vlejë për tre-katër muaj, por një strategji e cila do të aplikohet në dy tre vjetët e fundit në mënyrë që Kosova të kthehet në një pozitë normale që ishte para se të fillonte kjo sëmundje…03’43 Kosova do të duhej ta bënte sa më shpejtë një analizë gjithëpërfshirëse mbi pozitën e ekonomisë pas veprimit të pandemisë, pozitën në sektor të punësimit, në sektor të mbrojtjes sociale. Vlerësimet janë se gjatë kësaj periudhe rreth 80 mijë njerëz e kanë humbur punën, dhe kërkohet që me analiza të mëtutjeshme të targetohet kjo goditje e madhe sociale e cila ka ndodhur në Kosovë”, thotë ai.

Profesori Sadiku shton se nëse vazhdon ky trend i ndikimit të pandemisë me këtë goditje mund të ketë rënie të rritjes ekonomike rreth 8 për qind, që është mjaft serioze në rastin e Kosovës.

Këtë rënie ekonomike dikush po e ndërlidhë edhe me krizën politike.Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se Kosova nuk ka luks t’i ketë tri qeveri brenda një viti.

“Dështimi politik në vitin 2020 në Kosovë, duhet një mësim i cili nuk duhet të përsëritet në të ardhmen. Kosova nuk e ka komoditetin dhe luksin që brenda një viti kalendarik t’i ketë tri qeveri, një shtet i varfër, një shtet i ri dhe besoj që kjo e dëmton ardhmërinë dhe ngufat perspektivën për qytetarët e Kosovës. Dua të besoj që çdo qeveri që do të vjen në të ardhmen do ta kthejë faqen e historisë drejt ardhmërisë dhe jo nga e kaluara. Ekonomia e dijes, shëndetësia, sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jenë shtyllat kryesore, por mbi të gjitha këto do të mund të jenë objektiva. Megjithatë, në qoftë se nuk do të arrihet uniteti politik, atëherë do të jemi një vend që mund të jemi i shpallur i dështuar. Këtë nuk e meriton sakrifica e luftës, këtë nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. Rinia e Kosovës meriton një perspektivë dhe një ardhmëri më të ndritshme”, deklaron Gërxhaliu.

Më 13 mars 2020 që kur u paraqiten dy rastet e para me Covid-19 në Kosovë vendi sikur shtetet tjera mori masa për mbyllje totale deri më 1 qershor. Nevojat për një mbështetje nga shteti për qytetarët, punëtorët dhe bizneset ishte e madhe, por që nga ajo kohë u miratuan vetëm dy pako, Pakoja emergjente fiskale dhe së voni Ligji për rimëkëmbje ekonomike që mundëson edhe tërheqjen e 10 për qind të Trustit.

Në këtë kohë nuk qëndruan mirë financiarisht edhe disa ndërmarrje publike, Telekomi i Kosovës, “Trepça” dhe disa të tjera. Në atë kohë pati shkarkime të anëtarëve të bordeve dhe emërime nëpër ndërmarrje publike nga Qeveria Kurti, që kësisoj vazhdoi edhe me Qeverinë Hoti.

Viti 2020 e karakterizoi Kosovën edhe me tkurrje të të hyrave buxhetore, që janë paraparë të jenë mbi 300 milionë euro. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve deficiti tregtar në llogarinë e mallrave gjatë kësaj periudhë regjistroi vlerën prej 2.26 miliardë euro që paraqet një rënie vjetore prej 11.4 për qind. 

Lajmet

​Lëndohet rëndë ylli i Real Madridit

Published

on

Eder Militao ka pësuar një dëmtim të rëndë muskulor në këmbën e majtë dhe do të mungojë për disa muaj.

Pas testeve mjekësore, u konfirmua se dëmtimi preku tendinën e pjesës së sipërme të bicepsit femoral, çka e bën rikuperimin edhe më të ngadaltë.

Klubi nuk ka dhënë një datë të saktë kthimi, por zakonisht dëmtime të tilla kërkojnë tre deri në katër muaj rehabilitim.

Mbrojtësi u largua nga fusha në ndeshjen kundër Celta Vigos me fytyrë të shqetësuar, dhe stafi mjekësor e ndihmoi të dilte menjëherë. Problemet e Real Madridit në mbrojtje tani janë edhe më të mëdha, pasi Xabi Alonso ka të dëmtuar edhe Alexander-Arnold, Carvajal, Huijsen, Mendy dhe Alaba.

Për ndeshjen e radhës në La Liga kundër Alavesit, trajneri do ta ketë ekipin edhe më të cunguar. Carreras dhe Fran Garcia janë të pezulluar pas kartonëve të kuq, ndaj të vetmit mbrojtës të gatshëm pritet të jenë Antonio Rudiger dhe Raul Asensio.

Situata e lë Real Madridin në një nga momentet më të vështira të sezonit./S.K/KP/TheAthletic/

Continue Reading

Lajmet

​Vdes ish-futbollisti belg Boeck

Published

on

Glen De Boeck, ish-mbrojtësi i njohur belg dhe kapiten i Anderlechtit, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare pasi pësoi një hemorragji të rëndë në tru që e la në koma për tre ditë, dhe pavarësisht ndërhyrjeve të mjekëve, nuk mundi të shpëtonte.

De Boeck u rrëzua në shtëpinë e tij të premten dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Universitar të Antwerpit, ku ndërroi jetë i rrethuar nga familjarët.

Ai lë pas dy vajzat e tij, Bo dhe Caro.

Karriera e De Boeck filloi te FC Boom, për të vazhduar te KV Mechelen dhe më pas te Anderlecht, ku mbajti shiritin e kapitenit dhe fitoi tre tituj të kampionatit. Ai u vlerësua si një nga mbrojtësit më të fortë belgë të brezit të tij dhe luajti 36 ndeshje me ekipin kombëtar të Belgjikës.

Lëndimet e rënda në gju e detyruan të tërhiqej nga futbolli në vitin 2005.

Pas pensionimit, ai u angazhua si trajner, duke punuar në disa klube belgë dhe holandeze. Vdekja e tij vjen pas një viti të vështirë për familjen, pasi edhe babai i tij ndërroi jetë më herët gjatë 2025-ës. Futbolli belg ka humbur një prej figurave të tij më të respektuara./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Rejhan Halili emërohet zëvendëskryetare e komisionit “Gratë në Sport” në ICMG

Published

on

Udhëheqësja për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Rejhan Halili, është emëruar zëvendëskryetare e komisionit “Gratë në Sport” në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Vendimi unanim është marrë në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të ICMG, të mbajtur javën e kaluar në Portimao të Portugalisë.

Përvoja e saj e gjatë dhe ekspertiza si udhëheqëse e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në KOK, anëtare e komisionit “ENGSO – Barazia në Sport” dhe shefe e misionit në disa edicione të Lojërave Mesdhetare dhe Lojërave Mesdhetare në Rërë, e bëjnë kontributin e saj në punën e komisionit “Gratë në Sport” jashtëzakonisht të vlefshëm.

Pikërisht mbledhja e radhës e këtij komisioni do të mbahet në Prishtinë, në fillim të vitit të ardhshëm./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Rrahmani: Fitorja ndaj Juventusit shumë e rëndësishme

Published

on

Napoli arriti një fitore të rëndësishme ndaj Juventusit në stadiumin “Maradona”, dhe mbrojtësi Amir Rrahmani e vlerësoi këtë sukses pas ndeshjes.

“Çdo fitore është gjithmonë e rëndësishme. Nuk kemi qenë kurrë në telashe. Ata që luajnë tani po luajnë mirë. Sot luajtëm kundër një ekipi të shkëlqyer që lufton për gjysmën e sipërme të tabelës, kështu që fitorja është edhe më e rëndësishme,” tha Rrahmani.

Ai theksoi se tani vëmendja është te sfida e Ligës së Kampionëve në Lisbonë.

“Tani duhet ta shijojmë këtë fitore, sepse luftuam, por e merituam. Pastaj do të mendojmë për Ligën e Kampionëve, po luajmë jashtë fushe dhe kjo është gjithmonë e vështirë.”, tha ai.

Rrahmani nuk la pa përmendur edhe trajnerin Luciano Spalletti.

“Nuk jemi takuar, por ai është ende një nga trajnerët më të mirë që kam pasur. Të gjithë e dimë se është një njeri i shkëlqyer.”/S.K/KP/

 

Continue Reading

Të kërkuara