Lajmet

​Kosova vendos sanksione të reja ndaj Rusisë, zëvendëson edhe bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Gërvalla tha se vendosja e sanksioneve të reja dëshmon përkushtimin e Kosovës për drejtësi dhe paqe në botë.

Published

on

Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë. Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të ekzekutivit kosovar.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u shpreh se ky vendim është në kuadër të zbatimit të pakos të 11-të të sanksioneve të BE-së për Rusinë dhe Bjellorusinë. Sipas saj, këto masa përfshijnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumë palësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve, ndalimin e transitit të mallrave dhe teknologjisë përmes Rusisë, shtrëngimin e kufizimeve të eksportit, etj.

Zëvendëskryeministrja Gërvalla tha se vendosja e sanksioneve të reja karshi Rusisë dëshmon përkushtimin e Kosovës për drejtësi dhe paqe në botë.

“MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim zbatimin e pakos së 11-të të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë si dhe zbatimit e vendimit të BE. Më 23 qershor 2023 Këshilli miratoi masa të reja kufizuese ndaj Rusisë pako e rënë dakord përfshinë ndër të tjera këto masa: Forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumë palësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve, ndalimin e transitit të mallrave dhe teknologjisë përmes Rusisë, shtrëngimin e kufizimeve të eksportit dhe gjithashtu vendosi sanksione shtesë ndaj 71 individëve dhe 33 subjekteve duke marr po ashtu vendim të shtoj grupin Wagner dhe Riafan që listën e atyre që i nënshtrohen masave kufizuese të BE-së për veprime që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës… Kosova qëndron e palëkundur në krahë të partnerëve të saj pra SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, aprovimi i sotëm i pakos është një dëshmi e fuqishme e përkushtimit të Kosovës për drejtësi dhe paqe jo vetëm në rajon, por mbarë botën”, u shpreh Gërvalla.

Krahas sanksioneve të reja për shtetin rus e bjellorus, kabineti qeveritar miratoi edheraportin 6 mujor të buxhetit për vitin 2023.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se pranimet për 6 mujorin e parë arritën vlerën prej 1 miliard e 330 milionë euro, që sipas Muratit, shënon rritje.

“Gjithsej pranimet për 6 mujorin e parë arritën vlerën prej 1 miliard e 330 milionë euro duke shënuar kështu një rritje prej 90% krahasuar me periudhën paraprake të njëjtë. Ndërsa, gjithsej pagesat arritën vlerën prej 1 miliard e 154 milionë euro që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak paraqet një rritje prej 11%. ATK ka realizuar një rritje të performancës prej 90% krahasuar me periudhën e vitit paraprak ndërkaq Doganat e Kosovës për periudhën e njëjtë të vitit kanë shënuar një rritje prej 8% në mbledhjen e të hyrave. Të hyrat tatimore kanë pas një rritje prej 2% në krahasim me vitin paraprak. Tek performanca e shpenzimeve vlen të theksohet që shpenzimet buxhetore si tërësi kanë shënuar një rritje prej 16%, e ku rritje e theksuar vërehet tek investimet kapitale krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 ka shënuar rritje prej 90%”, theksoi Murati.

Ekzekutivi kosovar miratoi edhe koncept dokumentin për Odën Ekonomike të Kosovës.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi se përmes këtij koncepti synohet mbrojtja e interesave të bizneseve dhe shoqatave që përfaqësojnë ato.

“Qëllimi i këtij koncept-dokumenti është mbrojtja e interesave të bizneseve dhe shoqatave të bizneseve në Kosovë duke ndikuar pozitivisht në krijimin e një konkurrence të ndershme dhe rritje të qëndrueshme të bizneseve tona duke u zhvilluar e rritur në përputhshmëri me të lartë me parimet dhe praktikat e BE-së”, tha ai.

Qeveria e Kosovës mori vendim edhe për hartimin e programit për Reforma Ekonomike 2024-2026. Sipas ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ky program është pjesë e dialogut për politika ekonomike dhe financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

“Programi për Reforma në Ekonomi është pjesë e dialogut për politika ekonomike dhe financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe krahas përgatitjes së vendeve të Ballkanit për pjesëmarrjen e tyre në procedurat e koordinimit e politikave ekonomike në BE ky dokument paraqet një instrument planifikimi të reformave përmes të cilave qeveria planifikon të shtyj zhvillimin ekonomik të vendit përgjatë periudhës 2024-26”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Bordin e ri drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Bordin e ka prezantuar në mbledhjen e Qeverisë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ka në përbërje po ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Hekuran Nikçi kryeinspektor i Punës, Besnik Fetahu nga Ministria e Financave, Kastriot Meça nga Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, Ardian Shefkiu nga ShSKUK, Izet Sadiku nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Afrim Maliqi nga Shoqata e Pacientëve.

Ekzekutivi kosovar sot ka miratuar edhe draftin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, i cili ka objektiv zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe ato të infrastrukturës në Kosovë për kërkime shkencore dhe inovative.

Qeveria e Kosovë sot ka rialookuar 900 mijë euro për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për 13 projekte kapitale në 13 komunat e Kosovës që synojnë zhvillimin e infrastrukturës socio-ekonomike.

Qeveria miratoi edhe kërkesën e MAPL-së për dhënien në shfrytëzim të pronave të kërkuara nga komuna e Ferizajt dhe ajo e Dragashit. Po ashtu, janë rialookuar 160 mijë euro edhe Ministrinë Zhvillimit Rajonal për 3 projekte kapitale në komunat e Dragashit, Ferizajt dhe Shtimes.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar mori vendim për themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq adresoi kërkesë për një anëtar nga kjo ministri në këtë Komision.

Krahas këtyre vendimeve, sot Qeveria e Kosovës aprovoi edhe koncept-dokumentin për fushën e mjedisit si dhe atë të ujërave.

Lajmet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, pjesë e transmetimit global “Peace One Day Broadcast”

Published

on

By

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes, më 21 shtator, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, do të jetë pjesë e transmetimit global “Peace One Day Broadcast”, një platformë ndërkombëtare që bashkon liderë, akademikë dhe inovatorë nga e gjithë bota.

Në kuadër të këtij transmetimi global do të diskutohet mbi rolin e arsimit, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në ndërtimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më të qëndrueshme. Si institucion i përkushtuar ndaj dijes, inovacionit dhe fuqizimit të të rinjve, UBT vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të kontribuojë në krijimin e një shoqërie ku arsimi dhe inovacioni shërbejnë si mjete për dialog, mirëkuptim dhe paqe.

Transmetimi do të zhvillohet sot, më 21 shtator, duke filluar nga ora 13:00. Pjesëmarrja e Rektorit Hajrizi në “Peace One Day Broadcast” mund të ndiqet drejtpërdrejt përmes platformës zyrtare peaceoneday.org, si dhe përmes rrjeteve sociale të UBT-së.

Continue Reading

Lajmet

Studentja e UBT-së Kosovare Elshani nominohet në garën prestigjioze “Inspireli Awards”

Published

on

By

Studentja e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Kosovare Elshani, ka shënuar një sukses të madh në arenën ndërkombëtare duke u bërë pjesë e garës më të madhe globale për studentët e arkitekturës, Inspireli Awards.

Projekti i saj inovativ ka marrë vëmendjen e jurisë ndërkombëtare për konceptin unik që gërsheton artin, natyrën dhe arsimin brenda një mjedisi të vetëm multifunksional.

I konceptuar si një atelie moderne, objekti përfshin studio krijuese, mini-bibliotekë, zona për instalacione artistike dhe hapësira bashkëpunuese. Synimi kryesor i projektit është krijimi i një platforme frymëzuese ku drita natyrale dhe arkitektura nxisin mendimin kritik, eksplorimin dhe shkëmbimin e ideve.

Në aspektin arkitekturor dhe teknik, ndërtesa shumëkatëshe karakterizohet nga një strukturë mbajtëse me beton të përforcuar, ndërsa pamja e jashtme dallohet për përdorimin e bryleve vertikale prej xhami me ngjyra, të cilat filtrojnë dritën e diellit dhe krijojnë përvoja dinamike vizuale.

Gjithashtu, projekti i përmbahet standardeve të larta të efiçiencës së energjisë, ventilimit natyral dhe qëndrueshmërisë ekologjike përmes gërshetimit të drurit natyral dhe betonit të ekspozuar.

Nomini i Kosovare Elshanit në Inspireli Awards është një tjetër dëshmi e cilësisë akademike dhe përgatitjes profesionale që ofron UBT, duke nxjerrë në pah talentin e arkitektëve të rinj në skenën botërore.

Continue Reading

Lajmet

Hollywood Academy vjen në Kosovë: UBT lanson projektin gjigand për industrinë e kinematografisë me partnerë nga Amerika

Published

on

By

Për herë të parë në Kosovë, profesionistë të industrisë së Hollywood-it po sjellin përvojën dhe standardet e produksioneve ndërkombëtare te të rinjtë dhe profesionistët kosovarë. UBT ka lansuar bashkëpunimin me Catalyst Story Institute, institucion amerikan i specializuar në zhvillimin e talenteve dhe përgatitjen profesionale për industrinë e filmit dhe televizionit, duke sjellë në Kosovë një mundësi të re për të gjithë ata që ëndërrojnë të bëhen pjesë e kësaj industrie.

Përmes këtij bashkëpunimi, profesionistë me përvojë në produksione të njohura ndërkombëtare, përfshirë profesionistë që kanë punuar me studio si HBO, Netflix dhe Warner Bros., do të ofrojnë trajnime dhe specializime në Prishtinë, me synimin për të përgatitur talentet lokale për mundësi reale pune në produksione filmike dhe televizive.

Kjo mundësi është veçanërisht e rëndësishme për studentët dhe të rinjtë që studiojnë në fushat e regjisë, arteve, arteve dramatike, aktrimit, artit dhe medias digjitale, kinematografisë, medias, komunikimit dhe produksionit.

Programi fillestar “Hollywood 101” zgjat 13 javë dhe i njeh pjesëmarrësit me mënyrën se si funksionon një produksion i Hollywood-it: strukturën e industrisë, kontratat dhe biznesin, audicionet dhe intervistat, procedurat kreative, dokumentacionin, sigurinë në set, buxhetet, pagesat dhe terminologjinë profesionale të produksionit.

Pas përfundimit të këtij moduli, pjesëmarrësit mund të orientohen drejt specializimeve të ndryshme, si aktrimi, shkrimi, regjia, kinematografia, montazhi, animacioni, produksioni, biznesi, juridiku, kontabiliteti dhe profesionet teknike të produksionit. Ky bashkëpunim vjen në një moment kur Kosova dhe rajoni po bëhen gjithnjë e më interesante për produksionet ndërkombëtare.

Megjithatë, një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e profesionistëve të trajnuar për shumë prej roleve që kërkon një produksion modern. Përmes trajnimeve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndërtojnë aftësi praktike, të kuptojnë standardet profesionale të industrisë dhe të krijojnë një rrjet bashkëpunëtorësh që mund t’u shërbejë gjatë gjithë karrierës së tyre.

Një tjetër mundësi e rëndësishme vjen përmes bashkëpunimit me BoyHouse Studio, përmes të cilit do të ndahen grante zhvillimore për studentët më të dalluar. Përfituesit do të kenë gjithashtu mundësi për takime që lidhen me përfaqësimin nga agjenci dhe mentorim nga profesionistë të industrisë.

Në këtë mënyrë, iniciativa synon të krijojë një rrugëtim të plotë për talentet: nga trajnimi, te rrjeti profesional, mentorimi dhe mundësitë konkrete për zhvillimin e karrierës.

 

Continue Reading

Lajmet

Partia e Putinit fiton bindshëm zgjedhjet në Rusi me mbi 57% të votave

Published

on

By

Partia në pushtet në Rusi, “Rusia e Bashkuar”, ka marrë një fitore të lehtë në zgjedhjet parlamentare, të cilat presidenti Vladimir Putin i ka vlerësuar si një sprovë të mbështetjes qytetare për luftën në Ukrainë. Lajmi është bërë i ditur këtë të hënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas numërimit të më shumë se 95% të votave.
Sipas të dhënave zyrtare të komisionit, “Rusia e Bashkuar” ka siguruar 57,83% të votave, duke shënuar një rritje të dukshme në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021, ku kjo parti kishte marrë 49,8%.
Kjo fitore i garanton partisë së Putinit 355 nga gjithsej 450 vendet në Dumën Shtetërore (dhomën e ulët të parlamentit), rezultat ky që i mundëson asaj të ruajë plotësisht shumicën kushtetuese në vend.

Continue Reading

Të kërkuara