Lajmet

Shpëtimtarët janë optimistë për balenat e mbijetuara të bllokuara në Australi

Më shumë se 50 balena ngordhën pasi u bllokuan në një plazh në Australinë Perëndimore.

Published

on

Më shumë se 50 balena ngordhën pasi u bllokuan në një plazh në Australinë Perëndimore, por autoritetet thanë të mërkurën se ishin “optimiste” që 45 balenat e tjera mund të mbijetonin.

Pesëdhjetë e një prej tyre vdiqën brenda natës, pavarësisht përpjekjeve të vullnetarëve dhe stafit nga Shërbimi i Parqeve dhe Kafshëve të Egra të shtetit.

“Ne jemi optimistë — duhet të jemi optimistë në këtë lojë”, tha organizata.

Tetorin e kaluar, rreth 500 balena ngordhën kur u ndeshën në ishujt e largët Chatham në Zelandën e Re./UBTNews/

Lajmet nga UBT

Dr. Fitim Alidema: Konferenca shkencore e UBT, mjedis ku rezultatet diskutohen në mënyrë kritike

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave Mjekësore në UBT është në vlugun e përgatitjeve për Konferencën Ndërkombëtare Shkencore të UBT-së, që mbahet në fundjavë.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UBT, Dr. Fitim Alidema, në një bisedë për “UBT News” ka folur për përgatitjet që po bëhen për konferencën.

“Për ne, konferenca nuk është thjesht një aktivitet në kalendarin universitar, por një mundësi për të prezantuar rezultate kërkimore, për të shkëmbyer përvoja dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet studiuesve dhe profesionistëve shëndetësorë”, thotë ai.

Ai thekson faktin se hulumtimi në shkencat mjekësore po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm.

”Interesimi i autorëve dhe larmia e temave të dorëzuara tregojnë se kërkimi në shkencat mjekësore po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në jetën akademike. Synimi ynë është të krijojmë një mjedis ku rezultatet diskutohen në mënyrë kritike, ku lindin ide për studime të reja dhe ku bashkëpunimi vazhdon edhe pas përfundimit të konferencës. Vlerën e saj e shohim para së gjithash te cilësia e diskutimit dhe kontributi që punimet mund të japin për shkencën dhe praktikën shëndetësore”, thekson dr.Alidema.

Por, cilat janë temat në të cilat është orientuar hulumtimi për këtë konferencë.

Dr. Alidema thotë se temat janë përzgjedhur duke pasur parasysh sfidat aktuale të mjekësisë dhe nevojat e institucioneve shëndetësore.

“Punimet e dorëzuara trajtojnë farmakoterapinë, diabetin dhe sëmundjet e tjera kronike, përdorimin e antibiotikëve, diagnostikën laboratorike, onkologjinë, radiologjinë, infermierinë, shëndetin publik dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, shton ai.

“Vëmendje meritojnë edhe punimet që shqyrtojnë mundësitë e përdorimit të inteligjencës artificiale në mamografi dhe të printimit 3D në fushën e onkologjisë. Këto tema tregojnë se mjekësia po zhvillohet përmes bashkëpunimit të disiplinave të ndryshme. Ne dëshirojmë që konferenca të pasqyrojë këtë zhvillim, duke lidhur kërkimin klinik me shkencat farmaceutike, laboratorike dhe teknologjike. Qëllimi përfundimtar mbetet i njëjtë: njohuri më të mira për vendime më të sigurta dhe kujdes më cilësor ndaj pacientit”, thotë dr.Alidema.

Fakulteti i Shkencave Mjekësore në UBT i kushton rëndësi të madhe hulumtimeve shkencore. Në të, mësimdhënia dhe kërkimi shkencor duhet të zhvillohen së bashku.

“Detyra e universitetit nuk është vetëm të përcjellë njohuritë që tashmë ekzistojnë, por edhe të krijojë kushte për njohuri të reja. Për këtë arsye, angazhimin e profesorëve dhe asistentëve në hulumtime e konsiderojmë pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë së tyre akademike”, thotë ai.

Sipas tij, kërkimi shkencor ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik, në vlerësimin e praktikave klinike dhe në identifikimin e problemeve që kërkojnë zgjidhje.

Po ashtu, po aq e rëndësishme është përfshirja e studentëve, të cilët duhet të mësojnë të lexojnë e të vlerësojnë evidencën, jo vetëm të zbatojnë njohuri teorike.

“Dëshirojmë të përgatisim profesionistë të aftë për të marrë vendime të argumentuara dhe për të kontribuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Kjo është arsyeja pse kërkimin shkencor e shohim si përgjegjësi ndaj studentëve, profesionit dhe shoqërisë”, shton ai.

Dr. Fitim Alidema është autor i një numri të madh të punimeve shkencore në platformat prestigjioze ndërkombëtare. Ai flet për kahun në të cilin po shkojnë hulumtimet më të reja në fushën e mjekësisë në Kosovë.

“Nga përvoja ime kërkimore dhe nga temat që trajtohen në komunitetin akademik, shoh një orientim më të madh drejt problemeve konkrete të praktikës klinike. Po studiohen efektiviteti dhe siguria e barnave, menaxhimi i sëmundjeve kronike, përdorimi racional i antibiotikëve, diagnostikimi i hershëm dhe faktorët që ndikojnë në rezultatet e trajtimit.

Një zhvillim pozitiv është përpjekja për të shkuar përtej përshkrimit të të dhënave, drejt analizave që identifikojnë faktorë rreziku, vlerësojnë lidhje ndërmjet trajtimit dhe rezultateve klinike dhe ndihmojnë në formulimin e rekomandimeve. Megjithatë, ky progres duhet të shoqërohet me metodologji të qëndrueshme, analiza statistikore të përshtatshme, bashkëpunime shumëqendrore dhe respektim të etikës kërkimore. Qëllimi duhet të jetë që studimet e realizuara në Kosovë të mund të krahasohen me kërkimet ndërkombëtare dhe të jenë të dobishme për praktikën tonë shëndetësore”, thekson dr. Fitim Alidema.

Por, sa janë të rëndësishme punimet shkencore nga Kosova për audiencën botërore dhe sa ka interesim për to?

Dr. Alidema thekson se rëndësia e një punimi shkencor nuk varet nga vendi ku është realizuar, por nga pyetja që trajton, cilësia e metodologjisë dhe besueshmëria e përfundimeve.

“Kosova mund të japë kontribute të vlefshme për literaturën ndërkombëtare, veçanërisht përmes të dhënave mbi praktikën klinike, përdorimin e barnave, sëmundjet kronike dhe organizimin e kujdesit shëndetësor”, thotë ai.

Sipas tij, studimet nga mjedise që janë më pak të përfaqësuara në literaturë mund të ndihmojnë në kuptimin e dallimeve ndërmjet popullatave dhe sistemeve shëndetësore. Interesimi për to rritet kur rezultatet publikohen në revista me standarde serioze, janë të qarta dhe të riprodhueshme dhe lidhen me pyetje që kanë rëndësi edhe jashtë Kosovës. Prandaj, synimi ynë nuk duhet të jetë vetëm rritja e numrit të publikimeve, por rritja e cilësisë dhe ndikimit të tyre. Kërkimi shkencor nga Kosova duhet të jetë pjesë aktive e diskutimit ndërkombëtar.

Konferenca mbledh edhe studiues nga jashtë UBT-së dhe jashtë Kosovës.

“Një nga vlerat e konferencës është mundësia e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve me përvoja dhe përkatësi të ndryshme institucionale. Në materialet e dorëzuara përfshihen autorë nga UBT, nga institucione të tjera të arsimit të lartë dhe nga institucione shëndetësore e laboratorike. Në mesin e bashkëpunimeve të paraqitura shihen lidhje akademike dhe profesionale me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thotë Alidema.

“Për ne, rëndësi ka që ky takim të mos kufizohet në prezantimin e punimeve. Konferenca duhet të krijojë kontakte të reja, të nxisë shkëmbimin e metodave dhe të hapë mundësi për hulumtime të përbashkëta. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka vlerë të qëndrueshme kur përkthehet në projekte konkrete, shkëmbim përvojash dhe rezultate shkencore të përbashkëta”, shton ai.

Dhe, cilat janë interesimet kryesore në punimet e tyre shkencore?

Punimet pasqyrojnë interesim për probleme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kujdesin shëndetësor. Një pjesë trajton sëmundjet kronike, si diabeti dhe hipertensioni, si dhe përdorimin dhe sigurinë e barnave. Të tjera merren me antibiotikët, diagnostikën laboratorike, kujdesin infermieror, sigurinë e pacientëve, shëndetin publik dhe organizimin e shërbimeve.

Sipas dr. Alidemës, një vend të veçantë zënë edhe qasjet teknologjike, përfshirë inteligjencën artificiale në diagnostikën radiologjike dhe përdorimin e printimit 3D në onkologji. Këto tema janë të ndryshme, por kanë një pikë të përbashkët: kërkojnë të kuptojnë më mirë një problem shëndetësor dhe të shqyrtojnë mënyra për përmirësimin e diagnostikimit, trajtimit ose parandalimit. Kjo lidhje ndërmjet pyetjes shkencore dhe nevojës së pacientit është veçanërisht e rëndësishme për ne.

Krahas mësimdhënies, hulumtimi është një nga fushat kryesore që çmohet në kohën tonë. Dr. Alidema flet për faktin se sa po zhvillohen hulumtime cilësore në shkencat mjekësore në Kosovë?

“Në Kosovë shohim zhvillime inkurajuese në kërkimin shkencor mjekësor, por edhe nevojë për investime dhe përmirësime të vazhdueshme. Studiuesit tanë po trajtojnë probleme të rëndësishme klinike dhe po synojnë prezantimin e rezultateve në mjedise shkencore ndërkombëtare. Megjithatë, cilësia nuk mund të matet vetëm me numrin e punimeve.

Një studim i mirë kërkon pyetje të qartë, metodologji rigoroze, të dhëna të besueshme, analiza të përshtatshme dhe interpretim të kujdesshëm të rezultateve. Për ta forcuar këtë kulturë, na nevojiten infrastrukturë kërkimore, mbështetje për studiuesit e rinj dhe bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet universiteteve dhe institucioneve shëndetësore. UBT dëshiron të kontribuojë në këtë drejtim duke nxitur kërkimin ndërdisiplinor dhe përfshirjen akademike. Suksesi i shkencës sonë do të shihet edhe në aftësinë për t’i përdorur njohuritë e reja në përmirësimin e kujdesit ndaj qytetarëve”, thekson Dr. Fitim Alidema, dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UBT.

 

Continue Reading

lajme

SPAK i komunikon Belinda Ballukut akuzat përfundimtare, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave

Published

on

By

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar se i ka komunikuar ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, akuzat përfundimtare në kuadër të hetimeve ndaj saj.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, Balluku akuzohet për disa vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tenderë publikë, korrupsionin, mosdeklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Prokuroria e Posaçme bën të ditur se ish-zyrtarja e lartë akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste të ndryshme.

Ndaj saj rëndojnë gjithashtu akuzat për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Një tjetër akuzë lidhet me refuzimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë dhe interesave private, vepër për të cilën Balluku akuzohet në dy raste.

SPAK-u e akuzon gjithashtu për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se po vazhdon veprimet procedurale për komunikimin e akuzave edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale.

Komunikimi i akuzave përfundimtare përbën një hap procedural në këtë çështje dhe nuk nënkupton shpalljen e fajësisë së ish-zyrtares.

D.L

Continue Reading

lajme

Tensione para Kryeministrisë në Shqipëri, protestuesit rrëzojnë karriget e vendosura nga Rama

Published

on

By

Situata para Kryeministrisë në Shqipëri është tensionuar, pasi protestuesit kanë thyer dhe rrëzuar karriget që kryeministri Edi Rama kishte vendosur në mënyrë simbolike si ftesë për dialog.

Në mbështetje të studentëve protestues kanë dalë edhe mësimdhënësit universitarë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e procesit mësimor në universitete.

Ata kanë theksuar se do të mbështesin çdo vendim të studentëve, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të dialogut me kryeministrin.

Sipas raportimit të A2 CNN, mësimdhënësit kanë paralajmëruar se do të mblidhen çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00, para korpusit universitar, ndërsa mësimi në universitete nuk do të zhvillohet.

Protesta po shoqërohet me kërkesa për përgjegjësi institucionale, ndërsa studentët dhe mësimdhënësit vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë — e akredituar me pikë të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional

Published

on

By

Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së do të jetë nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë, e cila do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore e profesionale u ofron stomatologëve, teknikëve dhe asistentëve dentarë mundësinë e avancimit profesional dhe njohjes me trendet më të fundit në fushën e shëndetësisë dentare.

Konferenca është akredituar zyrtarisht nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Pjesëmarrësit do të shpërblehen me pikë kredituese si vijon:

  • Pjesëmarrësit aktivë: 20 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)
  • Pjesëmarrësit pasivë: 15 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Në këtë ngjarje, profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shkëmbejnë përvojat, njohuritë dhe arritjet më të fundit teknologjike në stomatologji.

Për stomatologët: Regjistrimi bëhet përmes platformës digjitale të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK). Pas aplikimit, konfirmimi dhe udhëzimet e pagesës dërgohen me e-mail. Pagesa prej 40 € bëhet në xhirollogarinë e UBT-së në TEB Bank (2011000003927958).

Për asistentët dhe teknikët dentarë: Tarifa e pjesëmarrjes është po ashtu 40 €, ndërsa pagesa realizohet drejtpërdrejt në xhirollogarinë e UBT KNBT SHPK (1300 0015 0000 5275), duke shënuar në përshkrim: “Pjesëmarrje në konferencën e UBT”.

Pas përfundimit të pagesës, dëshmia bankare me të dhënat personale duhet të dërgohet në adresën zyrtare elektronike të konferencës: [email protected].

UBT fton të gjithë profesionistët e fushës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje madhore shkencore dhe të sigurojnë vendin e tyre nëpërmjet aplikimit me kohë.

 

Continue Reading

Të kërkuara