Sport
KOK-u mbyll kampanjën “Jepi paqes një shans”, nënshkruan marrëveshje me “PLAY International”
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tregoi mesazhin që ka përçuar kjo kampanjë me ngritjen e letrave të bardha.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiKomiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me federatat e sportit si ajo e basketbollit, atletikës, tenisit, karatesë, si dhe Komitetin Paraolimpik të Kosovës organizuan sot aktivitete të ndryshme sportive, në shënimin e mbylljes së kampanjës “Jepi paqes një shans”. Ndërkohë që ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me “PLAY International”.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tregoi mesazhin që ka përçuar kjo kampanjë me ngritjen e letrave të bardha, veçanërisht në këtë kohë lufte që po zhvillohet mes agresorit rus dhe Ukrainës.
“Ngritja e letrës së bardhë simbolizon dërgimin e mesazhit të paqes në botë. Ky mesazh si kurrë më parë meritonte të përçohej pikërisht tani, kur bota ka kthyer vëmendjen te lufta në Ukrainë, e cila na kujton më së miri ndjenjën që ne kishim 23 vite më parë”, tha Krasniqi.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha që sportistët janë ata të cilët e dëshmojnë që mund të jesh kundërshtarë i rreptë në arenën sportive dhe të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.
“Sportistët janë ata që dëshmojnë se është e mundshme me qenë kundërshtarë i rreptë në arenën sportive, por njëkohësisht për të jetuar në miqësi, në paqe dhe duke e respektuar njëri-tjetrin. Kjo është zotësia e sportit, për ta ndryshuar botën, për të krijuar zhvillim të qëndrueshëm e paqe, si dhe solidaritet për të gjithë, e madje do të thosha që ky është misioni i shenjtë i sporteve, me i bashku njerëzit në gara paqësore, që ndonëse i fusin në konkurrencë nga njëra anë, e bashkojnë dhe vëllazërojnë krejt njerëzimin në gjithë diversitetin e vet”, tha Rama.
Në anën tjetër, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës dhe njëkohësisht anëtarë i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (NOC), Morinari Watanabe, u shpreh tejet i kënaqur me pjesëmarrjen e sotme në këtë ceremoni, ndërsa tha që duhet të inkurajohet respekti për njëri-tjetrin në mënyrë që të shmanget çdo konflikt i mundshëm.
“Kombet e Bashkuara përcaktojnë pesë përfitime që mund të arrihen përmes sportit. Përfitimi i parë është zhvillimi dhe forcimi i aftësive të nevojshme të fëmijëve për jetë. E dyta është zhvillimi jo vetëm fizik por edhe mendor. E treta është promovimi i barazisë gjinore. E katërta është rritja e përfshirjes sociale të gjithë njerëzve, pavarësisht nga aftësitë e tyre të kufizuara. E pesta, që mendoj se është ndër më të rëndësishmet, është respektimi i njëri-tjetrit dhe nxitja e solidaritetit. Unë besoj se nëse do të ishim në gjendje të inkurajonim respektin për njëri-tjetrin në botë, sot, kjo mund të shmangte përshkallëzimin që çon në konflikt”, tha Watanabe.
Ambasadorja e Francës në Kosovës, Marie-Christine Butel u shpreh tejet e lumtur që është pjesëmarrëse në aktivitetin e sotëm, ku tha që sporti është gjuhë e fuqishme, qëllimi i së cilës është thyerja e barrierave dhe ofrimi i një jetese plot diversitet.
“Jam e lumtur që sot në ditën ndërkombëtare të sportit për zhvillim dhe paqe, marrë pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga partnerët tanë, ngjarje kjo që ka për qëllim promovimin e vlerave që ka sporti. Sporti është gjuhë e fuqishme, qëllimi i së cilës është thyerja e barrierave dhe ofrimi i një jetese plot diversitet, nga pikëpamja e kulturave të ndryshme, e komuniteteve, mbi vlerat e përbashkëta, dinjitetin njerëzor, respektin, barazinë, e vëllazërinë. Për këtë është e rëndësishme që t’ua mësojmë gjeneratave të reja, vlerat që ka sporti”, tha Butel.
Në fund, presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi së bashku me shefen e organizatës “PLAY International”, Sara Kalachova, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, për të organizuar së bashku aktivitete të ndryshme sportive, ku Kalachova tha që të gjithë së bashku mund të tregojnë se janë pjesë e një komuniteti mbarë botëror që është i vendosur të bëj veprime për të transformuar botën përmes sportit.
Në ceremoninë e sotme, prezent ishin fytyra të shumta publike, ndër ta presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës dhe njëkohësisht anëtarë i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, Morinari Ëatanabe, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel dhe shefja e organizatës “PLAY International”, Sara Kalachova.
Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe me sloganin “Jepi paqes një shans” filloi aktivitetet e saj më datën 6 prill deri më sot, respektivisht më 13 prill, dhe kishte për synim promovimin e paqes dhe të sportit.
Lajmet
FBK emëron Bujar Locin përzgjedhës të Kosovës ndaj Shqipërisë
Published
7 hours agoon
November 19, 2025By
UBT News
Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se Bujar Loci do të drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në konkurrencën e meshkujve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në FIBA EuroBasket 2029 Pre-Qualifiers.
Bujar Loci ka qenë basketbollist i KB Pejës, ku fitoi tri herë titullin, tri herë Kupën dhe një herë Superkupën si basketbollist.
Karrierën e vazhdoi si trajner po ashtu te KB Peja, duke qenë kryetrajner e më pas edhe ndihmëstrajner. Loci me sukses ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën e Rahovecin, kurse ka qenë trajner edhe te KBF Penza.
Për shumë vjet është ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Kosovës, kurse nga edicioni i kaluar është trajner në Grapeland (Rahoveci 029), duke e udhëhequr nga Liga e Parë në ProCredit Superliga, ku është trajneri i vetëm vendor në elitë.
Ndër të tjerash, Bujar Loci, ka qenë përzgjedhës i Kosovës në vitin 2005, duke udhëhequr Dardanët në turneun në Aleksandri, në lojën ndaj Egjiptit dhe Rumanisë.
Debutimi i tij do të jetë më 30 nëntor 2025, në ndeshjen e parë parakualifikuese Shqipëria vs Kosova, ora 18:00./S.K/KP/
Lajmet
Real Madrid paralajmëron gjigantët evropian për Vinicius Jr
Published
8 hours agoon
November 19, 2025By
UBT News
E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e paqartë, sepse kontrata e brazilianit skadon në vitin 2027 dhe rinovimi i tij nuk është zgjidhur ende, duke hapur derën për interesim të madh nga klubet e tjera.
Sipas DefensaCentral, Real Madridi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë ofertë nën 100 milionë euro për sulmuesin dhe kjo shifër tashmë u është komunikuar agjentëve që pyesin çdo ditë për situatën e lojtarit.
Vetë lojtari ka treguar publikisht se dëshiron të vazhdojë te Real Madridi, por me ardhjen e trajnerit Xabi Alonso roli i tij ka ndryshuar.
Ai nuk është më titullar i padiskutueshëm, për shkak të sistemit më të ngurtë dhe rotacioneve që po përdor trajneri. Ky ndryshim ka krijuar pasiguri te lojtari dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në klub.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, është i vendosur të mos humbasë kontrollin mbi situatën: ose rinovim, ose shitje por asnjë largim me ulje çmimi.
Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe nëse Vinicius ndihet i rëndësishëm në projektin e Xabi Alonsos, rinovimi mund të bëhet realitet.
Për momentin, një gjë është e sigurt se Real Madridi nuk pranon oferta nën 100 milionë euro për yllin brazilian./S.K/KP/Al Jazeera/
Lajmet
UEFA ka aprovuar rikthimin e Barcelonës në Camp Nou
Published
8 hours agoon
November 19, 2025By
UBT News
UEFA ka aprovuar rikthimin e Barcelonës në Camp Nou për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, pasi stadiumi i rindërtuar pjesërisht tashmë i plotëson kushtet e nevojshme të sigurisë.
Ky vendim vjen pak ditë pas ndeshjes së parë të Barcelonës në kampionat në Camp Nou, duke i dhënë fund më shumë se dy viteve mërgim në stadiumin olimpik të Montjuic dhe në qendrën stërvitore Johan Cruyff.
Ndeshja e parë evropiane në Camp Nou do të luhet më 9 dhjetor, ku Barcelona pret Eintracht Frankfurtin. Stadiumi, i cili po rinovohet me një projekt prej 1.5 miliardë eurosh, për momentin do të funksionojë me kapacitet të reduktuar prej 45,401 vendesh.
Rihapja është vonuar disa herë për shkak të problemeve me licencat e sigurisë dhe vonesave në punimet e ndërtimit, duke i shkaktuar klubit humbje të konsiderueshme financiare.
Para rikthimit, Barça hapi dyert për 23,000 tifozë në një seancë prove stërvitore.
Kur punimet të përfundojnë plotësisht, Camp Nou i ri pritet të ketë kapacitet 105,000 spektatorë, duke u rikthyer si një nga stadiumet më të mëdha dhe modernë në botë./S.K/KP/
Lajmet
Kurti pas ndeshjes: Barazimi kundër një rivali si Zvicra është rezultat tepër pozitiv
Published
16 hours agoon
November 19, 2025By
UBT News
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas barazimit 1–1 ndaj Zvicrës në ndeshjen vendimtare të Grupit B, rezultat që i siguroi Kombëtares së Kosovës kualifikimin historik në fazën e playoff-it drejt Kupës së Botës 2026.
Kurti theksoi se barazimi kundër një rivali si Zvicra është rezultat tepër pozitiv dhe tregues i rritjes së madhe të futbollit kosovar.
“Rezultat pozitiv ndaj Zvicrës dhe arritje e jashtëzakonshme: kualifikimi për në fazën tjetër drejt Kupës së Botës 2026. Po luajmë futbollin më të bukur ndonjëherë, me disiplinë ndaj taktikave dhe planit të lojës, dhe pasion për stemën dhe vendin. Mezi i presim ndeshjet e radhës,”, ka shkruar ai.
Kosova e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë me 11 pikë, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në playoff-in e kualifikimeve për Botërorin, një moment historik për futbollin e vendit./S.K/KP/
Ramadan Nishori ndan rrëfimin e tij para studentëve të UBT-së në një takim të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar
Art, media dhe kujtesa historike: Vizita e studentëve të UBT-së në Reporting House
FBK emëron Bujar Locin përzgjedhës të Kosovës ndaj Shqipërisë
Real Madrid paralajmëron gjigantët evropian për Vinicius Jr
Të respektohen afatet kushtetuese, Zemaj ka një apel për presidenten Osmani
Dështimi i formimit të qeverisë, Krasniqi ka këtë kërkesë për Vjosa Osmanin
UEFA ka aprovuar rikthimin e Barcelonës në Camp Nou
AUV ndalon importin e shpezëve dhe nënprodukteve nga zonat administrative të Gjermanisë
Ismaili: Vota e PDK-së do të jetë kundër
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Bahri Gashi, pjesë e rrjetit prestigjioz ndërkombëtar të recensimit shkencor në Taylor & Francis
-
Aktualitet4 weeks agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Rajoni2 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Vendi2 months agoVotoni për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi në Triple E Awards: Dy nominime të reja ndërkombëtare për institucionin dhe Kosovën
