Këngëtarja Dua Lipa ka folur për historinë e jetës së saj mes Kosovës dhe Londrës, por edhe për lidhjen e saj me Anwar Hadid.
Dua Lipa dhe i dashuri i saj Answar Hadid gjatë Festivalit Sunny Hill në Prishtinë.
Ajo në një intervistë për revistën Vanity Fair ka treguar se pavarësisht se u zhvendosën në Londër, prindërit e saj i flisnin shqip dhe e rritën me shumë dashuri për kulturën e vendlindjes.
“Gjithçka ishte shqiptare në shtëpi. Unë kisha aq shumë familjarë në Kosovë, por për shkak të situatës nuk isha në gjendje të kthehesha. Nuk i kisha takuar kurrë familjarët e mi”, tha Lipa, duke kujtuar se prindërit nuk i folën shumë për luftën në Kosovë pasi ishte e vogël dhe nuk donin ta mërzitnin.
Për më tepër, 25-vjeçarja tregon se jeta në Prishtinë nuk ishte e lehtë, pasi ajo kishte probleme me gjuhën, nuk performonte mirë në shkollë. Ndërkohë ajo nisi të mësonte më shumë për Kosovën dhe luftën. Dua thotë se kjo e nxiti të përdorte fuqinë e imazhit si yll popi, për të thënë fjalën e saj mbi këtë çështje.
“Kjo vjen kryesisht për shkak të rrënjëve të mia në Kosovë dhe pasi kam dashur të mbaj një qëndrim mbi këtë. Gjërat kanë buruar nga një përvojë personale. Teksa profili im po rritet, veçanërisht në internet, ndjej sikur kam nevojë ta përdor atë për të bërë diçka më të mirë sesa thjesht, e dini, të postoj fotografi të lezetshme ose çfarëdo gjëje tjetër,” tregon Lipa.
Dua ishte 12-vjeç kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008 dhe ajo kujton gëzimin e familjes së saj. Disa vjet më vonë, ajo i bindi prindërit që të zhvendosej vetëm në Londër.
“Ndihem sikur jeta ime do të jetë gjithmonë midis dy vendeve,” tha këngëtarja shqiptare me famë botërore.
Lipa ka folur edhe për lidhjen e saj me Anwar Hadid, vëllai i motrave Gigi dhe Bella Hadid.
“Anwar është gjysmë holandez, kështu që ai është gjithashtu mjaft evropian në disa kuptime”, tha Lipa duke shtuar se ajo pyet Hadid para se të ndajë ndonjë fotografi të tij në rrjete sociale, megjithëse nuk shqetësohet domosdo nëse ai nuk e bën të njëjtën gjë.
“Gjithmonë më pëlqen të pyes nëse i pëlqen një foto para se ta postoj. Por gjithashtu mendoj se ndonjëherë është e ëmbël që atij i pëlqejnë vërtet disa fotografi të mia jo të bukura”, përfundon Lipa.
Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka takuar zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe trajtimin e rasteve të ndjeshme.
Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.
Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /
Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.
Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.
Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.
Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.
Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.
“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.
Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.
Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.
Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.
Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.
Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/