Lajmet

​Ibishi: BIA ishte strukturë e paarmatosur, nuk kishte të drejtë të arrestojë apo ndalojë individ

Komandant Leka tregoi se më 10 prill 1999 ishte plagosur pasi kishin bërë fortifikimin e pozicioneve me qëllim të mbrojtjes së refugjatëve.

Published

on

Dëshmitari i nëntë i mbrojtje së Salih Mustafës, Nuredin Ibishi gjatë dëshmisë së tij të martën ka deklaruar se njësiti BIA ka qenë strukturë civile e paarmatosur dhe nuk ka pasur të drejtë të arrestojë apo ndaloj individ. Komandant Leka ka treguar edhe për periudhën kur ishte plagosur dhe trajtimin mjekësor që kishte marr bashkë me bashkëluftëtarin, Kapllan Parduzi i cili dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes e ka dhënë dje para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Dëshmitari: Sa unë kam njohuri njësiti BIA ka qenë strukturë civile e paarmatosur ka pasur detyrat mbështetëse për UÇK-në pjesën aktive dhe mbrojtjen civile dhe normalisht na ka dhënë informacione për pozicionimin e forcave serbe në qytet dhe pjesët urbane.

Avokati Shala: A ka pasur të drejtë të arrestoj dhe të ndaloj individë?

Dëshmitari: Jo.

Komandant Leka tregoi se më 10 prill 1999 ishte plagosur pasi kishin bërë fortifikimin e pozicioneve me qëllim të mbrojtjes së refugjatëve që kanë ikur nga Podujeva dhe Lugina e Llapit.

“Jemi pozicionuar pasi e kemi bërë fortifikimin e pozicioneve me qëllim të mbrojtjes të refugjatëve që ikën nga Podujeva dhe lugina e Llapit dhe u vendosën në luginën e Turuçicës e deri në Orllan atëherë unë dhe disa bashkëluftëtarët vendosëm fortifikatat, pozicionet dhe njësitet aty dhe në kohën kur ndodhi sulmi ne iu bashkëngjitëm forcave pasi ishim duke shkuar në vizitë tek refugjatët por ndërkohë unë i përgjoja me një sistem të lidhjes edhe e vërejta që do vijnë në drejtim tonin dhe gjatë këmbimit të zjarrit, normal ata ishin me armatim të rëndë me autoblinda e praga dhe nga vetë luftimi u plagosëm unë dhe Kapllan Parduzi dhe arritëm t’i thejmë forcat serbe dhe të mos t’i lejojmë të futen tek refugjatët ku prisnim se do të kryenin edhe masakra në pjesën e refugjatëve që ishin të zhvendosur”, tha ai.

Më pas Ibishi tregoi se trajtim mjekësor fillimisht e kishte marr aty për aty, ndërsa transporti i tyre për në spitalin e improvizuar në Potok kishte ndodhur po në ditën e plagosjes më 10 prill por vetëm pas orën 19:00 dhe kishte zgjatur 48 orë.

I pyetur nga avokati mbrojtës, Betim Shala për masat e sigurisë dhe se a ishin shoqëruar gjatë transportit, dëshmitari, Nuredin Ibishi tha se nuk e di se nga kush ishin shoqëruar sepse ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodheshin në një rimorkio të shtrirë dhe të mbuluar me tend pasi tërë kohën binte shi.

Avokati Shala: Na thatë që për transportin tuja janë ndërmarr të gjitha masat e sigurisë, cilat janë ato masa që janë ndërmarrë?

Dëshmitari: Në kuptim të sigurisë dhe transportit dhe kontakteve dhe mashutës që duhet të kaloj për këtë arsye kujdesej një prej eprorëve që ishte me ne pasi ne ishim të pamundur për tu siguruar sepse ishim në situatë të rëndë unë dhe Kapllan Parduzi.

Dëshmitari: Jashtë nuk kam pasur mundësi me pa por brenda ka qenë personeli mjekësor ka qenë absolvent i mjekësisë, Enver Hoxha ka qenë edhe një teknike ashtu, ka qenë gjithashtu në afërsi edhe Latif Gashi që ka ndërmarrë masa të sigurisë dhe normal në pjesën jashtë nuk kam mundur ta shoh sepse rimorkio ka qenë e mbuluar me tend për shkak të kushteve atmosferike sepse non-stop binte shi.

Komandant Leka tregoi se trajtimin mjekësor në spitalin ushtarak në Potok e ka marr për 3 javë.

Avokati Shala: Zotëri dëshmitar sa ka zgjatur trajtimi juaj në këtë spital, sa keni qëndruar aty?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet me kohë por me siguri se kjo duhet të ketë zgjatur edhe pse në kushte të vështira ndoshta 3 javë ditë por them ashtu e merrja vetën sepse duhej t’i përgjigjem nevojave çfarë ishin realisht në terren dhe që ishte koha e operacioneve luftarake për pastrim etnik të forcave serbe, që kulmoi me largimin e 700 mijë banorëve nga Kosova, periudha më e ndjeshme për këtë arsye unë i plagosur është dashur ta lëshoj spitalin mu për shkak të kryej detyrën ta zbatoj detyrën.

Dëshmitari i mbrojtjes, Nuredin Ibishi tregoi edhe për trajtimin e dytë që e kishte marr në pjesën e majit në Maqedoni së bashku me tre persona të tjerë.

“Trajtimi i dytë kjo ka ndodhur diku kah pjesa e dytë e maji në Maqedoni pasi që ka dështuar tentativa e parë e shkuarjes përkundër asaj që isha vetë i sëmurë organizohej me gjitha ato mbështetje në kuptim të bartjes pasi kishim dy të plagosur dhe një të sëmurë rëndë kishte të bënte me Kapllan Parduzin i cili ishte i palëvizshëm dhe kishte të bënte me zëvendëskomandantin e brigadës 152 i cili kishte distrofin e muskujve dhe Afrimi i zonës së Karadakut për të cilët të tre u deshtë të transportohen në Maqedoni për shkak të gjendjes dramatike…12’49 Po ka zgjatur pak ditë, Korabi ka vazhduar, Kapllan Parduzi ka vazhduar të mbetet aty me Batushën zëvendëskomandantin e brigadës 152 Shaban Shala dhe Afrimi që ka qenë i plagosur ndërsa unë është dashur të kthehem në Kosovë“, tha ai.

Në sesionin e parë të kësaj seanca të sotme mbrojtja i ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin, Nuredin Ibishi i cili pas pauzës pritet tu përgjigjet pyetjeve të prokurorëve.

Vendi

Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshje ndërkombëtare

Published

on

By

Në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës pas një pauze rreth njëmujore, deputetët ratifikuan shtatë marrëveshje ndërkombëtare nga 12 sa ishin paraparë në rendin e ditës.

Në sallë ishin të pranishëm 81 deputetë, të cilët votuan pro shtatë marrëveshjeve të para. Mirëpo, seanca u përcoll me debate dhe largime, pasi deputetët e PDK-së lëshuan sallën në fillim të punimeve, meqë u refuzua kërkesa e tyre që draft-rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës historike të vendosej si pikë e parë e rendit të ditës.

Nga ana tjetër, edhe pse ishin në sallë, deputetët e Listës Serbe nuk votuan as për prezencë e as për marrëveshjet në fjalë.

Ndërkaq, katër marrëveshjet e mbetura nuk u votuan nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me arsyetimin se ato kishin nevojë për shqyrtim paraprak.

Ndër vendimet më të rëndësishme që kaluan këtë të enjte ishte edhe marrëveshja e kredisë prej 33 milionë eurosh ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, e dedikuar për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Marrëveshjet e ratifikuara:

  • Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
  • Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
  • Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
  • Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
  • Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Mekatronikës në UBT përfitojnë përvojë praktike në teknologjitë më të avancuara në ITP Prizren

Published

on

By

Fakulteti i Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT vazhdon të dëshmojë qasjen e tij moderne dhe të orientuar drejt praktikës, duke organizuar aktivitete që i lidhin studentët drejtpërdrejt me industrinë dhe teknologjitë më të avancuara.

Në këtë kuadër, studentët e vitit të tretë realizuan një vizitë studimore në qendrën ITP në Prizren, të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Betim Shabani dhe Ass. Ylli Rexhaj, MSc Cand., ku patën mundësinë të njihen nga afër me proceset më të reja të prodhimit dhe inovacionit teknologjik.

Gjatë vizitës, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me teknologjinë e printimit 3D, duke ndjekur të gjithë ciklin e zhvillimit, nga skanimi dhe modelimi digjital i objekteve, deri te realizimi i tyre fizik dhe procesi i post-procesimit si fazë përfundimtare.

Kjo eksperiencë praktike përfaqëson një nga elementet kyçe të programit të Mekatronikës në UBT, i cili është i ndërtuar mbi ndërthurjen e teorisë me praktikën, duke përgatitur studentët për sfidat reale të industrisë moderne.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT synon të zhvillojë te studentët aftësi konkrete profesionale, mendim inovativ dhe gatishmëri për tregun e punës, duke e bërë programin e Mekatronikës një nga drejtimet më atraktive dhe të kërkuara për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në teknologji, automatizim dhe industri të avancuara.

Vizita në ITP Prizren është vetëm një nga shumë aktivitetet praktike që organizohen në kuadër të këtij programi, duke e pozicionuar UBT-në si një institucion lider në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes në fushën e mekatronikës dhe teknologjisë.

Continue Reading

Vendi

Gjermania ndan 3 milionë euro donacion për FSK-në

Published

on

By

Gjermania ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e saj të palëkundur për transformimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes një donacioni të ri prej 3 milionë eurosh.

Ministri i Mbrojtjës Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ky donacion vjen në kuadër të programit gjerman “Enable and Enhance”, i cili do të fokusohet në pesë projekte jetike, me synim kryesor fuqizimin e flotës së transportit ushtarak dhe ngritjen e kapaciteteve për mbështetje mjekësore brenda forcës.

Gjatë ceremonisë së zyrtarizimit të kësaj mbështetjeje, Ministri Maqedonci, priti ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi mbi ecurinë e reformave në mbrojtje dhe nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.

Ministri Maqedonci e vlerësoi lart kontributin e qeverisë gjermane, duke theksuar se ky investim ndikon drejtpërdrejt në gatishmërinë operacionale të FSK-së.

“Republika Federale e Gjermanisë po vazhdon të mbështesë zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës,” u shpreh ministri Maqedonci, duke shtuar se ky donacion është i dedikuar për projekte konkrete që përmbushin standardet më të larta ushtarake.

Sipas krerëve të mbrojtjes, bashkëpunimi mes dy vendeve pritet të thellohet edhe më tej në të ardhmen, duke u fokusuar në trajnime të përbashkëta dhe asistencë teknike për të siguruar një forcë moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë.

Continue Reading

Lajmet

Studentet e masterit në Psikologji në UBT, Shqipe Shala dhe Drenusha Krasniqi mbajnë ligjëratë mbi autizmin

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ndërgjegjësuese, studentet e programit master në psikologji, Shqipe Shala dhe Drenusha Krasniqi, mbajtën një ligjëratë tematike mbi çrregullimin e spektrit të autizmit.

Ligjërata u fokusua në prezantimin e koncepteve bazë mbi autizmin, duke përfshirë karakteristikat kryesore, shenjat e hershme të identifikimit dhe sfidat që shoqërojnë këtë çrregullim në aspektin e zhvillimit dhe ndërveprimit social. Një rëndësi e veçantë iu kushtua ndërhyrjes së hershme dhe rolit të saj në përmirësimin e cilësisë së jetës për personat në spektrin e autizmit.

Gjatë prezantimit u trajtuan gjithashtu aspektet praktike të mbështetjes, duke përfshirë qasjet bashkëkohore në punën me fëmijët me autizëm, si dhe roli i familjes, institucioneve arsimore dhe profesionistëve në krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës.

Ky aktivitet synoi të kontribuojë në rritjen e vetëdijes dhe njohurive profesionale mbi autizmin, si dhe të nxisë një qasje më të ndjeshme dhe mbështetëse ndaj personave me këtë çrregullim në shoqëri.

Ligjërata u vlerësua pozitivisht nga pjesëmarrësit, duke reflektuar interesin dhe rëndësinë e trajtimit të temave të tilla në kuadër të formimit akademik dhe profesional.

Continue Reading

Të kërkuara