Lajmet

​Ibishi paralajmëron përshkallëzim të situatës në veri

Ai tregon se cila o zgjidhja

Published

on

Një sistem i menaxhimit në distancë nga ana e katër kryetarëve të rinj të komunave veriore me shumicë serbe po shihet si modaliteti më i afërt për të qetësuar situatën në veri të vendit. Në të kundërtën njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi konsideron se do të ketë përshkallëzim të situatës në katër komunat veriore, ku pjesëtarët e komunitetit serb po kundërshtojnë me protesta shkuarjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi derisa thekson se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme me veprimet e saj, deklaron se duhet të gjendet një modalitet për funksionimin e kryetarëve në komunat Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq. Sipas tij, Beogradi asnjëherë nuk zgjedh mjetet për të destabilizuar gjendjen në veri të Kosovës.

“Realiteti është që ajo po has në protesta të vazhdueshme nga komuniteti serb dhe i përkrahur dhe shtytur nga Beogradi, i cili nuk zgjedh mjete për të destabilizuar apo edhe për të ngritur shqetësime në katër komunat në veri dhe mendoj se duhet të gjendet një modaliteti se si këta kryetarë duhet funksionalizohen me qëllim të mbarëvajtjes së punës së tyre…Një sistem i menaxhimit në distancë po i kthehemi sikur sistemit akademik të studimeve kur edhe ajo është e mundshme pak e vështirë në këtë situatë nga mundësia nga që realisht këto masa që u ndërmorën nuk hasën në përkrahje të ndërkombëtare në rend të parë të SHBA-ve dhe vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesve të lartë në BE. Duhet të jemi të kujdesshëm në këto veprime mendoj se duhet të zgjedhjet një modalitet i përbashkët që mund të funksionoj në një fazë tranzitore deri në zgjedhje politike të mundshme në të ardhmen”, theksoi Ibishi.

Njohësi Ibishi konsideron se zgjidhja e situatës në këtë momentum duhet të bëhet në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

“Mendoj se do të jetë një zgjedhje politike për një kohë të caktuar ngase realisht këto zgjedhje edhe pse kanë legalitet, por në aspektin e legjitimiteti dhe përfaqësimit të komuniteteve, nuk janë të përfaqësuar por pa fajin tonë në kuptimin e qeverisë dhe institucioneve tona, pasi që u shty njëherë dhe në rastin tjetër u përkrahën nga ndërkombëtarët, por tash po flasim për një momentum se si do të funksionalizohen kryetarët me vetë personelin, e tash ky modalitet duhet të shkoj në harmoni me ndërkombëtarët ngase vetë prezenca e shtuar e forcave policore po nxitë reagim nga komuniteti ndërkombëtar”, u shpreh njohësi i sigurisë.

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi paralajmëron eskalim tutje të situatës në katër komunat veriore, prandaj vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë mbarëvajtje të veprimeve.

“Po gjithsesi unë pres eskalim edhe mendoj për këtë arsye ne duhet ta bëjmë një mbarëvajtje të veprimeve tona pasi që kemi edhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë sidomos kur kemi të bëjmë me sigurinë e vendit kur kemi të bëjmë me rreziqet dhe kërcënimet e jashtme”, deklaroi Ibishi.

Ibishi ka kritikuar sjelljen e djeshme të raportueses për Kosovën, Viola Von Cramon, karshi policëve të Kosovës në veri gjatë qëndrimit të saj atje. Sipas njohësit të sigurisë, Cramon ishte e pamatur dhe pyetja e saj karshi pjesëtarëve policorë ishte provokative. Cramon gjatë vizitës së saj dje në pjesën veriore, i kishte pyetur policët “Çka dreqi iu solli këtu”.

“Cramon e cila më duket e pamatur iu drejtohet policëve, policët kryejnë detyrat ligjore, nuk ka nevojë t’i urdhëroj as politikanët tani as një politikë e dikujt tjetër. Atyre duhet t’u thuhet se apo veproni në bazë të ligjit çka kërkoni ju këtu është një pyetje provaktive dhe e pavend ngase policët kryejnë shërbim në shërbim të qytetarëve kurdo që janë se si ata janë dhe si duke e në çfarë mase janë dispozitat ligjore që e caktojnë”, tha ai.

Qysh në orët e hershme të mëngjesit protestat pranë komunave veriore Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë duke vazhduar. E gjatë ditës së sotme janë shtuar edhe forcat e KFOR-it në pjesën veriore të vendit.

Gjatë ditës së sotme ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovnier është takuar me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe me atë të Zveçanit, Ilir Peci. Ndërsa, pas këtij takimi ambasadori amerikan zhvilloi takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vendi

Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Published

on

By

Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.

Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit nga 6 marsi, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje.

“Të konstatojë që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin
brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij
Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja
e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex
constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të
zhvillohen brenda 45 ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66
[Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u tha në vendim.

Vendimi vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë./REL/

 

Continue Reading

Aktualitet

Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës

Published

on

By

Media shtetërore iraniane, Press TV, duke cituar një “zyrtar të lartë të sigurisë politike”, njoftoi se Irani ka hedhur poshtë një propozim të Shteteve të Bashkuara që synonte përfundimin e konfliktit aktual, raporton BBC.

Megjithëse burimi mbetet anonim, raportohet se qëndrimi zyrtar i Teheranit është i prerë: “Irani do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe kur të plotësohen kushtet e tij.” Zyrtarët iranianë kanë theksuar vazhdimisht se kërkojnë një përfundim të plotë të luftës dhe jo thjesht një armëpushim të përkohshëm.

Pesë kushtet e Iranit

Sipas raportimeve, pala iraniane ka paraqitur pesë kërkesa kyçe për arritjen e një marrëveshjeje:

  1. Ndalimi i plotë i agresionit: Pushimi i menjëhershëm i të gjitha sulmeve dhe atentateve nga ana e armikut.
  2. Garanci sigurie: Krijimi i mekanizmave konkretë që sigurojnë që lufta të mos i imponohet përsëri Republikës Islamike.
  3. Dëmshpërblimet: Pagesa të garantuara dhe të përcaktuara qartë për dëmet e luftës dhe reparacionet.
  4. Zgjidhja rajonale: Përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës të përfshira në rajon.
  5. Sovraniteti detar: Njohja ndërkombëtare dhe garancitë mbi të drejtën sovrane të Iranit për të ushtruar autoritet mbi Ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për të vijuar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, Teherani i ka cilësuar propozimet amerikane si “të tepërta” dhe të papranueshme në formën e tyre aktuale. /BBC/

 

Continue Reading

lajme

Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një vendim me rëndësi të veçantë për pensionistët kontributpagues, përmes të cilit shpallet i paligjshëm kufizimi kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore.

Ky vendim vjen pas shqyrtimit të një konflikti administrativ kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku Gjykata ka shfuqizuar nenin që kërkonte që dëshmitë për shkollim të lartë të ishin fituar para datës 1 janar 1991.

Sipas arsyetimit zyrtar, ky kufizim i vendosur përmes një udhëzimi administrativ nuk ka pasur bazë në ligjin për skemat pensionale dhe ka tejkaluar kompetencat ligjore të ministrisë.

Gjykata vlerëson se e drejta në pension duhet të lidhet me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore, e jo me kohën kur dikush ka përfunduar shkollimin.

Ky rregull deri më tani ka krijuar dallime të pajustifikuara dhe ka përjashtuar një kategori të tërë pensionistësh nga e drejta për një pension më të lartë bazuar në kualifikimin e tyre profesional.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme konfirmon se kushti i vendosur ishte arbitrar dhe diskriminues, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit.

Ky vendim u mundëson pensionistëve kontributpagues që të gëzojnë gradën e tyre arsimore pa u kushtëzuar nga data e diplomimit, duke siguruar që lartësia e pensionit të jetë në përputhje me përgatitjen e tyre profesionale dhe kontributet e dhëna gjatë viteve të punës.

 

Continue Reading

Lajmet

Studimet në Media dhe Komunikim: Karrierë profesionale dhe mbështetje financiare në UBT

Published

on

By

Zhvillimi i shpejtë i industrisë së medias dhe kërkesat e vazhdueshme të tregut në Kosovë kanë rritur nevojën për profesionalizëm në fushën e komunikimit dhe multimedias.

Programi Media dhe KomunikimUBT është ndërtuar si një mundësi e mirë që bashkon mësimet teorike me punën praktike, duke u ofruar studentëve aftësitë e duhura për të punuar në fusha të ndryshme pas diplomimit.

Ky program trevjeçar është i fokusuar në këto pika kryesore: zhvillimin e aftësive për intervistim dhe shkrim mediatik, njohuritë mbi funksionimin e gazetarisë moderne, si dhe zbatimin e etikës profesionale në gazetari.

Programi është i krahasueshëm me planet mësimore të universiteteve të njohura në Prishtinë, Tiranë, Zagreb dhe Paris, duke garantuar kështu një nivel cilësor të edukimit.

Një lehtësim i rëndësishëm për studentët e rinj është se kushdo që regjistrohet në këtë drejtim përfiton bursë prej 20% për të tri vitet e studimit, gjë që ndihmon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e studimeve të tyre.

Përmes detyrave individuale dhe projekteve në grup, studentët mësojnë si të punojnë në mjedise të ndryshme, si të krijojnë strategji për marketingun digjital dhe si të nisin bizneset e tyre mbi baza të shëndosha profesionale.

Ky drejtim synon të plotësojë mungesën e gazetarëve dhe ekspertëve të komunikimit në vend, duke u dhënë mundësi studentëve që gjithçka që mësojnë në ligjërata ta ushtrojnë përmes praktikës në institucione shtetërore, publike dhe private

Continue Reading

Të kërkuara