Lajmet

​Kurti: Nuk e kemi përdorur raportin për liqenin e Ujmanit, është pronë e jona

Deputeti Selmanaj këshilloi kryeministrin Kurti që raportet e SHBA-së t’i marrë seriozisht.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se arsyeja pse nuk e kanë përdorur raportin final për fizibilitetin për liqenin e Ujmanit të përgatitur nga Departamenti Amerikan për Energji, është se nuk kanë çka flasin për pronën e Kosovës me Serbinë.

Derisa iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, Kurti kritikoi ish-kryeministrin Avdullah Hoti që ka përfshirë Liqenin e Ujmanit në njërën ndër pikat e marrëveshjes së Uashingtonit, e arritur tri vite më parë.

“Raporti në tërësi flet për Ujmanin në kontekst të Kosovës dhe shfrytëzimin e tij në kontekst të Kosovës, jo për përdorim të përbashkët. Pjesa më e madhe e raportit, tre nga katër pikat përmban pika për veprime teknike, inzhinerike në kuadër të sistemit të Ibër Lepencit. Raporti e ka korrigjuar atë që e ka bërë gabim ish kryeministri, ku ka pretenduar dhe deklarohej publikisht se Ujmani mund të shfrytëzohet bashkë me Serbinë. Raporti askund nuk e përmend një pasaktësi të tillë. Siç e thotë edhe parashtruesi i pyetjes retorike, mbrojtësi më i madh i sovranitetit tonë, e ka kuptuar më mirë se sa e pasaktë dhe pamundur ka qenë ai pretendim për shfrytëzim të përbashkët. Serbia është thirrur në atë marrëveshje, por jo në atë raport. Me pas qenë i mirë ai raport i mirë për Serbinë padyshim se e kishte përdorur Serbia. Ne nuk e kemi përdorur se në vazhdimësi kemi qenë në të drejtën tonë dhe kemi theksuar dhe insistuar se nuk kemi çka flasim për pronën tonë”, tha ai.

Deputeti Selmanaj këshilloi kryeministrin Kurti që raportet e SHBA-së t’i marrë seriozisht.

“Raportet e SHBA-së, qasjen e tyre, aleatit tonë strategjik merre shumë seriozisht, shumë seriozisht. Ke me ardh në Kuvend këtu me na fol sa i mirë është. Unë po iu këshilloj merre seriozisht”, tha ai.

Ndërkaq, Kurti tha se sjellja e kësaj temë në opinion publik nuk i shkon përshtati Kosovës. Ai tha se është e dëmshme ajo çka ka nënshkruar Hoti në Uashington, pasi e hap si temë çështjen e Ujmanit dhe shfrytëzimin e përbashkët të një aseti të Kosovës. Mirëpo sipas tij, kjo ide nuk është marrë seriozisht dhe nuk shtyhet përpara nga askush.

“Është indikativë që ju si deputet opozitar pa nevojë sillni këtë temë që nuk i shkon përshtati Kosovës, mbase edhe për shkak se subjekti juaj e ka nënshkruar atë marrëveshje që e hap çështjen e Ujamnit si temë, shfrytëzimin e përbashkët të një aseti të Kosovës, por për fat të mirë kjo ide nuk është marrë seriozisht dhe nuk është shtyrë përpara nga askush”, tha ai.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit 2020, kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në Uashington të SHBA-së. Ndër pikat e dakorduara ishte edhe që të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Lajmet

​Numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht drejt përfundimit

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është drejt përfundimit numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht.

Në ditën e zgjedhjeve, votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime të veçanta, në 38 komuna.

KQZ bën të ditur se pas përmbylljes së këtij procesi, gjatë ditës së mërkurë, në këtë qendër do të vijojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit të personave me nevoja të vçanta, i cili është zhvilluar në ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve dhe përmes ekipeve mobile.

Numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467.

Rezultatet nga ky numërim do të pasqyrohen në platformën për rezultate, në rubrikën “Rezultatet QNR -Nevoja të veçanta (VPNV)”.

Në QNR, të martën është përmbyllur procesi i skanimit të Listës së Votuesve.

Skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Departamenti i Thesarit i SHBA-së nënshkruan marrëveshjen e stabilizimit ekonomik me Bankën Qendrore të Argjentinës

Published

on

Departamenti i Thesarit i SHBA-së nënshkroi një marrëveshje stabilizimi ekonomik me Bankën Qendrore të Argjentinës për një urë drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike për Argjentinën, njoftoi të martën Sekretari Scott Bessent.

“Përpjekjet e Presidentit Javier Milei për të përmbysur dekadat e rënies së kombit të tij, që rrjedhin nga e majta radikale e Peronistëve, janë me rëndësi kritike. Argjentina tani ka mundësinë të përqafojë lirinë ekonomike dhe marrëveshja jonë e stabilizimit është një urë drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike për Argjentinën, jo një paketë shpëtimi”, shkroi Bessent në kompaninë amerikane të mediave sociale.

Bessent vuri në dukje se Milei ka bërë një përpjekje të përbashkët për të përmbysur politikat e kaluara ekonomike, duke përfshirë shpenzimet e tepërta, mungesën e disiplinës fiskale dhe huamarrjen e papërgjegjshme dhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) gjithashtu mbështet programin e fortë ekonomik të Argjentinës.

Duke theksuar se administrata Trump mbështet planet aktuale të reformës së Mileit dhe strategjinë e kujdesshme fiskale, Bessent tha:

“Ne nuk duam një shtet tjetër të dështuar në Amerikën Latine dhe një Argjentinë e fortë dhe e qëndrueshme si një fqinj i mirë është në mënyrë të qartë në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara.”

Më 9 tetor, Bessent njoftoi se, pas diskutimeve me Ministrin e Ekonomisë të Argjentinës, Luis Caputo, SHBA-të blenë drejtpërdrejt peso argjentinase dhe përfunduan një kuadër shkëmbimi prej 20 miliardë dollarësh me bankën qendrore të Argjentinës.

Banka njoftoi të hënën se kishte nënshkruar një marrëveshje me Departamentin e Thesarit të SHBA-së me vlerë deri në 20 miliardë dollarë për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit.

Një deklaratë shpjegoi se marrëveshja përcakton termat dhe kushtet për zbatimin e transaksioneve të shkëmbimit midis palëve./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Ukrainë: Dy të vdekur në Kiev pas sulmit rus në shkallë të gjerë

Published

on

Mediat ukrainase raportuan se Moska nisi një sulm ajror në shkallë të gjerë gjatë natës, me shpërthime që tronditën Kievin dhe qytete të tjera në të gjithë vendin.

Mediat thanë se banorët e Kievit dëgjuan shpërthime në qytet rreth orës 1:10 të mëngjesit sipas kohës lokale, pak pasi Forcat Ajrore lëshuan një paralajmërim për raketa.

Disa shpërthime të tjera ndodhën afërsisht 30 minuta më vonë. Shpërthime u raportuan gjithashtu në Dnieper, Zaporizhia dhe qytetin portual të Izmail.

Të paktën dy persona janë vrarë në sulmet ajrore ruse që goditën Kievin mbrëmë, njoftuan autoritetet ukrainase, dhe të paktën 13 persona janë plagosur në sulmet ajrore ruse që goditën qytetin ukrainas të Zaporizhzhisë mbrëmë, sipas autoriteteve lokale të cituara nga mediat e Kievit.

Një zjarr shpërtheu në katet e tetë dhe të nëntë të një rrokaqielli në lagjen Dniprovskyi pas një sulmi me dron, sipas Tymur Tkachenko, kreu i Administratës Ushtarake të kryeqytetit, i cituar nga mediat lokale.

Dëme u raportuan gjithashtu në lagjet Pechersky dhe Desnyansky./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Kosova ofron të bëhet vendi i parë që pranon azilkërkuesit e refuzuar nga Britania

Published

on

Kosova është bërë vendi i parë që tregon se do të pranojë azilkërkuesit e refuzuar nga Britania si pjesë e planeve qeveritare për të ngritur qendra kthimi në vendet e treta, shkruan mediumi The Guardian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dëshiron të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar dhe konfirmoi se po zhvilloheshin diskutime me zyrtarë nga Mbretëria e Bashkuar.

Planet do të synonin dërgimin e njerëzve, kërkesat e të cilëve për azil ishin refuzuar, në qendrat e paraburgimit të huaja, pasi të kishin shteruar të gjitha rrugët e apelimit.

Komentet e tij vijnë përpara një samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet sot në Londër nga Keir Starmer.

“Ne duam të ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar. Ne e konsiderojmë se kjo është detyra jonë miqësore dhe politike. Ne kemi kapacitet të kufizuar, por prapëseprapë duam të ndihmojmë dhe ndërsa flasim, ka komunikim të rregullt midis ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga ministria jonë e punëve të brendshme dhe avokatëve se si ta bëjmë këtë pa probleme për përfitim të ndërsjellë.”, tha Kurti.

Ai shtoi se në këmbim, Kosova do të donte kryesisht të merrte mbështetje në siguri qoftë përmes marrëveshjeve strategjike apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund të bëjnë.

“Sigurisht, ne duam, si vend, të përfitojmë, por e konsiderojmë para së gjithash detyrimin tonë t’ju ndihmojmë, sepse ju na ndihmuat shumë dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë”, shtoi ai.

Kosova mbetet një përjashtim relativ krahasuar me fqinjët e saj ballkanikë. Në qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ideja që Mbretëria e Bashkuar të donte të “kërkonte vende për të larguar emigrantët” do të kishte qenë e pakonceptueshme para Brexit-it./S.K/KP/

 

Continue Reading

Të kërkuara