Lajmet

​Gërmime në Prishtinë për gjetjen e dy trupave të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës

Gjatë ditës do të gërmohen edhe dy lokacione të tjera.

Published

on

Ekipet mjekoligjore mëngjesin e sotëm (e enjte) kanë nisur gërmimet në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë pas dyshimeve për mbetje mortore për dy trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri tani ka përfunduar gërmimi i një lokacioni të vogël dhe ka nisur i dyti, ndërsa pritet që gjatë ditës të gërmohen edhe dy lokacione të tjera.

Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ditor Haliti dhe se këto gërmime po bëhen me urdhëresë të gjykatës. Ai tha se deri në këto momente nuk kanë hasur në ndonjë gjetje, por po presin deri në fund të përfundimit të gërmimeve.

“Këtu jemi me urdhëresë së Departamentit Special të Gjykatës duke ekzekutuar urdhëresën në kuptim të gërmimeve dhe zhvarrimeve të mbetjeve eventuale të personave që janë zhdukur gjatë kohës së luftës. Kemi disa informata në bazë të cilat jemi duke kërkuar edhe dy individë që potencialisht mund të gjenden në këtë zonë. Ne kemi filluar sot mëngjes me punë dhe jemi ende duke punuar dhe për momentin nuk kemi gjetje, por kemi ende punë për të bërë edhe dy lokacione shtesë për t’i mbuluar kështu që të shohim deri në fund të ditës se sa do të kemi rezultate… krejt varreza është një lokacion i tërë, por brenda saj i kemi disa mini-lokacione për momentin i kemi të identifikuar rreth 4 mini-lokacione të dytin jemi duke e përfunduar edhe dy të tjerë i kemi”, tha ai.

Teksa ka njoftuar se edhe më herët ka pasur gërmime në këto varreza të Muhaxherëve në “Mati 1”, Haliti tha se vështirësia më e madhe është mungesa e informacioneve të sakta.

“Përpara ka pasur këtu gërmime e zhvarrime janë zhvarrosur trupa që i kanë takuar kohës se luftës prej tyre mungojnë edhe dy persona të cilët ne jemi duke i kërkuar… Vështirësia më e madhe është informata e saktë ne kemi disa skica që janë ndarë nga ekipet ndërkombëtare që kanë punuar këtu në të kaluarën, mirëpo ato harta apo skica që janë marr në të kaluarën nuk janë edhe shumë të sakta në kuptim të interpretimit të tyre na mbetet neve të mbulojmë lokacion më të gjerë për të kuptuar a jemi në vendin e saktë apo jo”, tha ai.

Haliti u shpreh se së shpejti edhe në Podujevë do të ketë disa gërmime, përfshirë edhe disa lokacione të tjera që kanë mbetur pa përfunduar.

“E kemi edhe një urdhëresë ende të pazbatuar në Podujevë të cilën duhet ta planifikojmë së shpejti ta implemtojmë dhe i kemi disa urdhëresa të tjera të cilat janë ende në gjysmë të punës që kanë mbetur pa u implemtuar në tërësi që do t’u kthehemi gjatë kësaj kohe”, u shpreh ai.

Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës (KQPZh) u shpreh se përmirësimi i kushteve atmosferike ka krijuar mundësi që tu rikthehen gërmimeve për gjetje mortore të trupave të zhdukur gjatë luftës. Gara tha se për të katërtën herë po zhvillohen gërmime në këtë lokacion pasi ka dyshime se edhe dy trupa ndodhen në këtë lokacion.

Sfidë kryesore për identifikimin dhe gërmimet për gjetjen e trupave të personave të zhdukur sipas tij mbeten lokacionet në territorin e Serbisë për shkak të qasjes politizuese në vazhdimësi të institucioneve serbe karshi problemit.

“Është hera e katërt që po kthehemi në këtë lokacion për shkak se gjatë trajtimit të hollësishëm të të gjitha informatave kemi konkluduar që ekzistojnë mundësitë që dy trupa ose viktima ose mbetje mortore të dy kufomave të luftës potencialisht mund të jenë në këtë hapësirë të varrezave meqë nga të gjitha të dhënat që ne kemi trajtuar kemi konfirmuar se 8 viktimat që potencialisht mbi bazën e të dhënave kanë qenë të varrosura nga spitali i Prishtinës nga forcat serbe në këtë hapësirë të lokacionit deri më tani janë zhvarrosur vetëm 6 prej tyre që nuk përjashtohet mundësia që në këtë lokacion të jenë edhe dy viktima”, u shpreh Gara.

Në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës se fundit. Më 2 maj në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq është arritur dakordim për Deklaratën e Personave të Zhdukur.

Lajmet

Ndahet nga jeta legjenda e rock-ut David Clayton-Thomas

Published

on

David Clayton-Thomas, këngëtari kanadez dhe frontmeni i grupit legjendar Blood, Sweat & Tears, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Fituesi i çmimit Grammy u nda nga jeta në mënyrë paqësore të mërkurën në një spital në Toronto, ka bërë të ditur publicisti i tij, Eric Alper. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

Clayton-Thomas ishte një nga zërat më të njohur të muzikës jazz-rock dhe interpretoi hite si “You’ve Made Me So Very Happy”, “And When I Die” dhe “Spinning Wheel”. Gjatë karrierës së tij shiti mbi 40 milionë disqe dhe konsiderohet një nga artistët që ndikoi në zhvillimin e këtij zhanri muzikor.

Ai iu bashkua grupit Blood, Sweat & Tears në vitin 1968. Albumi me të njëjtin emër u shit në mbi 10 milionë kopje në mbarë botën, qëndroi shtatë javë në krye të klasifikimit Billboard dhe fitoi pesë çmime Grammy, përfshirë edhe çmimin për Albumin e Vitit, duke lënë pas edhe albumin Abbey Road të The Beatles.

Në vitin 1970, grupi u bë formacioni i parë rock që zhvilloi një turne në Evropën Lindore, pas një kërkese të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më vonë u zbulua se Clayton-Thomas ishte përballur me një ultimatum për ta zhvilluar turneun në këmbim të qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Ai u largua nga grupi në vitin 1972 për shkak të lodhjes nga turnetë e shumta, por më vonë publikoi mbi një duzinë albumesh solo dhe iu rikthye Blood, Sweat & Tears në fillim të viteve 1980.

David Clayton-Thomas lë pas dy vajzat e tij, Ashleigh Clayton-Thomas dhe Christine Graham. Sipas publicistit të tij, në një datë të mëvonshme do të organizohet një koncert përkujtimor në nder të jetës dhe muzikës së tij, ndërsa të ardhurat do t’i dedikohen organizatës bamirëse Peacebuilders Canada. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Spekulimet shtohen, Taylor Swift dhe Travis Kelce mund të martohen në Madison Square Garden

Published

on

Spekulimet për martesën e këngëtares me famë botërore Taylor Swift dhe yllit të NFL-së, Travis Kelce, janë shtuar pas raportimeve se është paraqitur një kërkesë për mbylljen e disa rrugëve pranë Madison Square Garden në New York gjatë fundjavës së 4 Korrikut.

Zëdhënësja e zyrës së kryetarit të New Yorkut, Dora Pekec, konfirmoi për BBC se në fillim të qershorit është dorëzuar një kërkesë për mbylljen e rrugëve rreth arenës nga 2 deri më 4 korrik. Megjithatë, ajo nuk bëri të ditur se kush e ka paraqitur kërkesën, ndërsa CNN raportoi se emrat e Swift dhe Kelce nuk figurojnë në dokumentacion.

Sipas The New York Times, disa lojtarë të ekipit Kansas City Chiefs, ku luan Kelce, kanë rezervuar dhoma hoteli në afërsi të arenës. Po ashtu, policët e Amtrak, që kujdesen për sigurinë në stacionin Penn Station poshtë Madison Square Garden, janë njoftuar të jenë të përgatitur për një dasmë të mundshme të Swift gjatë fundjavës festive.

Raportimet thonë se më 2 korrik mund të organizohet një ceremoni private me rreth 100 të ftuar, ndërsa më 3 korrik një festë më e madhe, ku nuk përjashtohen edhe performanca muzikore.

Lajmi ka ngjallur reagime të shumta mes fansave. Disa e kanë cilësuar Madison Square Garden si një zgjedhje të pazakontë për një martesë, duke menduar se Swift do të zgjidhte një ambient më romantik, si rezidenca e saj në Rhode Island. Të tjerë, megjithatë, e konsiderojnë arenën një vend simbolik, pasi ajo lidh botën e muzikës dhe sportit, dy fushat ku çifti ka ndërtuar karrierën.

Një tjetër arsye që përmendet është siguria e lartë që ofron arena, me hyrje private dhe masa të rrepta që do ta bënin të vështirë fotografimin e çiftit dhe të ftuarve nga paparacët.

Taylor Swift dhe Travis Kelce njoftuan fejesën e tyre në muajin gusht, ndërsa deri më tani nuk kanë konfirmuar zyrtarisht datën apo vendin e martesës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një grua gjendet pa shenja jete në Lipjan, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

Një grua ka humbur jetën në rrethana ende të panjohura në Lipjan.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 25 qershor, rreth orës 09:55, nga një dëshmitare, e cila ka njoftuar se viktima kishte rënë papritur në tokë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “Hetim mbi vdekjen”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste të dhunës në familje të regjistruara më 25 qershor në komuna të ndryshme të vendit, ku katër persona janë arrestuar.

Në Graçanicë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, tre meshkuj u përfshinë në një përleshje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të tre u liruan në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, një grua u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht një grua tjetër. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara u dërgua në mbajtje.

Në Viti, një grua raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga një mashkull pas një mosmarrëveshjeje verbale. I dyshuari u arrestua dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje.

Në Pejë, një grua raportoi se kishte qenë vazhdimisht viktimë e dhunës fizike dhe psikike nga një mashkull, ndërsa së fundi kishte pranuar edhe telefonata kërcënuese prej tij. Pas intervistimit, palët u liruan në procedurë të rregullt hetimore.

Në Deçan, një mashkull u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht një mashkull tjetër. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Ndërkaq, në Mitrovicë, një mashkull u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj një gruaje. Edhe në këtë rast, viktima pranoi trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara