Lajmet

​Komisioni për reformën zgjedhore fillon punën në shtator

Puna e këtij komisioni do të nisë me fillimin e sesionit vjeshtor në Kuvendin e Kosovës.

Published

on

Në Kuvendin e Kosovës është bërë konstituimi i komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore, i cili synon të adresojë çështjet që lidhen me Ligjin për zgjedhjet si dhe rekomandimet e vëzhguese ndërkombëtarë e vendorë lidhur me këtë proces. Puna e këtij komisioni do të nisë me fillimin e sesionit vjeshtor në Kuvendin e Kosovës.

Kryesuesi i komisionit, Abelard Tahiri ka thënë se është e rëndësishme që të këtë një pajtueshmëri rreth çështjeve të cilat do t’i adresojë ky komision. Ai ka thënë se do të ftohet edhe Komisioni Qendror zgjedhor për të dhënë adresimet e tyre që lidhen me implementimin e ligjit, qoftë për zgjedhjet lokale apo ato nacionale.

“Ne e kemi pasur një diskutim paraprakisht në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës së bashku me kryetarët dhe anëtarët e kryesisë, kemi diskutuar rreth asaj se cila do të jetë qasja jonë në këtë komision, a do të duhej të shkojmë me ndryshime kushtetuese apo duhet t’i adresojmë çështjet që lidhen vetë me çështjen e ligjit. E kemi parë që një proces i cili do të kërkonte ndryshime kushtetuese nuk do të jetë i lehtë dhe aty kemi dallime goxha të mëdha. Në anën tjetër ju e dini procesin e ndryshimeve kushtetuese me çështjen e involvimit të komuniteteve jo shumicë, shumicën e dyfishtë, kjo e bënë edhe më të vështirë të hyjmë në një proces me ndryshme kushtetuese. Andaj si grupe parlamentare jemi pajtuar t’i adresojmë çështjet që lidhen me ligjin për zgjedhjet nacionale dhe lokale”, ka thënë Tahiri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se duhet përcaktuar disa afate të brendshme të punës si dhe temat që do të trajtohen.

“Duke synuar të adresojmë mbi 35 rekomandime të dhëna nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian. Që nga 2017 vazhdojnë të përsëriten këto rekomandime dhe kërkesa e Zyrës së BE-së për t’i adresuar, qoftë përmes misionit në Kosovë, qoftë përmes raportit të progresit, por mbi të gjitha adresim i këtyre rekomandimeve është i rëndësishëm për shkak të përmirësimit të procesit dhe demokracisë në Kosovë. Mbi pesë palë zgjedhje në Kosovë, për të gjitha ka rekomandime, madje në një moment edhe BE kishte kushtëzuar edhe vazhdimin e procesit zgjedhor me adresimin e këtyre rekomandimeve”, ka thënë Rrustemi.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është e rëndësishme të përfshihen edhe partitë politike jo parlamentare, shoqëria civile dhe komunitetet jo shumicë.

“Sa i përket punës së komisioni unë nuk kisha thënë që ne të merremi me rregullore të punës, ne jemi komision ad-hoc ne zbatojmë rregullore, por duhet të punojmë gjatë në planin e punës, përcaktimin e afateve, objektivave, detyrat që i ndajmë brenda këtij komisioni dhe mbi të gjitha, që kjo ju bie barrë ju kryetar i komisionit, me siguri gjithëpërfshirës, jo vetëm të partive politike parlamentare por edhe të partive politike jo parlamentare dhe OJQ-ve, publikut, si komunikojmë, sepse është mirë ne me arrit një konsensus shoqëror për ndryshimet në legjislacionin që prekin zgjedhjet, sigurisht një lloj dakordimi të partive politike jo parlamentare, e besoj që kjo kontribuon në ruajtjen e demokracisë”, ka thënë Hoti.

Opinione

Arifi: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së si instrument diplomatik kundër Kosovës dhe Perëndimit

Published

on

By

Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund t’i japë Serbisë dhe kundërshtarëve të Perëndimit material për një fushatë diplomatike kundër Kosovës. Në qendër të saj do të ishte përpjekja për ta paraqitur Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe, përmes këtij interpretimi, për ta lidhur krijimin e shtetit me një projekt kriminal. Synimi do të ishte cenimi i legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe i besueshmërisë së shteteve që mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e saj.

Diplomacia serbe mund ta ndërtojë argumentin mbi vazhdimësinë ndërmjet udhëheqjes së luftës dhe institucioneve të pasluftës. Roli i ish-drejtuesve të UÇK-së në shtetndërtim do të përdorej për të pretenduar se institucionet e Kosovës burojnë nga struktura të cilësuara si kriminale. Kjo narrativë do të synonte ta zhvendoste debatin nga represioni serb dhe rrethanat e ndërhyrjes ndërkombëtare te akuzat kundër origjinës së shtetit të Kosovës. Në muajt e ardhshëm, Beogradi mund ta përdorë këtë interpretim në dosje diplomatike, takime dypalëshe dhe debate në organizata ndërkombëtare. Përpjekjet pritet të përqendrohen te shtetet që nuk e njohin Kosovën dhe te qeveritë që ende hezitojnë ta mbështesin. Objektivi mund të jetë pengimi i njohjeve të reja, shtyrja e anëtarësimeve dhe sigurimi i abstenimeve. Edhe pa ndryshuar qëndrimin e partnerëve kryesorë të Kosovës, Serbia mund të përfitojë nga shtimi i dyshimeve te shtetet më pak të angazhuara në rajon.

Për Rusinë, dobia politike do të shtrihej përtej Kosovës. Autoritetet ruse mund ta përdorin vendimin për të pretenduar se NATO-ja ndërhyri në mbështetje të një udhëheqjeje kriminale dhe se qeveritë perëndimore e kthyen atë mbështetje në një projekt shtetëror. Në këtë mënyrë, aktgjykimi do të përfshihej në akuzat për standarde të dyfishta, ndërhyrje selektive dhe përdorim politik të së drejtës ndërkombëtare. Në debatet mbi Ukrainën, qëllimi do të ishte dobësimi i autoritetit të Perëndimit për të gjykuar veprimet e Rusisë. Kina mund ta përdorë të njëjtën çështje me një gjuhë të përqendruar te sovraniteti dhe integriteti territorial. Diplomacia kineze mund ta paraqesë Kosovën si shembull të pasojave të ndërhyrjes së jashtme dhe mbështetjes për shkëputje territoriale. Ky mesazh mund të gjejë terren te qeveritë që përballen me konflikte territoriale ose lëvizje separatiste.

Një tjetër objektiv mund të jetë vetë opinioni publik në Kosovë. Mesazhi se Perëndimi i mbështeti drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës dhe shtetndërtimit, për t’i braktisur më pas, mund të përdoret për të ushqyer mosbesimin ndaj partnerëve euroatlantikë. Jashtë Kosovës do të sulmohej besueshmëria e Perëndimit; brenda saj, besimi te partneriteti me të.  Për Kosovën, rreziku i afërt është që interpretimi i kundërshtarëve të qarkullojë më shpejt dhe më gjerësisht sesa përgjigjja e institucioneve të saj. Prishtina duhet të përgatitë një përgjigje diplomatike të dokumentuar dhe të bashkërenduar me partnerët. Ajo duhet të kundërshtojë përdorimin e vendimit për rishkrimin e historisë së luftës dhe delegjitimimin e shtetit. Heshtja do t’u linte kundërshtarëve hapësirë për të përcaktuar pyetjet të cilave Kosova do të detyrohej t’u përgjigjej.

Dritëro Arifi është profesor i Shkencave Politike në UBT 

 

Continue Reading

Vendi

Nisin xhirimet e filmit “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.

Filmi sjell historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre në të cilën sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të diplomës.

I bindur se përmes filmit mund të shprehë atë që nuk ka guxuar ta thotë vetë, ai përballet me një proces të brendshëm mes asaj që pritet prej tij dhe asaj që dëshiron të shprehë.

Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.

Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e tetorit.

Filmi është bashkëprodhim mes Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.

Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë./A.K/

Continue Reading

Vendi

FSK rrit kapacitetet teknike për mirëmbajtjen e automjeteve me mbështetjen e SHBA-së

Published

on

By

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar me sukses trajnimin “Maintenance Event” në objektin e SMAR-it, në Aeroportin e Gjakovës, duke shënuar një tjetër hap përpara në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike të ushtrisë.

Trajnimi u zhvillua në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Gardës Kombëtare të Iowas nga SHBA-ja, ku pjesëtarët e FSK-së përfituan njohuri dhe përvojë praktike në inspektimin, mirëmbajtjen, diagnostikimin dhe riparimin e sistemeve kryesore të automjeteve ushtarake HMMWV. Fokus i veçantë gjatë këtij trajnimi i u kushtua transmisionit, sistemit të derivateve dhe atij elektronik.

Gjithashtu, një komponent me rëndësi i këtij aktiviteti ishte edhe zhvillimi i kapaciteteve të instruktorëve të rinj të FSK-së, me qëllim që njohuritë e fituara të bartren tutje te pjesëtarët e tjerë të forcës.

Ky aktivitet ndikon drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit për mirëmbajtjen e mjeteve ushtarake, si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit të qëndrueshëm me Gardën Kombëtare të Iowas.

Continue Reading

Lajmet

Erdoğan takon Kurtin në New York, Turqia rikonfirmon mbështetjen për Kosovën

Published

on

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në “Turkish House” në New York, në kuadër të pjesëmarrjes në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Presidencës turke, në takim janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Kosovës, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.

Erdoğan ka deklaruar se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për rritjen e vëllimit tregtar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

Presidenti turk ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Ankarasë për Kosovën në përpjekjet për të forcuar pozitën e saj në komunitetin ndërkombëtar, ndërsa ka theksuar edhe mbështetjen e Turqisë për dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Gjatë takimit, Erdoğan e ka ftuar Kurtin të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të COP31, i cili do të mbahet në Turqi.

Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ministri i Tregtisë, Ömer Bolat, si dhe zyrtarë të tjerë të Presidencës turke./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara