Radomir Laban, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nga komuniteti serb së fundi është emri me vëmendje tek opinioni publik në Kosovë pikërisht në kulmin e një krize institucionale që po zgjat prej disa muajsh.
Presidentja Vjosa Osmani për shkak të Laban, të martën tërhoqi kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik.
Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e Laban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përcakton se gjyqtari raportues në një çështje caktohet nga kryetari i gjykatës dhe se ai është përgjegjës për hartimin e raportit që i paraqitet kolegjit për shqyrtim.
Laban është i njohur për publikun në Kosovë që nga viti 2018, kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, refuzoi fillimisht t’ia dorëzonte dekretin për emërim derisa të verifikohej nga organet e drejtësisë, ku disa muaj më vonë Thaçi e dekretoi atë.
Por, presidentja Osmani tani thotë se ka informacione që Laban “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Kosovës”. Në një konferencë për media më 5 gusht, Osmani deklaroi se Gjykata Kushtetuese është njoftuar për “veprimtarinë e rrezikshme” të Llaban në vitet 2018, 2021 dhe 2024.
Ajo nuk pranoi të jep detaje se në cilën mënyrë Laban paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, duke theksuar se ky është një vlerësim i besuar institucioneve të sigurisë.
Laban ishte propozuar për këtë post nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, dhe që e kishte vlerësuar atë si kandidat me cilësi të larta morale dhe integritet me mandat nëntëvjeçar.
REL ka dërguar pyetje edhe vetë gjyqtarit Laban për të komentuar akuzat e presidentes Osmani, por deri më tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi më 6 gusht se Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar në vitin 2018 një kërkesë zyrtare drejtuar ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, për të nisur procedurën e shkarkimit të Laban, për shkak të së kaluarës së tij kriminale. Sipas Haxhiut, përgjigjja kishte qenë se një kërkesë e tillë përbënte ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po ashtu më 6 gusht duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e quajti “absurde” që një person, i cili sipas informacioneve të institucioneve të sigurisë paraqet rrezik për rendin kushtetues, “të gjykojë tani për një çështje kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte sqaruar më herët për REL se, sipas nenit 118 të Kushtetutës së Kosovës, një gjyqtar i kësaj gjykate mund të shkarkohet vetëm në rast të një vepre penale të rëndë ose të një shkeljeje të rëndë të detyrës gjatë ushtrimit të mandatit, dhe vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Kushtetueses.
Në dënimin me burgim të Laban është përfshirë edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 28 nëntori 2006 deri më 3 prill 2009. Gjykata Themelore në Kralevë kishte përcjellë më 2017 një kërkesë për arrestimin e Laban në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, por ky mision kishte deklaruar se nuk ka mandat për të kryer një arrestim të tillë.
Gjykata po ashtu bëri të ditur për REL se më 2018, në përputhje me procedurat për ndihmë juridike, i ishte drejtuar edhe Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë me një kërkesë që kjo e fundit t’i drejtohej përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Prishtinë në lidhje me rastin Laban.
REL i është drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës me pyetje nëse posedon ndonjë informacion mbi akuzat që presidentja Osmani i ka bërë ndaj gjyqtarit Laban, për kërcënim të sigurisë kombëtare, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Laban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh. Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.