Irani ka deklaruar se bota duhet të përgatitet që çmimi i naftës të arrijë në 200 dollarë për fuçi, ndërsa forcat e tij sulmuan anijet tregtare të mërkurën në Gjirin e bllokuar. Paralelisht, Irani hodhi predha drejt Izraelit dhe objektivave të tjerë në Lindjen e Mesme, duke dëshmuar se mund të kundërpërgjigjet përkundër asaj që Pentagoni i ka përshkruar si sulmet më intensive amerikano-izraelite deri më tani.
Çmimet e naftës, të cilat u rritën ndjeshëm në fillim të kësaj jave, janë stabilizuar disi dhe bursat janë rimëkëmbur, pasi investitorët po vënë bast se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të gjejë një mënyrë të shpejtë për t’i dhënë fund luftës që nisi krah Izraelit rreth dy javë më parë.
Trump, i cili vazhdimisht është përpjekur të qetësojë tregjet, tha në një intervistë telefonike për Axios se “praktikisht nuk ka mbetur asgjë” për të goditur në Iran. “Pak këtu e pak atje… Kurdo që unë dua që kjo të përfundojë, do të përfundojë,” u shpreh ai.
Ndërprerja më e rëndë e furnizimit që nga vitet ’70
Përkundër optimizmit të tregjeve, në terren nuk ka shenja të zbutjes së konfliktit apo ndonjë sinjal se anijet mund të lundrojnë të sigurta përmes Ngushticës së Hormuzit. Aty është bllokuar një e pesta e naftës në botë, duke shënuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit me energji që nga goditjet e naftës në vitet 1970.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka rekomanduar lëshimin e 400 milionë fuçive nga rezervat strategjike globale për të stabilizuar çmimet—ndërhyrja më e madhe në histori, e cila u miratua menjëherë nga Uashingtoni. Megjithatë, ritmi me të cilin vendet mund ta lëshojnë këtë rezervë përbën vetëm një pjesë të vogël të furnizimit që zakonisht kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Bëhuni gati që nafta të shkojë në 200 dollarë për fuçi, sepse çmimi i naftës varet nga siguria rajonale, të cilën ju e keni destabilizuar,” deklaroi Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës ushtarake të Iranit, në një mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara.
Çmimet e naftës, të cilat të hënën arritën për pak kohë në gati 120 dollarë, që atëherë janë stabilizuar rreth 90 dollarëve, gjë që sugjeron se investitorët shpresojnë në një përfundim të shpejtë të luftës dhe rihapjen e ngushticës. /Reuters/